Vepra që ka lënë pas akademik Minir Dushi, është thesar i çmueshëm, e veprimtaria e tij është cilësuar si sinonim i shkencës mbarëshqiptare. “Akademik Minir Dushi, duke qenë pjesëmarrës në themelimin dhe ndërtimin e institucioneve më prestigjioze të arsimit dhe shkencës në Kosovë, u bë edhe sinonim i tyre. Ishte institucionalist në kuptimin më pozitiv të fjalës”, ka thënë kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, në mbledhjen komemorative për akademik Dushin. Njërit prej themeltarëve të institucioneve shkencore e arsimore në Kosovës, të mërkurën i është dhënë lamtumira e fundit
Vlerat shkencore, edukuese, intelektuale e njerëzore të akademik Minir Dushit kanë mbledhur kolegët, familjarët e qytetarë të shumtë të mërkurën në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Në mbledhjen komemorative të mbajtur në këtë institucion, akademik Dushi, dy ditë pas vdekjes është vlerësuar si kontribuues i madh shkencor në xehetari, bashkëthemelues institucionesh shkencore e inxhinieri i parë shqiptar në “Trepçë”. Veprimtaria e tij prej fundit të viteve ‘50 ka bërë që të përshkruhet si profesionist me kontribut në xehetari, zhvillimin ekonomik të Kosovës, në shkencë e në themelimin e institucioneve arsimore. Qysh prej themelimit, për afro gjysmë shekulli Dushi ishte anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Akademik Dushi vdiq të hënën në moshën 95-vjeçare.
Kryetari i Akademisë, Mehmet Kraja ka thënë se akademik Dushi ishte prorektori i parë i Universitetit të Prishtinës, më pas rektor në një kohë shumë të vështirë dhe inxhinieri i parë shqiptar që zbriti në galeritë e Trepçës.
“Akademik Minir Dushi duke qenë pjesëmarrës në themelimin dhe ndërtimin e institucioneve më prestigjioze të arsimit dhe shkencës në Kosovë, u bë edhe sinonim i tyre. Ishte institucionalist në kuptimin më pozitiv të fjalës”, ka thënë akademik Kraja. Sipas tij, ikja e akademik Dushit lë një vend të zbrazët në institucionin më të lartë shkencor në Kosovë.
“Një vend të zbrazët ndër ata për që shumë kohë ishin emblema e këtij institucioni”, ka thënë akademik Kraja.
Për jetën e veprimtarinë e akademik Minir Dushit ka folur sekretari i Seksionit të Shkencave Natyrore në Akademi, anëtari korrespondent, Fetah Podvorica. Ai ka thënë se si rezultat i veprimtarisë së tij me dekada në Fakultetin e Xehetarisë dhe Metalurgjisë është arritur që të nxirren mbi 110 inxhinierë shqiptarë të xehetarisë, gjeologjisë, teknologjisë të cilët janë kyçur pastaj në kombinatin “Trepça” dhe kanë luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e tij dhe mbarë ekonomisë së Kosovës.
“Me kontributin e tij në vitin 1968 për herë të parë edhe në Minierën e Trepçës u mundësua që të bëhet prodhimi i zinkut të pastër me elektrolizën e cila në atë kohë nxori më shumë se 30 mijë tonë zink elektrolitik të pastër, prodhuar prej kësaj veprimtarie”, ka thënë Podvorica. Sipas tij, akademik Dushi ka pasur gjithashtu një veprimtari shumë të pasur akademike. Ka thënë se ai ka luajtur një rol të rëndësishëm në mbarëvajtjen e punës dhe përfaqësimin e denjë të Seksionit të Shkencave të Natyrës në ASHAK në pothuajse pesë dekada dhe po ashtu ai ishte i përfshirë përherë në aktivitetet dhe veprimtaritë jo vetëm të Seksionit, por edhe të vetë Akademisë.
“Një kontribut të rëndësishëm akademik Minir Dushi e ka dhënë në përgatitjen e Fjalorit Enciklopedik të Kosovës. Opusi shkencor dhe profesional i akademik Minir Dushit arrin mbi 180 njësi bibliografike”, ka thënë Podvorica. Ka përmendur se akademik Dushi është nderuar me më se 28 shpërblime të ndryshme.
Me rastin e vdekjes së akademik Dushit, me një letër ngushëllimi ASHAK-ut i është drejtuar Akademia e Shkencave e Shqipërisë.
Kryesia e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në letrën e lexuar nga sekretarja e ASHAK-ut, Lendita Juniku-Pula, ka shkruar se me dhimbje të thellë përcjellin ngushëllimet për ndarjen nga jeta të akademik Minir Dushit, një figure madhore e shkencës dhe arsimit në Kosovë dhe në hapësirën mbarëshqiptare.
“Akademik Minir Dushi ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në fushën e xehetarisë dhe metalurgjisë, si dhe ka luajtur një rol kyç në themelimin dhe drejtimin e institucioneve të rëndësishme shkencore dhe arsimore në Kosovë”, shkruhet në letër. Aty po ashtu shkruhet se trashëgimia e tij akademike mbetet një pasuri e çmuar për brezat e ardhshëm, ndërsa veprat dhe përkushtimi i tij ndaj arsimit kanë lënë gjurmë të pashlyeshme, duke ndihmuar në vendosjen e themeleve për zhvillimin e mëtejshëm të arsimit dhe kërkimit shkencor në vend.
