Kulturë

Mario Vargas Llosa – gjiganti i letërsisë që u bë edhe zë i Kosovës

Mario Vargas Llosa  (28 mars 1936 – 13 prill 2025) Foto: AP

Mario Vargas Llosa (28 mars 1936 – 13 prill 2025)

Foto: Associated Press

Ai i dha botës vepra kapitale në letërsi, histori të rënda të korrupsionit në vendin e tij e përvoja të ashpra në shkeljen e të drejtave dhe lirive të njeriut. Mario Vargas Llosa ishte mjeshtri universal i fjalës. Kontributi i tij si alamet intelektuali jehoi edhe midis zërave që mbronin të drejtën e shqiptarëve të Kosovës për të jetuar të lirë në vendin e tyre. Përkrahu bombardimet e NATO-s kundër ish-Jugosllavisë dhe iu bë krah viktimave. Me vdekjen e tij bota humbi gjigantin e letërsisë, e filozofia politike shembullin që e trajtonte edhe si fenomen

Kur më 1963 botoi romanin e parë, “Koha e heroit”, nisi të dalë në pah si një shkrimtar i ri me afinitetin që të letrarizojë përvojën e tij. Në këtë vepër gjente vend rinia e një peruani në Akademinë ushtarake “Leoncio Prado” në Lima. 

Ngadalë Mario Vargas Llosa do të shndërrohej në romancierin i cili shquhet për realizëm të egër e të mbështjellë me shumë fije erotike. I dha botës vepra kapitale në letërsi, histori të rënda të korrupsionit në vendin e tij e përvoja të ashpra në shkeljen e të drejtave dhe lirive të njeriut. Jo veç letërsia e Perusë dhe ajo e amerikano-latine, por krejt globi fitoi një shkrimtar gjigant e intelektual të pakompromis në raport me lirinë. 

Mario Vergas Llosa vdiq të dielën vonë në Lima të Perusë. Ai ishte 89 vjeç. Kontributi i tij si alamet intelektuali jehoi edhe midis zërave që mbronin të drejtën e shqiptarëve të Kosovës për të jetuar të lirë në vendin e tyre. Përkrahu bombardimet e NATO-s kundër ish-Jugosllavisë dhe iu bë krah viktimave. Me vdekjen e tij bota humbi gjigantin e letërsisë, e filozofia politike shembullin që e trajtonte edhe si fenomen.

Fati i paracaktuar në rrugën e letërsisë

I lindur më 1936, në Arequipa të Perusë, Vargas Llosa e kishte kuptuar se dëshironte të bëhej shkrimtar qëkur ishte fëmijë, i mahnitur me romanet aventuriere të Jules Verne. Pjesën më të madhe të fëmijërisë së tij e kishte kaluar në Cochabamba të Bolivisë, pastaj ishte vendosur me prindërit e tij në lagje të shtresës së mesme në Lima. Në mes të viteve ’50 kishte studiuar drejtësinë dhe letërsinë në Universitetin e Shën Markut në Lima – atëbotë një kohë trazirash dhe dhune në Peru – dhe pastaj kishte shkruar romanin “Bisedë në katedrale”, botuar më 1969. Pasi përfundoi kolegjin, kishte shkruar për gazeta dhe sikurse shumë shkrimtarë të tjerë latinë, filloi karrierën letrare jashtë vendit, duke jetuar si i ri në Paris, Madrid dhe Londër. Siç shkruhet në biografinë e Llosas, veprimtaria e tij bëri bujë ndërkombëtare në vitet ’60 pas publikimit të “Koha e heroit”, një roman i bazuar në akademinë ushtarake peruane, që kishte nxitur një kundërthënie të madhe në atdheun e tij. 

Në fillim të viteve ‘80, Llosa u bë shkrimtari më i lexuar latin në audiencat botërore pasi kishte botuar, në mesin e shumë veprave, edhe “Shtëpinë e gjelbër” dhe “Bisedë në katedrale”. Pasoi një kohë jo fort e suksesshme si zyrtar i zgjedhur. Meqë Peruja ishte mbërthyer nga inflacioni i lartë dhe sulmet maoiste të “Rrugës së ndritur”, më 1990, Vargas Llosa bëri një hap të guximshëm duke kandiduar për postin e presidentit, karshi Alberto Fujimorit, atëbotë një agronom pak i njohur me prejardhje japoneze. 

