Kulturë

Ligj për Skënderbeun e ditë feste midis kërkesave në ditëlindjen e hamendësuar të heroit kombëtar

Festa për ditëlindjen e Skenderbeut - Prishtinë

Manifestimet në ditën që shihet edhe si ditëlindja e Skënderbeut kanë përfshirë sheshet e kryeqytetit

Foto: Driton Paçarada

Përderisa pushtetet qendrore në Kosovë e Shqipëri dhe as dy Akademitë e Shkencave nuk merren me 6 majin si ditë të lindjes së heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, disa organizata kanë bërë që sheshet e Prishtinës të marrin ngjyra feste. Një simpozium shkencor i mbajtur në Institutin Albanologjik të Prishtinës, bashkë me manifestime si ekspozitë, marshime e deklamime të ndryshme kanë shënuar atë që e shohin si ditën e lindjes së kryezotit të arbërve. Në anën tjetër, ka historinë që marrin pjesë në këto ceremoni por nuk e përmendin se bëhet fjalë për ditëlindje

Organizata të ndryshme, përfshirë një institucion shkencor, të hënën janë përfshirë në kremten që për shumëkënd është e pakuptimtë: Ditëlindjen e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Përderisa pushtetet qendrore në Kosovë e Shqipëri dhe as dy Akademitë e Shkencave nuk merren me 6 majin si ditë të lindjes së heroit kombëtar, disa organizata kanë bërë që sheshet e Prishtinës të marrin ngjyra feste.

Një simpozium shkencor i mbajtur në Institutin Albanologjik të Prishtinës, bashkë me manifestime si ekspozitë, marshime e deklamime të ndryshme kanë shënuar atë që e shohin si ditën e lindjes së kryezotit të arbërve. Në anën tjetër, ka historinë që marrin pjesë në këto ceremoni por nuk e përmendin se bëhet fjalë për ditëlindje. Ka edhe prej atyre që e kundërshtojnë shënimin e kësaj dite duke e lidhur me Skënderbeun. 

Të martën, kërkesat kanë shkuar deri në nivelin e përgatitjes së një ligji mbi heroin kombëtar të shqiptarëve. Një kërkesë e tillë ka ardhur nga drejtori i Institutit Albanologjik të Prishtinës. 

Historiani Lulëzim Lajçi, njëherësh drejtor i Institutit, në simpoziumin e mbajtur në këtë institucion ka thënë se Gjergj Kastrioti-Skënderbeu është kryeheroi kombëtar, strategu e burrështetasi më i madh i shqiptareve që e udhëhoqi luftën për liri kundër pushtimit osman për bashkim politik e shtetëror të popullit shqiptar. 

“Në skenën kombëtare dhe ndërkombëtare doli pas disfatës së osmanëve në betejën e Nishit më 3 nëntor 1443. Ai u kthye në Krujë pas tri jave dhe më 28 nëntor 1943 ngriti flamurin e lirisë, flamurin kuqezi me shqiponjën dykrenore”, ka thënë ai. Sipas Lajçit, nga kjo ditë e derisa vdiq, për 25 vjet me radhë, ai u shqua si mbrojtës i pathyer i Shqipërisë nga sulmet e osmanëve e edhe si mbrojtës i qytetërimit oksidental. “Fitoret e shumta ushtarake e ngritën atë në shkallën e heroit kombëtar dhe emri i tij u bë i njohur ndërkombëtarisht. U kurorëzua edhe si hero i qytetërimit perëndimor dhe emri i tij kapërceu emrat e shumë udhëheqësve ushtarakë të oksidentit”, ka thënë ai. 

Ka shtuar se e ndien obligim moral dhe intelektual “që në përvjetorin e 619 të lindjes së Skënderbeut” të bëjë një apel drejtuar institucioneve më të larta shtetërore të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës që të nxjerrin një ligj të veçantë për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun. 

“Ky ligj do të draftohej nga një komision miks i përbërë nga deputetë të  dy parlamenteve dhe si ligj i përbashkët pas miratimit do të zbatohej në të dyja shtetet shqiptare. Nxjerrja e këtij ligji do ta kishte simbolikën e vet”, ka thënë ai. Kërkesën e ka arsyetuar duke thënë se Skënderbeu është kryeheroi ynë kombëtar, burrështetasi më i madh politik e ushtarak i historisë së Arbërisë, kryegjenerali i të gjitha kohërave, themeluesi i shtetit shqiptar dhe besëlidhjes shqiptare në nivel kombëtar. 

