Teatri “Dodona” ka qenë skena ku janë kthyer kujtimet e kohëve të trishta në Kosovë. Monologë, poezi e fragmente prej veprave të 13 autorëve botërorë bashkohen si mozaik emocionesh me shfaqjen “Lenorë: Emotional Exhibition”. Në qendër është dashuria e dy të rinjve, të cilëve lufta ua shuan ëndrrat dhe jetën. Rrëfimi shpaloset në skenën e cila ishte shndërruar në një lloj rezistence të shqiptarëve në vitet ’90, aty ku kthehet edhe shfaqja
“Lenorë: Emotional Exhibition” është një eksplorim poetik ndjenjash. Kthen kohën prapa, përdor simbolika për ta ilustruar kohën e luftës. Bazuar në vargje e tekste autorësh të njohur botërorë prej Prévertit, Bukowskit e deri te Wilde, Neruda, Pushkini apo Becketti, në thelb ka dashurinë në kohë të trishta. Është një lloj kërkimi i dritës në luftë.
Me dramatizim e regji të Bashkim Ramadanit, është dhënë premierë të mërkurën në teatrin “Dodona” skena e të cilit ishte shndërruar në një lloj rezistence të shqiptarëve në vitet ’90, aty ku kthehet edhe shfaqja “Lenorë: Emotional Exhibition”.
Mbyllja e institucioneve shtetërore, ora policore, lufta dhe periudha e pasluftës, janë kapitujt e historisë e të shfaqjes. Në qendër është historia e një çifti të ri, Lenorës dhe Adrienit, të cilët dashurohen, martohen, por ndahen brutalisht nga lufta.
Shfaqja hapet me narratorin Armend Zeqiri, i cili nëpërmjet retrospektivës rrëfen përjetimet e popullit shqiptar në atë periudhë, duke përmendur edhe mbylljen e kafeneve, me përjashtim të një pijetoreje ku të rinjtë kalonin kohën, por ankoheshin për muzikën e lartë. Më pas në skenë shfaqen Valmira Hoti si Lenora dhe Rifat Smani në rolin e Adrienit, në një lokal me muzikë tekno, që shoqëron fillimin e vrullshëm të dashurisë së tyre.
Skena zhvendoset në një moment kur çifti ishte duke qëndruar në banesë dhe fillojnë e dëgjohen krisma armësh. Një paralajmërim se diçka jo e mirë po vjen. Janë krisma. Fillon e mbizotëron një frikë te Lenorë e gjithashtu edhe tek Adrien, sepse aty ushtria serbe ndan burrat nga gratë. Lenorë me gjithë forcën që ka thërret Adrien e po ashtu edhe Adrien thërret të dashurën e tij.
Shfaqja vazhdon me rikthimin e takimit në mes dy të rinjve të cilët kishin kaluar periudha të vështira. Ata para se të ndaheshin me forcë pritnin një fëmijë, por pas përdhunimit brutal të Lenorës i kishte dështuar shtatzënia. Adrien i dërrmuar kishte arritur të shpëtonte nga burgu.
Ajo tashmë kishte rënë në depresion si pasojë e përdhunimit. Adrien mundohet ta qetësojë dhe ta bindë se gjithçka është në rregull, por assesi nuk mund t’ia arrijë qëllimit. Tashmë kishte hyrë në një fazë kur kthimi në realitet duket tepër i largët.
“Lenorë: Emotional Exhibition” me skenografi të Burim Arifit e kostume të Blendina Xhemës përmbyllet me vdekjen e Lenorës. Adrieni i mbetur vetëm përpiqet të jetojë me kujtimet për të në periudhën e pasluftës. Ashtu siç përshkruhet, ajo lë jehonë të përjetshme mes kujtimeve, dhimbjes dhe ëndrrave të thyera.

Loja me simbolika është e fuqishme. Skenografia minimaliste – një kub në qendër – krijon afërsinë me tekstin e ngjarjet. Korniza fotografish të zbehura e me njolla gjaku janë antonimia e harresës. “Dekorim” janë format e lotëve e narratori rikthehet për ta thjeshtëzuar kapërcimin në ngjarje. Anash, perdet e bardha janë herë mjegull e herë simboli i bardhësisë njerëzore.
Regjisori Bashkim Ramadani ka thënë se sfida kryesore ka qenë ardhja deri te tregimi kryesor sikurse edhe kombinimi i tekstit dhe kontekstualizimi i tij. Janë përdorur tekste të 13 autorëve botërorë.
“Teksti është poetik, edhe shfaqja, edhe koncepti, edhe vizioni regjisorial kanë qenë një poetikë e veçantë në kuptimin edhe të realizimit skenik me të gjithë arsenalin, si skenografik të rekuizitës dhe të mjeteve të tjera skenike me të cilat jemi shërbyer për të thënë atë çfarë kemi dashur ta themi”, ka thënë Ramadani.
Shfaqja shtrihet në rrafshin e një drame psikologjike teksa rrok tema ekzistencialiste.
“Të gjitha ato tekste na kanë parashtruar pyetje më së pari neve si realizatorë të shfaqjes. U kemi dhënë përgjigje në formën tonë. Unë besoj që shfaqja e sotme ka ngjallur shumë pikëpyetje te publiku, i ka dhënë disa përgjigje, por unë pres shumë që ato pyetje ose ato përgjigje, që i ka marrë publiku, të shtrojnë edhe pyetje të tjera edhe t’i kërkojë përgjigjet brenda vetes”, ka thënë ai.
