Me një kastë aktorësh prej më të mirëve në hapësirat shqiptare, Isa Qosja sjell Vuthajn si film të gjatë artistik. Dramat sociale të këtij vendbanimi shqiptar në Mal të Zi kanë hapur edicionin e 16-të të festivalit ndërkombëtar të filmit në Prishtinë, “PriFilmFest”. Për ditët e sotme mund të mos hyjë te shijet e komunitetit artistik. Po ashtu mund të mos jetë te filmat më të mirë të regjisorit veteran
Kur skenaristi e regjisori – që në këtë rast është i njëjti – do të realizojë një film që e ndien deri diku borxh ndaj vendlindjes dhe nuk çan kokën as për përfitime komerciale e as në sa kinema do t’i shfaqet, atëherë realizohet “The Stork” (Lejleku). Në këtë rast është lehtë e vërejtshme se krejt ekipi i bashkohet ndjeshmërisë së autorit.
Midis dramës e komedisë “Lejleku” mbi të gjitha ka rol të dokumentimit. Mbetet produkt i pastër kinematografik. Me një kastë aktorësh prej më të mirëve në hapësirat shqiptare, Isa Qosja sjell Vuthajn si film të gjatë artistik. Dramat sociale të këtij vendbanimi shqiptar në Mal të Zi kanë hapur edicionin e 16-të të festivalit ndërkombëtar të filmit në Prishtinë, “PriFilmFest”. E marta ka sjellë premierën botërore të filmit. Qosja nuk ka qenë aty.
Gjeografia e asaj ane është aso e tablove të peizazheve të ndonjë piktori që pamjeve reale ua shton poetikën imagjinare. Në këtë rast, Isa Qosja s’ka pasur nevojë shumë për t’ia shtuar dozën e poetikës, pasi e ka gjetur atë te realiteti. Është trinomi me të venë, burrin me dy gra e çiftin e vetmuar, ku Qosja duke qenë më shumë dokumentues e artistik ruan poetikën e humorin e hollë që vjen te publiku, i cili për zonën është mënyrë jetese. Midis lagjeve, në Vuthaj preken tradita, doket, fryma sociale e atyre kodrinave midis bjeshke e mbi të gjitha fenomeni i braktisjes së vendit.
Kur Imeri (Donat Qosja) vret veten, e veja (Arta Dobroshi) jeton me shprehi burrash. Presioni për t’u martuar me një të afërt të ish-bashkëshortit është i madh. Është një traditë jo veç e zonale malore, por goxha e përhapur në të kaluarën gjithandej këtyre anëve. E veja nuk heq dorë nga statusi i ri social i saj. I bëhet presion të martohet një djalë me shumë telashe psikologjike. Portreti i Dobroshit – aktore me nam botëror – flet shumë. Sqaron vuajtjet e përballjet e forta të grave shqiptare me derivatet e mendjeve që s’e kanë hall ndjesinë e asaj që i vdes burri, por bëjnë aso zgjidhjeje kinse praktike të atypëratyshme. Qosja ka ruajtur me finesë atë ndjesi, përderisa loja e aktorëve është fort reale.
Situatat komike janë realitet i vrazhdë, andaj edhe publikun nuk e fusin në aso të qeshurash histerike.
Jasemi (Shkumbin Istrefi) është “kapo” lokal. Kur gruaja e parë ka telashe për të mbetur shtatzënë, ai i hip makinës, shkon diku në Shqipëri dhe kthehet me një tjetër. Situatat janë sa tragjike aq edhe komike. Është tragjedi që ngjall satirë. Ngjall njëfarë humori të zi. Marrëdhënia midis dy grave e bën Jasemin që t’i qortojë verbalisht, derisa në dorë mban shkopin. Të afërmit i vijnë për përhajr me fort gëzim për gruan e dytë. Shpërfaqet një mentalitet ku gruaja është thjesht makinë riprodhimi. Por në brendësi regjisori e lufton këtë qasje duke e dokumentuar hollë. Në fund, gratë e kanë njëfarë mirëkuptimi me bashkëshortin dhe shtrihen në shtrat krejt bashkë. Kjo fotografi është sikurse e ndonjë filmi dokumentar. Hyn tek arkivat e tmerrit.
