Me “Olivettin” e tij ka radhitur mijëra shkrime në “Rilindje”, por prej saj do të “lindte” edhe ajo që tashmë njihet si Republika e parë e Kosovës. Doajeni i gazetarisë, Zenun Çelaj, e ruan ende makinën me të cilën do ta shkruante dokumentin më të rëndësishëm të historisë së Kuvendit të Krahinës Autonome Socialiste të Kosovës në Jugosllavinë që po i lëkundeshin themelet. Ia ka ofruar edhe Muzeut të Kosovës që ta ruajë si artefakt, por deri më tash s’ka pasur interesim
Makina e shkrimit “Olivetti” zë vend të veçantë në bibliotekën e madhe, në katin e tretë të shtëpisë së Zenun Çelajt në “Velani” të Prishtinës, në tavolinën e tij të punës. Me të ka radhitur mijëra shkrime në “Rilindje”, por prej saj do të “lindte” ajo që tashmë njihet si Republika e parë e Kosovës. E doajeni i gazetarisë do ta shkruante dokumentin më të rëndësishëm të historisë së Kuvendit të Krahinës Autonome Socialiste të Kosovës në Jugosllavinë që po i lëkundeshin themelet. Fjalët që po i lexonte delegati Muharrem Shabani në oborrin e ndërtesës së mbyllur të Kuvendit kishin dalë prej gishtave të Çelajt. 2 korriku 1990, datë e kthesës. Kosova Republikë. Akti do të njihej si Deklarata Kushtetuese. Në opinion, shkurt si 2 Korriku. Atëherë, autori i saj ishte i panjohur për opinionin publik. Teksti, që po e lexonte Shabani para 113 kolegëve delegatë, kishte dalë prej gishtave të Çelajt. Fjalëpërfjalshëm ia kishte diktuar akademiku Gazmend Zajmi, tashmë i ndjerë.
Korzoja e Prishtinës dhe Deklarata Kushtetuese
Disa ditë më parë Çelaj po shëtitej në atë që njihej si “Korzoja” e Prishtinës me Zajmin dhe Fehmi Aganin, kur do të nisnin diskutimin për ndryshimet e mëdha që kishin nisur në ish-bllokun komunist para e pas rënies së Perdes së Hekurt. Jugosllavia mezi po mbahej. E lideri i ri në ngritje, në Serbi, Slobodan Milosheviq, një vit më parë ia kishte suprimuar Kosovës autonominë, pavarësisht demonstratave e grevave të minatorëve.
“Akademik Gazmend Zajmi më tha: ‘More Zenun, ti ke të njohur nga delegatët’ – ashtu quheshin atëherë deputetët – tha se ‘do të ishte mirë ata të miratojnë një deklaratë kushtetuese, ashtu siç kanë vepruar sllovenët’ – sepse veç kishte filluar shpërbërja e Jugosllavisë – ‘siç kishin vepruar sllovenët, por siç kishin vepruar edhe vendet baltike’”, kujton Çelaj bashkëbisedimin me akademik Zajmin.
Çelaj menjëherë e kishte pyetur se kush do ta shkruante tekstin. Zajmi ia kishte pritur menjëherë se konceptin e kishte tashmë të shtjelluar fije e për pe në kokë. “Tha: ‘Nesër takohemi’. Edhe ashtu ndodhi, erdhëm ne këtu në këtë dhomë që po e shihni, në këtë tavolinë”. Ndalet pak e i çelet fytyra.
Zajmi kishte sjellë dorëshkrim Deklaratën Kushtetuese, të cilën do t’ia diktonte Çelajt, i cili po e radhiste në “Olivettin” e tij. Deklaratën dorëshkrim të Zajmit, Çelaj do ta copëtonte e digjte me qëllim që të mbrohej autori në rast se para shpalljes së Deklaratës autoritetet serbe do t’i dekonspironin. Çelaj, kryeredaktor në portalin koha.net, dokumentin do t’ua jepte delegatëve Sabri Hashani dhe Leonora Binishi-Zajmi. Delegatët krahinorë, gjatë diskutimeve para aprovimit, kishin vendosur që në koordinim me Zajmin të hiqnin vetëm pikën e gjashtë të dokumentit që zyrtarisht do të titullohej “Deklarata Kushtetuese mbi Kosovën si njësi e pavarur dhe e barabartë në kuadër të Federatës (Konfederatës) së Jugosllavisë, si subjekt i barabartë me njësitë e tjera në Federatë (Konfederatë)”.
Me ngritjen e dy gishtave, 114 delegatët e miratuan para se të nisnin duartrokitjet e fuqishme para ndërtesës së mbyllur të Kuvendit, kur Shabani përfundoi leximin e Deklaratës me fjalët: “Prishtinë, 2 korrik 1990”.
