Kulturë

"Menaxheria e qelqtë” në frymë klasike thyen dëshpërimin kolektiv

“Menaxheria e qelqtë”  e inskenuar për herë të parë më 1944, shpesh duket sikur i flet realitetit të sotëm. Skenat janë fort reale por nganjëherë mund të duken edhe surreale.

“Menaxheria e qelqtë” e inskenuar për herë të parë më 1944, shpesh duket sikur i flet realitetit të sotëm. Skenat janë fort reale por nganjëherë mund të duken edhe surreale. Situatat e humorit janë të pranishme thuajse gjatë gjithë kohës.

Një dramë familjare është në qendër të shfaqjes “Menaxheria e qelqtë”, nën regji të Ilir Bokshit e tekst të amerikanit Tennessee Williams. Publiku i premierës së shfaqjes në teatrin e qytetit të Mitrovicës, “Muharrem Qena” të enjten mbrëma janë kthyer brenda kornizës së poetikës së teatrit klasik. Një zonjë shtëpie me kush e di sa halle nuk e zë vendi vend. Pjesa tjetër është histori që depërton te dëshpërimi kolektiv si emërues i përbashkët i shoqërisë së dikurshme me të sotmen

Është një ambient banimi jo bash i zakonshëm por brenda kornizave për një familje me katër-pesë anëtarë. Edhe ata që nuk kanë dëgjuar asnjëherë për dramën veç nga skenografia mund të krijojnë një përfytyrim për atë që do të zhvillohet në skenë. Po ashtu vërehet se bëhet fjalë për një teatër më klasik sesa që shihet në skenën vendore kohëve të fundit. Një dramë familjare është në qendër të shfaqjes “Menaxheria e qelqtë”, nën regji të Ilir Bokshit e tekst të amerikanit Tennessee Williams. 

Publiku i premierës së shfaqjes në teatrin e qytetit të Mitrovicës, “Muharrem Qena” të enjten mbrëma janë kthyer brenda kornizës së poetikës së teatrit klasik. Një zonjë shtëpie me kush e di sa halle nuk e zë vendi vend. Është braktisur nga i shoqi, një alamet burri që punonte në një kompani telefonie dhe thuhet se kishte krijuar një romancë nga distanca. 

Një fotografi e tij qëndron në shtëpi dhe është aso bandilli me një llullë në gojë. Imazhi i tij luhet nga Eshref Durmishi, njëkohësisht në rolin e Tomit. Është djali i një çifti të ndarë dhe në njëfarë forme ka barrën e zgjidhjes së problemeve të së ëmës e motrës së tij. Arsyetimin se po shkon në kinema e ka mbulesë për daljen e tij nëpër pijetore. 

Amandan (Irena Aliu) nuk e zë vendi vend. Jeton midis një rrëmuje mendore: braktisja nga bashkëshorti, hallet e vajzës me telashe shëndetësore e meraku se mos i biri i është dhënë pijes. 

Është aso zonje që dikur renditej te më të pashmet e asaj ane dhe kishte menduar se do të bënte jetë prej aristokrateje. Telashet që ka tash e bëjnë që të mos jetë asnjëherë e qetë. Shpesh i stimulon disa prej tyre dhe ngjan shumë me disa zonja të tanishme që kanë një merak për gjithçka e sidomos se e bija ende s’ka një bashkëshort. 

Drama e inskenuar për herë të parë më 1944, shpesh duket sikur i flet realitetit të sotëm. Skenat janë fort reale, por nganjëherë mund të duken edhe surreale. Situatat e humorit janë të pranishme thuajse gjatë gjithë kohës. Problemet ekonomike gjejnë vend në atë shtëpi bash sikurse në kohët tona kur faturat rriten dita-ditës. Krejt ngjarjet zhvillohen brenda mureve, por personazhet janë tejet universale. Pa u sforcuar, aktorët sjellin realitetin para publikut. Është njëfarë realizmi i teatrit që regjisori Bokshi e ka kthyer në skenë jo pa qëllim. 

