Kulturë

Libri i patejkalueshëm si dritare e imagjinatës kërkon lexuesin e ri

Salla në bibliotekën “Hivzi Sulejmani” ka qenë e vogël në organizimin me të cilin Kosova i është bashkuar botës në shënimin e Ditës Botërore të Librit për Fëmijë.

Salla në bibliotekën “Hivzi Sulejmani” ka qenë e vogël në organizimin me të cilin Kosova i është bashkuar botës në shënimin e Ditës Botërore të Librit për Fëmijë. Ka qenë një lloj takimi midis lexuesve të vegjël dhe shkrimtarëve të Karvanit të shkrimtarëve për fëmijë, “Agim Deva”

Përherë e më shumë, lidhja e librit me fëmijët është sfiduese por jo e pamundur. Ngjarja me të cilën në Bibliotekën “Hivzi Sulejmani” është shënuar Dita Botërore e Librit për Fëmijë, në pamje të parë duket shpresëdhënëse. “Imagjinata” ka qenë kryefjala e mesazhit të kësaj dite për sivjet, e shkrimtarët e pranojnë se sot duhet të ndërrojnë qasje për të depërtuar te lexuesit e rinj

Në një kohë kur për çdo vit, secili hulumtim nxjerr në pah shifra alarmante të rënies së numrit të lexuesve e ku mbi 20 për qind e shkollave nuk kanë fare biblioteka, kontrasti ka qenë e marta në qendrën “Libart” në bibliotekën “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë. Salla ka qenë e vogël në organizimin e organizatës ETEA, me të cilin Kosova i është bashkuar botës në shënimin e Ditës Botërore të Librit për Fëmijë. Ka qenë një lloj takimi midis lexuesve të vegjël dhe shkrimtarëve të Karvanit të shkrimtarëve për fëmijë, “Agim Deva”, organizimit tradicional që sivjet rrugëton për të 25-tën herë me të njëjtin qëllim: ta promovojë librin. 

E libri edhe në këtë ditë është cilësuar si i dritare e patejkalueshme e imagjinatës. “Imagjinata”, ka qenë fjala e mesazhit të sivjetmë të 2 Prillit, sponsorizuar nga Japonia. Me leximin e mesazhit është hapur aktiviteti. “Kapërce detet në krahët e imagjinatës”, është thirrja në krye të mesazhit të shkruar prej autores japoneze, Eiko Kadono, kushtuar fëmijëve të botës. “Historitë udhëtojnë, duke hipur mbi krahë/ Derisa dëshirojnë të dëgjojnë rrahjet e gëzueshme të zemrës suaj/ Unë jam një histori udhëtimi. Unë fluturoj kudo/ Në krahët e erës, ose krahët e valëve, ose ndonjëherë në krahët e vegjël të rërës. Natyrisht, unë udhëtoj edhe me krahët e zogjve shtegtarë. Madje edhe ato të avionëve. Unë ulem pranë jush. Duke hapur faqet, ju tregoj një histori, atë që dëshironi të dëgjoni.

Dëshironi një histori të çuditshme dhe të mrekullueshme?”, thuhet ndër të tjera në mesazh. Me optimizëm, se rrëfimet do ta gjejnë lexuesit, vazhdon mesazhi. ”Nëse nuk ju pëlqen ta dëgjoni tani, në rregull. Por e di që një ditë do ta bësh. Kur ta bëni këtë, thjesht thirrni: ‘Histori udhëtimi, eja. Uluni pranë meje!’”, thuhet në mesazhi në formë poezie e i cili, siç ndodh shoqërohet me poster, i cili sivjet u realizua artistja japoneze, Nani Furiya. Në vizatimin e saj paraqitet një pemë, e cila duket se rrënjët i ka te një libër i hapur, derisa kafshë të ndryshme shihen përreth pemës. 

Rrëfime të ndryshme e poezi janë lexuar edhe në bibliotekën “Hivzi Sulejmani”, e cila qysh në vitin 2005, vazhdon të organizojë manifestime për ta shënuar këtë datë. E bën këtë edhe me gara të letërsisë si formë stimuluese për letrarët e rinj. 

“Ky manifestim tradicional tashmë ka për qëllim promovimin dhe përkrahjen e literaturës për fëmijë, por gjithashtu përmes aktiviteteve të tilla duhet dhe të nxisim interesimin dhe dashurinë e fëmijëve për librin”, ka thënë në fjalën e saj, ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së bibliotekës “Hivzi Sulejmani”, Fatime Mehmetaj.

Agon Ahmeti, drejtor i organizatës ETEA, e cila veprimtarinë e saj e zhvillon kryesisht te aktivitetet të cilat inkurajojnë leximin te fëmijët, ka thënë se fakti se salla qe mbushur plot, është shumë shpresëdhënëse. Është pikërisht ETEA që ndër vite, nëpërmjet anketave ka alarmuar për rënie të numrit të lexuesve. 

