Kulturë

“Makbethi” tragjik dhe i pangopshëm në realitetin e Kosovës

Makbethi

Në kohën kur lufta në këto anë përmendet shpesh, ajo midis Rusisë e Ukrainës ka hyrë në vitin e tretë, në Lindje konflikti po zgjerohet, “Makbethi” vjen më me kuptim se kurrë (Foto: TKK)

Njashtu si në versionin origjinal të Shakespeareit, Makbethi mbetet i pangopshëm, egoja e tij s’njeh kufij, lahet në gjak e krejt këto i flasin edhe të tashmes. Të tillë njeh bota e tanishme në flakë lufte e kaos, por në versionin e Kosovës ka edhe të tjera probleme. Teatri Kombëtar i Kosovës ka kohë që provon ta nxjerrë në skenë këtë projekt të madh, por e vogël është hapësira për të. Regjisori Qëndrim Rijani është përgëzuar për mundin, aktorët janë të kënaqur, por “Makbethi” si produksion del i pangopshëm në realitetin vendor

Ata që ia mësyjnë teatrit për ta parë “Makbethin”, e dinë paraprakisht se me çfarë historie do të përballen: veprën klasike dhe njëkohësisht më të përgjakshmen. Por se në çfarë formati do ta shohin, varet nga mjeshtëria e ekipit në krye me regjisorin. 

Por te versioni i “Makbethit” të Teatrit Kombëtar të Kosovës, diskutimet nisin qysh te dera e sallës para premierës. E para që nënvizohet nga ish-udhëheqës të këtij institucioni është hapësira në të cilin po inskenohet: një copë bodrumi i Pallatit të Rinisë me një skenë që s’ka hapësirë të mjaftueshme për një tragjedi si “Makbethi”. Teatrot që inskenojnë këto shfaqje mobilizohen fort në krejt aspektet. Këtë e ka bërë edhe TKK-ja, me aktorët më të mirë vendorë, ekip të madh e buxhet të konsiderueshëm. Por për hapësirë s’ka nga t’ia mbajë tjetër, pasi ndërtesa e institucionit është në rinovim. 

Me të hyrë në sallë, vërehet se skena është e vogël. Skenografia e rekuizitat bashkë me një ansambël të Filharmonisë së Kosovës për të luajtur live në dy skajet e hapësirës e mbajnë të mbushur ambientin. E sa u përket simbolikave të skenografisë e rekuizitave është dashur të luhej “ngushtë”. Vepra e William Shakespeareit, që besohet të jetë publikuar më 1623, sjell në skenë atë që historia thotë të ketë ndodhur në shekullin e parë të mijëvjeçarit të kaluar. Makbethi, që në rastin e TKK-së kësaj radhe portretizohet nga Adrian Morina, është një epror ushtarak i zoti. Ato që njihen si shtrigat i çojnë në vesh thashethemnaja se mund të bëhet mbret. E nxit edhe bashkëshortja (Gresa Pallaska). Në e përreth një tavoline të madhe në skenë zhvillohet gjithçka. E krejt prapavija shërben si pasqyrë a njëfarë platforme ku nga prapaskena tregohet se çfarë do të ndodhë në skenë. 

Kasta e aktorëve ku luajnë edhe Shkëlzen Veseli, Luan Jaha, Shkumbin Istrefi, Ilire Vinca, Semira Latifi, Faris Berisha, Ermal Sadiku e të tjerë janë zgjedhja më e mirë e mundshme në ambientin e Kosovës. Egoja e Makbethit është e nivelit sa për ta vrarë mbretin (Luan Jahën) dhe për ta qarë atë. Veset e liga i rriten paralelisht me paranojën. Por, me gjasë një shfaqje e tillë është zor të “kamuflohet” brenda një “teatri kamertal” në hapësirën që ofron TKK-ja aktualisht, ku publiku ia ndien aktorit edhe frymëmarrjen. Një shfaqje megalomane për nga përmasat në pak metra katrorë ngelet hibride. 

