Kulturë

Liria triumfon në Sarajevë me “Të gjashtët kundër Turqisë” nga Kosova

Te gjashtet kunder Turqise

“Të gjashtë kundër Turqisë” është shfaqur të hënën mbrëma në Teatrin Kombëtar të Sarajevës, përkundër presioneve të autoriteteve turke e atyre brenda Bosnjë-Hercegovinës (Foto: Teatri Kombëtar i Sarajevës)

Përkundër presioneve nga të gjitha anët, por edhe i përkrahur nga artistë e intelektualë të shumtë – Teatri Kombëtar i Sarajevës e ka dëshmuar se “nuk njeh asnjë formë të censurës ideologjike”, siç kishte paralajmëruar kur Ambasada e Turqisë në këtë vend, me notë urgjente diplomatike kërkoi anulimin e shfaqjes nga Kosova, “Të gjashtët kundër Turqisë. Ajo është dhënë të hënën mbrëma, ka ngritur në këmbë publikun edhe si një akt i fuqishëm i triumfit të lirisë përballë tentimeve për censurë ideologjike. Ka sfiduar edhe ultimatumet e kërcënimet me protesta kundër saj

Presionet e ultimatumet nga politika e qarqet diplomatike nuk kanë bërë punë përballë artit. “Të gjashtët kundër Turqisë” e Kosovës, të cilën fillimisht autoritetet turke – e më pas edhe një varg politikanësh e zërash prej shoqatave të ish-veteranëve e viktimave të luftës në Bosnjë-Hercegovinë – kanë kërkuar me urgjencë që të anulohet, është dhënë të hënën mbrëma në Teatrin Kombëtar të Sarajevës. 

Një institucion si ky – përkundër presioneve nga të gjitha anët, por edhe i përkrahur nga artistë e intelektualë të shumtë për të mos u zmbrapsur – e ka dëshmuar se “nuk njeh asnjë formë të censurës ideologjike”, siç kishte paralajmëruar kur Ambasada e Turqisë në këtë vend, me notë urgjente diplomatike kërkoi prej institucioneve shtetërore që të bëjnë presion për anulimin e shfaqjes me tekst të Jeton Nezirajt, nën regji të Blerta Nezirajt, me pretekstin se ajo është “propagandë në favor të FETO-s, organizatës terroriste kundër Turqisë dhe presidentit të saj”. 

“Teatri Kombëtar e ka dëshmuar se Sarajeva është qytet i lirë”, ka thënë Neziraj për mediat boshnjake, duke theksuar rëndësinë e pluralizmit kulturor dhe ideve të ndryshme në zhvillimin e demokracisë. Pas dhënies së shfaqjes, në një bisedë telefonike për KOHË-n, ka thënë se ka pasur vërtet një pritje entuziaste nga publiku. 

“Kjo pritje ka ardhur edhe për faktin e asaj që ka ndodhur këto ditë. Kjo shfaqja pos një ndodhie të zakonshme, është një triumf i teatrit, i lirisë artistike”, ka thënë dramaturgu Neziraj. Sipas tij, e tillë edhe është përshkruar krejt ngjarja.

Një institucion si ky – përkundër presioneve nga të gjitha anët, por edhe i përkrahur nga artistë e intelektualë të shumtë për të mos u zmbrapsur – e ka dëshmuar se “nuk njeh asnjë formë të censurës ideologjike”, siç kishte paralajmëruar kur Ambasada e Turqisë në këtë vend, me notë urgjente diplomatike, kërkoi prej institucioneve shtetërore që të bëjnë presion për anulimin e shfaqjes me tekst të Jeton Nezirajt, nën regji të Blerta Nezirajt  (Foto: Teatri Kombëtar i Sarajevës)

Prezenca e publikut si akt rezistence

“Prezenca e publikut ishte një akt i rezistencës. Teatri s’ka pasur kapacitet për të pranuar numrin e interesuar të njerëzve”, ka thënë ai. 