“Me emrin e tij lidhet flamuri i shqiptarëve, uniteti, rezistenca epike e shqiptarëve dhe një epokë e tërë, epoka skënderbegiane. Ishte i pari që përpunoi vizionin shtetëror, rrugën e Shqipërisë se nga do të ecte, nga Lindja apo Perëndimi. Pa vizionin e tij properëndimor ne do të humbnin orientimin, qenien”, ka thënë Lajçi, midis të tjerash.

Më pas një marsh qytetarësh, një ekspozitë kushtuar heroit bashkë me një deklamim nga aktori Xhevat Limani kanë plotësuar pjesën tjetër të organizimit të organizatës “Shqiptaria”. Kryetari i kësaj organizate, Nijazi Gashi,  ka kërkuar diçka tjetër.

“Në këtë tubim kaq madhështor u drejtohemi të dyja qeverive tona me kërkesën që kjo festë të futet në kalendarin e festave kombëtare shqiptare”, ka thënë ai në sheshin që mban emrin e heroit kombëtar.

Kurse Raif Gashi nga shoqata “Kufijtë e Arbrit” ka shkuar edhe më tej.

“Sa më parë kërkojmë nga Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë që të nxirret ligji për mbrojtjen e vlerave kombëtare, emrit të Gjergj Kastriotit, Shën Terezës, gjithë figurave kombëtarë dhe flamurit kombëtar që përdhoset çdo ditë dhe nuk mbrohet me ligj”, ka thënë ai.

Por midis historianësh ka mendime të ndryshme. Studiuesi Col Mehmeti  ka thënë se është mirë që ka një mbamendje aktive për Skënderbeun dhe që historia e tij e ruan statusin e saj si fanar identitar edhe sot e kësaj dite. “Edhe ‘ditëlindja’ që i festohet në rrjetet sociale le të shihet buzagaz si diçka e tillë. Por e vërteta duhet thënë ashtu siç është”, ka thënë ai. Sipas Mehmetit, situata është ndryshe.

“Nuk ka ditëlindje Skënderbeu, e përpjekja me e fiksu 6 majin është - e thënë më së buti - një dëshirë fantazistësh”, ka thënë ai. Sipas Mehmetit, si për dhjetëra monarkë, despotë, duka e kryezotë të mesjetës, edhe Skënderbeu nuk bën përjashtim në kuptimin që nuk dihet ditëlindja e tij. 

“Dihet veç që ai dhe e shoqja e tij nga Pollogu, Vojsava, lindën një karvan me kalamaj: 4 djem (Stanishi, Reposhi, Konstandini e Gjergji) dhe 5 goca (Mara, Jella, Angjelina, Vllajka dhe Mamica)”, ka thënë ai.   Në këtë rast, ka shtuar se gjatë kohë ka qenë tepër e zorshme të përcaktohet edhe përafërsisht viti i lindjes së Skënderbeut.

“Në vitet '20, Noli e fiksonte 1412-n; në punimin e tij doktoratë në Boston ai e revidoi vitin e mësipërm dhe këmbënguli për 1403-n. Në vitet '60, Noli kishte bindjen që Skënderbeu u lind edhe para 1400-s”, ka thënë ai. 

Sipas Mehmetit, për fat të mirë, dy hagiografët kryesorë të kapedanit shqiptar, Frangu e Barleti, thonë se Skënderbeu ka vdekur në moshën 63-vjeçare.

“Se kjo ka qenë diçka e vetëkuptueshme për kohën e tregon edhe Kronika e Gjon Muzakës. Pa i shfrytëzuar librat e Frangut dhe Barletit, fisniku shqiptar që jetonte në Itali thotë që Skënderbeu jetoi 63 vjet. Tash kemi një burim relativisht të sigurt se kur ka ndërruar jetë kryekapedani shqiptar.

Historiani bizantin, Giorgios Sfrantzes, e viziton Shën Maurën më 1468. Kur e evokon këtë vizitë, ai shkruan: ‘...në muajin janar të po të njëjtit vit vdiq prej vdekjes natyrale sundimtari i Shqipërisë i quajturi Skënderbe’”, ka thënë Mehmeti. Sipas tij, me një probabilitet bukur të lartë është përcaktuar më në fund edhe viti i lindjes së heroit shqiptar në mesjetë, 1405.

“Kryezoti shqiptar nga dera e Kastriotëve nuk u lind më 6 maj. Është veç një projeksion qesharak që gjakon me e lidh emrin e tij me atë të shejëtorit kristian, Shën Gjergj”, ka thënë Mehmeti. Përndryshe, sipas tij, më 6 maj duhet festuar kryet e motmotit.

Kërkesat për ligj për Skënderbeun janë bërë edhe në të kaluarën, por institucionet qendrore nuk janë marrë me këtë.