Green Festival”, i cili këtë vit mbush plot 14 vjet, sërish në Parkun e Qytetit të Mitrovicës, të mërkurën mbrëma shpalosi programin e natës së parë në kuadër të katër ditëve me aktivitete që mishërojnë forma të ndryshme arti, duke e bërë atë levë për të transmetuar mesazhe sensibilizuese mbi mjedisin. E tillë është dhe motoja e sivjetme “Lum Na”, në sinkron me objektivin kryesor të këtij edicioni, lumenjtë dhe gjendjen e tyre. I mbështetur në “Objektivin e Zhvillimit të Qëndrueshëm 14 ‘Life below water’ (Jeta nënujore)” në kuadër të Kombeve të Bashkuara, “Greenfest” i sivjetmë trajton rëndësinë e lumenjve për ekosistemin dhe kualitetin e jetës njerëzore, ndërkaq inkurajimin në veprimin për këtë kauzë ai e fut në çdo aktivitet që ofron
Përpjekjet për ndërgjegjësimin mbi temat mjedisore nuk janë të rralla në Kosovë, por të shpeshta nuk janë festivalet të cilat i dedikohen përkushtimisht kësaj kauze. Aq më tepër ato të cilat aktivitetin e tyre me objektiva e synime të palëkundura për mjedisin e kanë shtirë në më tepër se një dekadë. E ky është rasti i “Green Festival”, i cili këtë vit mbush plot 14 vjet, sërish në parkun e qytetit të Mitrovicës, të mërkurën mbrëma shpalosi programin e natës së parë në kuadër të katër ditëve me aktivitete që mishërojnë forma të ndryshme arti, duke e bërë atë levë për të transmetuar mesazhe sensibilizuese mbi mjedisin.
E tillë është dhe motoja e sivjetme “Lum Na”, në sinkron me objektivin kryesor të këtij edicioni, lumenjtë dhe gjendjen e tyre. I mbështetur në “Objektivin e Zhvillimit të Qëndrueshëm 14 ‘Life below water’ (Jeta nënujore)” në kuadër të Kombeve të Bashkuara, “Greenfest” i sivjetmë trajton rëndësinë e lumenjve për ekosistemin dhe kualitetin e jetës njerëzore, ndërkaq inkurajimin në veprimin për këtë kauzë ai e fut në çdo aktivitet që ofron. Duke nisur nga punëtoritë, përpjekjet edukative për të vegjlit, ekspozitat, shfaqjet e filmave, muzika dhe format e tjera të artit, ky edicion mundëson angazhimin real të gjithsecilit, qoftë edhe vetëm si ftesë reflektimi për individin apo komunitetet.
Buzë lumit Ibër e në mes të drunjve të parkut të qytetit, rrëzë urës e cila tash e sa kohë përbën material për diskursin politik, “Greenfesti” me programin e vet bashkon të gjithë qytetarët e Mitrovicës në ftesë për bashkëveprim mbi probleme reale të cilat cenojnë të përbashkëtën. Ky inkurajim nisi qysh në fjalimet hapëse të festivalit. I pari i qytetit më të madh verior, Bedri Hamza, në fjalimin e tij zgjodhi të sjellë në vëmendje rolin kulturor të qytetit të Mitrovicës teksa përshëndeti festivalin dhe kontributin e tij për qytetin.
“Mitrovica si asnjë qytet tjetër nuk e ka të pasur vetëm tokën, nuk është vetëm një minierë e arit, por edhe një minierë e kulturës, emancipimit, muzikës dhe bashkëjetesës. Njerëzit e Mitrovicës janë thesari ynë më i madh dhe ky festival synon rikthimin e këtij shkëlqimi të Mitrovicës. Rimëkëmbja e kulturës dhe aktivizmit qytetar, posaçërisht e të rinjve, ka qenë e vazhdueshme në shoqërinë tonë, por artistët e Mitrovicës gjithmonë na e kanë ushqyer shpirtin. Arti dhe kultura kanë qenë përherë pasuri e Mitrovicës dhe janë edhe tash në këto ditë me vapë si freski kulturore”, ka thënë kryetari Hamza.
Diçka më tepër për ndërgjegjësimin për zhvillimin e qëndrueshëm foli sekretarja e parë e Ambasadës së Suedisë në Kosovë, Ylva Sahlstrand. Ajo kujtoi se nuk mban mend që Suedia të ketë festivale të tilla teksa përshëndeti “Greenfestin”, këtë herë të parë që ajo po merrte pjesë.