Dhënien e shfaqjes e ka “festuar” Teatri Kombëtar i Sarajevës. “Vendosmëria e Teatrit Kombëtar i Sarajevës e ka konfirmuar  rolin e tij si një hapësirë mediatike, e hapur ndaj shqyrtimit kritik të rrethanave sociale dhe të kohës së sotme. Aktorët Adrian Morina, Ernest Malazogu, Shpetim Selmani, Verona Koxha, Albina Krasniqi dhe Don Shala janë përshëndetur me duartrokitje frenetike e ovacione të zëshme të publikut sarajevas”, ka shkruar institucioni në platformat e veta pas përfundimit të shfaqjes me të cilën ka përfunduar programi “Teatri rajonal”. 

Presioni për ta anuluar shfaqen – fitili i të cilit u ndez qysh të premten me notën diplomatike të Ambasadës së Turqisë në Sarajavë – ka kulmuar qysh të hënën në mëngjes, disa orë para se aktorët të ngjiteshin në skenë. 

Veteranët e luftës në Bosnjë-Hercegovinë kanë kërkuar “urgjentisht anulimin e saj”, përderisa janë kërcënuar edhe me “protesta masive”.

Kërcënimi i veteranëve të luftës dhe ndikimi turk

Ai që njihet si Koordinimi i Shoqatave të Veteranëve të Ushtrisë së Republikës së Bosnjë-Hercegovinës ka dalë me një komunikatë për media, në të cilën ka theksuar se u drejtohet opinionit dhe institucioneve përgjegjëse, Qeverisë së Kantonit të Sarajevës dhe Ministrisë së Kulturës me një kërkesë të qartë: që këtë shfaqje ta largojë menjëherë nga repertori i Teatrit Kombëtar të Sarajevës. Edhe në kërkesën e veteranëve – që u pasua edhe nga ajo e disa shoqatave të viktimave të luftës në Bosnjë-Hercegovinë – shihet qartë ndikimi i autoriteteve turke. 

“Në notën diplomatike të dërguar nga Ambasada e Republikës së Turqisë në Sarajevë thuhej qartë se shfaqja është ofenduese për Republikën e Turqisë, sepse përmban 'propagandë në favor të organizatës terroriste FETO kundër Turqisë dhe presidentit të saj të zgjedhur ligjërisht’”, shkruhet në deklaratën me “kërkesë të qartë dhe urgjente”.  

Koordinimi i Shoqatave të Veteranëve të Ushtrisë së Republikës së Bosnjë-Hercegovinës u ka bërë thirrje të gjitha institucioneve kompetente që urgjentisht të marrin masa dhe ta largojnë këtë shfaqje nga repertori i Teatrit Kombëtar të Sarajevës.  

“Nëse autoritetet përgjegjëse nuk ndërmarrin hapa konkretë, u bëjmë thirrje të gjithë anëtarëve të shoqatave të veteranëve, familjeve të dëshmorëve, invalidëve të luftës, luftëtarëve të demobilizuar dhe të gjithë patriotëve të Bosnjë-Hercegovinës që t’u bashkohen protestave masive, të cilat do të organizohen në ditët në vijim. Bosnjë-Hercegovina është atdheu ynë dhe ne do ta mbrojmë atë me të gjitha mjetet, sepse liria që na dhanë mbi të gjitha dëshmorët tanë dhe luftëtarët e Ushtrisë së Republikës së Bosnjë-Hercegovinës është jashtëzakonisht e vlefshme”, shkruhet aty.  

Për veteranët, edhe pse organizatorët e kësaj shfaqjeje bazohen në “liri artistike”,  ky rast nuk ka të bëjë me artin që kontribuon në ngritjen kulturore dhe kohezionin social, por më tepër me një përpjekje për të manipuluar opinionin publik për qëllime politike. 

“Arti, edhe pse i lirë, nuk guxon të shërbejë si mjet për nxitjen e urrejtjes, përçarjes dhe përçarjeve politike, veçanërisht në kohën kur Bosnjë-Hercegovina duhet të ruajë kredibilitetin dhe stabilitetin e saj ndërkombëtar”,  thuhet në komunikatën e Koordinimit të Shoqatave të Veteranëve të Ushtrisë së Republikës së Bosnjë-Hercegovinës ku shkruhet edhe për lidhjet historike, vëllazërore e të pathyeshme me Republikën e Turqisë.

