Në vitin 1955, me para të sindikatave të punëtorëve, u ndërtua kinemaja, asokohe e njohur si “Kino Rad”. Ndër vite, objekti që sot mban emrin e Jusuf Gërvallës, do të shndërrohej në njërin prej vendtakimeve të vetme kulturore e shoqërore në qytetin e Pejës.
Historiku i këtij institucioni është dokumentuar në një libërth të publikuar në versionin digjital. Në të mund të shfletohen histori interesante, të shoqëruara me fotografi e posterë të vjetër. Kjo përmbledhje – që do të publikohet edhe e shtypur pas normalizimit të gjendjes nga pandemia – vjen e ndarë në tri pjesë. E para trajton historikun e kinemasë, ndërtimin e objektit dhe mënyrën e funksionimit si ndërmarrje shoqërore. Pjesa e dytë fokusohet tek aktivitetet e realizuara në kinema e që datojnë që nga vitet ’60. Ndërsa pjesa e tretë shkurtimisht përmbledh gjetjet e pakta në arkivin e kinemasë, të cilat i kanë mbijetuar kohës. Granit Karagjyzi, hulumtues që ka dokumentuar historikun e kinemasë, rrëfen kronologjinë e ngjarjeve.
“Prej viteve ‘50 deri në vitet ‘70, në bazë të posterëve që i kemi gjetur, e shohim që dominojnë më shumë filmat westernë, që në nivel më global kanë qenë të famshëm edhe në vende të tjera. Në vitet ‘70 fillon të këtë më shumë romancë dhe filma indianë. Në vitet ‘80 më shumë filma aksionë dhe ka dominim të filmave aziatikë me Bruce Lee, që janë karakteristikë për filmat aziatikë”, shpjegon ai.
Asokohe, në ekranin e madh të kinemasë së Pejës do të shfaqeshin edhe filma fantastiko-shkencorë si “Terminator” dhe “Robocop”. Në vitet ‘90 kinemaja mbetet pa distributor dhe menaxhmenti pati vështirësi të gjejë filma, kështu që fokusohet më shumë në organizimin e aktiviteteve të tjera. Deri në vitet ‘80, siç rrëfen Karagjyzi, ky institucion bashkëpunoi edhe me Shqipërinë, dhe trupa teatrore, siç ishte “Aleksandër Moisiu” nga Durrësi, vinin në Pejë për të dhënë shfaqje në këtë skenë.
Një prej gjetjeve më interesante të dy hulumtuesve – përveç Karagjyzit, hulumtimin e ka bërë edhe Lum Radoniqi – është shfaqja e filmave pornografikë e erotikë nga fundi i viteve ’80. “Për këtë ekzistojnë shumë hipoteza mbi atë se përse janë shfaqur. Sipas ish-zyrtares së kinemasë që punonte në administratë, këta filma shfaqeshin për të pasur më shumë përfitime ekonomike, për shkak të krizës”, rrëfen ajo.
Një tjetër hipotezë është se këta filma shfaqeshin për ta larguar vëmendjen nga problemet e viteve ‘90, si inflacioni, papunësia apo edhe tendenca për ta kamufluar rritjen e problemeve etnike të asaj periudhe. Karagjyzi flet edhe për mënyrën se si është realizuar hulumtimi deri tek plasimi online i libërthit.
“Qasja në materiale është më problematike, sepse në një periudhë më të gjatë ato mund të humbin, të zhduken dhe të dëmtohen. Edhe për arsye burokratike ka marrë më shumë kohë derisa na është lejuar qasja në dokumentet që kemi konsideruar se janë të nevojshme. Por kemi funksionuar me ato që janë gjetur në kinema, që s’ka qenë numër shumë i madh, por, megjithatë kemi arritur ta kapërthejmë disi dhe ta publikojmë”, ka thënë ai. I titulluar “Një histori e shkurtër e kinemasë ‘Jusuf Gërvalla’”, ky botim ndër të tjera pasqyron edhe dhunën fizike ndaj shikuesve para fillimit të luftës së vitit 1999.