Ideja fillestare ka qenë që “Emotional Exhibition” të titullohet shfaqja në mënyrë që poezia ta mundësojë lojën me emocionet në të gjitha ngjyrat e mundshme. E, procesi ka qenë sfidues.
”Po them sfidë, sepse është hera e parë që unë merrem me dramatizimin e një teksti nëse mund ta quaj, qe ta sjellim një tekst dramaturgjik, pastaj të sjellim një tekst skenik, siç e pamë sonte, i përcoptëzuar në atë formë edhe i rrumbulluar në këtë formë ashtu siç e shfaqëm”, ka thënë Ramadani njëherësh producent i shfaqjes bazuar në poezi, monologë dhe fragmente nga: J. Prévert, Ch. Bukowski, O. Wilde, N. Simon, G. G. Márquez, T. Williams, P. Neruda, R. Frost, K. Kavafis, N. Hikmet, W.H. Auden, A. Pushkin, S. Beckett
Deri te dalja në skenë, procesit i ka paraprirë një analizë e tekstit dhe e personazheve në mënyrë që të kapen momentet kryesore të një periudhe kohore me të cilat janë përballur shqiptarët e Kosovës nën regjimin serb. E ajo është shënuar me ngjarje të shumta.
“Si ngjarje, si pjesë e etapës së historisë sonë është realisht një etapë ku kanë ndodhur shumë ngjarje dhe ka qenë ndoshta shumë vështirë t’i përthekojmë dhe t’i shtiem të gjitha ato ngjarje, por të mundohemi t’i përzgjedhim ato që janë më kryesore dhe t’i sjellim përmes këtyre personazheve. Kështu që nuk ka qenë e lehtë se është dashur të bëhet një analizë goxha e thellë e njerëzve dhe situatave që kanë qenë gjatë atyre kohëve, e mënyrës se si kanë reaguar ndaj atyre kohëve duke iu përshtatur protestave, stilit të jetesës, ndaljes së lëvizjes, limitimit të lëvizjes”, ka thënë aktori Armend Zeqiri.
Ngjarjet në “Lenorë...” janë të njohura për publikun. Përballja me to, po ashtu. Regjisori Agim Selimi ka qenë i pranishëm në premierë. E ka cilësuar si shfaqje solide ku dominon zgjedhja regjisoriale.
“Besoj se disa tema janë të qëlluara dhe universale. Flasin për humbjen, shkatërrimin, luftën, por edhe për dashurinë në ato kushte të vështira. Mendoj se aktorët të tretë dhanë kontributin e tyre, mirëpo sa i përket diksionit ka nevojë ende për punë”, ka thënë Selimi duke theksuar se pret që shfaqja të çlirohet me reprizat e radhës.

“Ishte shfaqja premierë që zakonisht i ka ato ngërçet dhe shtangimet e veta, por me repriza mendoj se është shfaqje e shikueshme dhe që i duhet spektatorit tonë”, ka thënë ai.
Për kritikun e artit, Ilir Muharremi, “Lenore: Emotional Exhibition” nuk është thjesht një shfaqje teatrale, “por një përvojë e thellë artistike që prek dhe transformon shikuesin”. Sipas tij, duke trajtuar temat e dashurisë, humbjes dhe shpresës në kohë të vështira, kjo vepër e tejkalon kufirin e narrativës tradicionale për t’u kthyer në një reflektim mbi shpirtin njerëzor dhe fuqinë e tij për të kërkuar dritën edhe në errësirën më të madhe. “Performancat e aktorëve, dramatizimi i teksteve dhe vizioni i regjisorit sjellin në skenë një spektakël të rrallë ku çdo element artistik është i gërshetuar në mënyrë të përsosur për të krijuar një ndikim të thellë emocional tek audienca”, ka thënë Muharremi.
Edhe në paralajmërimin për “Lenorë: Emotional Exhibition” ajo përshkruhet si një simfoni emocionesh, ku dashuria e sfiduar nga lufta eksplorohet përmes një gjuhe poetike dhe simbolike.
“Në këtë valle mes shpresës dhe humbjes, flakët e pasionit ndriçojnë errësirën, duke dëshmuar se edhe në kohë të errëta shpirti njerëzor kërkon dritën. Përmes gjuhës poetike, simbolikës së thellë dhe imazheve, shfaqja zhbiron plagët dhe fuqinë e shpirtit njerëzor, duke ofruar një përjetim të paharrueshëm të dashurisë, kujtimit dhe dhimbjes që lufta lë pas”, shkruhet në paralajmërim.
E, për Muharremin, një shfaqje si kjo është një dëshmi e fuqisë së teatrit për të shprehur ndjenjat më komplekse të njeriut dhe për të krijuar momente arti që mbeten gjatë në mendjen dhe zemrën e publikut.
“Lenore: Emotional Exhibition” është një thirrje për të ndier, reflektuar dhe për të përjetuar bukurinë dhe dhimbjen e ekzistencës në të gjitha nuancat e saj”, ka thënë Muharremi.
Ftesa për ta përjetuar atë ka qenë e hapur edhe të enjten mbrëma me reprizën e parë. Aty, thirrja e aktorëve se “Lufta është idiotësi” nuk është vetëm deklaratë, por mesazh i përbotshëm.