Kulturë

“Lumo Skëndo”- akademik Rexhep Qosjes për analiza të mprehta e të thella

“Lumo Skëndo”- akademik Rexhep Qosjes për analiza të mprehta e të thella

Përmes analizave të tij të mprehta dhe studimeve të thelluara mbi gjuhën shqipe, akademiku Rexhep Qosja ka dhënë një kontribut të çmuar në zhvillimin e mendimit kritik dhe në forcimin e vetëdijes kombëtare”, shkruhet në motivacionin për çmimin “Lumo Skëndo”

Akademiku Rexhep Qosja është laureati i çmimit “Lumo Skëndo” për vitin 2024. Libri i tij “Për lirinë, të vërtetën dhe të drejtën” është vlerësuar si vepra më e mirë në lëmin e publicistikës dhe eseistikës. Juria e kryesuar nga Belina Budini, me anëtarë Uran Butka, Anastas Angjeli, Rudina Xhunga dhe Aida Tuci e vlerësuan veprën publicistike të Rexhep Qosjes. “Përmes analizave të tij të mprehta dhe studimeve të thelluara mbi gjuhën shqipe, akademiku Rexhep Qosja ka dhënë një kontribut të çmuar në zhvillimin e mendimit kritik dhe në forcimin e vetëdijes kombëtare”, shkruhet në motivacion.

Nëpërmjet një videomesazhi, Rexhep Qosja ka falënderuar përfaqësuesit e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, si edhe Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për çmimin “Lumo Skëndo”, raportojnë mediat në Shqipëri.

“Çmimi ‘Lumo Skëndo’, me të cilin vlerësohet vepra ime, është nderim i veçantë që më dhurohet në moshën në të cilën jam”, ka thënë akademik Qosja, i cili më pas ngriti lart figurën e Mit’hat Frashërit, i cili mbante Lumo Skëndon si emrin e penës.

Ky çmim shihet si një vlerësim për të nxjerrë në pah vlerat më të mira të botimeve në gjininë e publicistikës dhe eseistikës që kanë një rol në diskutimet publike. Për vitin 2024 ishin gjithsej 10 kandidatë, mes të cilëve Stefan Çapaliku, Enis Sulstarova, Sherif Bundo, Arben Imami, Luan Rama e të tjerë.

Muajin e kaluar Ministria e Kulturës e ka nderuar akademik Qosjen me çmimin “Letërsia Shqipe”, të cilin e kishte harruar qysh prej vitit 2017, kur u themelua ky çmim dhe iu nda shkrimtarit Ismail Kadare.

“Letërsia është ngushëllim për ne, por edhe mjet shpirtëror që na ndihmon të luftojmë, pra të luftojmë për lirinë, të vërtetën dhe të drejtën. Letërsia na mëson, ajo na tregon kush jemi dhe çka mund të bëjmë”, kishte thënë akademik Qosja pasi kishte pranuar çmimin “Letërsia Shqipe”.  Veprimtaria e shkrimtarit e intelektualit të shquar është çmuar me të drejtë si për rolin e një institucioni në jetën kulturore shqiptare.

Në Raportin e Jurisë për ndarjen e çmimeve letrare gjendej propozimi për akademik Qosjen. Juria në këtë dokument zyrtar të nënshkruar nga të gjithë anëtarët, çmimit “Letërsia Shqipe” i referohej si “Çmimi për letërsi” që realisht nuk ekziston.

“Letërsia shqipe, në dimensionet shumëplanëshe të krijimtarisë letrare dhe të mendimit historiko-letrar e kritik letrar, e ka akademik Rexhep Qosjen shenjën më përfaqësuese të identitetit të saj. Romanet dhe dramat e tij janë prurje që ndryshojnë rrjedhën letrare shqipe të kohës, e shkëpusin atë nga konformizmi mbizotërues i poetikës së realizmit socialist duke qëndruar gjithnjë në kërkim të dimensioneve të reja estetike moderne, shprehëse, strukturore dhe përmbajtjesore”, shkruhej në motivacionin e jurisë të lexuar në ceremoni nga ministri Hajrulla Çeku. Sipas motivacionit, me veprën letrare dhe me veprimtarinë e tij shkencore Rexhep Qosja e ka luajtur rolin e një institucioni në jetën kulturore shqiptare dhe ka krijuar një bibliotekë të literaturës shkencore albanologjike, historiko-letrare, kritiko-letrare, publicistike memoaristike, historiografike, duke përfaqësuar njëkohshëm edhe një zë të fuqishëm intelektual si protagonist aktiv dhe kreativ në proceset e vështira të ndryshimeve të mëdha shoqërore në botën shqiptare.