Një çift i moshuar (Kumrije Hoxha) dhe tashmë i ndjeri (Mirush Kabashi) që është i palëvizshëm hyn te kategoria e shumë çifteve të vetmuara, jo veç të atyre anëve, por të krejt hapësirës shqiptare shkaku i fenomenit të migrimit. I biri i tyre, Sadiku (Arben Bajraktaraj) jeton – si gati krejt vuthjanët – në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo zonë ka dy rrugë: vdekjen ose SHBA-në. Nëpërmjet platformave sociale prindërit komunikojnë me të birin. Janë me aso çehreje ku s’ka ku shkon më zymtë. Mirush Kabashi flet pa e çelur gojën fare. I biri në Amerikë duket se ka ndërruar edhe orientim seksual. E prindërit i propozojnë vajza për martesë. Drama brenda asaj dhome është e ndonjë teatri ku tragjikomedia shfaqet në çdo sekondë.
Filmi është me vulën e Isa Qosjes në secilën fotografi. Stili i tij është i plotë. Vjen si homazh për vendlindjen e kontribut moral. Për ditët e sotme, mund të mos hyjë te shijet e komunitetit artistik. Po ashtu, mund të mos jetë te filmat më të mirë të regjisorit veteran.

Pas premierës ka pasur mendime se filmi paraprak, “Tri dritare dhe një varje” do të duhej të ishte filmi i karrierës. Aty paraqitet një dramë e luftës së fundit në Kosovë. Shumëkush mund ta këshillonte Qosjen për të mos e realizuar “Lejlekun”, pasi nuk është i kohës. Por kjo mund të jetë koha e fundit që “Lejleku” të jetë produkt i realitetit. E pasioni i regjisorit ka triumfuar në këtë rast.
Për bashkëprodhimin midis Kosovës e Malit të Zi, aktori Shkumbin Istrefi ka thënë ky për Isa Qosjen ka qenë shumë i veçantë, pasi është bërë për vendlindjen të cilën e njeh shumë mirë në krejt dimensionet.
“Prej atje njerëzit vazhdimisht duan të ikin, edhe pse është vend përrallor. Për shkak të një jete më të mirë njerëzit duan të ikin. Isën kjo e ka prekur. Më ka pëlqyer se si e ka trajtuar në tri linjat. Për mua është film shumë poetik dhe jam i kënaqur shumë. Besoj që Isa e ka bërë një homazh. Ai ka bërë shumë filma dhe si duket në këtë moment e ka ndier nevojën që ta bëjë një film për vendin e tij dhe t’i kthehet vendit të tij”, ka thënë Istrefi pas premierës të martën mbrëma.
Të mërkurën në konferencë për media ai iu është përgjigjur edhe pyetjeve se ndoshta në këtë projekt gratë nuk trajtohen në mënyrën e duhur.
“Ka pasur ndoshta vërejtje të tilla, por sipas meje ai është realiteti ynë këtu. Çështjen e të drejtave të grave e kuptoj si fenomen social për të cilin duhet të luftojnë organizatat dhe të gjithë ne. Mirëpo në kinematografi nganjëherë disa gjëra po shikohen me një llupë joartistike, edhe në festivalet ndërkombëtare. Në përvojën time selektorët më shumë janë të botës sociale e gazetareske sesa kineastë, dhe nganjëherë trajtojnë më shumë gjëra kinematografike sesa kinematografinë”, ka thënë ai. Sipas Istrefit, në këtë aspekt është pak rrezik të devijojë kinematografia e të bëhet propagandë për gjëra të ndryshme e jo vepër artistike.
