Biblioteka “Marin Barleti” e Shkodrës tashmë ka edhe një sallë me emrin e dijetarit e veprimtarit të shquar Ernest Koliqi. Një fond librash prej bibliotekës personale të Koliqit i janë dhuruar vendlindjes së tij. Shkodra është qyteti me çdo gjë që ai përfaqëson, e si i tillë ai thërret, t’ban me u kthy...”, ka thënë kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Bici
Libra të bibliotekës personale të Ernest Koliqit i janë dhuruar bibliotekës së qytetit të Shkodrës me nismën e studiuesit Ardian Ndreca. Do të zënë vend jo vetëm si shenjë ndermi për të, por edhe si një mundësi për ta qëmtuar veprën e tij.
Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci, citohet të ketë thënë se Bashkia ka mundësuar edhe hapjen e një salle me emrin e tij.
“Shkodra është qyteti me çdo gjë që ai përfaqëson, e si i tillë ai thërret, t’ban me u kthy. Është fat dhe kontribut i Adrian Ndrecajt e ‘Shejzat’, si dhe Bashkia Shkodër që sot në qytet kthehet një pjesë e shpirtit, mendjes e krijimit të Ernest Koliqit”, ka shkruar Benet Beci në rrjetet sociale.
Kryetari i Bashkisë së Shkodrës ka shtuar se salla e riorganizuar u kushtohet qytetarëve që te biblioteka publike “Marin Barleti” gjejnë dyer e mendje të hapura për me shpërbly kureshtjen, talentin e prirjen për dije e art.
Për studiuesin Ardian Ndreca, njëherësh drejtues i organizatës “Shejzat”, kjo sasi librash është një pasuri e jashtëzakonshme që i vjen qytetit të Shkodrës.
Ernest Koliqi (1901-1975) ishte poet, romancier, eseist, përkthyes, gazetar, dramaturg, albanolog, mësues dhe botues shqiptar. Cilësohet së bashku me Mitrush Kutelin si themelues i tregimit modern shqiptar, me përmbledhjet “Hija e maleve” (1929), “Tregtar flamujsh” (1935) dhe “Pasqyrat e Narçizit” (1936). Në mars të vitit 1947 themeloi dhe botoi të përkohshmen “L’Albanie Libre”, që e ndali më 1959, e më pas “Lajmëtari i të mërguemit”.