Prej shtatorit të vitit të kaluar – me ndihmën e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës – është kthyer vëmendja te ky lokalitet i mbetur pas dore për disa vjet. Lokaliteti i shekujve të parë të erës sonë që gjendet afër Klinës së voni është shpronësuar, gjë që u ka hapur rrugë edhe më shumë investimeve. Sipas punës që po bëhet, pritet që kjo hapësirë të jetë prej më tërheqëseve sa i përket trashëgimisë kulturore. Një prej lokaliteteve më me potencial në vend, është bërë me plan të konservimit
Lokaliteti arkeologjik i Dresnikut, një prej atyre më me potencial në vend, është bërë me plan të konservimit. Në pranverë mendohet që ta ketë edhe planin e menaxhimit, në mënyrë që të vazhdohet puna me konservim, gërmim e krijim të qasjes për vizitorë. Prej shtatorit të vitit të kaluar – me ndihmën e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës – është kthyer vëmendja te ky lokalitet i mbetur pas dore për disa vjet. Lokaliteti i shekujve të parë të erës sonë që gjendet afër Klinës së voni është shpronësuar, gjë që u ka hapur rrugë edhe më shumë investimeve. Sipas punës që po bëhet, pritet që kjo hapësirë të jetë prej më tërheqëseve sa i përket trashëgimisë kulturore.
Në fund të javës së kaluar, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka vizituar këtë lokalitet. Ka njoftuar se në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës po trajtohet kjo hapësirë.
“Këtij lokaliteti tejet të rëndësishëm, përveç mbrojtjes përmes konservimit profesional, po i shtojmë edhe planin e menaxhimit, planin e qasjes dhe prezantimin, në mënyrë që të jetë atraktiv për vizitorë dhe në shërbim të turizmit të zonës”, ka njoftuar ai. Ka shtuar se kjo është një mënyrë se si trashëgimia kulturore mund të rrisë ekonominë lokale, “duke e shndërruar këtë hapësirë përplot histori në destinacion kulturor e turistik të vendit”.
Arkeologu i Institutit Arkeologjik të Kosovës, Elvis Shala, ka udhëhequr punimet në atë lokalitet. Tash së bashku me stafin e fondacionit kosovar për trashëgimi kulturore pa kufij, “CHwB Kosova” janë duke punuar për të ardhmen e kësaj zone.
Ai ka treguar se fillimisht është bërë incizimi i gjendjes ekzistuese edhe i terrenit dhe bazuar në këtë gjendje, është punuar një raport i detajuar të gjendjes.
“Duke u bazuar në këto, është punuar projekti i konservimit dhe tash po punohet plani i menaxhimit. Tash jemi duke punuar edhe në planin e qasshmërisë për vizitoriumuin, hapësirat e punës për arkeologë, hapësirat për vizitorët, shtigjet, konstruksionin mbrojtës për mozaik, tabelat e informimit e të tjerat”, ka thënë ai. Sipas Shalës, pritet që në prill plani i menaxhimit të dorëzohet për procedurën e miratimit.
Paraprakisht, në gusht të këtij viti Qeveria ka autorizuar pagesat për shpronësimin e këtij lokaliteti dhe atij të Ulpianës.
Ky vendim i Qeverisë është parë tejet i rëndësishëm për lokalitetin arkeologjik i cili që prej vitit 2016 është futur në Listën e trashëgimisë nën mbrojtje të përhershme me perimetër 16.72 hektarë. Zonë e mbrojtur llogariten 64 hektarë. Por, shtetëzimi kap pak më shumë sesa dhjetë për qind të kësaj hapësire.
“Është hapi më i rëndësishëm deri më tash në arkeologji”, ka thënë Shala për shpronësimin e 7.8 hektarëve.
Procesi i shpronësimit të lokalitetit kishte nisur një ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes midis Ambasadës së SHBA-së në Kosovë dhe Ministrisë së Kulturës, e cila riktheu vëmendjen te Dresniku. Marrëveshja qe nënshkruar më 26 shtator të vitit të kaluar, kurse në Qeveri vendimi që i ka hapur rrugë shpronësimit qe votuar në ditën e 27-të të atij muaji.
