Kulturë

Maestro Krypa si alkimist i ngjyrës gdhend autoktoninë

Ekspozita e maestro Fatmir Krypës

Ekspozita e maestro Fatmir Krypës – e hapur të martën në mjediset e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës – është si thirrje që të eksplorohen thellësitë e artit dhe të përjetohen energjitë e secilës vepër

Rrugëtimi i veprave të tij është i gjatë, e në ekspozitën e hapur në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës grafisti i shquar Fatmir Krypa hap kapitullin e atyre që ka realizuar në pesë vjetët e fundit. I rikthehet autoktonisë, trungu ilir vjen si temë konstante, por nuk lë pa kronikuar as momente që e vënë në sprovë njeriun. E bën këtë, siç ka thënë edhe kuratori i ekspozitës, akademik Eqrem Basha, “duke gjurmuar me vëmendjen dhe durimin e alkimistëve ndërhyrjen e ngjyrës”

Çdo grafikë e ekspozuar është një lloj pasqyre e një momenti të caktuar, ndjesi ose një ide e cila shprehet nëpërmjet një teknike të veçantë. Nga abstraktet e guximshme deri te peizazhet e qeta, secila vepër ofron perspektivë të re dhe mundësi për të reflektuar mbi botën përreth. Hap kapituj historie, po ashtu. Artisti është kronist ngjarjesh, po ashtu. 

Ekspozita e maestro Fatmir Krypës – e hapur të martën në mjediset e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës – është si thirrje që të eksplorohen thellësitë e artit dhe të përjetohen energjitë e secilës vepër. Në një periudhë ku imazhi shpesh i nënshtrohet utilitarizmit të shpejtë të mediave elektronike, arti grafik vjen si apel i heshtur me qëllim rikthimi të vëmendjes te detajet. Në një hapësirë ekspozuese si kjo, dritat takohen me hijet, ndërsa nëpërmjet grafikave ekziston një lloj dialogu midis artistit dhe vizitorit. Është gjuhë e cila nuk do fjalë, por kërkon interpretim dhe reflektim.
Si e tillë ekspozita nuk mund të quhet vetëm një koleksion veprash, por një ftesë për t’u ndalur para secilës vepër, në zbulimin e botës së autorit jo vetëm përmes estetikës së veprave, por edhe të mesazheve që fshihen në thellësinë e grafikave.

Veprat e Fatmir Krypës fokusohen kryesisht te simbolika e trungut, por ky nuk është një trung i thjeshtë. Ai përfaqëson “Trungun ilir”, një metaforë e fuqishme që bart historinë dhe identitetin e shqiptarëve si vazhdimësi e ilirëve. Është motivi me të cilin ndërthuren arti dhe historiografia, ku vihen në pah rrënjët kombëtare. “Trungu i lashtë ilir” në versione, “Bashkimi i trungut ilir”, “Përtëritja e trungut ilir”, “Gërshetim degëzash dardane”, janë vetëm disa prej titujve të veprave që pos “trungut” kanë të përbashkët edhe periudhën kur janë krijuar: pesë vjetët e fundit. 

Në një periudhë ku imazhi shpesh i nënshtrohet utilitarizmit të shpejtë të mediave elektronike, arti grafik vjen si apel i heshtur me qëllim rikthimi të vëmendjes te detajet

Trungu, si diçka qendrore bën një lidhje edhe me simbolikën e shkëmbit, duke paraqitur forcën dhe qëndresën e popullit ndër shekuj. Te “Përtëritja e trungut ilir” ai përçon mesazh për shqiptarët, duke kujtuar historinë e lashtë dhe thirrjen për ta ruajtur atë. Grafika si “Trungu i lashtë ilir” ngërthen në vetvete narrativen e origjinës shqiptaro-ilire duke u bërë urë lidhëse mes së kaluarës dhe të tashmes. 
Janë edhe dy vepra të tjera si “COVID 19 – i frikshëm”, akuatintë, bakërshkrim, ku autori paraqet vështirësitë përmes të cilave kanë kaluar ai dhe qytetarët jo vetëm këtu për në krejt botën 
Akademik Mehmet Kraja, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, në fjalën hyrëse ka thënë se Akademia “është në shërbim të piktorëve dhe autorëve të shquar, krijueseve”. “Do të përpiqen ta bëjmë një ambient, një vend ku mund të jenë të pranishëm edhe njerëz artistikë, pra ata që promovojnë artin”, ka thënë ai. 

Akademik Eqrem Basha, kurator i ekspozitës, ka thënë se ASHAK-u është duke vazhduar praktikën e prezantimit të emrave të njohur të arteve pamore, duke u përpjekur të ofrojë një përzgjedhje të artistëve të dëshmuar. “Në prag të festës së madhe kemi nderin ta promovojmë veprën e artistit Fatmir Krypa, që u takon gjeneratave të para të artit të grafikës”, ka thënë ai. Sipas tij, kontributi i Krypës si grafist dhe pedagog shtrihet edhe në grafikën e ngrirë si në skulpturë dhe pikturë duke i prezantuar me një autoritet. 

“Është i domosdoshëm të përmendet ky rol, sepse është i rëndësishëm në nxitjen e gjithë atyre individualiteteve që e ngritën këtë art në pozitën ku është sot, në kohën kur flitet kaq shumë për zhvillimin e informatikës dhe teknologjisë artificiale, digjitalizimi,t mbase edhe të artit e të dizajnit. Ajo që bie në sy në fillimet e grafikës të Fatmir Krypës është ngërthimi i elementeve etnografike, në veçanti atyre të Hasit e Dukagjinit, figura e femrës më veshjet tipike të këtyre anëve, apo të malësorëve pranë mureve a rrënojave të kullave shekullore”, ka thënë akademik Basha. 

