“Muzikë e çuditshme” është përkufizimi që mund t’i bëhet asaj që solli Liburn Jupolli me shokë. E tillë, në kuptimin e artit që shkrin kufijtë, provon lirinë në ekstremet e saj. “Një muzikë sa më e vërtetë e kësaj kohe, e ne jetojmë në një kohë goxha të ndërlikuar dhe komplekse”, është shpjegimi që ka dhëne vetë Jupolli pas koncertit të “Liburn Jupolli Ensemble” në “Tingujt e flautit” që është krejt një frymë tjetër kompozimesh e interpretimesh
Muzika që sjell Liburn Jupolli me ansambël është krejt unike. E tillë vlerësohet edhe krijimtaria e kompozitorit, por ajo që ilustrohet në “Defy Them” në kuadër të festivalit “Tingujt e flautit”, e përforcon këtë konstatim.
Muzika tradicionale shqiptare e ajo e huaj, bashkë me pop, jazz, rock, elektronike, klasike e jo vetëm, e ndërton avangardën e tij e të “Liburn Jupolli Ensemble” me shprehje muzikore novatore e gjithëpërfshirëse.
Repertori me vepra origjinale e ka bërë të veçantë koncertin e së enjtes mbrëma në qendrën për muzikë alternative, rock, punk dhe metal. Në një periudhë ku ngjarjet kulturore e artistike në kryeqytet marrin hov për të realizuar ngjarjet e parapara e ato që shënojnë festën e fundvitit, publiku zgjedh të mos e lëshojë nga dora koncertin e një ansambli si ky.
E dallueshme është energjia e jashtëzakonshme që instrumentistët e përkthejnë në vepra origjinale të Jupollit. Ato shpesh kulmojnë me përfshirjen e krejt instrumenteve, por edhe dinë të bëhen minimaliste, për nga numri i instrumenteve që futen në lojë e për nga tingujt e tyre.
Është vetë Jupolli ai që i inkurajon anëtarët e ansamblit për më shumë energji në të njëjtën kohë sa edhe vetë luan në piano e me muzikë elektronike.
Kompozitori Liburn Jupolli ka treguar se ansambli ka dy vjet që ka filluar të veprojë si i tillë. Sipas tij, është një proces më i gjatë për të mbërritur në atë pikë që mund të luhen disa pika më komplekse që i ka realizuar.
“Kur them më të vështira, ka elemente të ndryshme të muzikës që jam duke e zhvilluar qe një kohë të gjatë. Ka disa vjet ku gjuha ime muzikore është më komplekse, ka zhanre të ndryshme brenda. Ka elemente të ndryshme të muzikës bashkëkohore. Ka nganjëherë minimalizëm, pop, momente të muzikës alternative”, ka thënë Jupolli.
Ka thënë se kjo muzikë të cilën e kanë luajtur është përzierje e zhanreve që bashkohet në mënyrë natyrale.
“Për ta bërë këtë është dashur të kalojmë një proces, në të cilin jemi duke kaluar, pak më jo të zakonshëm nga çfarë kalon një ansambël. Fillimisht kemi incizuar një nga një me shtatë pjesë që janë xhiruar rreth vitit 2023. Kështu i kemi formuar pjesët. Disa janë të shkruara, një pjesë është kontribut i instrumentistit bashkë me mua gjatë incizimit. Në këtë mënyrë, gradualisht formohen pjesët. Disa janë në këtë mënyrë, disa që janë dëgjuar këtu janë më të shkruara. Pra kanë partiturë më fikse. Me raste ka folklor”, ka thënë më tej kompozitori Jupolli.

Kur pushon ritmi, loja e disa instrumenteve shpërfaqet. E krijojnë një atmosferë të paqartë, abstrakte. Tingujt janë të shthurur e minimalë. Muzika tradicionale shqiptare gërshetohet me stile e zhanre bashkëkohore. Jupolli luan edhe me sharki e lahutë ndërsa flautistja Yllka Simnica, pos me instrumentin që e zotëron, e sjell këtë frymë edhe me kavall e fyell të shokës.
Autori i veprave, Liburn Jupolli ka thënë se secili prej anëtarëve të ansamblit po mëson të luajë edhe instrumentet folklorike shqiptare.
“Jemi angazhuar edhe në këtë pjesë, pra është edhe një element i edukimit. Për shembull, Yllka rregullisht në ansambël luan kavall, fyell të shokës e okarinë, Philipe është duke mësuar të luajë fyell të shokës. E kemi inkorporuar edhe lahutën, sharkinë, çiftelinë”, ka thënë ai.
“Liburn Jupolli Ensemble” e ka nisur koncertin me veprën “Flying Textile Championship” që ilustron lojë solo të trumbetistëve Fisnik Behluli e zviceranit Philipp Labhart si dhe të Yllka Simnicës me kavall e okarinë. Më pas kanë interpretuar dhe “80s and 90s and 90s and 90” si dhe veprën “Solo”.
Jupolli ka thënë se kjo muzikë reflekton në kohën e sotme të ndërlikuar dhe komplekse.
“Pjesët që i keni dëgjuar sot, që kanë qenë gjashtë, janë pjesë të reja, kompozime të miat, të ndërtuara me ansamblin. Vende-vende ka më shumë input të ansamblit. Është një iniciativë më pak e zakonshme për të nxjerrë diçka që është më shumë e kohës së sotme. Një muzikë sa më e vërtetë e kësaj kohe, e ne jetojmë në një kohë goxha të ndërlikuar dhe komplekse. Në atë drejtim po mundohemi ta shprehim sa më mirë këtë periudhë”, ka thënë ai.
