Kulturë

“Megalomani” me vetëbesimin e injorancën që s’njeh kufij

Megaloman

Kjo shfaqje ishte dhënë edhe më parë, por kësaj here me një tjetër format. Regjisori i kësaj shfaqjeje e koreografi, Robert Nuha, e ka konsideruar si shfaqje me humor të zi në vetvete që tallet me absurditetin në shoqëri (Foto: Gent Osmani)

Edlir Gashi është koka e krejt rrëfimit në shfaqje. Si kryepersonazh i emërtuar sipas fenomenit, ai flet dhe pjesa tjetër e miraton gjithçka. Kjo është pjesa hyrëse. Që në fillim e prezanton veten dhe publikun e bën ta kuptojë dozën ekstreme të megalomanisë në karakterin e tij. Ai i referohet vetes si poet, filozof. Thjeshtë gjithçka. Nuk kanë rëndësi veprat, dëshmitë. Ai është i bindur se është i zoti për gjithçka. Shfaqja nëpërmjet gjuhës së trupit e kërcimit e shpalos absurditetin e efektet dhe pasojat e megalomanisë. Madhështia e njeriut luhatet. Injoranca e vetëbesimi s’prekin kufi

“Megalomani” bën bashkë teatrin e vallëzimit. Shfaqja nëpërmjet gjuhës së trupit e kërcimit e shpalos absurditetin e efektet dhe pasojat e megalomanisë. Madhështia e njeriut luhatet. Injoranca e vetëbesimi s’prekin kufi.

Edlir Gashi është koka e krejt rrëfimit në shfaqje. Si kryepersonazh i emërtuar sipas fenomenit, ai flet dhe pjesa tjetër e miraton gjithçka. Kjo është pjesa hyrëse. Që në fillim e prezanton veten dhe publikun e bën ta kuptojë dozën ekstreme të megalomanisë në karakterin e tij. Ai i referohet vetes si poet, filozof. Thjeshtë gjithçka. Nuk kanë rëndësi veprat, dëshmitë. Ai është i bindur se është i zoti për gjithçka.

Këto mesazhe i dërgon te publiku e me to e ngacmon atë. Nuk ka nevojë për ndërmjetësues për ta bërë këtë. Nuk ka pengesa midis tij dhe atyre që kanë qenë të shtunën mbrëma në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës për ta ndjekur shfaqjen që është produksion i koreografit Robert Nuha.

Kjo shfaqje ishte dhënë edhe më parë,  por kësaj here me një tjetër format. Regjisori i kësaj shfaqje e koreografi Robert Nuha e ka konsideruar si shfaqje me humor të zi në vetvete që tallet me absurditetin në shoqëri.

“Ne përgjithësisht punojmë me tema të cilat i përkasin teatrit të angazhuar. Një lloj teatri opozitar nëse mund ta quajmë dhe që prek tema të ndryshme, problematika, momente në të cilat ndodhet shoqëria, bën thirrje për sensibilizim në çështje të ndryshme, të drejta të njeriut. Prek edhe tema universale për botën në të cilën jetojmë. Përgjithësisht mundohemi që teatrin që e kultivojmë, përpos atraktivitetit që mund ta sjellë, gjithashtu të japim një lloj mesazhi, fryme, apo ta ngacmojmë publikun për problematika të caktuara që shoqëria jonë”, ka thënë ai pas premierës.

Është një lloj satire me fjalët që janë bërë klishe nëpër fjalime publike. Performuesit në skenë lëvizin me ritmet e fryrjes dhe lëshimit të ajrit prej një balone. Si një simbol për forcën e megalomanit, që projekton idenë e tij se ai jep e merre jetë. Balona i shpërndahen edhe publikut. Ftohen t’i fryjnë ato. Kur lëshohen, publiku bëhet një lloj “vrasësi” i aktorëve në skenë. Ata bien përtokë. Drejtuesi i jetës së tyre bëhen vetë ata për një moment, duke e kthyer jetën me fryrjen e balonave.

