Kulturë

Martina Arduino – mjellma e veprave përrallore nga “La Scala” në Prishtinë

Primabalerina e “La Scalas”, Martina Arduino në rolin e Odettes së “Liqenit të mjellmave” në gala-koncertin e Filharmonisë së Kosovës, më 21 dhjetor të këtij viti (Foto: Arben Llapashtica)

Primabalerina e “La Scalas”, Martina Arduino në rolin e Odettes së “Liqenit të mjellmave” në gala-koncertin e Filharmonisë së Kosovës, më 21 dhjetor të këtij viti (Foto: Arben Llapashtica)

“Roli më i mirë ku një balerinë e mirë mund të tregojë shkathtësitë është baleti ‘Liqeni i mjellmave’. Kur fillova të zbuloj shumë prej roleve, kuptova se aty ishte imazhi ideal i një balerine”, ka thënë Martina Arduino primabalerina e prestigjiozit “Teatro alla Scala”. Si Odette e “Liqenit të mjellmave” ka debutuar edhe në Kosovë, në gala-koncertin festiv të Filharmonisë së Kosovës. Arduino flet për ndjesinë e saj në Prishtinë, për rrugëtimin e shpejtë në skenën prestigjioze. “Baleti është jeta ime”, rrëfen ajo. “Me balet shprehem, jam vetvetja në skenë, shpreh emocione dhe e emocionoj veten”, thotë ajo

Në “liqenin” e skenës së baletit të Kosovës, “mjellma” italiane lundroi veç një herë. Me atë që konsiderohet si simbol i përjetësisë – “The Dying Swan” nga baleti “Carnival of Venice”, Martina Arduino, primabalerina e “Teatro alla Scala” – njëra prej shtëpive më prestigjioze në botën operistike – zbarkoi me betejën kundër vdekjes. Si mjellmë që lufton fort në rol baleti e në jetë.

Sa magjepsëse, joshëse, përrallore, aq edhe melankolike, prekëse e tragjike është loja e balerinës Martina Arduino në një sallë private në periferi të Prishtinës. Një e tillë larg imazhit të sallës madhështore neoklasike të teatrit që themelet i datojnë prej vitit 1776 në Milano të Italisë.

Me rolin simbol të betejës për jetë  

Nga prapaskena ku prekin drithërimat e të ftohtit të ditës së parë të dimrit në Prishtinë synon skenën. Përkulet siç bën me përshëndetjen prej balerine, për të kaluar hyrje-daljen e vetme nga skena, si “strofull” i vendosur në anën e majtë të saj. Ngjan se prej aty e deri në pozicionin e saj në qendër të skenës, sytë e saj përplasin shikime te fytyrat e njerëzve që pak vërehen në sallën e errët.

Kur tingujt melankolikë të violonçelit dhe ata harmonikë të pianos nisin të ngjyrosin rrethanat e situatës së saj prej mjellme, aty nis betejën me vetveten. Në fragmentin e veprës së francezit Camille Saint-Saens beteja kundër vdekshmërisë është tema. Ajo lufton deri në fund. Përfaqëson luftën e përjetshme të vdekjes dhe gjithçka që është e vdekshme. Edhe mjellmën, edhe njeriun. Ekuilibri i saj është përherë duke u lëkundur, derisa përfundimisht bie përtokë në skenën ku zhurma e dërrasave bëhet “tingull” i muzikës që e përcjell.

Edhe vetë e thotë se nuk është mësuar të interpretojë në skena të tilla. Por e vlerëson përvojë magjike e të bukur kur atë e bazon në bashkëpunimin me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës.

“Ndjeva fuqinë e orkestrës, bashkëpunimin e ngushtë. ‘La Scala’ është teatër madhështor, por nganjëherë e ndien një hendek me pjesën e muzikës pasi ka shumë hapësirë, skena është shumë e madhe. Orkestra është përherë para meje. Këtu, orkestra ishte prapa meje dhe muzika më rrëmbeu gjatë performancës. Ishte unike. Magjike. Vepra ka qenë ajo me të cilën mund ta shprehësh shpirtin nga fillimi në fund. Një histori e shkurtër. Me një orkestër të tillë ishte rrëfim më vete”, ka thënë balerina e shquar italiane, në bisedën për “KOHËN” një ditë pas gala-koncertit festiv të Filharmonisë së Kosovës, të shtunën e 21 dhjetorit.  

“Teatro alla Scala” me një mijë e 987 ulëse e me enterier përrallor është shtëpia e saj prej vitit 2015 kur u bë pjesë e trupës rezidente të institucionit. Kontrasti është me skenën në Prishtinë. Por për të, audienca është primare. Konsideron se mënyra më e mirë për edukimin e publikut është kur institucioni i tërheq ata për të parë shfaqje, pa menduar në cilën hapësirë shpaloset rrëfimi.