Gur themeltar
Mbyllja me dry e institucionit më të lartë të Krahinës së atëhershme nuk i kishte ndalur delegatët – shumica pa kostume e kollare – që të jetësonin kërkesat e akumuluara për pothuajse një shekull nën regjimet jugosllave. Delegati Adem Mikullovci kishte kërkuar të konfirmohej edhe një herë nëse ishin respektuar të gjitha normat juridike e kushtetuese të kohës për fuqizimin e legjitimitetit të dokumentit që do ta shpallte Kosovën “si njësi të pavarur dhe të barabartë në kuadër të Federatës (Konfederatës) së Jugosllavisë si subjekt i barabartë me njësitë e tjera në Federatë (Konfederatë)”. Bujar Gjurgjeala dhe të tjerët do të konfirmonin se ishin respektuar të gjitha procedurat ligjore.
“Deklarata Kushtetuese është hapi i parë drejt pavarësisë së Kosovës, pavarësi kjo që u ndërtua me lëvizjen paqësore për çlirim, si dhe kulmoi me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka deklaruar në intervistën e numrit e fundjavës të “Kohës Ditore”, Ilaz Ramajli, nënkryetar i Kuvendit Krahinor të Kosovës.
“Dhe me të do vihej një themel për një kërkesë edhe më sublime të Kosovës që të mos ndryshojë pozita e saj dhe eventualisht të pavarësohej nëse do të shpërbëhej ish-Jugosllavia”, thotë Çelaj para makinës së tij të shkrimit.
Pas marsheve protestuese të fundit të ‘88-s, minatorët e “Trepçës” më 20 shkurt 1989 u mbyllën në galeri, 800 metra nën tokë, në grevë urie, me kërkesa të qarta politike. Ndër të tjera, kërkonin të mos prekeshin parimet themelore të Kushtetutës së vitit 1974.
Një muaj më vonë, 215 intelektualë shqiptarë nënshkruan një apel, me të cilin kërkohej ruajtja e autonomisë së Kosovës, e kërcënuar nga Slobodan Milosheviqi. Por, as kjo nuk bëri punë. Teksti i Apelit, i cili, sipas numrit të nënshkruesve të publikuar, do të quhej “Apeli 215”, nuk do të ndryshonte gjë pasi Serbia më 23 mars 1989 e çoi deri në fund zotimin e vet për suprimimin e autonomisë së Krahinës Socialiste të Kosovës.
Kur Akademia i paraprinte politikës
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës do të miratonte më 14 qershor 1990 Deklaratën mbi Çështjet Kushtetuese, me të cilën shkencërisht argumentohej e drejta e subjektivitetit të barabartë politik të Kosovës në Jugosllavi, e cila bëri jehonë në opinion. Akademikët Musa Haxhiu, Mark Krasniqi, Gazmend Zajmi, Dervish Rozhaja, Esad Mekuli, Idriz Ajeti, Jashar Rexhepagiq, Minir Dushi, Muslim Mulliqi, si dhe anëtarët korrespondentë: Enver Gjerqeku dhe Remzi Bakalli ishin në mbledhjen e 27-të të Kuvendit të Akademisë mbajtur në orën dymbëdhjetë. Mungonin akademikët Bozhidar Jovanoviq, Lubisha Rakiq, Osman Imami, Sinan Hasani, Syrja Popovci, Svetomir Arsiq, Rexhep Qosja, Vladeta Vukoviq, Vukashin Filipoviq, si dhe anëtari korrespodent, Dragoslav Pejçinoviq.
Në pjesën e parë të punimeve Kuvendi shqyrtoi projektamendamentet në Kushtetutën e RSFJ-së.
Akademikët e pranishëm, pas diskutimeve dyorëshe, i propozuan Kuvendit të KSA të Kosovës “ta përgatisë dhe ta proklamojë Deklaratën Kushtetuese mbi pozitën e re kushtetuese të Kosovës në rregullimin kushtetues të vendit në drejtim të barazisë së Kosovës në federatë - konfederatë, si Kosovë e të gjithë qytetarëve dhe të nacionaliteteve të barabarta të saj, në të cilën shqiptarët konsiderohen jo pakicë kombëtare apo kombësi, por komb”.
“KOSOVA KËRKON SUBJEKTIVITET TË BARABARTË POLITIK NË JUGOSLLAVI”, ishte titulli në faqen e pestë të “Rilindjes” së 15 qershorit 1990, ku shkruhej hollësisht për zhvillimet mbi “çështjet kushtetuese drejtuar Kuvendit të KSA të Kosovës, të RFSJ dhe RS të Serbisë”.
