“Çdo vit kemi ecur lart e më lart falë insistimit të menaxhmentit të Filharmonisë. Ka pasur zhvillime më të ngadalshme sesa që i kam menduar. Ka mbetur ende shumë që të bëhet, sidomos në infrastrukturë”, ka thënë të martën maestro Baki Jashari, i cili mbyll kapitullin e tij 18-vjeçar si drejtor i Filharmonisë së Kosovës. “Po përfundoj mandatin në periudhën më të mirë të institucionit, por ka edhe shumë për të bërë”, ka thënë ai
Të premten e kësaj jave Baki Jashari do të përmbyllë 18 vjet si drejtor i institucionit më të lartë muzikor në vend, Filharmonisë së Kosovës. Mandati i gjashtë është edhe i fundit në krye të Filharmonisë për dirigjentin e kompozitorin. Në vitin 2006 kur e ka marrë këtë pozitë, Filharmonia ishte diçka midis institucionit a një ansamblit ku instrumentistë mysafirë ishin shumicën. Të përhershmit nuk ishin të tillë juridikisht por të angazhuar përkohësisht, përderisa programi nuk shkonte përtej një formacioni muzikor gati se krejt lokal.
Të martën Jashari është pritur nga ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.
“Në takimin e sotëm e falënderova për kontributin jetësor në skenën e muzikës klasike dhe atë 18-vjeçar në forcimin e institucionit të Filharmonisë. Deri në shpalljen e konkursit të rregullt, si ushtrues detyre i drejtorit të Filharmonisë së Kosovës është emëruar Dardan Selimaj, zyrtar i brendshëm i këtij institucioni”, ka njoftuar ministri Çeku.
Praktikisht Dardan Selimaj, aktualisht menaxher i institucionit, do të jetë ushtrues detyre nga e hëna e javës që vjen.
Nëpërmjet një bisede të shkurtër telefonike, drejtori Baki Jashari ka thënë se institucionin e ka gjetur “në një gjendje shumë modeste”.
“Nuk ka qenë shumë filozofi në atë kohë që të zbulohet se cili do të duhej të ishte vizioni. Ka qenë imponim i kohës konsolidimi në drejtim të një institucioni kredibil me fizionomi të qartë programore. Fillimisht ka pasur sfida të mëdha me kuadrin alarmant deficitar. Ky ka qenë synimi kryesor: ngritja e kuadrit vendor që do t’i zëvendësonte prurjet nga rajoni”, ka thënë ai.
Ka kujtuar se më 2006 është dashur që për koncerte të angazhonin plot 34 instrumentistë nga Filharmonia e Maqedonisë Veriore krahas 21 apo 22 instrumentistëve vendorë. Ka tregtuar se tash i huazojnë 3 ose 4 instrumentistë në krahasim me 60 të tjerë që tashmë janë të përhershëm. Telashe kanë me staf për instrumente si obo dhe eventualisht kontrafagot, harpë e kontrabas. Por krahas kësaj, sfidë ka qenë ngritja e nivelit të programit dhe shtimi i publikut.
“Është dashur shumë mund që të tria këto synime të zhvillohen paralelisht. Sfidat kanë qenë të mëdha në anën legjislative, infrastrukturore dhe financiare. Buxheti në fillime ka qenë shumë modest dhe nuk ka mundësuar aktivitet me kualitet më të lartë”, ka thënë Jashari. Sipas tij, me rritjen e kapacitetit të kuadrit profesional janë hapur edhe mundësitë programore pasi pa një orkestër të kompletuar ka qenë e pamundur që kërkesat programore të jenë më të larta.
“Krahas veprave më madhore të repertorit botëror kemi pasur synim edhe veprat vendore. Çdo vit kemi rritur apetitet tona në program dhe me kalimin e viteve kemi arritur suksese të konsiderueshme në lëvrimin e literaturës kryesore botërore. Çdo vit kemi pasur dirigjentë dhe solistë të kategorive të larta. Kjo është bërë edhe në bashkëpunim me festivalet vendore”, ka thënë ai.
Ka kujtuar se më 2011 është bërë një hap domethënës në stabilizimin juridik të stafit artistik pasi deri atëherë ishin me angazhim të përkohshëm.
“Më pas mund të flasim vazhdimisht për ngritje. Çdo vit kemi ecur lart e më lart falë insistimit të menaxhmentit të Filharmonisë. Ka pasur zhvillime më të ngadalshme sesa që i kam menduar. Ka mbetur ende shumë që të bëhet sidomos në infrastrukturë”, ka thënë ai. Sipas tij, zhvillimet e viteve të fundit kanë qenë shumë domethënëse.
“Ligji i pagave nënkupton stabilitet më të madh institucional. Po përfundoj mandatin në periudhën më të mirë të institucionit, por ka edhe shumë për të bërë”, ka thënë ai. Jashari në kuptimin artistik të udhëheqjes së institucionit do ta mbyllë mandatin në korrik, kur edhe do të jepet koncerti i fundit për këtë sezon, nën dirigjimin e tij.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit, Dardan Seliamj, ka thënë se nga ana programore, programi i këtij viti është i aprovuar dhe në këtë fazë e rëndësishme është mbajtja e kontinuitetit dhe vazhdimi i bashkëpunimi me akterë të rëndësishëm të skenës së muzikës klasike në vend e jashtë vendit.
“Bashkë me kolegët e dy njësive (Orkestrës dhe Korit) gjatë kësaj periudhe transitore do të kontribuojmë në reformën organizative të Filharmonisë së Kosovës së cilës i ka hapur rrugë Ligji i ri për Artin dhe Kulturën, kjo në shërbim të krijimit të kushteve edhe më të favorshme për zhvillimin e Filharmonisë në vitet në vijim”, ka thënë ai.