Skena shndërrohet në njëfarë fushëbeteje me gjak deri në gju. Mesazhet janë të qarta. Se sa janë të forta estetikisht, ka diskutim. Por “Makbethi” zhvesh egot e sëmura (Foto: TKK)

Makbethi ia del të realizojë synimet, por çmendet. Krimet e tij bëjnë që të arrijë deri në nivelin sa të bëjë banjë me gjak. Madje me gjak fëmijësh. Personazhet përreth, familjarët e mbretit nisin ta kuptojnë realitetin. E nganjëherë Makduf “heq maskën” dhe vjen si Shkumbin Istrefi për të përshkruar realitetin e për të çuar mesazhe. Në kohën kur lufta në këto anë përmendet shpesh, ajo midis Rusisë e Ukrainës ka hyrë në vitin e tretë, në Lindje konflikti po zgjerohet, “Makbethi” vjen më me kuptim se kurrë. 

Por a është dashur që TKK-ja ta inskenonte në kushtet në të cilat është, ka prej atyre që besojnë se jo. Përderisa gjaku blu derdhet vazhdimisht e skeletet ngelin aty, ai i fëmijëve e të rinjve shërben për t’u larë mbreti i Skocisë që s’ngihet kurrë. Skena shndërrohet në njëfarë fushëbeteje me gjak deri në gju. Mesazhet janë të qarta. Se sa janë të forta estetikisht, ka diskutim. Por, “Makbethi” zhvesh egot e sëmura. 

“Në fakt madhështia e veprës qëndron tek autori. Shakespeare i madh tash e thuajse pesë shekuj transmeton energjinë e penën e tij në gjithë botën. Jep mundësi që kjo vepër gjithmonë të jetë e kohës. Ai e jep këtë mundësi. Detyra e regjisorit është që çdo vepër ta ofrojë si përrallë te publiku, ta bëjë sa më atraktive, t’i sjellë idetë e autorit te publiku në mënyrë sa më atraktive”, ka thënë regjisori Qëndrim Rijani, i cili ka pasur goxha telashe në disa drejtime derisa ka vënë në skenë shfaqjen. Në qershor ishte përdorur zbulimi i zorit, ai i premierës së mbyllur, për t’u kthyer në tetor me premierë të hapur. 

Regjisori nga Maqedonia e Veriut ka thënë se kanë bërë një strukturim dramaturgjik, një pastrim të asaj dramaturgjie që e lë veprën në kohë kur është shkruar, pastaj estetika teatrore në aspektin e simbolikave është e kohës së tashme. 

“Kjo mendoj se është mishëruar mirë me aspektin politiko-filozofik që ka vepra e Shakespeareit. Kjo mandej sjell te publiku asocime me kohën në të cilën jetojnë dhe shëmbëllen personazhe politike të kohës me të cilët publiku ka jetuar më herët apo jeton më vonë”, ka thënë ai. 

Adrian Morina me Shkëlzen Veselin janë të pakalueshëm në shfaqje të mëdha. Sipas Morinës, fatkeqësisht bota nuk ka qenë kurrë më e përgjakshme sesa që është sot. 

“Besomëni që absolutisht luftërat janë vetëm për pushtet dhe nuk kanë asgjë të bëjnë me jetët e njerëzve. Dhe, Makbethërit e sotshëm modernë janë edhe më të dashur se ata që i shohim në teatër. Këtu megjithatë ata janë personazhe negative që shihen qartë e paralajmërojnë për krimet që kanë për t’i bërë, ndërsa Makbethërit e sotëm janë shumë më të sofistikuar, janë më të dashur e më të afërt dhe e pinë gjakun shumë më shumë sesa ky gjak sot në skenë”, ka thënë ai. Morina i do rolet që në mënyrë direkte shpalosin synime a japin mesazhe. Sipas tij, projektet si “Makbethi” kontribuojnë për të gjithë ata njerëz që shkojnë në teatër pasi janë pasqyrë e asaj që po ndodh dhe ka ndodhur vazhdimisht. 