“Ndjeva fuqinë e orkestrës, bashkëpunimin e ngushtë. ‘La Scala’ është teatër madhështor, por nganjëherë e ndien një hendek me pjesën e muzikës, pasi ka shumë hapësirë, skena është shumë e madhe. Orkestra është përherë para meje. Këtu, orkestra ishte prapa meje dhe muzika më rrëmbeu gjatë performancës. Ishte unike”, ka thënë Arduino pas debutimit të saj në Kosovë (Foto: Arben Llapashtica)

“Prishtina mund të mos ketë teatër, por ka publik të mrekullueshëm...”

“Ideja është që publiku të edukohet të shkojë në teatër të shohë balet. Për mua kjo është shumë më e rëndësishme sesa të kesh hapësirën për të dhënë shfaqje. Duhet të punohet patjetër në këtë drejtim, por është shumë më e rëndësishme të edukosh publikun ta dojë baletin. Prishtina mund të mos ketë teatër, por ka publik të mrekullueshëm. Kishte shumë njerëz, shumë entuziastë, nuk erdhën për teatrin, për hapësirën, por për të parë art në skenë. Audienca i jep shpirt hapësirës”, ka thënë balerina 28-vjeçare.

Muzika minimaliste sa u përket instrumenteve – me violonçel nga Antonio Gashi dhe piano nga Andi Duraku – nuk qe ajo që e bëri balerinën të vinte  në pah përqendrimin absolut të publikut te loja e saj. Qe mësuar që lëvizjet e saj delikate të shpërbleheshin me duartrokitje, edhe nëse ato do ta shpërqendronin rrjedhën e veprës.

“Kam ndier vëmendjen e tyre. Kam parë nga skena se publiku me të vërtetë është me ty në atë rrëfim. Dritat te publiku nuk ishin aq të errëta dhe pashë se çdonjëri ishte i fokusuar tek unë. Kjo ka krijuar një atmosferë magjike, sepse të gjithë më ndiqnin në secilën lëvizje. Kur kuptuan se pjesa po përfundonte, shpërthyen në duartrokitje. Por deri në notën e fundit ishin syhapur, sepse nuk donin ta ndërprisnin atë qetësi maksimale. Ishte një person që luante mjellmën dhe që po vdiste. Ky ishte momenti im ideal ta tregoj rrëfimin deri në fund, pa u penguar”, është shprehur Arduino.

Karakteri që shfaq në skenën në Prishtinë zgjerohet në përplot tipare që reflektojnë edhe në karrierën e suksesshme të saj si balerinë. Loja e saj solo është një lloj rrëfimi poetik i momentit të fundit të jetës së një mjellme. Një asi që shihet si simbol i mençurisë dhe që përbrenda shpërfaq fuqinë e vetvetes, ekuilibrin, bukurinë e brendshme, pafajësinë, vetëvlerësimin, kuptimin shpirtëror, evolucionin  e përkushtimin.

Ajo qe një prej solisteve në koncertin e Vitit të Ri të  Filharmonisë së Kosovës. Frymën e baletit klasik e solli edhe balerini Toni Candeloro, një nga figurat më të njohura italiane në botën e vallëzimit. Pas “monologut” me “The Dying Swan”, bashkë sollën në duet “Valse de Jardinieres” nga baleti “Giselle”.

Balerina e kryepersonazheve të veprave botërore

Martina Arduino ka treguar se prej repertorit të saj, roli i Giselles nga ky balet është njëri prej të cilëve e prek thellë. Ky ishte edhe roli i saj profesional.

“Isha në vitin e fundit të Akademisë kur e luajta rolin e Giselles. Më kujtohet që isha shumë e stresuar, sepse duhej t’i mbaja linjat, të jem në të njëjtën vijë me personazhe të tjera. Lëvizjet duhej të bëheshin në të njëjtën kohë, në vijë të barabartë. Nuk duhet aspak të devijosh. Por isha shumë e lumtur kur mentori im më tha: ‘Ishte shumë bukur, të lumtë, vazhdo kështu’”, ka thënë ajo duke kujtuar momentin e debutimit të saj në skenë si balerinë profesioniste.

Odette nga “Liqeni i mjellmave” dhe Juliet nga “Romeo dhe Xhulieta” janë rolet e tjera që i japin të njëjtën ndjesi. Thotë se e prekin thellësisht. E vlerëson edhe atë të Tatjanës nga “Onegin”. Për këtë rol, me të cilin debutoi në vitin 2022, kritika e pati vlerësuar si “shumë natyrale dhe spontane” dhe se “me bukurinë e saj të thjeshtë dhe naive dukej si një heroinë klasike ruse”.

Ajo thotë se për një balerinë është nder e privilegj të ketë mundësi t’i interpretojë ato.

“Roli më i mirë ku një balerinë e mirë mund të tregojë shkathtësitë është baleti ‘Liqeni i mjellmave’. Kur fillova të zbuloj shumë prej roleve, kuptova se aty ishte imazhi ideal i një balerine. Te Juliet nuk janë vetëm hapat, por duhet edhe të tregosh historinë në të njëjtën kohë në skenë. Pata plot role të tilla. Për mua, Juliet ka qenë rol shumë i lehtë, sepse isha shumë afër moshës së personazhit. Ishte e lehtë të tregohej rrëfimi. Më pas zbulova rolin e Tatjanës në ‘Onegin’. Ishte rol i bukur dhe shumë e lehtë të bëhesha ky personazh. Këto janë dy role të veçanta për mua, të cilat do të doja t’i luaja sa më shumë ndër vite dhe ta avancoj përvojën time me to”, është shprehur Arduino në bisedë, disa orë para se të merrte fluturimin për t’u kthyer në Milano.

