Opera e Frankfurtit është shtëpia operistike e radhës në të cilën sopranoja nga Kosova, Marigona Qerkezi, pritet t’i japë jetë rolit të Normës në operën e italianit Vincenzo Bellini që për titull la pikërisht emrin e personazhit. Me gjithsej nëntë shfaqje Qerkezi debuton në fund të muajit në institucionin me histori afro 150-vjeçare. “Këtë sezon, do të ngjitem për herë të parë në skenën e Operës Shtetërore të Frankfurtit - një teatër shumë prestigjioz i vlerësuar edhe me çmime të shumta”, ka thënë sopranoja
Në skenat e katër anëve të botës ka jehuar zëri i sopranos Marigona Qerkezi. Për mjeshtëri në këndimin lirik dëshmojnë rivëniet e saj në skena në institucione prestigjioze të muzikës. Opera e Frankfurtit është shtëpia operistike e radhës në të cilën pritet t’i japë jetë rolit të Normës në operën e italianit Vincenzo Bellini që për titull la pikërisht emrin e personazhit. Me gjithsej nëntë shfaqje, Qerkezi debuton në fund të muajit në institucionin me histori afro 150-vjeçare.
Fillimprilli i vitit të kaluar qe moment i rëndësishëm për karrierën e sopranos nga Kosova. Debutoi në “Palm Beach Opera” në Florida të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pikërisht me rolin e Normës. Një vit pas, ngjitet në skenë për këtë rol me produksionin e Operës së Frankfurtit. Datat 20 e 27 prill si dhe 3, 9, 15, 17, 23 e 31 maj janë vendosur për njërën prej kryeveprave botërore të kompozuar nga italiani Bellini me libret të Felice Romani.
Në një përgjigje për KOHË-n, sopranoja tanimë e mirënjohur në skenën operistike, ka thënë se produksioni i ri i veprës sikurse edhe debutimi në Operën e Frankfurtit është hap emocionues për të.
“Këtë sezon, do të ngjitem për herë të parë në skenën e Operës Shtetërore të Frankfurtit - një teatër shumë prestigjioz i vlerësuar edhe me çmime të shumta. Do të interpretoj sërish rolin e Normës, këtë herë në një produksion të ri për mua, që e bën edhe më emocionues këtë hap të radhës në karrierën time", është shprehur Qerkezi.
Regjisor i produksionit të operës “Norma” në Frankfurt është gjermani Christof Loy, ndërsa pjesa muzikore udhëhiqet nga dirigjenti italian Giuliano Carella. Pos Qerkezit, pjesë e kastit janë Angelo Villari si Pollione, Bianca Andreë si Adalgisa, Simon Limm, Karolina Bengtsson, Abraham Breton, Dominic Betz, Damjan Batistiq, Tadas Almantas, Andreas Tillmann, Stefan Biaesch, Bendikt Alt, Jakob Fritschi dhe Anton Römer.
Në përmbledhjen e shkurtër të projektit në ueb-faqen e Operës së Frankfurtit shkruhet se regjisori Loy “negocion nuancat psikologjike të veprës duke krijuar një produksion intim emocionues i cili, me muzikën e Bellinit, shkon direkt në zemrën e publikut”. E vetë vepra konsiderohet si operë që e bën njeriun të qajë, të drithërohet dhe të vdesë. Krejt këto bëhen një në “Norma” të Bellinit.
“Çdo produksion sjell me vete një qasje të veçantë, një vizion të ri, dhe për mua si interprete, kjo është një mundësi për të eksploruar thellësisht dimensionet shpirtërore të personazhit”, është shprehur sopranoja Qerkezi.
Për të, roli i Normës paraqet rrugëtim të thellë artistik.
“Rolin e Normës e kam ndërtuar me shumë përkushtim dhe punë gjatë një periudhe ndër vite. Është një rol kompleks, si nga ana vokale, ashtu edhe emocionale, dhe për mua paraqet një rrugëtim të thellë artistik”, ka thënë Qerkezi.
Ka kujtuar debutimin e rolit vitin e kaluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
"Debutimi im në këtë rol u shënua vitin e kaluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Palm Beach Opera, Florida, një moment i veçantë në karrierën time, duke qenë se Norma është një nga veprat më të rëndësishme në repertorin operistik botëror", ka thënë Qerkezi.
Në vazhdim Qerkezin e presin edhe shumë projekte, shumë histori për të ripërsëritur e për t’u zbuluar. Pas Frankfurtit ajo do të interpretojë si Abigeila nga “Nabucco” me “Deutsche Oper am Rhein” dhe “Teatro Municipal de Sao Paulo”, si Aida me Operën Kombëtare Polake, si Lucrezia nga “I due Foscari” në “Teatro Comunale di Modena”, Miminë nga “La bohème” në “Teatro Lirico di Cagliari”, si Aida me “Ópera A Coruña”, si dhe rikthehet në “Palm Beach Opera” si Norma.
Gjithashtu do të paraqitet edhe në “Teatro Petruzzelli di Bari”, Operën Mbretërore Daneze, “Teatro de la Maestranza”, “Ópera de Oviedo” dhe Teatrin Kombëtar Kroat. E dallon po projektin e operës ,"Norma" me Operën Shtetërore të Çekisë.
“Pas Gjermanisë, rrugëtimi im artistik do të vazhdojë në skenat operistike në Itali, Danimarkë, Brazil dhe Çeki, ku do të jetë edhe projekti im i radhës, specifikisht me rolin ‘Norma’ në Operën Shtetërore Çeke në Pragë - një tjetër skenë e rëndësishme ku do ta sjellë në jetë këtë rol madhështor”, është shprehur sopranoja e shquar.
“Norma” është tragjedi lirike me dy akte. Për herë të parë është inskenuar në teatrin “La Scala” në Milano më 26 dhjetor të vitit 1831. Në qendër ka një grua të refuzuar nga Pollione, i cili dashurohet në Adalgisan, një grua më të re. Në fund, ish-i dashuri i Normës sakrifikon jetën për të vdekur me të. Ky është rrëfimi i operës në të cilën Qerkezi luan protagonisten kryesore në Operën e Frankfurtit.
Ky institucion ka traditë të gjatë, me shumë premiera botërore si “Der ferne Klang” e Franz Schreker më 1912, “Fennimore und Gerda” nga Frederick Delius më 1919 dhe "Carmina Burana" e Carl Orff më 1937. Prestigjin e madhështinë e institucionit e dëshmon edhe çmimi “Opera house of the year” nga revista prestigjioze "Opernwelt", me të cilin është shpërblyer tetë herë që nga viti 1996.
Edhe aty, Marigona Qerkezi synon të lërë një pjesë të shpirtit të saj me magjinë e këndimit.
“Në çdo skenë, lë një pjesë të shpirtit tim – kjo mendoj se është edhe bukuria dhe përgjegjësia e të qenit artiste”, shprehet ajo.