Si rrallëherë në krahasim me vitet paraprake, sivjet, Dita Botërore e Librit dhe e të Drejtave të Autorit, është shënuar në kryeqytet me diskutime, prezantim raportesh e promovime të botimeve të reja, sikurse edhe me dy panaire librash. Njëri prej tyre edhe ai në qendër tregtare, përderisa tjetri, synon që ta nxjerrë në pah librin shkencor të fshehur nga kureshtja e lexuesit të zakonshëm
Titujt që shpërfaqnin se si Dita Botërore e Librit dhe e të Drejtave të Autorit shënohej veç në rrjete sociale, sivjet s’mund të gjejnë vend. Një sërë aktivitetesh kanë shënuar 23 prillin që prej vitit 1995 i dedikohet librit. Në kryeqytet dy panaire librash, diskutime, prezantim raportesh e promovime të botimeve të reja kanë rrumbullakuar simbolikën e kësaj dite.
Sa u përket panaireve, njëri prej tyre e çon librin edhe në qendër tregtare. Për herë të parë në “Prishtina Mall” janë bashkuar botues. Ky aktivitet simbolik organizuar nga galeria “Flori” është përshkruar si nismë e rëndësishme që afron lexuesit me botuesit. Kurse në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës u hap edicioni i katërt i Panairit Mbarëkombëtar të Librit Akademik dhe Shkencor.
Oferta e botueseve aty ku ka njerëz
Vizitorët e qendrës tregtare prej së mërkurës deri të dielën kanë mundësinë që të shohin edhe shumë prej botimeve të 18 shtëpive botuese në atë që është titulluar panairi i librit “Dita Botërore e Librit”. Një hapësirë goxha e madhe është ndarë për botuesit që të nisë një aktivitet me synimin që të kthehet në traditë. Synimet e organizatorëve janë që ngjarja të rritet. Por mbetet të shihet interesimi për këtë ekspozitë të librit. Në këtë qendër tregtare operojnë edhe dy librari. Po panairi ka tjetër efekt në raport me lexuesit.
Profesori universitar, Isak Shema ka hapur ngjarjen duke theksuar se aktivitet e tilla janë të domosdoshme. Sipas tij, panairet e librit janë një festë e veçantë dhe organizimi i tyre është punë fisnike. Sipas Shemës, botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë bashkuar jo veç për ta shënuar një ditë simbolike, por edhe për të qenë më afër lexuesve.
“Libri është drita që na udhëheq drejt qytetërimit. Librat janë burim kënaqësie e frymëzimi në jetën e rëndësishme. I mirë është ai libër ku autori thotë atë që duhet dhe ashtu siç duhet”, ka thënë ai. Studiuesi i letërsisë, ka uruar që panairi të marrë vëmendjen e vizitorëve të kësaj qendre tregtare dhe të kthehet në traditë.
Oferta e shtëpive botuese është mjaft e gjerë. Libra të fushave të ndryshme plotësojnë mozaikun e ekspozitës. Pas mesditës së të mërkurës kur ka nisur aktiviteti, s’janë parë lexues të interesuar. Por shpresat janë që gjatë fundjavës gjërat të ndryshojnë.
Jahir Ahmeti që drejton shtëpinë botuese “Artini” ka thënë se komunikimi midis botuesve dhe lexuesve duhet të jetë i përhershëm.
“Gjithmonë është me rëndësi me qenë afër lexuesve, me qenë sa më shumë të ekspozuar afër lexuesve, aty ku kalojnë njerëzit, ku ka njerëz. Aq më tepër për ta nxitur kureshtjen për librin”, ka thënë ai. Ka përmendur se si botues janë të vetëdijshëm se tash në këtë kohë ka rënë shumë interesimi për librin jo veç në këto anë, por gjithandej botës.
“Megjithatë duhet të jemi prezentë që te brezi i ri të nxisim kureshtjen. Në radhë të parë, përmes librit krijohet kulturë, fitohet dije. Telefoni është mjet komunikimi, jo mjet mësimi. Libri është mjeti bazë i mësimit”, ka thënë Ahmeti.
Në këtë ngjarje merr pjesë edhe Botimet KOHA. Me 140 tituj që përfshijnë fusha të ndryshme, kjo shtëpi botuese synon që përtej simbolikës së Ditës Botërore të Librit t’u kthehet lexuesve me synimin që të jetë sa më afër me ata që kanë interesim për librin.
“Për Ditën Ndërkombëtare të Librit, për herë të parë po marrim pjesë në këtë organizim të organizuar nga ‘Flori Galeri’. Ky organizim mbahet në ambientet e ‘Prishtina Mall’ një ambient tepër i mirë, ne si shtëpi botuese KOHA vendosëm të marrim pjesë që të jemi sa më afër lexuesve, si çdo herë më super-çmime me zbritje”, ka thënë menaxheri i shitjes në Botimet KOHA, Fidan Imeri. Sipas tij, zbritja shkon deri në 80 për qind në mënyrë që në kohën kur rritja e çmimeve ka marrë hov, lexuesve t’u ofrohen mundësi të mira për t’u pajisur me titujt që u interesojnë.
