“StoryLab” është “laboratori” i cili tash e disa vjet eksperimenton në mënyra të ndryshme e të reja të rrëfimtarisë. Kësaj radhe me punëtorinë që titullohet “Memory Jam” e që bashkon të rinj nga Kosova e Anglia, fokusohet te kujtimet. “Do ta përzgjedhim një objekt fizik të cilit ia veshim njëfarë memorieje, kujtese digjitale. Kjo do të bëhet përmes skanimit 3D. Ideja është që secili prej pjesëmarrësve të krijojë një vepër të artit digjital”, ka thënë Artrit Bytyçi, themelues i “StoryLab”
Bashkëpunimi dhe eksplorimi i skenave ndërkombëtare midis Kosovës dhe botës, kryesisht bëhet nëpërmjet artit. E tillë është “Memory Jam”, një punëtori që eksploron kujtesën nëpërmjet artit digjital. Artistët vendorë lidhen virtualisht me ata britanikë në ngjarjen e përbashkët për të zhvilluar punën që eksploron identitetin, kujtesën dhe hapësirën virtuale. Rezultati final pritet të jetë vepra që e bashkon objektin fizik me memorien digjitale.
“StoryLab” – iniciativë ndërdisiplinore për art, shkrim, teknologji, dizajn dhe edukim – bashkë me Shkollën e Arteve Digjitale (SODA) në Universitetin e Manchesterit, synojnë të bëjnë bashkë 20 deri në 30 të rinj që do të punojnë në një vepër digjitale arti. Ajo është ekspozita e ardhshme virtuale që mund të shihet nga publiku i gjerë. Gjithashtu puna e pjesëmarrjeve do të botohet edhe si vepër e shtypur.
Shkrimtari dhe ligjëruesi në “StoryLab”, Artrit Bytyçi, ka thënë se kjo është edhe njëra prej objektivave të punëtorisë.
“’StoryLab’ organizon punëtori që katër vjet. Ne eksperimentojmë në mënyra të ndryshme të reja të rrëfimtarisë. Kryesisht jemi të fokusuar në shkrim kreativ por gjithmonë punëtoritë i kemi bërë në bashkëpunim me disiplinat e tjera. Kjo tash është një lloj kontinuiteti i krejt këtyre. Kësaj here më shumë fokusohemi në art digjital, por pak a shumë është bërthama e ngjashme me gjërat që bën ‘StoryLab’. Kemi dëshirë të përdorim edukimin, arsimin, të krijojmë komunitet nëpërmjet kësaj, të eksperimentojmë dhe në fund zakonisht gjithmonë dalin publikime. Zakonisht bëhet si libër, material i shtypur”, ka thënë Bytyçi.
Datat që janë publikuar për mbajtjen e punëtorisë janë 18 e 20 shkurt, si dhe 4 mars. Bëhet e ditur se pjesëmarrësit do të marrin pjesë në tri seminare që mbulojnë realitetin e shtuar, fotografinë, zërin dhe shkrimin kreativ.
Ligjërues i pjesëmarrësve nga Kosova do të jetë Artrit Bytyçi i cili do t’u ligjërojë artistëve për shkrimin kreativ.
“Kësaj here jemi fokusuar në kujtime. Do ta përzgjedhim një objekt fizik të cilit ia veshim njëfarë memorieje, kujtese digjitale. Kjo do të bëhet përmes skanimit 3D. Ideja është që secili prej pjesëmarrësve të krijojë një vepër të artit digjital. Koncepti është secilit objekt fizik mund t’ia veshim memorien digjitale, sesi mund të bashkojmë fiziken dhe digjitalen”, ka shpjeguar Bytyçi, themelues i “StoryLab”, në një bisedë për KOHËN.
Ligjërues në Manchester janë shkrimtari e ligjëruesi në Shkollën e Arteve Digjitale, Antony Hall, sikurse edhe ligjëruesja Audrey Albert dhe artistja britanike, Mishka Henner.
Bëhet e ditur se në punëtorinë e parë do të eksplorohen teknikat e skanimit 3D si dhe zhvillohen idetë fillestare të frymëzuar nga artistët e ftuar. Diskutimet ndihmojnë në nxitjen e koncepteve për zhvillimin e mëtutjeshëm.
Në punëtorinë e dytë do të praktikohet përdorimi i platformave digjitale si dhe punëtoria fokusohet në zhvillimin e narrativës. Shfaqja përfundimtare i shpalos projektet e përfunduara të pjesëmarrësve.