Ka thënë se çdo grafist me përvojë krijon procedetë e veta teknike, të cilat hapin horizonte të reja për të zbërthyer temat dhe idetë, teknikat dhe proceset. “Krypa është përqendruar tek akuatinta dhe teknika e kombinuar, të cilat i fisnikëron deri në përsosmëri duke gjetur qasjen e vet origjinale, duke selitur metodat e manipulimit me mundësitë e pllakës, acideve e shtypit dhe duke gjurmuar me vëmendjen dhe durimin e alkimistëve ndërhyrjen e ngjyrës”, ka thënë ai për artistin, krijimtaria e të cilit ka rrumbullakuar gjashtë dekada prej se hapi ekspozitën e parë më 1963. Kjo në ASHAK, sipas shënimeve në katalogun e botuar nga ky institucion, është e 24-ta personale. E gjatë është lista e pjesëmarrjeve në ekspozita të përbashkëta, në ngjarje të njohura gjithandej, e çmimeve dhe e mirënjohjeve po ashtu. Fatmir Krypa u lind më 1942 në Gjakovë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse Shkollën e Mesme të Artit në Pejë, më 1963. Akademinë e Arteve Aplikative e kreu në Beograd më 1969, ndërsa studimet pasuniversitare për grafikë i kreu në Akademinë e Arteve Figurative në Zagreb më 1978. 

“Veprat e tij gjenden në Muzeun Popullor në Beograd, në Muzeun e Arteve Bashkëkohore në Shkup, në Muzeun e Arteve në Podgoricë, në Kongresin Amerikan, në Ambasadën amerikane në Shkup dhe në universitete të ndryshme në botë”, shkruhet, ndër të tjera, në biografinë e tij në katalog. 
“Krypa vepron me cikle preokupimesh e subjektesh që vijnë rrathë-rrathë, por që në përgjithësi kanë vulën dhe dorëshkrimin e tij. Ndonjëherë subjekte dhe preokupime të tij bëhen ngjarje dhe problematika të shoqërisë që diku-diku do të identifikohen edhe me tituj, si: Variola, Tebdilet, Emancipimi, Hasianet, Malësorët, Kullat, Kovidi e të tjera”, ka thënë akademik Basha në vernisazhin e ekspozitës. 

Në një hapësirë ekspozuese si kjo, dritat takohen me hijet, ndërsa nëpërmjet grafikave ekziston një lloj dialogu midis artistit dhe vizitorit

Vetë Fatmir Krypa kishte qenë në mëdyshje se me çfarë veprash të prezantohej në ekspozitë. 

“Mirëpo jam bazuar në veprat e fundit prej COVID-it, por edhe para COVID-it. Kështu që edhe COVID-i ka qenë një çlirim dhe aty mund t’i shihni edhe ato dy vepra ku të gjitha ato shëtitje majtas e djathtas që i kam përjetuar i kam shënuar në artin tim, të popullit tim, njeriut tim, njeriut kombëtar. Të gjithë e thonë se është prezantuar si shkëmb i cili është i gdhendur edhe në hyrje të ekspozitës, e shihni edhe ju mënyrën se si e kam trajtuar formën e tij”, ka thënë Krypa. Ka shtuar se prej ekspozitës së parë ka vazhduar duke realizuar shumë grafika, të gdhendë e të punojë. Këtë e ka bërë edhe për një tjetër arsye. Jam munduar t’u jap shembull gjeneratave të reja, por ata nuk duan të dëgjojnë, nuk duan të punojnë, dhe më vjen keq”, ka thënë ai. Teknikës i ka qëndruar besnik. “Kjo punë praktikohet në gjithë botën, prej Japonisë, e cila ka lindur në shekullin e 15-të, kurse në Kinë në shekullin e 17-të, ku i kam dy vepra dhe ndihem krenar që ato ndodhen atje në atë muze, dhe jo vetëm në atë muze, por edhe në shumë muze dhe galeri në mbarë botën”, ka thënë Krypa.

Gazetari veteran Shaqir Foniqi ka thënë se ekspozita e Krypës është një ngjarje që nuk bën të huqet. 

“Të them të drejtën si dashamir dhe ithtar dhe kronist i ngjarjeve kulturore, disi nuk mund të më ikin ngjarje të tilla. ASHAK-u siç dihet është institucioni më suprem i dijes dhe pikërisht këtu hapet ekspozita e piktorit të njohur Fatmir Krypa, i cili identifikohet me tematikën rrënjët dhe trungu, i cili e pikturon trungun ilir, përshkrimin e trungut, rrënja kthehet te trungu e dija”, ka thënë Foniqi duke shtuar se Krypa i takon një gjenerate të artë të piktorëve dhe është një ndër grafistët më të mirë, krahas Gjelosh Gjokajt, i cili ka qenë themelues i shkollës së lartë të artit pamor-grafik. 

“Pastaj vjen edhe plejada tjetër me Rexhep Ferrin, Muslim Mulliqin, deri te piktorët e sotëm të rinj që mund të krahasohen me vlera evropiane dhe botërore në sferën e pikturës”, ka thënë ai. 

Një kapitull i këtij arti tashmë është i hapur në Akademi.