Siç shkruan “The New York Times”, ai kishte një epërsi gjatë fushatës presidenciale, së paku kështu tregonin rezultatet e anketimeve. “Mirëpo mund të kenë ndikuar disa faktorë të tjerë në humbjen e tij: qasja e tij aristokrate në Perunë e zhytur në varfëri dhe fakti që në një vend me ndikim të madh të kishës katolike, shkrimtari ishte një agnostik”, shkruante “The New York Times” këtu e pesëmbëdhjetë vjet më parë kur Llosa mori “Nobelin” për letërsi. 

Ai kishte shprehur njëfarë dyshimi për ta braktisur karrierën prej shkrimtari për t’i hyrë jetës publike. 
“Do të doja të bëja fushatë për çështje dhe pastaj të kthehesha në zyrë të shkruaja”, kishte thënë Llosa në një intervistë të vitit 1988.  “Por e kuptova këtë si një përgjegjësi morale. Derisa ta kem përshtypjen se po ndihmoj, do të çaj përpara”. Fujimori i fitoi zgjedhjet presidenciale dhe kjo e dëshpëroi njeriun e letrave për fatin e ardhshëm politik të vendit të tij. Presidenti i ri  kishte përshtatur shumë prej ideve të shkrimtarit për politikat e qeverisjes. Pas rënies së Qeverisë së tij, Fujimori u arratis në Japoni, dhe u burgos pasi u shpall fajtor për abuzimin e të drejtave të njeriut. Pas betejës së humbur politike, Vargas iu kthye edhe një herë letrave. Por duke shkruar kolumne për gazetën e njohur spanjolle, “El Pais”. Ai bëri nam në botën latine me shkrimet e tij për letërsinë, udhëtimet dhe politikën në Lindje të Mesme dhe Amerikë Latine.

Qëmtuesi i rezistencës dhe revoltës së individit

Për letërsinë e tij në vitin 2010 u bë laureat i çmimit “Nobel”, duke u vlerësuar me këtë çmim të madh për hartografinë e strukturave të pushtetit dhe imazhet e thella të rezistencës, revoltës dhe disfatës së individit. Është laureat edhe i çmimeve të tjera të rëndësishme botërore për letërsi. 
“Nobelisti” paraprak latin i “gjeneratës së bumit”, Gabriel Garcie Marquez (1927 – 2024) fitoi për kryeveprën e tij, “Njëqind vjet vetmi” më 1982. Dikur miq të ngushtë, më 1976, siç shkruhet në biografinë e tij jozyrtare, plasi sherri ndërmjet Marquezit dhe Vargasit në Mexico City, kryeqytetin meksikan. Ky episod ndodhi në një premierë filmi. Kur Marquez u afrua Vargasin ta përqafonte, shkrimtari peruan e “shpërbleu” mikun me një grusht të fuqishëm në fytyrë, duke i mavijosur syrin, një grushtim i përjetësuar në një fotografi legjendare të fotoreporterit Rodrigo Moya. Një mister ka përcjellë këtë mesele, por është spekuluar se belaja kishte lidhje me gruan e Llosas, me të cilën besohet se më herët Marquez kishte përzier punë në Paris. Llosa nuk e komentoi këtë rast asnjëherë. Perspektiva tjetër e kësaj zënke ishte ana ideologjike. “The New York Times” shkruan se Llosa kishte hequr dorë nga të qenit i majtë pas vizitës në Bashkimin Sovjetik. Kishte thënë se s’mund të përkrahte një ideologji që udhëheq një vend në të cilin s’do të mund të jetonte. Kurse Marquez, s’lëvizi nga marksizmi. 

