Kulturë

“Letra nga ferri” midis tmerrit të komunizmit, rezistencës e shpresës

letra nga ferri

Janë me mijëra letra të shkruara nga të dënuarit politikë që kalojnë shifrën e tre mijë faqeve arkivore, disa prej të cilave janë përzgjedhur për ekspozitën “Letra nga ferri”, e cila pos si dokumentim i tmerrit vjen si dëshmi e luftës së brendshme për ta mbajtur gjallë shpresën

 Është kapitulli i errtë i historisë së Shqipërisë. Dokumentohet prej rrëfimeve të të burgosurve prej regjimit komunist. Janë histori personale por që përthekohen si histori kolektive. 

“Letra nga ferri”, është titulli i ekspozitës së hapur të martën në Piramidën e Tiranës, organizuar nga Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit. Ekspozita multimediale sjell para publikut një nga periudhat më të errëta gjatë regjimit komunist prej vitit 1944-1990.

“Ekspozita evokon një atmosferë introspektive dhe të thellë, ku synohet që vizitorët të përjetojnë emocionet, vuajtjet dhe shpresat e atyre që përjetuan ferrin e burgjeve komuniste. Në qendër të saj janë fjalët e të burgosurve, dëshmi të shkruara të një qëndrese që tejkaloi torturat dhe mizoritë”, shkruhet në konceptin e ekspozitës. 

Aty për herë të parë ekspozohen dy letra origjinale të Zef Zorbës drejtuar nënës së tij, të vëna në dispozicion nga muzeu - Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës. Sipas konceptit, janë me mijëra letra të shkruara nga të dënuarit politikë, që kalojnë shifrën e tre mijë faqeve arkivore, një koleksion të disponueshëm edhe nga Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, ku në këtë ekspozitë janë përzgjedhur letrat përfaqësuese që luajnë një rol të rëndësishëm dëshmues mbi natyrën e regjimit diktatorial.

“Vizitorët do të kenë mundësinë të njohin jo vetëm kushtet e tmerrshme të jetesës në këto burgje, por edhe aktin e shkrimit si një formë rezistence. Letrat janë një formë e të shkruarit të drejtpërdrejtë, ku ndjenjat personale dhe vëzhgimet e përditshme janë përzierje e shpresës dhe dëshpërimit, duke shërbyer si një mjet për të mbajtur të gjallë lidhjet me botën jashtë, familjen dhe lirinë”, është thirrja që iu bëhet vizitorëve. 

Sipas organizatorëve, letrat e paraqitura si objekte të vërteta historike janë njëkohësisht dëshmi të një lufte të brendshme për të mbajtur shpresën të gjallë. Vizitorët do të mund të lexojnë përmbajtjen e tyre përmes shënimeve të vendosura pranë letrave origjinale.
Pos materialeve arkivore, ekspozita përmban një hapësirë reflektimi ku vizitorët do të mund të lënë mendimet e tyre dhe të përfshihen në dialog rreth trashëgimisë së kësaj periudhe dhe rëndësisë së mbajtjes gjallë të kujtesës kolektive.