Kulturë

“Mediha” me rrëfimin e guximshëm të aktualitetit tronditës

Mediha

Filmi hapet me temën e saj – një vajzë 15-vjeçare që së fundi u arratis nga skllavëria e ISIS-it. Nis rrëfimin nga momenti i parë kur gjithçka zuri fill, nga një natë e errtë kur e ndanë nga familja

Ekrani shpalos histori të gjenocidit ndaj një fisi kurd në një cep të botës ku skllavëria e shitblerja e njeriut është lufta me një organizatë kriminale. Më pas luftë me shoqërinë, e në fund me vetveten në përballje me traumën. Mediha, një adoleshente, është kryepersonazhi që projekton ecjen e saj me guxim drejt së ardhmes. Sipas saj emërtohet filmi i gjatë dokumentar i regjisorit Hasan Oswald

Ekrani i “DokuFest”, me njërin prej filmave të programit të tij, ka zhvendosur vëmendjen në Irak. Shpaloset historia e gjenocidit ndaj një fisi kurd në një cep të botës ku skllavëria e shitblerja e njeriut është lufta me një organizatë kriminale. Më pas luftë me shoqërinë e në fund me vetveten në përballje me traumën. Mediha, një adoleshente, është kryepersonazhi që projekton ecjen e saj me guxim drejt së ardhmes. Sipas saj emërtohet filmi i gjatë dokumentar i regjisorit Hasan Oswald. 

Filmi hapet me temën e saj – një vajzë 15-vjeçare që së fundi u arratis nga skllavëria e ISIS-it. Nis rrëfimin nga momenti i parë kur gjithçka zuri fill, nga një natë e errët kur e ndanë nga familja. Ata janë grup indigjen, si refugjatë të vendosur nga një qytet kurd. Janë “jazidi” dhe, sipas shpjegimit të Mehidas, kjo është arsyeja e vetme pse janë persekutuar ndër vite. 

Materialet e përdorura, prej atyre që me krenari grupi ISIS i kishte publikuar lënë pa fjalë. Rrëqethin. Ata marrin me forcë djem të rinj, fëmijë, t’i bashkohen grupit, ndërsa vajzat e reja si skllave duke i vënë në treg. Si rrjedhojë e krejt kësaj, bëhet e ditur se sot mungojnë rreth tre mijë veta. 

Mediha prezanton me hijen e saj dhe kampin e refugjatëve të vendosur në rajonin e Irakut të Veriut. Ajo jeton aty për dy vjet me dy vëllezërit e saj. Prindërit dhe vëllai më i vogël janë të zhdukur, të marrë nga ISIS. Kur kthen kamerën kah vetja, zbulohet fytyra e saj e bukur. Njofton se duhet të jetë vetëm, të shkojë diku ku askush nuk mund ta dëgjojë. 

Jeton në një rreth e familje ku nuk lejohet që gratë e vajzat të flasin për vuajtjet. Por ajo e përdor kamerën si formë për t’u shprehur. Ëndrra e saj është të flasë lirshëm dhe regjisori Oswald të paktën këtë e ka bërë të mundur tek ajo përgjatë tre vjetëve të xhirimeve. 

“Siç thotë doktori në dokumentar, se këto gra janë më të pazëshmet në botë, sepse është një ndëshkim i dyfishtë për to kur merren dhe më pas kthehen. I trefishtë kur kanë edhe fëmijë. Hijet e saj në dokumentar janë shembull i mrekullueshëm që ajo e ndan personalitetin e saj me atë që do të flasë dhe nuk lejohet, nuk inkurajohet. Është një mesazh në atë pjesë. Ajo nuk lejohet të flasë me askënd kështu që kamera e bën këtë të mundur”, ka thënë ai pas shfaqjes së filmit në “DokuKino” i cili garon në kategorinë e festivalit për dokumentarin që trajton të drejtat e njeriut. 

Mesazhi në “Mediha” është urgjent dhe i fuqishëm. Para se ajo të shitej si skllave, jetonte në qytetin Sinjar bashkë me familjen. Në vitin 2014, forcat e Shtetit Islamik pushtuan fshatin e tyre ku ushtarët ishin në mision gjenocidal për të zhdukur popullin “jazidi”, një pakicë fetare që ndërthur besimet tradicionale islame dhe ato të lashta persiane. 

Shumë prej burrave u vranë dhe trupat u hodhën në një varrezë masive, ndërsa djemtë e rinj  u trajnuan për t’u bërë ushtarë. 

Mediha është në kërkim të nënës së saj, Afaf dhe vëllait të saj të vogël. Aty janë përpjekjet e shpëtimtarëve profesionistë për të gjetur ata dhe vendimin e Medihas për të kërkuar drejtësi duke ndjekur penalisht robëruesit e saj. Pak prej viktimave gjejnë drejtësi e liri. 