“Është gjithmonë nder me qenë pranë Karvanit të shkrimtarëve, me librat e të cilëve jemi rritur dhe po vazhdojnë të rriten gjenerata të tëra. Është gjithashtu kënaqësi me pas kaq shumë pjesëmarrës, në veçanti pjesëmarrja e fëmijëve më gëzon. Çështja e mosleximit është një problematikë globale tashmë, por konsideroj se ngjarje të tilla me rëndësi duhet të na rikujtojnë rolin e librit, të bëjmë më shumë punë që fëmijët tanë leximin ta kthejnë në përditshmëri”, ka thënë Ahmeti. 
Karvani i shkrimtarëve për fëmijë “Agim Deva”, si ndër manifestimet më të mëdha në vend për letërsinë për fëmijë, e ka nisur rrugëtimin sikurse tradicionalisht më 7 mars, e deri në mbarim të vitit shkollor. Të martën është ndalur në bibliotekën “Hivzi Sulejmani”. 

Si përfaqësues të Karvanit, të pranishëm ishin Ibrahim Kadriu, Xhevat Syla, Jonuz Fetahu, Erinë Rrahmani, Kismete Hyseni, Skender Zogaj e të tjerë të cilët me lexuesit kanë komunikua nëpërmjet pjesëve nga veprat e tyre. 

Pas një intermexoje të performancës në flaut, fjala iu dha mysafirit të kësaj ngjarjeje, shkrimtarit Hajro Ulqinaku. Ka lexuar poezi nga libri i tij antologjik “Ëndrrat janë det”. Ngjashëm me titullin e librit, ai zgjodhi të lexonte poezinë me titullin “Kënga e detit” të cilën e quajti medaljon poetik. 
Në një prononcim për KOHË-n, Ulqinaku ka thënë se bota e fëmijëve është komplekse dhe e vështirë të deshifrohet. 

“Fëmijët janë mrekullia e kësaj bote, për ta duhet të punojmë, të shkruajmë, është fatlumësi se fëmijët tash po mendojnë ndryshe dhe ne duhet të mendojmë e të shkruajmë ndryshe. Libri nuk do vdesë kurrë, libri i parë është shkruar në baltë, pastaj në gurë, ai s’ka vdekje. Nuk ka telefon të mençur që e zëvendëson atë”, ka thënë shkrimtari duke shtuar se edhe pse fëmijët në kohët e sotme rëndom preokupohen me telefona, ata që gjejnë prehjen te libri janë evidentë. 

Shkrimtari Ibrahim Kadriu, ka lexuar poezinë e tij e cila vargëzon për “protestën” që po bënin librat, pasi që nuk po lexoheshin. Mesazhin ai e dha edhe përtej poezisë.

“Brezi i ri duhet të jetë koshient ndaj librit. Unë vetë lexova poezinë e protestave të librit. Libri ka gjithmonë vendin e vet, nuk mund të zëvendësohet nga asgjë, as interneti e as telefoni. Kam dëshirë që të gjithë e posaçërisht fëmijët të kenë afërsi me librin”, ka thënë Kadriu në një prononcim për KOHË-n. 

Pika kulmore e këtij eventi, qe dhe gara për esetë më të mira, të cilat u zgjodhën nga juria e përbërë nga shkrimtarët për fëmijë. Interesimi i madh për pjesëmarrje ua kishte vështirësuar punën, duke marrë parasysh vëllimin e eseve të dorëzuara nga nxënësit e shkollave fillore të Prishtinës, nga klasat e 6-ta deri në klasat e 9-ta. 

Shkrimtarja për fëmijë, Erinë Rrahmani, anëtare e jurisë ka thënë se është e lumtur për pjesëmarrjen sivjet, derisa ka potencuar dhe cilësinë e shkrimeve. 

“E kisha një detyrë të vështirë, nuk ishte fare e lehtë zgjedhja në mes të aq shumë shkrimeve të bukura. Jemi të lumtur që kemi pasur kaq shumë prurje dhe shpresojmë që kjo praktikë të vazhdojë më tutje, të mos ndalet”, ka thënë Rrahmani duke pasuar me ndarjen e çmimeve. 

Çmimin e parë për këtë vit e ka marrë Valëza Dragusha me esenë e titulluar “Edhe unë jam libër”, të dytin Florian Thaqi me “Magjia e zambakut” dhe të tretin Vesa Sadiku me “Dita e parë e shkollës”. Treshja e parë u vlerësua nga juria për mënyrën e të shkruarit dhe tematikat e prekura, teksa për ta ishin rezervuar dhe dhurata simbolike të shumave të parave për të blerë libra. 

Por, pa çmime nuk mbeten as pjesëmarrësit e tjerë, pasi që siç ndodh tashmë tradicionalisht, të gjitha esetë e dorëzuara do të publikohen në formë të një përmbledhjeve në vitin 2025. 

E themeluar nga Bordi Ndërkombëtar i Librave për Fëmijë (IBBY) në vitin 1967, Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë bashkon autorë, ilustrues, edukatorë dhe fëmijë në të krejt botën për të festuar magjinë e tregimit dhe ndikimin që ka letërsia në formimin e brezave të ardhshëm.