“Ne tashmë e kemi traditë që në panaire të ofrojmë mundësi shumë të mira për lexuesit”, ka thënë ai.
Ky panair shihet si një prej ngjarjeve sensibilizuese nga botuesit. Kësisoj e ka përshkruar aktivitetin Arbër Rrahmani nga shtëpia botuese “Faik Konica”.
“Dita Botërore e Librit e ka edhe këtë efekt që t’u propozojë lexuesve, që botuesit të sensibilizohen të botojnë libra të ndryshëm për të mirën e lexuesit e të gjithë shoqërisë”, ka thënë ai. Ky panair sivjet është një mundësi shtesë për lexuesit. Nisma të tilla më herët ishin ndërmarrë edhe nga disa kolegje private. Por kanë rezultuar të pasuksesshme. Se si do të funksionojë në një qendër tregtare, mbetet të shihet.
Libri shkencor i fshehur nga kureshtja e lexuesit të zakonshëm
Dita Botërore e Librit dhe e të Drejtave të Autorit është shënuar edhe me një tjetër panair. Në ambientet e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës në Prishtinë u hap edicioni i katërt i Panairit Mbarëkombëtar të Librit Akademik dhe Shkencor. Në këtë aktivitet treditor marrin pjesë institucione shkencore dhe arsimore nga Kosova dhe Shqipëria.
Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, në fjalën e tij si nikoqir i ngjarjes, ka thënë se libri shkencor kërkon një përkujdesje të veçantë shtetërore dhe institucionale dhe po përpiqen ta bëjnë këtë. Sipas tij, libri shkencor rri fshehur nga kureshtja e lexuesit të zakonshëm dhe kërkon me ngulm lexuesin e kualifikuar, atë që ia di vlerën dhe që i peshon me kompetencë arritjet e tij në botën e dijes.
“Libri shkencor nuk është libër i reklamës dhe i tirazheve të mëdha. Bestsellerët shkencorë janë të rrallë dhe, zakonisht, për t’u bërë të tillë u duhet të heqin dorë, nëse jo në tërësi, së paku nga një pjesë e mirë e natyrës së tyre: nga heshtja e mençur që i rrethon”, ka thënë ai. Sipas akademik Krajës, librat shkencorë janë më të paktë në numër, krahasuar me librat letrarë dhe publicistikë, nuk shtypen me letër luksoze dhe nuk u bëhen kopertina me zgjedhje të veçantë grafike dhe në përgjithësi lënë përshtypjen e indiferencës.

“Por magjia e tyre qëndron sa në idetë e reja, në dijet e gjithanshme dhe mendimet e thella, po aq në qëndrueshmërinë e argumenteve dhe vërtetësinë e fakteve. Deduksionet hipotetike dhe as emocionet nuk janë ana e fortë e shkrimit shkencor. Në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, që nga themelimi i saj, këtu e 50 vjet të shkuara, botimet janë konsideruar parësore në punën e saj dhe përbëjnë njërën nga shtyllat kryesore të programit vjetor të punës”, ka thënë akademik Kraja. Ka treguar se konsiderojnë se kanë arritur një nivel të mirë të këtyre botimeve, porse kanë akoma punë për të bërë, për ta hapur veprimtarinë botuese ndaj autorëve jashtë Akademisë, jo sipas rastit, por sipas një koordinimi dhe të një vlerësimi publik. Ka falënderuar Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit si bashkorganizatorë të Panairit. Më pas janë promovuar disa botime, midis tyre monografia “Veprimtaria shkencore e Bajram Krasniqit” e studiuesit Hysen Matoshi, ish-drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës. Matoshi ka thënë se Krasniqi ka lënë gjurmë të mëdha në fushën e albanologjisë, kritikës letrare dhe shkrimit shkencor, duke e cilësuar atë si një ndër figurat më origjinale të dijes shqiptare.
“Si autor, nuk më takon të flas shumë për veprën, por mund të them diçka më tepër për subjektin e saj, shkencëtarin, intelektualin dhe personalitetin Bajram Krasniqi, vepra e të cilit është shumëplanëshe dhe me rëndësi parësore në fushën e shkrimit shkencor, historiko-letrar, tipologjik, kritikës letrare, si dhe në sferën e përgjithshme albanologjike dhe publicistike”, ka thënë Matoshi. Ka treguar se Instituti Albanologjik, përmes një projekti të detajuar, i kishte propozuar që më 2011 Ministrisë së Arsimit botimin e veprës së Bajram Krasniqit.
Takimet me shkrimtarë e botues kanë qenë disa prej ngjarjeve të tjera të organizuara në Ditën Botërore të Librit dhe të të Drejtave të Autorit, e shpallur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë – UNESCO, në vitin 1995.