Momente drithëruese janë ato kur e çojnë publikun nëpërmjet ekranit në kampin “Al Hod” në Siri që kontrollohet nga ISIS. Aty gra dhe fëmijë jetojnë me ushtarë. Është mjedis armiqësor për të huajt. 

“Ishte shumë e frikshme. Pjesa më e frikshme ishte që nuk e flisja gjuhën e tyre, por i besoja gruas që ka ardhur me ne, pasi ajo ka qenë mbase 100 herë atje. Aty nuk ka rojë që të mbrojnë. Unë xhiroja, tërhiqja vëmendje. Isha paksa naiv, por kishte tension aty. Ishte përvojë e vështirë”, është shprehur regjisori Hasan Oswald. 

Që nga fillimi i karrierës së tij filmbërëse, Hasan Oswald ka krijuar një aftësi për të kapur përvojën njerëzore përmes kinemasë së vërtetë. Qasja dhe intimiteti i tij i papenguar me subjektet e tij krijojnë një rimeso të pandërprerë midis regjisorit dhe subjektit që rrit menjëhershmërinë dhe natyrën personale të tregimit të tij.

Oswald përshkruan përpjekjet e Medihas për të hapur hetim zyrtar kundër robëruesit të saj. Procesi kërkon që ajo të rrëfejë kujtime të dhimbshme në polici. Ato të cilat ajo është përpjekur t’i harrojë.
Është e kuptueshme që po fsheh pjesët më të dhimbshme të robërisë së saj, por heshtjet brenda pjesëve të saj të dokumentimit komunikojnë këtë pjesë të publiku. Duket se ajo është çdoherë më rehat para kamerës. 

Ajo kalon shumicën e ditëve duke u kujdesur për vëllezërit e saj më të vegjël, zemërimi i të cilëve kundër Shtetit Islamik manifestohet në premtimet për t’u bërë militantë dhe për të vrarë robëruesit e tyre. Brenda tyre, dokumentari gjurmon logjikën e forcës ushtarake dhe tregon se si dhuna lind vetëm më shumë dhunë.

Duke i besuar Medihas kamerën, Oswald i ka dhënë asaj dhe vëllezërve të saj mundësinë për të shpresuar duke u shprehur përballë syrit xhirues.  

“Kam dashur të luaj me balancën e fuqisë midis filmbërësit dhe pjesëmarrësve dhe kjo ka qenë sfiduese për të dy palët. Ka qenë e veçantë ta përcjellësh kamerën te dikush tjetër dhe të mundohesh të jesh Mediha. Ata ishin shumë kuriozë, ajo kurrë nuk ka pasur një mike që të flasë me të, kështu që nuk i dhashë udhëzime, vetëm ia lashë kamerën dhe pamjet e para ishin të mrekullueshme, ishin të teknikës kinematografike. Ajo nuk kishte më parë eksperiencë me kamerën”, ka thënë ai. 

Krejt në fund ai ka bërë të ditur se tani Mediha po jeton në New York ku po shkollohet. Është marrë vesh edhe për fatin e nënës së saj – është vrarë. 

Emma Burrows, gazetare nga Londra, ka thënë se dokumentari po bën punë të mahnitshme në ngritjen e vetëdijes së njerëzve për luftën e të tjerëve me traumën. 

“Ishte shumë e qartë që është bërë punë e madhe për dokumentarin dhe shumë kohë është dashur të krijojë besim te Mediha dhe vëllezërit e saj. Ajo çfarë më bëri përshtypje ishte se si madje edhe vëllezërit e saj thonë gjëra që nuk do t’i prisja dhe tregon se ata nuk janë vetëm fëmijë. Është dokumentar shumë i rëndësishëm, sepse tregon qartë një rrëfim të harruar. Siç e thotë edhe doktori në dokumentar, ata janë njerëzit më pa zë në planet që kanë përjetuar trauma”, ka thënë ajo. 

Chris Hawkins nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka thënë se dokumentari ka qenë burim i pasur informacionesh e detajesh në lidhje me temën që sipërfaqësisht është trajtuar në mediat e vendit të tij. 

“Mendoj se ishte jashtëzakonisht i fuqishëm. Kam dëgjuar rrëfime të shkurtra nga lajmet, por jo shumë. Sidomos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mundohemi të mos dëgjojmë shumë se çfarë ndodh jashtë vendit, kështu që duhet hulumtim. Për  mua filmi ishte shumë i fuqishëm. Më pëlqen fakti që dëgjuam për kompleksitetin, nuk ishte vetëm vizion njëdrejtimësh, por ka mbuluar shumë tema dhe ka dhënë pamje të balancuar”, ka thënë ai. 

Pas shikimit të dokumentarit “Mediha”, koncepti për lirinë është më kuptimplotë.