Në radhë kanë qenë veprat “Dead scale scan” dhe “The destructive imperative” të cilave Granit Havolli me bateri u ka dhënë energji maksimale.
Këto dy vepra i ka veçuar flautistja Yllka Simnica.
“Më karakteristike ishte ‘Dead scale scan’ që ishte në masën 7/8 që karakterizohet me muzikën tonë folklorike ku unë luajta me okarinë dhe kavall me motive tona. ‘The destructive imperative’ ishte më hallakamë, ta quaj kështu. Gjithçka është interesante dhe e re në krahasim me gjithçka që kemi bërë deri më tash. Shpresoj se i ka pëlqyer publikut”, ka thënë Simnica.
Ka thënë se muzika që e kanë luajtur ka qenë shumë më ndryshe nga çfarë është dëgjuar zakonisht.
“Është shumë më ndryshe prej asaj çfarë kemi studiuar dhe çfarë jemi mësuar të dëgjojmë. Ishte shumë kënaqësi së pari të luaj me Liburnin, të jem pjesë e ansamblit. Unë kam luajtur me flaut, fyell të shokës okarinë dhe kavall kësaj here. Besoj se u ka pëlqyer, e di që ka qenë diçka shumë më ndryshe, më e re nga ç’ jeni mësuar të dëgjoni ju dhe ne”, ka thënë ajo.
E veçanta e këtij koncerti ka qenë edhe përfshirja e instrumentit Octo të cilin e ka krijuar vetë Jupolli.
Me të ka luajtur kitaristi Galdon Reçica. Ka thënë se instrumenti ka shumë veçanti.
“Çfarë e karakterizon këtë instrument është se ndahet në çerek dhe mikro- tone që domethënë mundet ta bëjë një input shumë më të gjerë dhe të imitojë disa instrumente folklorike që janë edhe në popuj të tjerë. Gjithashtu, ka një dalje, output, për secilën dalje që e ka. Octo mund të lidhet me tetë amplifikatorë të ndryshëm dhe secili prej telave të amplifikohet veçmas, po ashtu të eksperimentojë. Kur e kemi bërë tregimin e saj e kemi marrë dhe e kemi lidhur me 36 pedale të ndryshme me efekte të kitarës”, ka thënë ai.
Trumbetisti Philipp Labhart ka thënë se për të pjesëmarrja në ansambël është mundësi unike për të luajtur atë që ai e quan si stil të lirë muzikor.
“Të jem i sinqertë unë vetëm këto kohë të fundit po e bëj këtë muzikë avangarde që është stil i lirë muzikor. Për mua është përvojë shumë e mirë sikurse edhe të jem këtu si i huaj, si zviceran, të eksperimentoj gjëra si këto, sidomos me njerëz si Liburni që po bëjnë gjëra të veçanta. Më ka pëlqyer atmosfera dhe ishte befasuese që goxha njerëz erdhën për të dëgjuar muzikën tonë”, ka thënë ai.
Duke u qeshur e ka quajtur muzikë të çuditshme, në kuptimin e mirë të fjalës.
“Nëse më pyesni mua, do të them se është muzikë vërtetë shumë e çuditshme ajo çfarë po bëjmë. Është jazz, hip-hop dhe jo vetëm, me melodi që kanë struktura të çuditshme. Çfarë po bëjmë është si të thyesh kufij me instrumente. Unë luaj trumbetë në mënyrë krejt të ndryshme. Mundohem të sjell tinguj krejt të ndryshme nga ç’bëj kur luaj me një bend hip-hopi apo jazzi”, ka thënë ai.
E konsideron si mënyrë për ta eksploruar më tej instrumentin që e zotëron e për ta gjetur vetveten tek ai.
“Për të gjithë ne, por veçanërisht për mua, është mënyrë për të eksperimentuar e për të gjetur vetveten në këtë instrument. Lidhja e marrëdhënia ime me trumbetën është diçka e re tani, gjë që e pëlqej në lidhje me këtë muzikë. Nganjëherë humbet, por pastaj e gjen vetveten. Nuk e di se çfarë po ndodh kur e interpreton dhe kjo është ajo që më pëlqen më së shumti në lidhje me këtë muzikë”, ka thënë Philipp Labhart.
“Liburn Jupolli Ensemble”, i themeluar në vitin 2023, është një kolektiv muzikantësh nga skena e larmishme muzikore e Kosovës, që përfshin zhanre të ndryshme si klasik, jazz, elektronik, metal, punk dhe pop. Ky ansambël bashkon artistë me gjuhë dhe qasje të ndryshme muzikore në notacion dhe performancë, duke kultivuar një qasje postmoderne dhe fleksibël në krijimin muzikor.
I strukturuar për të funksionuar në një format ndërdisiplinor dhe të adaptueshëm, grupi po punon aktualisht në albumin e tij të parë, një projekt që ndërthur ndikime lokale dhe globale. I pozicionuar brenda peizazhit të zhvilluar muzikor të Kosovës, “Liburn Jupolli Ensemble “përfaqëson një zgjerim të vazhdueshëm të horizontit artistik të vendit, duke ndërthurur praktika tradicionale dhe eksperimentale”.
Koncerti erdhi në kuadër të programit të edicionit të dhjetë të festivalit “Tingujt e Flautit”. Ngjarja sivjet sjell program me shtatë mbrëmje të koncerteve me vepra bashkëkohore vendore e të huaja për flaut dhe formacione të ndryshme.