Kulturë

Mbrëmja operistike vishet me romantizëm në kujtim të Puccinit

Në koncertin e dytë në kuadër të RLIOF-it u zbërthye misteri, drama e dashuria që mbizotëron pikërisht në veprat e Puccinit (Foto: RLIOF)

Në koncertin e dytë në kuadër të RLIOF-it u zbërthye misteri, drama e dashuria që mbizotëron pikërisht në veprat e Puccinit (Foto: RLIOF)

Nga interpretimi mjeshtëror i çiftit italian, sopranos Sara Rossini dhe tenorit Riccardo Della Sciucca, u realizuan me sukses arie të shumta, në shoqërimin virtuoz nga Ardita Bufaj në piano. Nisur nga fakti që këtë vit shënohet 100-vjetori i vdekjes së Giacomo Puccinit, vjen në konsideratë reflektimi mbi trashëgiminë e tij të madhe në muzikën klasike. Qe një natë romantike edhe për të tjera arsye

Është njëri prej emrave ikonikë të muzikës lirike. Giacomo Puccini, kompozitor italian i shekullit të 19-të dhe fillimit të shekullit të 20-të ua ka vënë vulën disa prej kryeveprave operistike të romantizmit të vonshëm. “La Bohème”, “Tosca”, “Madama Butterfly” janë vetëm disa nga to, e nisur nga fakti që këtë vit shënohet 100-vjetori i vdekjes së tij, vjen në konsideratë reflektimi mbi trashëgiminë e tij të madhe në muzikën klasike. 

Një simbolikë e tillë nuk u harrua as me edicionin e katërt të festivalit ndërkombëtar të operës “Rame Lahaj”. Në koncertin e dytë, në kuadër të këtij festivali, u zbërthye misteri, drama e dashuria që mbizotëron pikërisht në veprat e Puccinit. Nga interpretimi mjeshtëror i çiftit italian, sopranos Sara Rossini dhe tenorit Riccardo Della Sciucca, të mërkurën mbrëma u realizuan me sukses arie të shumta, në shoqërimin virtuoz nga Ardita Bufaj në piano. 

Por, vapa qe sërish temë më vete. Dhe fakti që vendi ende nuk ka një sallë koncertale prej mirëfilli teksa interpretuesit në skenë përpëliten me zagushinë, e në anën tjetër publiku me pahitëset të cilat janë bërë të domosdoshme në çdo paraqitje koncertale në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në Prishtinë. 

Se kjo mbrëmje nën titullin “Opera Night” – e cila është pjesë shënjuese e çdo edicioni – kishte rezervuar një program me impenjim të lartë teknik e dinamizëm të hatashëm emocionesh, u tregua qysh në arien e parë të performuar nga Della Sciucca. “Terra e mare” ishte pjesa e parë kamertale e cila u bë si një takim i parë me audiencën. Shtrirja vokale e tij dhe ngjyrimet lirike e bënë publikun për vete. 

Se kjo mbrëmje nën titullin “Opera Night” – e cila është pjesë shënjuese e çdo edicioni – kishte rezervuar një program me impenjim të lartë teknik e dinamizëm të hatashëm emocionesh, u tregua qysh në arien e parë të performuar nga Della Sciucca (Foto: RLIOF)

Tenori Riccardo Della Sciucca ka lindur në Atri. Ai studioi për solo këndim me tenorët Romano Emili, Luciano Ganci dhe sopranon Iano Tamar, si dhe për filozofi në Universitetin Katolik në Milano. Pas punës së hershme si këngëtar koral, ai u shfaq si solist në “Te Deum” të Brucknerit në Teatro Comunale Maria Caniglia në Sulmona dhe në “Requiem” të Mozartit, “Messa di Gloria” të Puccinit dhe “Simfoninë e Nëntë” të Beethoven në Istituzione Sinfonica Abruzzese. Në vitin 2017 mori çmimin e parë në garat ndërkombëtare të këngës “Adriana Malipont” dhe “Angelo Lo Forese” në Milano.

Si eksperiencë, kjo paraqitje në RLIOF për tenorin italian ishte ndryshe nga performancat e tjera të tij. Romantik ishte edhe në prononcim përtej performancave. 

“Ka qenë një mbrëmje vërtet e paharrueshme dhe e veçantë duke lënë me një anë temperaturat e larta. Ishte kënaqësi e veçantë që ndava këtë koncert me atë që do të jetë bashkëshortja ime e ardhshme, me Sara Rossinin. Ka qenë kënaqësi të ndanim me ju një repertor tërësisht nga Giacomo Puccini. Unë e dua këtë kompozitor dhe besoj që përshtatet shumë me zërin tim, dhe në veçanti dy veprat që dua më shumë janë ‘Madama Butterfly’ dhe ‘Toska’, shpresoj që shumë shpejt do të debutoj në operën ‘Toska’, pasi që në ‘Madama Butterfly’ veç se kam debutuar tashmë”, është shprehur ai në një prononcim për KOHËN. 