“Roli i tij në themelimin dhe forcimin e Universitetit të Prishtinës përbën një tjetër arritje madhore që do të kujtohet ngaherë. Si zëvendësrektor i parë dhe më pas rektor i këtij institucioni, ai e drejtoi atë me vizion dhe përkushtim, duke kontribuuar në ngritjen e standardeve akademike dhe në edukimin e një brezi të ri shkencëtarësh dhe profesionistësh të talentuar”, shkruhet midis tjerash në letër.
Në emër të familjes Dushi, i biri Baton Dushi ka treguar se Akademia është krenaria e të atit.
“Familja juaj e Akademisë humbi kolegun punëtor derisa familja jonë humbi prindin e kujdesshëm e shumë punëtor. Shembulli i tij ka ngulitur thellë në kujtesën tonë familjare imazhin e institucionit tuaj”, ka thënë Dushi.
I lindur në Gjakovë më 25 maj të vitit 1929, akademik Dushi po në këtë qytet do të përfundonte edhe shkollën fillore. Si 15-vjeçar do të angazhohej në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Sipas biografisë së Dushit të publikuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, ai Shkollën e mes¬me teknike e mbaroi në Nish më 1950, studioi në Fakultetin e Xe¬hetarisë të Beogradit, ku diplomoi në vitin 1958.
“Doktoroi në Univer¬sitetin e Beo¬gradit në vitin 1965, që ishte njëri prej shqiptarëve të parë, e ndoshta i vetmi që ka doktoruar nga shkencat teknike në këtë Universitet”, shkruhet në biografi.
Akademik Dushi pas diplomimit punoi në horizontet e minierës së Trepçës, ku ka drejtuar Repartin e mbushjes së boshllëqeve të krijuara nga nxjerrja e xeherorit. Ky repart ishte ndër më të rëndësishmit për prodhimin e xeherorit në Kombinatin e Trepçës. Ushtroi funksione të ndryshme udhëheqëse në kombi¬natin “Trepça” si në cilësinë e drejtorit të Institutit për zhvillimin tekniko-teknologjik të Trepçës.

Pas vitit 1986 ishte zgjedhur anëtar i Krye¬sisë së Krahinës Autonome Socialiste të Kosovës, që ishte organi më i lartë drejtues i saj kohe. Sipas biografisë, ishte themelues dhe drejtues i disa institucioneve shkencore dhe mësimore-shkencore të Kosovës.
“Këto ishin: Shkolla e Lartë Teknike në Mitrovicë (1961-1966), Instituti i Plumbit dhe i Zinkut i Kombinatit ‘Trepça’ (1966-1973), Fakulteti i Xehetarisë dhe i Metalurgjisë fillimisht në Prishtinë (1970) e më vonë në Mitrovicë (1975-1979) dhe sërish në Institutin e riorganizuar në Institutin tekniko-shkencor të Kombinatit “Trepça” 1978-1981”, shkruhet në biografi.
Në vitin 1969 u zgjodh profesor inordinar i Fakultetit Teknik të Prishtinës. Në qershor të vitit 1975 u zgjodh profesor ordinar i Fakultetit të Xehetarisë dhe Metalurgjisë në Mitrovicë dhe dekan për dy mandate. Qysh nga themelimi i Universitetit të Prishtinës (1970), ishte zgjedhur zëvendësrektor i parë, kurse në vitin 1981 pas demonstratave të pranverës studentore u zgjodh rektor (1981-1983). Anëtar korrespondent i ASHAK-ut u zgjodh që nga themeli¬mi i institucionit në vitin 1975, kurse në vitin 1978 u zgjodh anëtar i rregullt.
“Rreth 5 vjet ishte në krye të Bashkësisë së Institucioneve Shkencore të Kosovës, aty përveç koordinimit të bashkëpunimit të këtyre institucioneve shkencore ka drejtuar edicionin e botimeve të më se 40 veprave shkencore të punëtorëve të këtyre institucioneve kosovare. Ka marrë pjesë në simpoziume e konferenca shkencore në vend e në botën e jashtme”, shkruhet në biografi.
Opusi shkencor dhe profesional i akademik Minir Dushit arrin mbi 180 njësi bibliografike. Nga fusha e xehetarisë ka botuar 8 vepra e afro 70 punime shkencore dhe profesionale. Ka të botuara 18 libra shkencorë, 4 janë tekste universitare – tre në gjuhën shqipe dhe një në gjuhën serbokroate – kurse 14 të tjera janë vepra të veçanta të botuara nga ASHAK-u, Universiteti i Prishtinës dhe nga Bashkësia e Institu¬cioneve Shkencore të Kosovës. “Transporti në miniera”, “Makinat minerare”, “Pajisjet minerare ngitëse”, “Makinat minerare transportuese”, “Sistemet ciklike të transportit”, “Trepça”, “Universiteti i Kosovës (1981-1983)”, “Zhvillimi i shkencave të xehetarisë dhe të metalurgjisë në Kosovë”, (1970-2005), “Veprimtaria shkencore në ‘Trepçë’ 1950-1987”, “Pasuritë minerale të Kosovës I-II”, “Qymyri i Republikës së Kosovës”, “Boksitet e Dukagjinit”, “Hajdar (Beg) Dushi, Jeta dhe veprimtaria patriotike e Heroit të Popullit”, “Xeheroret e Nikel-Kobalit të vendit tonë” dhe “Shtigjet e jetës sime”, janë midis veprave të akademik Dushit. Varrimi i akademik Dushit është bërë në varrezat e qytetit të Gjakovës të mërkurën në orën 16:00.