“ReNew” në kuadër të festivalit “ReMusica” ka hedhur dritë në virtuozitetin e kitaristit të ri Diar Aliu, e magjinë e kitarës e kanë zbërthyer mjeshtërit e kitarës si: Petrit Çeku, Pedro Ribeiro Rodrigues e Tomislav Vukshiq të bashkuar në “Trio Elogio”. Koncerti i dyfishtë ka sjellë tingujt intimë e të pasur të kitarës, repertorin e larmishëm e traditën e muzikës klasike që zhyt me tinguj nëpër epoka
Koncerti i dyfishtë në kitarë ka qenë koleksion zhanresh, kulturash e stilesh. “Trio Elogio” me Petrit Çekun, Pedro Ribeiro Rodrigues e Tomislav Vukshiqin në njërën anë, duke sjellë timbrin virtuoz po aq sa edhe talenti në kitarë Diar Aliu në kuadër të programit “ReNew” të festivalit “ReMusica”, kanë ekspozuar horizontet muzikore nëpërmjet një tapicerie të pasur tingujsh e teksturash. Ka qenë rrugëtim magjepsës virtuoz i natës së tretë të festivalit ndërkombëtar të muzikës.
Repertori që përzgjidhet për një koncert si koleksion vendimtar me vepra është tregues për kapacitetin dhe aftësitë teknike të instrumentistit. Kitaristi i ri në skenë, Diar Aliu, e ka dëshmuar veten në këtë aspekt duke zgjedhur vepra që harmonizojnë virtuozitet e seriozitet në skenë. Me të ka nisur koncerti i tretë të enjten mbrëma në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve.
E ka nisur koncertin e tij me “Grande Ouverture, Op.61” të italianit Mauro Giuliano, që shquhet si një prej kompozitorëve më të mëdhenj të veprave për kitarë. Sharmi melodik dhe virtuoziteti janë karakteret e veprës. Ka qenë vërtet uverturë e koncertit të tij.
Veprat e spanjollit Federico Moreno Torroba sjellin tingullin intim dhe timbrin e pasur me ritme popullore. “Castillos de Espana” ka qenë e qetë e me tinguj minimalë. Ata zbehen, por midis tingujsh udhëzohen në rikthimin e tyre në gjendjen e mëparshme. Si rrëfim poetik është “Alcaniz”, ndërsa më e gjallë ajo me titull “Siguenza”. Në këtë seri Aliu ka interpretuar edhe “Torija” dhe “Turegano”. E fundit është si një ringjallje e lehtë sa u përket tingujve që nisin me një dinamikë të lehtë e më pas shkrihen në ritme romantike.
Në përgjithësi kjo seri e veprave të kompozitorit Terroba ka elemente identitare të autorit.

“Aria & Cadenza” e polakut Krzysztof Penderecki ka qenë vepër bashkëkohore që shpreh intimitet midis tingujsh. Diar Aliu ka luajtur edhe “Tarantella” të Mario Castelnuovo-Tadesco, “Cadenza” të brazilianit Heitor Villa-Lobos.
Kitaristi Diar Aliu ka thënë se programi, të cilin e ka prezantuar në Prishtinë, kërkon gjashtë deri në dhjetë muaj përgatitje. E ka theksuar virtuozitetin e veprave.
“Ka qenë një rrugëtim i repertorit të kitarës nëpërmjet këtyre epokave. Kam filluar nga Giuliani në klasicizëm e deri tek Penderecki, që është kompozitor avangardë. Besoj se veçantia e këtij programi është larushia dhe zhvillimi e programi i kitarës ndër epoka. Programi ka qenë relativisht virtuoz sipas karakterit të veprave, por suita nga Moreno Torroba është ajo që e kthen programin në melodi më të lehta dhe faktikisht janë këngë folklorike që kanë karakter të melosit spanjoll”, ka thënë ai.
Diar Aliu është kitarist i shquar klasik, i cili aktualisht studion në Universitetin e Muzikës dhe Arteve Skenike në Graz nën drejtimin e profesor Łukasz Kuropaczewski. Gjatë karrierës së tij dhjetëvjeçare ai ka fituar çmime prestigjioze, ndër to çmimet e para në “Palaio Faliro Athens Guitar Festival” (Greqi), Festivalin Ndërkombëtar të Kitarës në Pejë, Festivalin e Kitarës në Shqipëri, konkursin “Kitara ndërkombëtare në Mal të Zi”, Festivalin e Kitarës në Pleven, Bullgari, Festivalin e Kitarës në Ankara, “Forum Gitarre Wien” (Austri) e shumë të tjerë.
Krejt në fund, bashkë me kuartetin e harqeve “Amati” ka interpretuar kohën e katërt të “Quintetto for Guitar and String Quartet, Op. 143”, ku kitara është në qendër shpesh, por lejon që harkorët të marrin drejtimin e veprës. Kitara është dominuese kur ndërhyn, ndonëse loja e saj është minimale. Instrumentistet Fjollë Koxha, Eliona Raqi, Alkesta Gllogjani dhe Donjeta Cërmjani i kanë dhënë ngjyrë melankolie në hapësirën e festivalit dedikuar të rinjve – “ReNew”.
Ky program është skena për artistët në zhvillim si pjesë e festivalit “ReMusica” ndër vite. Ka shërbyer si skenë për promovimin e plejadës së re të artistëve të talentuar vendorë.
Rreth dhjetë minuta e kanë ndarë publikun prej koncertit tjetër. Në qendër të mbrëmjes ka qenë “Trio Elegio” me Petrit Çekun, portugezin Pedro Ribeiro Rodrigues e kroatin Tomislav Vukshiq.