“Gjatë civilizimeve fatkeqësisht qenia njerëzore nuk ka arritur të avancojë dhe të mësohet që të mos vrasë për pushtet”, ka thënë ai. Gjatë shfaqjes vitet në prapavijë ecin deri në ditët e sotme si simbolikë që Makbethët jetojnë ende bashkë me synimet e errëta e gojëmbël në publik. 

Morinës i ka pëlqyer leximi që ia ka bërë Rijani veprës duke e nxjerrë Makbethin si një kriminel të madh e jo fort të ndikuar nga bashkëshortja, sikurse në disa versione të tjera. 

Teatrot që inskenojnë këto shfaqje mobilizohen fort në krejt aspektet. Këtë e ka bërë edhe TKK-ja, me aktorët më të mirë vendorë, ekip të madh e buxhet të konsiderueshëm. Por, për hapësirë s’ka nga t’ia mbajë (Foto: TKK) 

“Një kriminel që vret 10 mijë fëmijë, të veprojë sipas asaj që i thotë gruaja, më është dukur naive”, ka thënë Morina, derisa ka folur për të dhënat historike mbi të cilat është ndërtuar drama. Ka thënë të jetë jashtëzakonisht i lumtur me punën që kanë bërë të gjithë. 

“Besoj që me këtë ekip që e kemi në shfaqje, e kemi dhënë krejt mundin e dashurinë për ta realizuar këtë shfaqje, që besoj se është prej punëve më të mira që e kam bërë në karrierën e deritashme dhe besoj se është një prej shfaqjeve më të mira të TKK-së”, ka thënë Makbethi i tretë me radhë i TKK-së, pas Istref Begollit më 1975 dhe Armond Morinës më 2004. 

Makbethi dihet se si përfundon: i çmendur dhe i vdekur. Por, të bëmat e tij kanë jehonë të madhe. Se cila do të jetë jehona e kësaj shfaqjeje, pritet të shihet. 

Jeton Neziraj, dramaturgu kosovar më i përkthyer e njëkohësisht më i inskenuar gjithandej, ka thënë se ishte e dukshme që në produksion ishte investuar shumë, edhe për sa u përket artistëve në skenë e edhe sa u përket  bashkëpunëtorëve të tjerë të produksionit. Në këtë radhë ka futur edhe aspekte të tjera si skenografinë e sidomos kostumet. 

“Megjithatë, krejt ky investim dukej në diskrepancë me të konceptuarit e lëndës skenike e me mënyrën se si performanca në tërësinë e saj i ofrohej publikut. Estetika e tërësishme dukej paksa e dalë mode, por ky s’ishte problemi kryesor i saj. Problemi në esencë ishte tek moskonsekuenca e kaosi, edhe zhanror, stilistik, edhe i lojës aktoreske, por dhe i një mishmashi elementesh skenike që zor se lidheshin mes vete, e edhe më zor t’ua gjeje kuptimin dhe arsyen përse ishin në atë shfaqje”, ka thënë ai. Akterë të tjerë në teatrit vendor u janë shmangur komenteve për shfaqjen. 

TKK-ja duket sikur i ka dhënë shumë zor për ta pasur një shfaqje të madhe. Dhe, tash e ka. Inskenimi i klasikëve të teatrit në ditët e sotme ka pikëpyetje të mëdha. Por i bën hair debatit që zhvillohet për stilet e skenat teatrore. Me muzikë të Trimor Dhomit, shpesh dukej sikur tragjedia nuk u shkon edhe shumë përshtati atyre melodive – e ku nganjëherë si në rastin e vetëtimave volumi qe shurdhues – shfaqja është rrumbullakuar brenda mundësive. I përgjigjet mirë komentit të një ish-drejtori institucional që ishte kritikuar shumë për një projekt të madh dhe përgjigjja e tij ishte se edhe institucioni që ai udhëheq është i Kosovës. “Makbeth” Kosove është një prej përshkrimeve që mund t’i bëhet. I Kosovës së improvizimeve.