Në shikim të parë duket krejt e thjeshtë, por zbërthimi i logos fituese të Muzeut të Artit Bashkëkohor i përgjigjet në detaje krejt filozofisë që synon ky institucion, ende në hapat e konsolidimit. Është realizuar prej dizajnerit Valon Kurteshi, i cili në detaje ia ka shpjeguar jurisë atë që zbërthen logoja e tij. “Promovon diversitetin, barazinë dhe gjithëpërfshirjen”, ka shkruar ai
Akronimi i Muzeut të Artit Bashkëkohor – MAB – është përdorur për të krijuar logon e këtij institucioni në bërje e sipër. Shtrirja e tri shkronjave nga dizajneri Valon Kurteshi është përzgjedhur për të qenë logoja e Muzeut nga rreth 40 propozime sa ka marrë Ministria e Kulturës pas konkursit që kishte hapur në shtator të vitit të kaluar. Renditja e shkronjave M dhe A në mënyrë horizontale dhe B-ja e vendor vertikalisht nën A-në, formojnë logon.
Sipas konceptit të krijuesit të kësaj vepre, Muzeu ofron hapësirë për eksperimentim, shprehje artistike, reflektim dhe dialog. Sipas konceptit, dizajni e pasqyron këtë.
“Muzeu i Artit Bashkëkohor i Kosovës do të jetë një qendër gravituese për studiuesit”, shkruhet në propozimin e Kurteshit derisa elaborohet koncepti i tij. Deri tash, logoja nuk është bërë publike, ani pse ka kohë që është përcaktuar fituesi nëpërmjet shifrës.
Sipas asaj që ka sqaruar ai në propozim, logoja po ashtu promovon diversitetin, barazinë dhe gjithëpërfshirjen në Muze. Këto sqarime i ka bërë duke e shoqëruar logon me ngjyra të ndryshme. Ruan gjithnjë shkronjat e zeza.
“Thelbi i programit të Muzeut është besimi i palëkundur në fuqinë transformuese të artit, ku Muzeu do të shërbejë si mekanizëm për thyerjen e kufijve të hulumtimit artistik, duke përqafuar formate të ndryshme ekspozuese dhe kërkuese”, shkruhet në koncept.
Sa i përket fontit, është përdorur “Helvetica”. Sipas ideuesit, ky font reflekton natyrën transformuese dhe evoluuese të artit, duke e bërë atë një zgjidhje ideale për një muze arti që përfaqëson ndryshimin dhe zhvillimin e vazhdueshëm të kulturës dhe ideve krijuese.
“Përmes vijave të pastra dhe dizajnit funksional, Helvetica rezonon thellë në misionin e muzeut për të ndërtuar ura midis së kaluarës dhe së tashmes, duke paraqitur artin si një proces të vazhdueshëm zhvillimi dhe inovacioni”, shkruhet në koncept.

Sipas asaj që ka shkruar në koncept dizajneri Kurteshi, “Helvetica” lindi nga idealet moderniste se forma duhet gjithmonë të ndjekë funksionalitetin.
“Kjo filozofi përputhet në mënyrë të përsosur me etosin e muzeut, duke e bërë fontin të aftë të përshtatet me çdo përmbajtje që përçon, qoftë një vepër arti bashkëkohore apo një artefakt historik”, shkruhet në konceptin e logos që është përzgjedhur nga juria në përbërje të kryesueses Arlinda Hajrullahu, anëtarëve Alisa Hoja e Dhurata Ramosaj si dhe anëtarëve të jashtëm Yll Rugova dhe Sislej Xhafa.
Sipas konceptit të Kurteshit, “Helvetica” siguron që fokusi të mbetet gjithmonë tek arti dhe përmbajtja që prezantohet pa e imponuar veten vizualisht. Si nënkategori e “Helveticas” është përdorur “Neue Std”.
Sa i përket ngjyrës së logos, në koncept dizajneri ka sqaruar se për një muze arti që përfaqëson si elementet me ngjyra ashtu edhe ato bardhezi, do të pasqyronte ndërveprim dinamik midis traditës dhe modernitetit, ku paleta e ngjyrave simbolizon koleksionin e gjallë dhe të larmishëm të veprave bashkëkohore, ndërsa ajo bardhezi përfaqëson elegancën e përjetshme të veprave klasike.
“Paleta e ngjyrave mund të jetë e guximshme dhe eklektike, duke përfshirë nuanca të ndritshme dhe shprehëse që ngjallin krijimtari dhe inovacion, e balancuar nga thjeshtësia dhe sofistikimi i bardhezi. Këto tone neutrale ofrojnë një kontrast të qëndrueshëm, duke krijuar fleksibilitet për dizajne të pastra dhe minimaliste që nxjerrin në pah identitetin vizual të muzeut, duke u dhënë hapësirë elementeve me ngjyra që të shkëlqejnë”, shkruhet në konceptin e logos që sipas konkursit, fituesi do të paguhej me 7 mijë euro.