“Ne kemi nevojë që nganjëherë të trajtojmë tema të përditshmërisë sonë dhe shpesh në tregun ndërkombëtar ato gjëra nuk janë interesante, kërkojnë gjëra më ekzotike të këtij regjioni”, ka thënë ai.
Bashkëproducenti Ivan Gjuroviq ka thënë se bëhet fjalë për një projekt artistik, dhe në këtë rast nuk i ka interesuar ana komerciale.
“Unë i përkas shkollës së vjetër të producentëve dhe kur nisim një projekt të tillë kurrë nuk mendoj se sa para do të fitojmë në fund, pasi bëjmë shumë prodhime komerciale. Kam parë filmin paraprak të Isa Qosjes ‘Tri dritare dhe një varje’ dhe më ka pëlqyer shumë. E, kam pasur kënaqësinë të jem në projektin aktual”, ka thënë ai në konferencën për media.
Pas premierës, shumë artistë nuk kanë dashur të deklarohen publikisht për filmin me arsyetimin se nuk u ka pëlqyer dhe nuk duan të shprehen fare. Por me gjasë regjisori nuk ka çarë kokën as nëse do t’i pëlqejë kujt filmi apo jo. Nuk është marrë me këtë hesap. Ka dashur të lërë një homazh për vendin e tij.
Filma artistikë mund të gjenden në programin e këtij edicioni të “PriFilmFest”. Për gjashtë ditë dhjetëra rrëfime vendore, rajonale e globale do të zënë vend në projektorin e “Kino Armatës” në kryeqytet. Festivali bashkon kinematografët vendorë e ata rajonalë. Akterët ndërkombëtarë të kësaj industrie janë çdo herë e më pak të pranishëm, sidomos pasi Festivali ka mbetur pa themeluesen e drejtoreshën Vjosa Berisha, e cila vdiq në vitin 2022 dhe kujtohet në çdo edicion. Atë e ka përmendur edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në hapje të këtij edicioni.
Ka thënë se ky sukses është fryt i përkushtimit dhe i vizionit të atyre që e organizojnë Festivalin dhe po ashtu i atyre që marrin pjesë.
“Pa dyshim se kontributin, angazhimin dhe përkushtimin e artistes, regjisores së madhe Vjosa Berisha duhet ta kujtojmë e përkujtojmë sa herë që mblidhemi për ‘PriFest’. Mungesa e saj vazhdon dhe rritet porsi ‘PriFesti’”, ka thënë ai. Më pas ka nisur të flasë në retorikën që u ngjan fushatave elektorale. Ka thënë se mbështetja për filmin sot në Kosovë është më e madhe se kurrë dhe se kanë realizuar reformën më të madhe legjislative në kulturë. Midis të tjerash, prapë ka përmendur marrëveshjen për bashkëprodhim me Francën e nënshkruar në majin e 2022-s. Ka përmendur edhe disa punë të tjera të Qeverisë së tij dhe ka thënë se kjo rikonfirmon “angazhimin e Qeverisë për t’i qëndruar afër skenës së pavarur kulturore, aty ku ziejnë, kultivohen dhe ngriten talentet dhe të cilën ne e shohim si partnere të zhvillimit të mëtutjeshëm cilësor të artit në përpjekjen e përhershme për ta bërë artin kulturë dhe kulturën sa më artistike”. Më pas ka bërë pak lojë fjalësh me “Lejlekun”.
“E sonte, meqë mora vesh, do ta kemi edhe filmin më të ri të regjisorit tonë të mirënjohur Isa Qosja, i cili na e sjell filmin ‘Lejleku’, e për më shumë se një orë e gjysmë do ta shohim se çka na sjell ‘Lejleku’”. E “Lejleku” ka sjellë një realitet të trishtë në shumë dimensione. Sikurse ato vizatimet në bardhezi, por që drama i bën të duken shumëngjyrëshe.