Qenë fondet e SHBA-së që kanë rikthyer vëmendjen te Dresniku, i harruar qysh prej vitit 2019. Memorandum bashkëfinancimi për të përkrahur projektin “Ruajtja e lokalitetit arkeologjik e Dresnikut” siguron 150 mijë dollarë (141 mijë e 849 euro) në kuadër të Fondit të Ambasadorit për Trashëgimi Kulturore. Në anën tjetër, Ministria e Kulturës ka ndarë 51 mijë e 830 euro.
Sipas planit, projekti do të zgjasë prej shatorit të këtij viti deri në qershorin e vitit 2025. Instituti Arkeologjik i Kosovës dhe Fondacioni trashëgimia kulturore pa kufij “CHwB Kosova” janë partnerët zbatues.
Burimet e KOHËS kishin treguar se shpronësimi ishte kusht i Ambasadës së SHBA-së për të financuar projektin.
Shpronësimi në Dresnik, që shtrihej në prona private, ka qenë një temë prejse doli në pah mozaiku unik më 2013, kur punimeve u printe arkeologu tash i pensionuar, Masar Valla. Asokohe njëra nga pronaret e tokës së gjetjes që u bë sensacion botëror do të tregohej e gatshme që prona e saj t’i nënshtrohej procesit të shpronësimit. Slagjana Shmiliq, bashkë me bashkëshortin e saj, Desko Srblak, kishin thënë se do t’u përshtateshin ligjeve në fuqi të Kosovës për shpronësimin e tokës së tyre.
Sipas Ligjit për Trashëgimi Kulturore, është Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore ai që përcakton vlerën monetare të shpronësimit.
Shpronësimi i pronave të tilla përcaktohet edhe me Ligjin për Shpronësimet e Pronave të Paluajtshme. Sipas nenit 3.4 të këtij ligji, shpronësimi mund të bëhet për “mbrojtjen e monumenteve të trashëgimisë kulturore dhe vendeve me rëndësi arkeologjike, historike ose shkencore, por vetëm nëse vendi është përcaktuar si i tillë në mënyrë të ligjshme me një rezolutë të Kuvendit”. Ky ligj përcakton edhe një arsye tjetër që prona duhet t’i nënshtrohet shpronësimit.
“Nëse pronari i pronës së paluajtshme në të cilën ndodhet monumenti ose vendi refuzon ta mbrojë atë ose për shkak të pamundësisë objektive nuk mundet ta mbrojë monumentin ose vendin”, shkruan në nenin pasues.
Lokalitetin arkeologjik të Dresnikut rreth 1.5 kilometra në lindje të qytetit të Klinës, Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore e cilëson si një prej lokaliteteve arkeologjike më të rëndësishme jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon. Në gërmimet e viteve 2012-2015 janë identifikuar disa monumente arkitekturore prej të cilave veçohet Aula me përmasa të mëdha.
“Kjo lloj Aule mund t’u përkasë vetëm pallateve të asaj kohe. Përveç madhësisë se objektit, ky monument veçohet për shkak të dyshemeve të tëra të mozaikut polikrom. Pallati është i vendosur në qendrën e këtij lokaliteti dhe gjithashtu është identifikuar muri rrethues me gjerësi 3,7 metra dhe 3 kulla që karakterizohen nga madhësia dhe trashësia e mureve. Brenda mureve është gjetur edhe një kompleks banimi në të cilin u identifikuan gjurmë të pikturave murale të hipokausteve që dëshmojnë nivelin e lartë shoqëror, ekonomik dhe artistik të banorëve të këtij kompleksi”, shkruhet në përshkrim. Po ashtu, janë gjetur edhe shumë monedha të perandorëve të ndryshëm romakë të shekujve III dhe IV, si dhe disa copëza të shtatoreve të punuara nga mermeri.