Miqtë e mbajnë në mend si aktor të talentuar që nuk pati edhe aq mundësi të dëshmohej në skenë e në shesh xhirimi, por mbi të gjitha si njeri plot humor, përherë i buzëqeshur. Buzëqeshja ka qenë edhe lamtumira e tij e fundit. Lulzim Rexha vdiq në moshën 41-vjeçare dhe është çmuar për kontributin e tij në teatër e në film
Aktrimi qe pasioni i tij jetësor, por u zhvendos kryesisht në prapaskenë e prapa kamerave. Me punën dhe përkushtimin e tij në skenën teatrore dhe kontributin e palodhshëm në fushën e kinematografisë, aktori Lulzim Rexha qe bërthama e shumë projekteve të rëndësishme në skenën artistike. Të tillë e kujtojnë miqtë e tij sa i përket punës profesionale. Përtej saj, si njeriu që reflektonte energji pozitive e përplot humor. Rexha vdiq mbrëmjen e së mërkurës në Prishtinë, në moshën 41-vjeçare.
Aktori Rexha vdiq në spital pasi po trajtohej nga një sëmundje e rëndë. Paraprakisht ishte mjekuar edhe në Gjermani. Është bërë e ditur se i ndjeri varroset të shtunën në orën 12 e 30 në Kaçanik.
Regjisori Bekim Guri, mik e bashkëpunëtor i Rexhës, ka thënë se ai ishte këmbëngulës në zgjidhjen e problemeve.
“Kam kujtimet më të mira me të. Ka qenë njeriu më pozitiv dhe më i qetë prej komunitetit artistik. Ka zgjidhur probleme gjithmonë, edhe kur nuk ka pasur zgjidhje, e ka gjetur formën për ta kryer punën. Fatkeqësisht nuk kemi mundur të punojmë bashkë në projektin e fundit ‘Last exit’, ku është dashur të marrë pjesë. Atë kohë kur do të fillonin xhirimet, ai u diagnostikua. Për fat të keq nuk mund ta kemi edhe këtë projekt”, është shprehur Guri në një bisedë për KOHËN.
Kur e kujton për profesionin, saktësia i vjen e para në shprehje. Për karakterin e tij prej njeriu, është pozitiviteti.
“Në çdo set ka krijuar atmosferë të mirë dhe ka qenë shumë i saktë. Luli ka qenë aktor, por me energjinë e shumtë që ka pasur, ka dashur të ketë sfida më të mëdha, prandaj u shpërnda në pjesën e menaxhimit të lokacioneve, organizime të ndryshme, gjithçka që i është dashur setit për t’u krijuar kushtet për t’u xhiruar”, ka thënë Guri.
Ai ka qenë i pranishëm në momentet e fundit të jetës së aktorit të ndjerë. Ka thënë se buzëqeshja ndaj dy fëmijëve të tij si shenjë lamtumirëse, është kujtimi i fundit për të.
“Buzëqeshja e fundit që ua ka dhënë dy fëmijëve të tij ka qenë qetësi shumë e madhe për të gjithë. U përshëndet me dy djemtë e tij. Qe kujtim i bukur dhe si shenjë e ikjes së qetë, ikje në paqe”, është shprehur regjisori Guri.
Regjisori Ben Apolloni, miku i afërt i aktorit të ndjerë, ka thënë se në jetën e tij, Lulzim Rexha nuk ka pasur shumë raste për ta treguar veten në profesionin e tij.
“Luli ka qenë bashkëpunëtor shumë i mirë. Unë e kam njohur prej fëmijërisë, jemi rritur bashkë pasi kemi qenë në një lagje në Kaçanik. Bashkë e patëm iniciuar edhe teatrin në Kaçanik. Aty e pati bërë një rol shumë të mirë. Ka qenë aktor i talentuar, por me shumë pak mundësi për ta shprehur talentin, sidomos në komedi. Lajmi më mërziti shumë pasi e di që ka pasur shumë dëshirë që të punojë si aktor dhe shumë pak e ka bërë këtë. Personalisht jam prekur shumë”, është shprehur Apolloni.