FolegjendaBalerina_3: Në akademinë e “Teatro alla Scala” do të formohej si balerinë e do të perfeksiononte teknikat e lojës së baletit. Në prill të 2018-s ajo u bë primabalerinë në moshën 21-vjeçare, një prej balerinave më të reja kryesore në historinë e teatrit (Foto: Arben Llapashtica)

Prej hapave të parë deri te kulmi i karrierës

E lindur në qytetin e Torinos, po aty mori mësimet e para për kërcim klasik në një shkollë private. Duke dashur të dalë nga zona komforte që kishte krijuar aty, synonte të sfidohej dhe të punonte më fort për t’i zhvilluar shkathtësitë e saj. Thotë se kishte më pak rregulla në këtë shkollë. Në vitin 2007, Martina Arduino  u pranua në Akademinë e Baletit të “Teatro alla Scala”, nga e cila u diplomua në vitin 2015.

“Kam filluar kur isha katër vjeçe. Nëna, bashkë me motrën time, më dërguan në shkollën e baletit ku unë nisa të ushtroj dhe kurrë më nuk ndalova së vallëzuari. Në fillim ishte dëshira për të qëndruar me fëmijët e tjerë në studio, të dëgjoj muzikë. Më pëlqente ky lloj i disiplinës. Pas rreth dhjetë vjetësh e fillova në mënyrë profesionale. Mësuesi im thoshte se isha e talentuar dhe se mund të provojmë të hyjmë në akademinë e ‘Teatro alla Scala’. Për ta bërë këtë duhej një audicion, kështu që ia mësyva. Aty kuptova se doja ta kisha rrugëtim jetësor baletin”, ka treguar ajo.

Në akademinë e “Teatro alla Scala” do të formohej si balerinë e do të perfeksiononte teknikat e lojës së baletit. Në prill të 2018-s ajo u bë primabalerinë në moshën 21-vjeçare, një prej balerinave më të reja kryesore në historinë e teatrit.

Këtë e konsideron kulm të karrierës së saj.

“Moment i rëndësishëm ishte kur u emërova balerinë kryesore. Isha 21-vjeçe. Isha shumë falënderuese dhe ndieja se puna ime është shpërblyer. Kisha më shumë përgjegjësi, por ishte moment shumë i rëndësishëm i karrierës sime për të vazhduar drejt sfidave të reja, roleve të tjera”, ka thënë ajo.

“Baleti është jeta ime”

Veç disa prej roleve në listën e gjatë të repertorit të saj janë Medora dhe Gulnare në “Le Corsaire”, e dashura e Lescaut në “Manon” e Aurora në “Bukuroshja e fjetur”.

Pasi fitoi çmimin si kërcimtare e vitit në edicionin e 48-të të “Premio Positano Léonide Massine” më 2020, zgjeroi repertorin e saj me rolet e Olgës në “Madina”, luajti si Nikiya në “La Bayadère” dhe si Smeralds në “Jewels”. Një vit më pas, më 2021 mori çmimin kombëtar “Sfera D’Oro” për kërcim. Debutimi i saj si Giselle u zhvillua në vitin pasues. Më 2022 Arduino debutoi si Tatjana në “Onegin” si dhe kërceu në rolin e Claras te “Arrëthyesi”. Në vitin 2023 ajo bëri debutimin e saj si Odette dhe Odile në “Liqenin e mjellmave”.

Arritjet e balerinës Martina Arduino janë fryt i përkushtimit në profesion gjatë gjithë këtij rrugëtimi të saj.

“Duhet të punosh me pasion, të kalosh shumë kohë duke ushtruar, sepse ka shumë hapa që duhet të mësohen teknikisht, secilën ditë. Për shembull, unë filloj rreth orës dhjetë paradite dhe vazhdoj deri në orën pesë pasdite. Mund të jetë më pak ose më shumë, por patjetër duhet të ushtrosh pesë orë në ditë”, ka thënë ajo, derisa baletin e konsideron si mënyrë artistike për t’u kënaqur duke punuar. Për t’u futur në botën e karaktereve që janë shkruar me qindra vjet më parë. Por gjithmonë, për të, çelësi i suksesit është puna, përkushtimi.

“Talenti është i domosdoshëm, por të duhet të punosh, të rritesh dhe ta shprehësh talentin, përndryshe nuk do të mund të jesh një balerinë e mirë vetëm me talent. Përkushtimi është ky çelës”, ka thënë balerina Martina Arduino.

“Baleti është jeta ime”, rrëfen ajo. “Me balet shprehem, jam vetvetja në skenë, shpreh emocione dhe e emocionoj veten”. 

Lexo edhe: