Kulturë

“Marilyn: The Exhibition” në botën e panjohur të yllit filmik

Norma Jeane Baker e njohur si Marilyn Monroe në vitin 1946 në një foto të hershme duke pozuar për fotografin Joseph Jasgur (Foto nga koleksioni i  Ted Stampferit)

Norma Jeane Baker e njohur si Marilyn Monroe në vitin 1946 në një foto të hershme duke pozuar për fotografin Joseph Jasgur (Foto nga koleksioni i Ted Stampferit)

Ekspozita me 250 gjësende personale premton një “shikim të paparë në botën private” të Monroes. Eksponatet vijnë nga koleksioni i Ted Stampferit, një burrë 53-vjeçar nga Gjermania i obsesionuar pas Monroes, i cili thotë se dëshiron të shënojë atë që do të ishte ditëlindja e saj e 100-të, në vitin 2026, me një ekspozitë udhëtuese ndërkombëtare, duke filluar nga Londra

The Telegraph – Ekspozita dedikuar legjendës së Hollywoodit, Marilyn Monroe, ka hapur dyert në Londër. Me titull “Marilyn: The Exhibition”, ofron vështrim për jetën private dhe karrierën e gruas – emri i vërtetë i së cilës ishte Norma Jean Baker – që u bë një yll i kinemasë ndërkombëtare.
Ekspozita zë vend në qendrën kulturore “Arches London Bridge” dhe përfshin 250 gjësende personale, si letra dashurie dhe disa veshje ikonike nga koleksioni privat i Ted Stampferit, një koleksionist i objekteve historike të Monroes.

“Ajo nuk do të jetë aty”, ishte arsyeja që Arthur Miller, burri i tretë i aktores, dha për mosprezencën në funeralin e saj në vitin 1962. Monroe vdiq në moshën 36-vjeçare në kulmin e famës së saj, pas një mbidoze me ilaçe, gjashtë muaj pas shkurorëzimit të tyre. Miller, një skenarist i talentuar, e dinte ndikimin e një fraze të thënë mirë dhe në momentin e duhur, megjithatë, ka dyshime nëse ai i kishte menduar në këtë formë fjalët e tij. Monroe e adhuronte atë dhe shpesh kishte deklaruar se Miller ishte i turpëruar nga ajo.

Fytyra e zymtë e Millerit shfaqet disa herë në “Marilyn: The Exhibition”, një ekspozitë që sikurse fraza e tij e zgjuar, arrin të jetë sa argëtuese, ashtu edhe e paqëndrueshme. Ajo premton një “shikim të paparë në botën private” të Monroe, duke ekspozuar për herë të parë në Mbretërinë e Bashkuar 250 nga sendet e saj personale. Pjesë e shout janë edhe pamje filmike dhe tekste kontekstualizuese, për të treguar historinë e jetës së shkurtër, të paqëndrueshme dhe shpesh të mjeruar të yllit më të ndritshëm të Hollywoodit.

Bluza e thjeshtë e zezë nga materiali i kashmirit dhe pantallonat e bardha të cilat 27-vjeçarja, Monroe, i kishte veshur kur u fotografua në shtëpi në vitin 1953 nga revista “Life”, dhe që janë pjesë e ekspozitës në Londër, shprehin seriozitet dhe vitalitet

Gjësende të ndryshëm të Monroes – letra dashurie, skenarë, veshje, këpucë, copa makijazhi e kështu me radhë – vijnë nga koleksioni i Ted Stampfer, një burrë 53-vjeçar nga Gjermania i obsesionuar pas Monroes, i cili thotë se dëshiron të shënojë atë që do të ishte ditëlindja e saj e 100-të, në vitin 2026, me një ekspozitë udhëtuese ndërkombëtare, duke filluar nga Londra.

Është një ekspozitë që ngjall ndjenja pozitive, e krijuar profesionalisht dhe me kujdes: e qartë, kronologjike, me ndriçim të mirë dhe koherente. Stili kuratorial merr inspirim nga ekspozitat e suksesshme biografike të V&A, të pasuruara me materiale arkivore.

Entuziastët e modës do të fascinohen nga gardëroba e Monroes. Publiku në përgjithësi e imagjinon aktoren si një grua bionde e veshur me rroba ngjyrë ari dhe pelush të çuditshëm. Por në jetën e saj private, ajo ishte një minimaliste, me stil të rafinuar dhe të sofistikuar. Bluza e thjeshtë e zezë nga materiali i kashmirit dhe pantallonat e bardha të cilat 27-vjeçarja, Monroe, i kishte veshur kur u fotografua në shtëpi në vitin 1953 nga revista “Life”, dhe që janë pjesë e ekspozitës në Londër, shprehin seriozitet dhe vitalitet. Megjithatë, ka momente kur ekspozitës i mungon gjykimi kuratorial. Veçanërisht i zymtë është një fund i markës “I. Magin”, të cilin Monroe e bleu kur ishte vetëm 20-vjeçare, para se të bëhej e famshme, më saktë në vitin 1946 kur martesa e saj e parë u prish për shkak të ambicieve të saj për modelim. 

Eksponatet e tjera janë akoma më të paqarta: një rrjetë elastike për flokët, e njollosur me ngjyrë, qerpikë artificialë, një shishe e përdorur kondicioneri për flokët, një maskë e syve dhe të tjera gjësende. Se çfarë duhet të zbulojnë ato për aktoren e famshme nuk është e qartë, pasi janë thjesht relikte makabre të skalitura në vitrina. 

Por jo gjithçka është e çuditshme në këtë ekspozitë. Mesazhi është i qartë dhe i fuqishëm: Monroe ishte një grua inteligjente, ambicioze dhe e guximshme, që arriti të shpëtojë nga rrethana të tmerrshme përmes forcës së vullnetit. Ajo e tejkaloi një fëmijëri të vetmuar, pa prindër, gjeti forcë dhe mundësi për të braktisur dy burra kontrollues, krijoi kompaninë e saj të prodhimit të filmit dhe u ballafaqua me studion filmike “20th Century Fox” për pagën e saj. Asgjë nga kjo nuk është informacion i ri për publikun dhe fansat anekënd botës, por bëhet menjëherë e qartë kur shpjegohet në kontekstin e letrave, ditarëve, veshjeve dhe sidomos librave të saj. 

Monroe mund të mos jetë më në mesin tonë, por sendet e saj personale mund të hedhin dritë mbi jetën e saj prapa kamerave. Fatkeqësisht, aktorja kurrë nuk e gjeti atë që po kërkonte, me Millerin apo dikë tjetër.

“Marilyn: The Exhibition” qëndron e hapur për publikun deri më 28 shkurt të vitit 2025.