Llosa pos si shkrimtar, shquhet edhe si aktivist i zëshëm i të drejtave të njeriut në atdheun e tij. Në vitet ‘70, Vargas Llosa që dikur kishte mbështetur revolucionin kuban, denoncoi Fidel Castron, duke iu bashkuar deklaratave të shumë kolegëve të tij. Vargas kishte shprehur një simpati të madhe për tregun e lirë të kombinuar me idealet liberale. Kishte shprehur një urrejtje të madhe për regjimet autoritare. Disa adhurues të tij kurrë nuk ia falën që ai shkoi nga e djathta, duke thënë se do ta fitonte më herët “Nobelin” sikur të mos i ndryshonte bindjet politike. Presidenti peruan, Alan Garcia, një politikan konservator, ka thënë se “ky ishte një akt i madh drejtësie”. “Kemi pritur këtë që nga koha e rinisë sonë”. Më 2010, Llosa kishte kritikuar presidentin Garcia për mosndëshkimin e kriminelëve të kohës së regjimit ushtarak. Ai ka kritikuar edhe presidentin socialist të Venezuelës, Hugo Chavez, një aleat i ngushtë i Castros. 

Mario Vargas Llosa, me veprat e tij është munduar ta shpërfaqë korrupsionin e thellë dhe ndikimin e politikës në çdo skutë të jetës shoqërore në shtetin e Amerikës Latine.

“Efekti i letërsisë është t’i bëjë njerëzit krijesa kritike” (Foto: AP)

Letrari me dije enciklopedike

Veprat e tij kanë frymëzuar shumë gjenerata. Në shqip mund të lexohen “Vajza e prapë”, “Festa e cjapit”, “Shtëpia e gjelbër” e “Lëvdatë për njerkën”. 

Shkrimtari e studiuesi i letërsisë, Ag Apolloni, ka thënë se Llosa ishte një prej shkrimtarëve më të rëndësishëm jo vetëm të letërsisë latino-amerikane por në letërsinë bashkëkohore botërore. 
“Ishte një nga përfaqësuesit e postmodernizmit në letërsi. Hynte te kategoria e shkrimtarëve që quhen shkrimtarë enciklopedikë, shkrimtar erudit. Pra kishte dije. Përveç një talenti të lindur, kishte dije të akumuluar. Ishte edhe një studiues me shumë ndikim”, ka thënë ai. Sipas profesorit universitar të letërsisë, studimi i tij Vargas Llosas për Marquezin të cilin e kishte edhe mik është një prej studimeve më të mira që janë bërë për romanin “Njëqind vjet vetmi”. 

“Ne e njohim kryesisht si prozator. Por ai ishte njeri me ndikim edhe në studime edhe në ese, teatër e poezi. Ishte një figurë e kompletuar e letërsisë”, ka thënë Apolloni. Derisa e ka përshkruar si nobelist, ka shtuar se kur u bë i ditur lajmi se Vargas Llosa ishte laureat më 2010, publiku pyeste përse ai fitoi dy herë pasi tashmë ekzistonte bindja se Vargas Llosa e ka marrë këtë Çmim.

Llosa qe mbështetës i zëshëm i së drejtës së shqiptarëve të Kosovës për të jetuar të lirë në vendin e tyre në kohën kur regjimi i Sllobodan Millosheviqit po kryente krime kundër njerëzimit (Foto: AP) 
 

“Mbrojtësi më i madh i shqiptarëve gjatë viteve ’90”

Por në Kosovë shkrimtari i madh nuk njihet veç për talentin e tij në letërsi. Qe mbështetës i zëshëm i së drejtës së shqiptarëve të Kosovës për të jetuar të lirë në vendin e tyre në kohën kur regjimi i Sllobodan Millosheviqit po kryente krime kundër njerëzimit. 

Në vitin 2019 është botuar edhe përmbledhja e eseve të tij nën titullin “Çështja e Kosovës”. Në esenë “Koka e Millosheviqit” të botuar fiks 26 vjet para se të vdiste, më 13 prill 1999 në gazetën argjentinase “La Nacion”, shprehte qëndrimet dhe analizën e tij për gjendjen në Kosovë, e po ashtu për propagandën kundër Kosovës dhe Bosnjës. 

“Jam i sigurt se po të ishte e krishterë bashkësia që provoi vuajtjet dhe grabitjet që provuan boshnjakët apo që provojnë tani kosovarët, reagimi i opinionit publik dhe i qeverive perëndimore do të kishte qenë shumë më i shpejtë dhe se në Perëndim nuk do të kishte pasur kurrë pjesë të opinionit të gjerë publik, të cilat do të ngulnin këmbë që qeveritë e tyre të rrinin duarkryq përballë këtyre krimeve”, shkruante midis të tjerash përkrahësi i bombardimeve të NATO-s ndaj ish-Jugosllavisë.

