Kishte lindur në Paris, por fati e kishte paracaktuar që të rikthehej në Shqipëri, e cila u bë edhe burgu i tij. “Kundërvënia” ndaj konvencave mendjengushta të artit socialist gjatë regjimit komunist do të pasohej në dekadat në vijim – kur ky regjim ishte përmbysur – me përplasje të reja e qëndrime antikonformiste. Në përvjetorin e 86-të të lindjes, Maks Velo – i cili vdiq në maj të vitit të kaluar – është përkujtuar si njeriu antikonformist në dy kohë: edhe në komunizëm, edhe në paskomunizëm
Emri i tij qe përfshirë në mesin e 175 arkitektëve më të mirë në botë, por në Shqipërinë e tij ai pësoi e vuajti veç për një “faj”: ishte antikonformist. Arkitekt, piktor e intelektual provokues, Maks Velo mbamendet edhe sot për zërin polemizues që ishte vetë identiteti i tij për një Shqipëri me të cilën nuk pajtohej dot.
Ditëlindja e tij, 31 gushti, ka bërë që Velo të kujtohet përshpirtshëm si njeriu që guxoi të thoshte fjalën e vet.
Nëpërmjet një dedikimi në faqen e saj zyrtare në Facebook, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ka thënë se Maksi sot do të mbushte 86 vjeç.
“Shpesh e humbasim, dhe na duket se do të shfaqet në derë duke tundur kokën e rrethuar nga krifa e bardhë e flokëve. Patjetër, ka diçka për të thënë, për të cilën nuk është dakord apo diçka për të këshilluar… E pastaj ky imazh zëvendësohet nga mungesa e njeriut, që përkundër gjithçkaje do ta thoshte fjalën e vet”, ka shkruar ministrja Margariti, e cila ka afishuar me këtë rast edhe një fotografi me Velon.
Ndërkaq Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) ka zgjedhur t’u drejtohet fondeve të saj për të celebruar ditëlindjen e intelektualit të njohur.
Nëpërmjet një afishimi në Facebook, pasi është dhënë një biografi e shkurtër, është thënë se vitet 1978-79 ishin vitet më të vështira për Velon, pasi që u arrestua dhe u dënua me 10 vjet burgim.
“Ai ka vuajtur dënimin në burgje gjatë regjimit komunist dhe një pjesë e krijimtarisë së tij i është dedikuar dimensionit të lirisë në diktaturë. Gjatë viteve të fundit ka marrë pjesë gjerësisht në debatet për menaxhimin e hapësirës publike përmes artikujve publicistikë dhe aktiviteteve të tjera”.
Me këtë rast, DPA-ja ka publikuar për të parën herë një material nga mbledhja e Organizatës së Lidhjes së Shkrimtarëve, ku në diskutimin e pestë ishte folur për të riun Velo.
Maks Velo lindi më 31 gusht 1935, në Paris. Prindërit e tij do të ktheheshin së shpejti në Shqipëri, në fshatin Dardhë të Korçës.
Ishte një histori gati e pabesueshme që filloi nga koha kur lindi në Paris, jo larg Notre Damit, me një fallxhore fatthënëse që i rrëfeu nënës të ardhmen e të birit, dhe kthimi në Shqipëri që do të ndryshonte përfundimisht jetën e tij.
Në librin e tij me kujtime “Kohë antishenjë”, Velo kishte shkruar për vështirësitë e jetës në familjen e tij.
“Gjyshi im kish qenë sharrxhi në malet e Janinës. Kish pyje të dendura dhe ata prodhonin qereste. Jeta ish e vështirë, në vetmi dhe me një punë të rëndë. Babai më tregonte se kalonte verën te sharrat. Sharrëxhinjtë dhe qymyrxhinjtë rronin bashkë”.
Ka diplomuar më 1958 në Degën e Inxhinierisë së Ndërtimit pranë Institutit Politeknik në Tiranë. Më pas do të specializohej në arkitekturë, teksa në vitin 1960 do të merrte pjesë në projektimin e parë që u bë në Tiranë.
Ndërkaq karriera e tij si piktor do të pësonte keqazi kur emri i tij u fut në listën e artistëve që u goditën më 1973 pas Kongresit të Katërt të Partisë së Punës. I denoncuar në frymën linçuese të kohës, ai u kritikua për prirje moderniste në pikturat e tij për të cilat u tha se ishin frymëzuar nga Amedeo Modigliani, Georges Braque dhe Pablo Picasso. Si 43-vjeçar, ai do të arrestohej më 14 tetor 1978 për t’u dënuar një vit më pas me 10 vjet heqje lirie.
“Kur vajta në shtëpi vura re se aty kishte një luks të madh dhe binte erë ambient komplet borgjez. Për sa i përket krijimtarisë artistike të Maksit, ai është njeri ‘snob’ (i paaftë), por që do të tregohet se është i zoti në pikturë dhe arkitekturë”, kështu shkruante “punëtori operativ”, Ropi Postoli, më 2 shtator të vitit 1975, kohë kur Velo vazhdonte të ishte halë në sytë e regjimit.
Do të dërgohej në kampet famëkeqe të punës në Spaç, derisa do të lirohej më 13 janar 1986.
Ka ekspozuar punimet e tij në Shqipëri, Francë, Poloni dhe në Shtetet e Bashkuara. Mes publikimeve të tij përfshihen albumi “Kokëqethja” (Tiranë, 1995), kujtimet “Palltoja e burgut” (Tiranë, 1995), albumet “Vizatime mbi arkitekturën shqiptare” (Tiranë, 1995), “Thesi i burgut” (Tiranë, 1996), “Jeta ime në figura” (Tiranë, 1996), “Kohë antishenjë” (Tiranë, 2000) dhe “Zhdukja e ‘Pashallarëve të kuq’ të Kadaresë: anketim për një krim letrar” (Tiranë, 2002). Një përkthim në frëngjisht i storieve të tij nga këto koleksione u botua më 1998 nën titullin “Le commerce des jours”).