Sipas konceptit, përzierja harmonike e ngjyrave dhe bardh e zi përçon një hapësirë ku historia dhe moderniteti bashkohen, duke tërhequr një audiencë të gjerë. Në koncept dizajneri i cili jeton në Zvicër dhe është themelues e drejtues i agjencisë kreative “Adding”, ka dhënë opsione të përbërjes së logos me ngjyra të ndryshme “në prapavijë” varësisht nga mesazhi që institucioni synon të dërgojë. Po ashtu e ka elaboruar vizualisht përdorimin në çanta, bileta, botime e rrjete sociale.
Sipas raportit të jurisë, kjo logo është vlerësuar për origjinalitet, nivel kreativ dhe estetik e identitet të theksuar në aplikim.
“Pasqyrim artistik i veprimtarisë së MAB; Promovim të diversitetit dhe barazisë; Është dinjitoze dhe reprezentative; Shpreh fuqinë transformuese të institucionit”, janë vlerësimet e tjera.
Vjet në shtator, gati një vit pasi Këshilli Iniciues për konceptin themelues të Muzeut të Artit Bashkëkohor publikisht propozoi që hapësirat e ish-shtypshkronjës së “Rilindjes” të shfrytëzoheshin për këtë institucion, Ministria e Kulturës kishte bërë të ditur një marrëveshje. Kishte njoftuar se janë dakorduar me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe të Administratës Publike që aty të zërë vend Muzeu që ekziston në një nen të Ligjit për artin dhe kulturën, ka një koncept, ushtrues detyre të drejtorit, tash edhe logo. Po ashtu MKRS-ja ka hapur edhe një konkurs për zyrtar për marrëdhënie me publikun në MAB.
Ministria e Kulturës për KOHËN kishte bërë të ditur se me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratën Publike janë marrë vesh të shfrytëzojë 7 mijë metra katrorë në hapësirën që gjendet ngjitur me ish-Pallatin e Shtypit. Sipas MKRS-së pas hartimit të projektit caktohet saktësisht madhësia e objektit të Muzeut të Artit Bashkëkohor.
Pos lokacionit ish-“Rilindja” të propozuar nga Këshilli Iniciues, ky organ kishte punuar edhe në Statut e organogram. Dokumenti i prezantuar në fund të tetorit të 2023-tës sqaron në detaje institucionin e synuar. Pret periudhat kohore se çka do të posedojë Galeria Kombëtare e Kosovës e çka ai që pritet të jetë Muzeu i Artit Bashkëkohor.
Aty “Rilindja” përshkruhet si shtylla qendrore e veprimtarisë kulturore në vend për disa dekada. Muzeu i Artit Bashkëkohor është i rëndësisë së veçantë për Kosovën, sipas tij, dhe krahas GKK-së do të krijonte kuadro të rinj institucionalë me fokus në hulumtim, interpretim të trashëgimisë dhe në blerje dhe ruajtje të veprave të artistëve bashkëkohorë vendorë dhe ndërkombëtarë. Sipas Statutit të punuar, aty parashihen kompetencat e drejtorit, drejtorit administrativ, organizimi i departamenteve kryesore, çështja e koleksionit e të tjera.
Sipas hartuesve dhe atij dokumenti, MAB-i do të nisë një koleksion të ri të artit bashkëkohor. Do të ketë buxhet të veçantë vjetor dhe komision që përcakton blerjen e veprave. Koleksioni do të ketë për bazë dy shtylla: koleksionimin si formësim të rrëfimeve dhe koleksionim si avancim të diversitetit dhe gjithëpërfshirjes. Sipas konceptit të paraqitur, Muzeu do të jetë një platformë kulturore transformuese për artistët, publikun dhe komunitetet e ndryshme, duke ofruar hapësirë për eksperimentim, shprehje artistike, reflektim dhe dialog. Kurse thelbi i programit të Muzeut është besimi i palëkundur në fuqinë transformuese të artit.
Nëpërmjet një bashkëbisedimi me të pranishmit, anëtarët e Këshillit Iniciues kishin sqaruar se ideja është që të ruhet trashëgimia e ish-shtypshkronjës “Rilindja”, Muzeu të jetë sa më gjithëpërfshirës për krejt komunitetet në vend dhe se aty do të prezantohen vepra të vitit 1990 e të mëpastajme. Veprat e viteve paraprake do t’i ngelin Galerisë Kombëtare të Arteve. Sipas konceptit, në qershor a korrik të vitit 2024 do të hapej konkursi ndërkombëtar për arkitekturën e Muzeut, në shkurt 2025, thirrja për adaptim a ndërtim, e në gusht të këtij viti të nisin punimet. Kurse në janar të vitit 2028 institucioni të jetë me koleksion, këshill dhe drejtor.
Ministria e Kulturës kishte konfirmuar se synimi për inaugurim më 2028 mbetet i njëjti.