Gati gjysmë milioni euro arrin shifra me të cilën Ministria e Kulturës ka vendosur që sivjet të përkrahë projekt-propozimet për mbështetje të autorëve. Dy listat preliminare të publikuara, ajo për individë dhe ajo për organizata joqevereitare, peshojnë 461 mijë euro. Te lista e parë janë 84 projekte individuale që janë përkrahur me 447 mijë e 350 euro, përderisa te organizatat joqeveritare janë vetëm dy projekte që do të përkrahen me 14 mijë e 500 euro.
Sa u përket shumave prin Sami Isufi me projektin “Xhamitë e Republikës së Kosovës – Komuna e Podujevës” me 12 mijë euro, më pas Durim Avdullahu me projektin “Lufta e Kosovës 1997-1999” me 10 mijë euro dhe Adriana Kutllovci me projektin “Shqiptarët dhe serbët – E vërteta kundër të pavërtetës, vepër e Shyqri Nimanit, po ashtu me 10 mijë euro. Projektet e tjera janë në shuma më të vogla. Komisionet apo juritë vlerësuese nuk janë bërë të ditura.
Listat e fushave të tjera që do të përkrahë MKRS-ja nuk janë publikuar ende.
Ministria e Kulturës vazhdimisht është kritikuar për vonesa në hapjen e thirrjes nëpërmjet së cilës përkrah skenën e pavarur të kulturës dhe projektet e trashëgimisë kulturore. Vitin e kaluar “lëmshi” kishte shkuar deri në atë masë, saqë brenda 24 orëve publikonte lista të rezultateve, i fshinte ato dhe brenda natës ndryshonte shuma mbështetëse me komision ku asnjë anëtar s’kishte të bënte me artin e kulturën.
Sivjet e ka vazhduar traditën e vonesës. Tek në fund të marsit ka hapur atë që është “Thirrja publike për projekt-propozimet në fushën e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore për vitin 2024”. Dallimi i vetëm sivjet është edhe mundësia e përkrahjes së programeve trevjeçare. Përderisa kjo shihet si pozitive, vonesa në hapjen e thirrjes krijon goxha telashe për organizatat që organizojnë ngjarje të përvitshme.
Po në mars është hapur edhe “Thirrja publike për fondin e mobilitetit 2024”, nëpërmjet së cilës synohet përkrahja e prezantimit ndërkombëtar të sportit, rinisë, artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore.
“Thirrja publike për projekt-propozimet në fushën e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore për vitin 2024” sivjet ka katër kategori: Mbështetje trevjeçare për zhvillimin organizativ dhe programor për OJQ-të e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore, programet njëvjeçare dhe organizimet tradicionale të fushës së artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore, projektet dhe ngjarjet e njëhershme në fushën e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore dhe projektet e krijuesve ose artistëve të rinj.
Te kategoria e parë e kësaj thirrjeje, “Mbështetje trevjeçare për zhvillim organizativ dhe programor të OJQ-ve të fushës së artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore” si format që MKRS-ja do ta aplikojë për herë të parë synon të bëjë fuqizimin e skenës së pavarur kulturore nëpërmjet zhvillimit afatgjatë të organizatave të dëshmuara të cilat janë të profilizuara në fushën e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore. Sipas thirrjes, përkrahja 3-vjeçare ka për objektiva rritjen e cilësisë së krijimtarisë artistike, nxitjen dhe fuqizimin e partneritetit në mes të komunitetit vendor kulturor me organizata dhe institucione kulturore evropiane e përmirësimin e kushteve të përshtatshme të operimit të akterëve kyç të skenës së pavarur kulturore, “përfshirë këtu hapësirën operuese për ushtrim të veprimtarisë së tyre, kapacitetin e nevojshëm njerëzor menaxhues dhe profesional”.
Periudha e zbatimit të programit në këtë kategori është 36 muaj, përderisa shkalla e mbështetjes vjetore sillet prej 50 deri në 100 mijë euro. Pra, nga 50 mijë deri në 100 mijë euro mbështetje vjetore mund të përfitojë një OJQ për vitet 2024, 2025 dhe 2026.