Dirigjuesi, megalomani, bëhet pjesë e publikut. Kur dukuria është larg tyre, atëherë fillojnë të gëzojnë jetën aktorët në skenë. Shprehja e krejt kësaj është vallëzimi. Kur ai rishfaqet, bullizimi bëhet formë e tij për të argëtuar të tjerët.

Kur ata bien, përqeshen nga ai. Skena të veçanta çojnë në mendje te sensacioni në të cilin publiku përqendrohet në situatat më serioze. Shpesh dehen nga ndikimi i megalomanisë. Është një lloj dehje që ngjan e nevojshme për mbijetesë. Sepse atëherë nuk e ndiejnë influencën e fenomenit tek ta. Por e marrin veten pas çdo rënie. Ata flasin për jetën. Thonë se e keqja kujtohet më gjatë dhe se egoja e njerëzve është e pafund.

Ngjarja zhvillohet në shumë drejtime. Sa shkon e zhvillohet, definohet përherë më shumë megalomani. Por ndërtohet edhe personaliteti i viktimës. Të gjithë janë, por kryesori njëri prej tyre. Ai që mundohet ta luftojë. Ky është roli i Qendrim Makollit.

“Roli im është i kundërt me megalomanin sepse unë gjithmonë, siç shihet edhe në shfaqje, jam kundër tij. Mundohem t’ia marr pushtetin, edhe pse nuk ka qenë e mundur, por krejt kohën tentoj. Derisa përfundimisht rrëzohem dhe i përkulem, sepse vetëm ai është i përjetshëm”, ka thënë Makolli.

Çlirimi nga megalomania është kapitull më vete në shfaqje. Balona është simboli për fuqinë. Megalomani zhvillon interaktivitetin me publikun. I drejtohet drejtpërdrejt pa pasur nevojë që aktorët të bëhen kanal përcjellës i mesazheve e publiku akteri i tretë. Ai ka aftësi të transmetojë “simptomat” e fenomenit dhe të ndikojë tek të tjerët. Glorifikimi i pakuptimtë është njëra prej shenjave.

Aktori Patriot Osmani ka thënë se shfaqja ka qenë e rëndë në një masë, por se procesi i provave ka qenë një lloj shërimi, duke pasur parasysh mesazhet e shfaqjes, që sipas tij, janë ndërgjegjësuese.

“Në fillimet e saj ishte pak e vështirë, pasi është një shfaqje që kërkon impenjim të madh fizik por me kohën është bërë organike. Ka qenë punë e madhe dhe besoj se është parë edhe prej procesit. Fillimi ka qenë shumë i vështirë, duke parë dukurinë që te ne është fatkeqësisht shumë e shfaqur, por me kohën e kuptuam se është një shfaqje sensibilizuese. Pak më shumë për faktin se na bën të mendojmë se nuk duhet të jemi shoqëri e tillë”, ka thënë Osmani.

Në konceptin e shfaqjes “Megalomani” shkruhet se ajo ngre pyetje të rëndësishme për fenomenin.

“Shfaqja dance teatër, komedia ‘Megalomani’ nëpërmjet artit të kërcimit, kompleksitetit teatral, qasjes bashkëkohore dhe gërshetimit të gjuhës së trupit, fjalës, dhe pantomimës shpërfaq situata në formë komike, në të cilat trajtohet fenomeni i  ‘madhështisë’, pushteti absolut, dhe absurditeti dhe pasojat e këtij fenomeni”, shkruhet në konceptin e shfaqjes “Maegalomani” të drejtuar nga Robert Nuha.

Në shfaqje luajnë edhe Altina Binaku, Lavdije Idrizi, Albiona Sahiti, Lirilinda Krasniqi dhe Enis Mulaku.

Shfaqja kulmon kur personazhi kryesor humbet fuqinë për të vepruar mbi pjesën tjetër si të ishin instrumente. Qoftë edhe nëse bëhet fjalë për ringjallje. Nuk i binden as kur ai zvarritet për ringjalljen e tyre. Ndonëse këtë e bëjnë, vetëm për ta bërë atë viktimën e vetme. Viktimë të vetvetes.