Në paradhënien e librit që përmbledh esetë e tij, filozofi Blerim Latifi shkruan se esetë e këtij libri janë dëshmia e këtij angazhimi intelektual, i cili, përkundër hegjemonisë pesimiste të postmodernizmit, mban ende gjallë idenë për fuqinë humanizuese të letërsisë, idenë e cila për shekuj me radhë ka ushqyer pasionin e kulturës letrare.  

“Neve na mbetet që, duke e lexuar Llosan, të vazhdojmë të besojmë se ai nuk do të jetë mohikani i fundit i kredos platonike të harmonisë midis të bukurës, të mirës dhe të vërtetës”, shkruhet në paradhënie. 

Shkrimtari Ag Apolloni ka thënë se Vargas Llosa e ka tejkaluar me sukses testin moral në të cilin shpesh bien shkrimtarë e intelektualë të ndryshëm. 

“Në raport me Kosovën ai ka qenë i pozicionuar nga ana humane e jo nga ana e agresorit. Ka shkruar disa ese të cilat ne më vonë ia kemi botuar si libër në gjuhën shqipe. Mendoj se ka qenë mbrojtësi më i madh i shqiptarëve të Kosovës gjatë viteve ’90”, ka thënë ai. Apolloni beson se kontributi i Vargas Llosas do të vlerësohet në vitet e ardhshme, sepse deri më tash në Kosovë nuk është bërë diçka për ta shpërblyer për mundin e tij. 

“Është prej përkrahësve më të mëdhenj, ndoshta krahas Elie Wiesel i cili njihet për kontributin që ka dhënë për Kosovën”, ka thënë Apolloni.

Mjeshtri i mjeshtërve

Vdekja e Llosas në shtëpinë e tij në qytetin Lima në brigjet e Paqësorit ka bërë që Qeveria peruane të shpallë 14 prillin ditë zie kombëtare dhe ka njoftuar se flamujt në ndërtesat publike do të jenë në gjysmështizë. Presidentja e Perusë Dina Boluarte, e vlerësoi si gjeni. 

“Gjenia e tij intelektuale dhe vepra e madhe e tij do të mbeten një trashëgimi e qëndrueshme për brezat e ardhshëm”, deklaroi ajo. Si “një kronist i madh i Amerikës hispanike dhe një interpretues perceptues i rrugëve dhe fateve të saj” e ka cilësuar shkrimtarin presidenti i Guatemalës, Bernardo Arévalo.

Kurse ish-presidenti kolumbian Alvaro Uribe e quajti atë “mjeshtri i mjeshtërve”. Për zëvendëssekretarin e shtetit në SHBA, Christopher Landau “temat dhe interesimet e tij ishin të përjetshme dhe universale”.

Si mjeshtër universal të fjalës e ka përshkruar Vargas Llosan kryeministri spanjoll Pedro Sanchez. 
“Letërsia në gjuhën spanjolle i jep lamtumirën Mario Vargas Llosas, mjeshtër universal i fjalës”, ka deklaruar ai.

“Efekti i letërsisë është t’i bëjë njerëzit krijesa kritike”

Realitetet shoqërore gjenin vend në veprat e tij, duke nxjerrë në pah të metat e shtresuara thellë në botën amerikano-latine. Këtë e ka bërë edhe në veprën e tij “Qyteti dhe qentë”. Më 2021 është bërë anëtar i Akademisë Franceze si i pari shkrimtar jofrankofon. Për Vargas Llosan, letërsia krijohej si pasojë e pakënaqësisë me jetën. 

“Efekti i letërsisë është t’i bëjë njerëzit krijesa kritike”, kishte thënë ai. Dhe me veprat e tij që flasin në më shumë se 30 gjuhë, ia doli të frymëzojë njerëzit anekënd botës për të luftuar për të drejtat e njeriut. Megjithëse nuk ia doli të jetë president i Perusë që sipas planeve të tij të liberalizonte jetën e tregun, Llosa me punë e tij tejkaloi kufijtë e vendit prej nga vinte. Këtë e bëri me mjeshtërinë prej rrëfimtari, mprehtësinë prej njeriu të ditur e guximin prej intelektuali.