“Një festival i tillë tregon angazhimin e kësaj shoqërie dhe ju të gjithë që jeni këtu, jeni këtu si nxitës të ndryshimeve. Më pëlqen kjo përzierja e problemeve serioze dhe kulturës, aq me tepër në festivale. Po i tregoja nënës sime para se te vija këtu dhe ajo me tha që nuk ka dëgjuar asnjëherë për një festival të tillë në Suedi, por ky festival është një reflektim i pastër i iniciativave të tilla mjedisore. Ne duhet të punojmë për një kualitet më të mirë të jetës dhe normalisht uji i pastër është një e drejtë fundamentale, normalisht ka progres në këtë fushë, por ka ende shumë gjëra për t’u bërë. Është shumë e rëndësishme të shohim një festival si ky ku kemi akterë të ndryshëm që punojnë dhe takohen bashkë si qeveria, komunat, OJQ-të, shkollat, për një të ardhme të qëndrueshme”, ka thënë ajo.
Fill pas fjalimeve programi ishte rezervuar për shfaqjen e dokumentarit “In the Name of Vjosa” nga Matthias Leupold dhe Eric Berg. Si përmbajtje e cila shkonte vizavi me temën e këtij edicioni të festivalit, ky prodhim filmik përballi të pranishmit për afro 15 minuta me sagën e lumit Vjosa, e cila u zhvillua rishtazi me kërcënimet për hidrocentrale dhe përpjekjet e banorëve vendas të zonës që ta ruajnë atë, teksa trajnonin rëndësinë e këtij lumi jetik për nga rëndësia për ata banorë, bashkë me peizazhin më të gjerë natyror të Shqipërisë.
Një përpjekje për rritjen e vetëdijes kolektive për ndotjen që u bëhet lumenjve në Kosovë e kishte bërë dhe fotografi dokumentar Ferdi Limani në vitin 2022. Me ciklin e fotografive “Projekti Drini”, Limani në “Greenfest” solli disa fotografi të tijat, të cilat dokumentojnë rrjedhën e lumit Drin. Aq më tepër ai nga kuadrot e fotoaparatit përplas të vërtetën e ndotjes se këtij lumi përgjatë gjithë rrjedhës se tij, nga mbeturinat e ndryshme që nisin nga ujërat e zeza e deri tek ato kimiket. Kështu ai ka kapur dhe përvojat e banorëve rreth këtij lumi dhe habinë e tij nga ndotja e shkatërrimi i pakontrolluar i këtij lumi.
Ky edicion, i cili nënvizon rëndësinë e jashtëzakonshme të këtyre rrjedhjeve ujore për jetën në Tokë synon të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e lumenjve në mbajtjen e ekosistemeve të shëndetshme dhe të nxjerrë në pah rolin e tyre të pazëvendësueshëm në jetën e përditshme. Por kjo, nga drejtori i festivalit, Lulzim Hoti, arrin dhe premisat e një përpjekjeje kulturore.
“Ne besojmë se çështja mjedisore është pikësëpari çështje kulture dhe si organizatë kulturore natyrisht që provojmë përmes kulturës të ngremë çështje kauzale si kjo qe është tematikë mjedisore enkas për lumenjtë e Mitrovicës, për lumenjtë e Kosovës. Duke e ngritur debatin, duke krijuar një masë kritike ne synojmë që të ndërgjegjësojmë e t’i bëjmë të dashur për mjedisin që na rrethon, t’i bëjmë të lidhur me lumenjtë. Ne duhet ta kuptojmë që lumenjtë janë tanët jo të huaj, të një shteti që e kemi konsideruar dikur, por janë pikërisht tanët, ata janë na”, ka thënë Hoti në një prononcim për KOHËN.
Por krejt kjo synohet që përtej intervenimeve të tilla të drejtpërdrejta si ekspozitat e filmat, ta bëjë edhe duke tërhequr vizitorët me emra të afirmuar të muzikës nëpërmjet koncerteve.
“Ideja ka qenë që t’i ftojmë artistët të ndajnë mesazhe për çështje mjedisore, kjo është ideja me tërheqë masën ndaj të cilës ne ndajmë mesazhe dhe në forma digjitale përmes filmave, ekspozitave, punëtorive, aktiviteteve mjedisore rekreative, gjithë ky medium besoj që i jep efekt jo ndoshta menjëherë, por me kohën gjithçka ndryshon në mendësi. Dhe ta përmbysim rezultatin nga 80 për qind, që janë lumenjtë e papastër, të pashëndetshëm, t’i kthejmë në të shëndetshëm, në lumenj të lumtur”, ka shtuar ai.
Por veç intervenimeve artistike mes filmit e ekspozitave mbrëmja e parë kishte rezervuar dhe dy pika të tjera. Paraqitja e korit të fëmijëve “Cicërimat buzë Ibrit”, si dhe koncerti kryesor i grupit “Dont listën to your neighbors” si paralajmërues të një katërditëshi intensiv me aktivitete e me muzikë.