Punëtoria e tretë zhvillohet në atë mënyrë që pjesëmarrësin i shfaqin veprat e tyre të artit digjital, skemën e draftit të gazetës së printuar dhe prototipin e ekspozitës online.
Themeluesi i “StoryLab” që e organizon punëtorinë në Kosovë, Artrit Bytyçi, ka thënë se pjesëmarrësit jo domosdo do të jenë artistë të artit digjital.
“Jemi duke shikuar për artistë ndërdisiplinarë, jo domosdoshmërisht duhet të jenë artistë digjitalë, sepse gjërat më të mira ndodhin kur disiplina të ndryshme bëhen bashkë dhe bashkëpunojnë. Në punëtori të herëve të kaluara kemi pasur prej shkrimtarëve e deri te psikologët, sociologët, programerë, njerëz në biznes, infermierë e të tjera. Krejt koncepti i punës është t’i vishet memoria digjitale një objekti fizik. Praktika mund të jetë video, audio, tekst, shkrim”, ka thënë ai.
Bytyçi ka thënë se kjo është hera e parë që bashkëpunojnë me Shkollën e Arteve Digjitale në Manchester.
“Është hera e parë që bashkëpunojmë me ta dhe kjo falë ‘British Council’ nëpërmes të cilëve kemi qenë në një vizitë studimore në Britani, pra në Manchester dhe Liverpool. Kjo është mënyrë direkte e vazhdimit të kontaktit që është krijuar verën e kaluar. Ky kontakt që është krijuar atë kohë, ka vazhduar me këtë bashkëpunim që jemi duke e bërë tash”, ka bërë të ditur ai.
Takimet për punëtorinë “Memory Jam” do të bëhen në mënyrë hibride, online dhe fizike. Pjesëmarrësit nga Kosova do të takohen në “Rezidencën 17” në Prishtinë ndërsa pjesëmarrësit nga Britania e Madhe do të takohen në Shkollën e Arteve Digjitale. Të dyja palët do të komunikojnë virtualisht.
Sihana Klisurica, nga fondacioni “Shtatëmbëdhjetë” që e ka në menaxhim “Rezidenca 17”, ka thënë se këto aktivitete janë të rëndësishme për aktivitetin e kësaj hapësire.
“Aktivitete të tilla janë shumë të rëndësishme për individë e grupe të ndryshme që kanë nevojë për hapësira. ‘Rezidenca 17’ meqë është hapësirë publike e menaxhuar nga fondacioni ‘Shtatëmbëdhjetë’ kemi menduar që mënyra më e mirë se si t’ia kthejmë komunitetit është ta ndihmojmë atë duke krijuar hapësira për shfrytëzim pa pagesë, në formë shumë të thjeshtë, nëpërmjet regjistrimit në një listë. Në anën tjetër, është edhe kalendari publik ku mund të caktohet koha e tyre kur u përshtatet ta shfrytëzojnë hapësirën”, ka thënë Klisurica.
E vlerëson të domosdoshme aktivitetin e “Rezidencës” në një kohë kur komuniteteve e individëve u mungojnë hapësirat për ta shpalosur punën e tyre.
“Mendoj se janë shumë të rëndësishme edhe për ne si ‘Rezidencë’ për të parë se çfarë mundësish mund të krijohen dhe t’u jepen artistëve, por edhe grupeve të tjera të shoqërisë në aspektin e gjerë të implementimit të programeve të tyre. Sidomos në mungesë të hapësirave të mjaftueshme për organizata, artistë e grupe të tjera kolektive”, ka thënë Klisurica.
Aplikacioni për pjesëmarrje mund të gjendet në uebfaqen e “StoryLab” dhe pjesëmarrja është falas. Afati i fundit për aplikim është 7 shkurti. Projekti mbështetet nga “British Council”.
Bëhet e ditur se faza e parë do të përfshijë punëtori ndërmjet studentëve dhe profesionistëve të rinj krijues nga Kosova dhe Britania e Madhe, të cilët do të krijojnë vepra arti të lidhura me objekte fizike, duke i mbushur me ato që konsiderohen “kujtime të zgjatura virtuale” si tekst, audio dhe video. Ndërsa projekti kulmon me lansimin online të rezultatit final në Prishtinë dhe Manchester me 4 mars.