“Turqia na mbështeti me krenari në momentet më të vështira të luftës sonë për mbijetesë dhe nuk duhet ta harrojmë kurrë atë solidaritet të jashtëzakonshëm. Sot, teksa Bosnjë-Hercegovina përballet me kërcënimet e destabilizimit të brendshëm, Turqia mbetet një partner kyç në skenën ndërkombëtare, me të cilin ndajmë interesa, vlera dhe lidhje historike. Këto lidhje nuk duhet të cenohen në asnjë mënyrë dhe një shfaqje që përmban elemente të propagandës politike kundër popullit vëllazëror në Turqi është absolutisht e papranueshme”, thuhej në deklaratë.

Notë proteste për shfaqjen që s’e kanë parë 

E pak orë pas asaj deklarate në një konferencë për media ekipi i shfaqjes ka thënë se bëhet fjalë për një produkt artistik gjysmëdokumentar të bazuar në deportimin e gjashtë turqve nga Kosova në Turqi. 
Dramaturgu Jeton Neziraj ka treguar se në Prizren, shkaku i ndikimit të Ambasadës së Turqisë në Kosovë nuk është lejuar që të jepet shfaqja. Ka thënë t’i vijë keq që njerëzit në Bosnjë- Hercegovinë janë ndikuar nga një notë proteste e Ambasadës së Turqisë në Sarajevë. 

“Më vjen keq që edhe njerëzit këtu po ndjekin notën e protestës së paarsyeshme nga Ambasada e Republikës së Turqisë. Është një notë proteste për diçka që as nuk e kanë parë”, ka thënë ai derisa ka folur edhe për përmbajtjen e shfaqjes. 

Aktori Adrian Morina ka thënë se s’është në Sarajevë për të provokuar por për të luajtur në shfaqje. Dhe atë në një shfaqje që bën thirrje për liri dhe shpërfaq jetën e njerëzve. Sipas tij, shfaqja tregon se çdo ditë po humbet liria. 

“Nuk mund ta besosh se po ndodh vërtet diku. Ti mendon se nuk do të vijë kurrë në shoqërinë tënde, por në kohën në të cilën jetojmë nuk është aq larg. Çdo ditë humbasim lirinë. Kështu e shoh unë kohën në të cilën jetojmë. Duhet të flasim për njerëzit dhe jetët e vërteta”, ka thënë ai.

“Prezenca e publikut ishte një akt i rezistencës. Teatri s’ka pasur kapacitet për ta pranuar numrin e interesuar të njerëzve”, ka thënë dramaturgu Jeton Neziraj

Liria artistike dhe ajo e fjalës – baza të demokracisë

Producentja e shfaqjes, Aurela Kadriu, ua ka kujtuar atyre që mbështesin censurën se Kosova dhe Bosnjë-Hercegovina kanë përjetuar gjenocid.

“Kemi të përbashkëta. Kemi përjetuar edhe format më delikate të shtypjes dhe presionit ndaj një shoqërie të tërë. Prandaj do të theksoj se liria artistike dhe liria e fjalës janë diçka që përfaqësojnë bazën e demokracisë. A është miku ynë ai që mohon lirinë artistike dhe lirinë e fjalës? Një mik i tillë nuk mund të quhet mik”, ka thënë ajo. 

Me krejt thirrjet kundër shfaqjes edhe nga bartës të funksioneve të larta – midis tyre edhe nga ministri i Mbrojtjes së BH-së, Zukan Helez – veç një person ka protestuar. Mujo Aganoviq ka thënë se shfaqja nuk e përshkruan realitetin. 

“Mendoj se ishte i drejtë anulimi i kësaj shfaqjeje, sepse paraqet në mënyrë jorealiste situatën në Turqi dhe i drejtohet presidentit Erdogan, i cili nuk është i tillë. Ai është reformatori i Turqisë.  Është vendi ynë mik”, citohet të ketë thënë ai. ka pyetur se kur do të bëhet një shfaqje “për gjenocidin ndaj fëmijëve në Gaza dhe mbështetësit e atyre që mundësojnë këtë”. 

Presion për të ndërhyrë në raport me këtë shfaqje ishte ushtruar edhe në Kosovë, saktësisht ndaj ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, qysh para premierës së shfaqjes vitin e kaluar. Por ky presion s’kishte bërë punë.  Ashtu sikurse s’bëri punë as në Teatrin Kombëtar të Sarajevës ku triumfoi arti.