Koncertin e tyre e kanë nisur me “Sonata Nr. 8, K.310” të Wolfgang Amadeus Mozart. Virtuoziteti vjen në shprehje që në tingujt e parë që nuk harmonizohen assesi e dinamizmi është përbrenda. Zhvillohen në drejtime të kundërta dhe sikur i kundërvihen njëri-tjetrit. Pos veprave, virtuoze është edhe loja e tyre që dëshmon nivel botëror muzikantësh.
E veçantë ka qenë vepra “Acumal, Op. 60” e kroatit Bruno Vlahek. Repertori i trios i kushton vëmendje të veçantë kompozitorëve kroatë e kësisoj kanë vepruar me koncertin e së enjtes mbrëma.

Pjesa “Energico” ka qenë me tinguj të definuar, shumë të theksuar dhe lojë energjike. Shpesh trio harmonizohet në tinguj që vijnë si të valëzuar me ulje-ngritje që janë në qendër, ndërsa secili prej solistëve ka pjesët me të cilat dominon në skenë. Lojë e qetë dhe minimale ka qenë “Languido”. Në sekuenca të veçanta dy kitara janë si përcjellëse, ndërsa njëra në qendër. Duket se permanentë janë tingujt që e karakterizojnë temën kryesore ndërsa vepra merr edhe kahe të tjera.
“Nobile” ka qenë harmonike në tinguj, ku instrumentet gjejnë një lloj gjuhe të përbashkët. Në disa sekuenca janë ritme që duken të frymëzuara nga muzika latine.
Magjik ka qenë “Follow The Star“ e britanikut Stephen Dodgson, ndërsa kapitull tejet i veçantë edhe “Four Impromptus, D. 899 / Op. 90” e Franz Schubertit. E aranzhuar për kitarë nga Petrit Çeku, koha e parë “Allegro molto moderato” nis me një tërheqje paralele të telit të kitarës nga treshja. Është pjesë ritmike ku tema kryesore transformohet e shkrihet në dimensione të tjera të tingujve. Kthehet shpesh në origjinalitet sikur duke përfaqësuar një lloj ritmi tradicional.
“Trio Elogio” u themelua në vitin 2009 nga Petrit Çeku, Pedro Ribeiro Rodrigues dhe Tomislav Vukshiq, muzikantë që kanë përfunduar Akademinë e Muzikës në Zagreb. Pos kompozitorëve kroatë, tre kitaristët vlerësojnë edhe aspektin e gjerë historik të kompozimeve orkestrale, duke i kombinuar ato me kompozime moderne.
Kanë performuar në festivale të mëdha ndërkombëtare si: Grachtenfestival, Wonderfeel (Holandë), Festival Internacional de Música de Marvão, Cistermúsica (Portugali), Kyburgiade (Zvicër) dhe Alpenarte (Austri), në festivale të muzikës dhe seri koncertesh në të gjithë Kroacinë.
“Trio Elogio” është fitues i çmimit “Milka Trnina” të Shoqatës Kroate të Artistëve të Muzikës për arritjen më të mirë muzikore në vitin 2022.
Portugezja Luana Santos, e cila e ka vizituar “ReMusican” për ta vlerësuar atë si pjesë të Asociacionit të Festivaleve Evropiane, ka thënë se koncerti i trios ka qenë një prej më të mirëve që ka dëgjuar ndonjëherë. Ka pasur lëvdata për festivalin.
“Ishte një prej koncerteve më të mira që kam dëgjuar. Artistë të mrekullueshëm, grup i mahnitshëm që bashkëpunojnë në mënyra të ndryshme midis vete dhe shikojnë pas njëri-tjetrit. Ishte koncert i mahnitshëm. Kam qenë në të gjitha koncertet e ‘ReMusicas’, sepse punoj për Asociacionin Evropian të Festivaleve dhe kësisoj kam qenë duke ndjekur të gjitha koncertet në kuadër të programit të festivalit. Ka pasur artistë të mahnitshëm nga shumë vende dhe është e mrekullueshme çfarë punë janë duke bërë”, ka thënë ajo.
Drejtoresha artistike e festivalit “ReMusica”, kompozitorja Donika Rudi, e ka vlerësuar programin të veçantë e atraktiv.
“Petrit Çeku është emri ynë, një artist i mrekullueshëm i cili erdhi me dy kolegët e tij si ‘Trio Elegio’. Ishte një program jashtëzakonisht atraktiv, posaçërisht më la shumë përshtypje vepra e dytë e kompozitorit Vlahek nga Kroacia, ishte një emocion i jashtëzakonshëm dhe kënaqësi gjithmonë t’i kemi ‘Trio Elegio’ në skenën e ‘ReMusicas’”, ka thënë ajo.
Të mrekullueshëm i ka konsideruar edhe performancën e talentin e Diar Aliut.
“Sonte e patëm një natë të mrekullueshme me artistë fantastikë, ku pothuajse i gjithë koncerti ishte me kitaristë. Një koncert i mrekullueshëm i Diar Aliut. Një talent, një kitarist shumë i talentuar, kishim nderin ta kishim në skenën e ‘ReMusicas’. Ka qenë programi ‘ReNew’ që ndriçon talentet e reja, artistët e rinj dhe këtë e dëshmoi Diari me një performancë të mrekullueshme, ku edhe ‘Amati String Quartet’ iu bashkua”, ka thënë Rudi.
Koncerti i dyfishtë në natën e tretë të “ReMusicas” ka sjellë tingujt intimë e të pasur të kitarës, repertorin e larmishëm e traditën e muzikës klasike që zhyt me tinguj nëpër epoka.