Në ballinën e të njëjtit numër, kryeartikulli ishte: “ZGJIDHJE TË PAPRANUESHME PËR TË CILAT NUK DUHET DHËNË PËLQIMI”, duke iu referuar propozimeve për ndryshime kushtetuese në nivel federate që e dëmtonin statusin e deriatëhershëm të Kosovës.
Në nëntitull shkruante se “assesi nuk mund të pranohen zgjidhjet e propozuara kushtetuese në PROPOZIMIN e Kryesisë së RSFJ-së e të RSS-së me të cilat ngushtohet e suprimohet autonomia e Kosovës...”
Paralelisht me këtë “Rilindja” në ballinë kishte publikuar edhe një shkrim tjetër me titullin: “PËRKRAHEN AMANDAMENTET NË KUSHTETUTËN E RSFJ-së”. Përkrahja shprehej prej Këshillit Ekzekutiv të Kuvendit të Kosovës. “Ndryshimet e propozuara shpien nga vendosja e pluralizmit të formave të pronësisë dhe mënjanojnë pengesat kushtetuese për jetësimin e formave ekonomike”, thuhej në nëntitull. Dhe më 3 korrik, “Rilindja” të dilte me kryeartikullin “KOSOVA U SHPALL SUBJEKT I PAVARUR DHE I BARABARTË NË JUGOSLLAVI”.
Në video-materialet arkivore televizive qytetarët deklarojnë mbështetjen e tyre të fuqishme për delegatët e legjislaturës së fundit të KSA të Kosovës.
“Unë e kam pritur me shumë gëzim, sepse kjo është e pritur kah moti, shumë moti. Nuk është kërkuar asgjë më tepër pos barabarësia e plotë me të gjitha kombet dhe kombësitë”, thekson një burrë në mes të pesëdhjetave, pa iu treguar identiteti, “prandaj me këtë rast shpreh gëzim shumë të madh dhe ju uroj të gjithëve që e fituan statusin e barabartë shqiptarët, sikur gjithë popujt e tjerë në Jugosllavi”.
Një tjetër e përmbledh shkurt vlerësimin e tij: “Është një premtim për status të barabartë, për të drejta të barabarta”.
Një grua thotë se delegatët zbatuan kërkesën e popullit. “Kërkesat e popullit çdoherë duhet të realizohen”, thekson ajo.
Makinën s’ka kush ta kërkojë!
Ramajli, duke u kthyer tridhjetë vjet në histori, ka thënë se 2 Korriku është themel i veprimeve të pastajme që do t’i jepnin legjitimitet luftës së Kosovës për pavarësi, si shpallja e Kushtetutës së 7 Shtatorit 1990 – të njohur si Kushtetuta e Kaçanikut – zgjedhjes së Qeverisë së përkohshme në ekzil, në shtatorin e vitit 1991, mbajtjes së referendumit në shtatorin e vitit 1991 dhe organizimit të zgjedhjeve të majit të vitit 1992 për kuvend dhe president.
“Këto akte u shndërruan me kohë në fanar të lëvizjes sonë paqësore politike dhe po këto akte qenë pikënisje e të gjitha sakrificave dhe flijimeve të luftës së armatosur për çlirim”, ka thënë Ramajli.
Çelaj ishte kthyer në shtëpi dy ditë para se trupat e NATO-s të hynin në Kosovë më 12 qershor 1999. Forcat serbe i kishin dëbuar banorët e “Velanisë” më 25 mars 1999 – një ditë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s. “Vetëm pesë minuta na i kanë dhënë”, thekson Çelaj, i cili do ta gjente të paprekur makinën e shkrimit në ditën e kthimit në shtëpinë e thyer nga policia serbe.
“Makina ishte këtu dhe nuk ka përbërë ndonjë objekt tërheqës, sepse ata nuk e kanë ditur çfarë vlere kishte”, thekson Çelaj, i cili u ka kërkuar zyrtarëve të Muzeut të Kosovës që t’ia jepnin një dokument zyrtar dhe t’ia merrnin makinën “Olivetti” për ta ekspozuar në sektorin e ekspozitës së përhershme me eksponate të luftës.
“Iu thashë se me këtë e kam shkruar Deklaratën Kushtetuese dhe se kam kopje të saj, dhe nëse doni mund t’jua dorëzoj pa ndonjë kompensim. Më thanë se do ta marrin, por nuk shfaqën ndonjë interesim. Unë po vazhdoj ta ruaj dhe kushedi se a mund të shfaqet interesim ndërkohë”.