Aktori Rexha qe një prej emrave që patën mision themelimin e teatrit të vendit të tij, Kaçanikut. Në kuadër të kësaj nisme, atij do t’i jepej roli i njërit prej personazheve kryesore, zotëri Smith, nga shfaqja “Këngëtarja leshatuke” e Eugen Oinescos. Më 1 gusht të vitit 2018 do ta kishte premierën, e atë do ta pasonin reprizat në dy ditët në vazhdim. Regjisor i asaj shfaqjeje qe Ben Apolloni.
“Pos si aktor ishte dhe organizator i asaj shfaqjeje”, ka bërë të ditur ai derisa ka kujtuar pritjen e publikut për lojën e Rexhës në skenë.
“Ishte luajtur disa herë dhe ishte pritur shumë mirë, sidomos mbaj mend që shumë kolegë e miq e patën lavdëruar Lulin për paraqitjen në rolin e zotit Smith, si rol shumë i realizuar dhe si djalë me shumë talent që, për fat të keq, shumë pak njerëz e kanë parë në skenë si aktor. Ai është detyruar të bëjë punë të ndryshme si organizator rreth filmave dhe shfaqjeve të ndryshme. E ka dashur shumë aktrimin dhe shumë ka dashur të jetë në skenë”, është shprehur regjisori Ben Apolloni.
Përgjithësisht, e edhe në procesin e punës së kësaj shfaqjeje, sipas Apollonit, aktori Rexha ishte ai që e ngrinte humorin te njerëzit që e rrethonin atë.
“Ka qenë tip shumë i gëzuar dhe i tillë ka reflektuar në shoqëri, shpirt plot humor. Që nga fëmijëria, e sidomos kur kemi filluar të merremi me artin dramatik, mbaj mend që ka qenë gjithmonë i aftë të krijojë batuta aty për aty. Ka pasur një humor të këndshëm, që nuk ofendon, por krijon atmosferë në grup. Edhe në procesin e punës së shfaqjes ‘Këngëtarja leshatuke’ nuk do ta harroj për arsye se Luli pati krijuar atmosferë shumë të mirë në grup dhe ka qenë dora ime e djathtë për ta realizuar si shfaqje”, ka thënë ai.
Regjisori Besim Ugzmajli ka kujtuar se me aktorin Lulzim Rexha u patën njohur në një kurs aktrimi që organizohej nga Fadil Hysaj e Faruk Begolli, në vitin 2002. Figurën e tij e kujton si njeri të hareshëm e shumë të talentuar.
“Ka pasur një shkëputje prej profesionit të aktorit, më shumë është marrë me organizime, por shpeshherë edhe me detyrën e tij prej aktori. Bashkëpunimet kanë qenë të herëpashershme për të qenë më intensive këto vitet e fundit gjatë punës sime në produksionet e ‘Multimedias’. Ka qenë organizator i jashtëzakonshëm, një djalë punëtor e shumë i sjellshëm. Gjithmonë i hareshëm, me shumë humor dhe i aftë për të punuar në presion e për të sjellë atmosferë të mirë për gjithë ekipin”, është shprehur Ugzmajli.
Lulzim Rexha u lind 14 shtator të vitit 1983 në Kaçanik.
Ka punuar në projekte si “Një fëmijë” të Bekim Gurit e “Virgjëresha shqiptare”, nën regji të Bujar Alimanit. Ka qenë menaxher i lokacioneve në projektin filmik “Në kërkim të Venerës” të Norika Sefës si dhe koordinator në festivalin ndërkombëtar të studentëve të filmit dhe teatrit “Skena UP”. Në vitin 2009 ka qenë i angazhuar në projektet e organizatës “ArtPolis”, ndërsa në komunën e Kaçanikut ka qenë koordinator i një sërë projektesh.
Si aktor pati disa role dramatike në seriale vendore.
Ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka adresuar një telegram ngushëllimi për familjen, miqtë dhe komunitetin artistik.
“Lulzimi do të mbetet gjithmonë në kujtesën tonë për talentin, përkushtimin dhe kontributin e tij të çmuar në skenën teatrore dhe kinematografinë tonë. Puna e tij artistike, qoftë përmes roleve në teatër, projekteve filmike apo angazhimit publik, ka lënë gjurmë në artin skenik dhe filmik të vendit”, shkruhet aty.
E Qendra Kinematografike e Kosovës ka shkruar se aktori Lulzim Rexha do të kujtohet përherë “për punën dhe përkushtimin e tij në skenën e teatrit dhe kontributin e tij të palodhshëm në kinematografinë kosovare”.