Krejt ngjarjet zhvillohen brenda mureve, por personazhet janë tejet universale 

Laura (Qendresa Kajtazi) është e pasionuar pas figurave të qelqta. E gjen qetësinë e ka njëfarë shërimi nga komplekset që nuk e lëshojnë asnjëherë shkaku i çalimit. E ëma i bën presion për t’u martuar e edhe i thotë të vëllait t’ia sjellë një koleg pune për ta njoftuar. Situatat komike s’janë të vogla, por edhe droja e dhimbja njerëzore po ashtu. 

Asgjë nuk shkon mirë në shtëpinë e familjes Wingfield. Autori i njohur me emrin krijues Tennessee Williams e me emër real Thomas Lanier Williams III, i cili jetoi në shekullin e kaluar, ka përdorur shumë situata të jetës së tij në dramë. 

“Ia kam bërë pak si kushtëzim vetes që të ketë më pak personazhe. Është një tekst që e kam përpunuar qëmoti. E kam shumë për zemër. Është një dramë amerikane që besoj që përket edhe me temat e sotshme. Një dramë familjare. Një moszgjidhje e një dëshpërim kolektiv që më duket se na ka kapur edhe ne kohëve të fundit, duke filluar nga krizat ekonomike, politike e shoqërore me të cilat po ballafaqohemi edhe sot”, ka thënë regjisori Ilir Bokshi. 

Bokshi është mjeshtër i teksteve të dramaturgëve amerikanë. Kësaj radhe ka dashur të ndalet te teatri klasik, pasi i duket se publiku e jo vetëm ka nevojë për një format të tillë. Ka reflektuar pak i lodhur nga inskenimet bashkëkohore që kanë kapluar edhe skenën vendore. 

“Kam dashur t’i kthehem një formati klasik. Një realizim realistik e shumë poetik. Kam dashur që poetika e shfaqjes të na vijë të gjithëve. Besoj që herë pas here kemi nevojë që të kthehemi të klasikja. Kam dashur një tekst dhe një shfaqje të ndejtur, njerëzore”, ka thënë ai. 

Shfaqjeve të tilla ku skenografia – në këtë rast e Petrit Bakallit – ka goxha rol, janë e kundërta e teatrit bashkëkohor ku shfaqjet janë njëfarë fletërrufeje aktive e protestave kundër ngjarjeve a fenomeneve të ndryshme. Te formati i përdorur nga Bokshi në këtë rast, ka më shumë “erë” teatri, por s’është shfaqje që mund të shëtisë ta zëmë nëpër Evropë. Jo për shkak të cilësisë, por inskenimet e tilla s’janë të shpeshta. Atij që mund t’i thuhet “teatër serioz” i ka dalë pak boja, megjithëse është i gjithëkohshëm. 

Aktori Edi Kastrati ka thënë se do të veçonte regjinë dhe lojën e aktorëve. 

“Ky zhanër e kjo lloj shfaqjeje e kërkon një përkushtim të tillë. E kërkon një ambient ashtu siç e pamë. Mossocializimi në këtë rast, gjërat që na rrethojnë, mbyllja në vete e disa pika të kësaj vepre të verifikuar botërisht, e kërkon një qetësi të tillë. Pakëz vërejtje te publiku me telefona me dritë të madhe duke bërë fotografi”, ka thënë ai. 

Sipas Kastratit, aktorët gjithnjë e paramendojnë edhe veten në ato rrethana të skenës. 

“I komplimentoj aktorët. Shpresoj që shfaqja të ketë jetë të gjatë. Besoj do të pushojë pakëz në binarët e vet dhe do të ecë”, ka thënë ai. 

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të teatrit “Muharrem Qena” Sabit Sheremeti ka thënë se premiera e dytë me radhë në këtë vit pritet të jetë e suksesshme. E para qe “Kontesha Arduini” me tekst të italianit Aldo de Benedetti nën regji të Marigona Bekteshi-Feratit. 

“Jam shumë i kënaqur me punën që është bërë e po ashtu edhe me shfaqjen”, ka thënë Sheremeti.

“Menaxheria e qelqtë” është teatër i njëmendtë, aso që gjen kohën e vet në çdo kohë. E problemet familjare e shoqërore që paraqiten aty janë dramë e përhershme. Ashtu sikurse situatat komike brenda problemeve familjare.