Ajo çfarë meriton vëmendje të veçantë në një rishikim të këtij koncerti ishte dueti i dyshes i cili ngjante me një performancë gati melankolike. “Mario, Mario, Mario..non la sospiri...mia”, ishte një pjesë nga opera e famshme “Tosca”. Krejt ajo çka shfaqej gjatë këtij interpretimi ishte një moment i ndjeshëm e i mbushur plot pasion mes sopranos e tenorit. Aty ata shprehnin dashurinë dhe emocionet e tyre për njëri-tjetrin në mënyrë të theksuar. Ndryshe nga interpretimet solo që i prinë duetit, këtu u realizua një performancë e cila përveç vokalit mori kahe edhe teatrale me lojën e dyshes. Nga përfshirja e thellë e tyre në veprën e interpretuar jepej përshtypja se po mungon vetëm një skenografi e kalibrit të “La Scala” dhe disa kostume adekuate, që ajo të merrte epitetin e një opere të vërtetë. Në fund dueti u finalizua me një puthje të çiftit, e cila përkonte me natyrën e atmosferës romantike. 

Edhe për sopranon Sara Rossini kjo paraqitje ishte ndryshe nga të tjerat. Ka thënë se ndihet e nderuar që është ftuar të marrë pjesë në këtë festival. 

“Jam shumë e lumtur pas kësaj performance, kjo është një ngjarje shumë e mirë për ne, jemi shumë krenarë që jemi këtu, që jemi pjesë e këtij festivali të mrekullueshëm, është kënaqësi që të përfshihemi në këtë ngjarje”, ka thënë ajo. 

E repertori i interpretuar rezonon me të edhe personalisht. Përtej sfidave që mund të shfaqin veprat e Puccinit, ajo beson se kanë arritur të paraqesin para publikut një program unik. 

“E dua këtë kompozitor dhe kur drejtori artistik na tha që të ndërtojmë një program të tërin për Puccinin ishim fillimisht të frikësuar, sepse është shumë sfiduese, por pastaj gjetëm shumë pjesë të fshehura nga veprimtaria e tij, por duke i përzier dhe me opera të njohura dhe kështu bëmë këtë përzierje të veçantë”, ka përfunduar Rossini. 

Ajo diplomoi me nderime në Shkollën e Muzikës G. Verdi në Milano duke përsosur aftësitë e saja me sopranon Daniela Dessì dhe Iano Tamar. Ishte studente në Accademia del Teatro alla Scala në Milano për periudhën dyvjeçare 2016/2018. Mori Çmimin e Parë në konkursin ndërkombëtar të operës Umberto Giordano, Çmimin e Parë në konkursin ndërkombëtar Spiros Argiris në Sarzana dhe seksionin “Debutantët” të konkursit AsLiCo. Ajo debutoi si Mimì në “La Bohème” në Landestheater në Linz, nën drejtimin e Enrico Calesso, Lauretta në Gianni Schicchi në Teatro Comunale në Sassari dhe në Festivalin Opera Sarzana. 

Dueti i dyshes, i cili ngjante me një performancë gati melankolike (Foto: RLIOF) 

“O mio babbino caro” nga opera e Giacomo Puccinit, “Gianni Schicchi”, ishte njëra ndër ariet që paralajmëronin fundin e këtij koncerti. Si melodi është e njohur për audiencën. Thellësinë emocionale, duke shprehur dëshirën dhe nevojën e fortë të “Laurettës” (protagonistes) e solli mjeshtërisht Rossini, duke risjellë në mendje dhe performancat ikonike të saj nga legjendat Callas e Caballé. 

Gjatë gjithë kohës përcjelljen e tenorit dhe sopranos bashkë me dy intermexot plot virtuozitet i bëri pianistja nga Shqipëria, Ardita Bufaj. E për të pjesëmarrja në RLIOF nuk është hera e parë dhe e vlerëson lart. 

“Është hera e dytë që unë jam ftuar nga tenori Ramë Lahaj, nga viti në vit ka rritje të jashtëzakonshme dhe prurje të këngëtarëve shumë të rëndësishëm, por jo vetëm te nata e ‘Opera Night’, por edhe në netët e tjera janë të ftuar këngëtarë me një karrierë të suksesshme, e cila besoj që do t’u shërbejë shumë këngëtarëve të rinj, brezit të ri, të cilët ju këtu i keni shumë të talentuar”, ka thënë ajo. 

“Ensemble Evening” të premten mbrëma, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, do të jetë stacioni i radhës për RLIOF. Në kryeqytet do ta sjellë Sam Jewison, solistin anglez me tingujt jazz e swing.