Kulturë

Lamtumira Tahir Emrës, piktorit të brezit të “republikës së artit”

Lamtumira e fundit iu dha Tahir Emrës të martën në Gjakovë (Foto: MKRS)

Në mbledhjen komemorative të mbajtur të martën në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovë, kolegë, miq e familjarë janë bërë bashkë për të nderuar figurën e akademik Tahir Emrës, i cili vdiq të hënën në moshën 86-vjeçare. Lamtumira e fundit iu dha po të martën në Gjakovë (Foto: MKRS)

Akademiku e profesori universitar i pikturës, Tahir Emra, të martën kur i është dhënë lamtumira e fundit është kujtuar e vlerësuar si anëtar i denjë i komunitetit që e bënë Kosovën me identitet artistik e kulturor. Sipas kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës ai ishte kontribuues i shquar i asaj gjenerate, “e cila para se Republika e Kosovës të merrte atribute politike, arritën të ndërtonin ‘republikën e artit’: ta bënin Kosovën me identitet artistik”

Në kohën kur Kosova po bëhej gati që të krijonte identitet juridik duke avancuar pozitën brenda ish-Federatës Jugosllave, gjë që do t’i hapte rrugë për mëvetësi të plotë, midis të tjerash, duhej edhe identitet artistik. 

E në grupin e vogël të atyre që bërë hapat e parë në këtë drejtim, qe Tahir Emra. Akademiku e profesori universitar i pikturës është përkujtuar e vlerësuar si anëtar i denjë i komunitetit që e bënë Kosovën me identitet artistik e kulturor. 

Në mbledhjen komemorative të mbajtur të martën në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovë, kolegë, miq e familjarë janë bërë bashkë për të nderuar figurën e akademik Tahir Emrës, i cili vdiq të hënën në moshën 86-vjeçare. Lamtumira e fundit iu dha po të martën në Gjakovë.

Piktura që “tejkalon lehtësinë e papërballueshme të interpretimit”

Kryetari i ASHAK-ut, Mehmet Kraja, ka thënë se si pjesëtar nga më të denjët e komunitetit artistik, akademik Emra bashkë me gjeneratën e krijuesve më të spikatur të këtij vendi, me shumë kurajë dhe dinjitet, në një qetësi solemne, ishte kontribuues i shquar i asaj gjenerate, “e cila, para se Republika e Kosovës të merrte atribute politike, arritën të ndërtonin ‘republikën e artit’: ta bënin Kosovën me identitet artistik”, ka thënë Kraja. Sipas tij, në suaza të kësaj tradite, Tahir Emra, u identifikua pikërisht si zë identitar, “që me heshtjen e tij të mençur e racionalizon retorikën dhe euforinë, në një kohë që ekspresivitetit ia gjen vendin në pikturën e tij substanciale, të sendërgjuar me një abstraksion të thuash gjenetik, primordial”. 

“Piktura e Tahir Emrës ka qenë dhe vazhdon të mbetet e vështirë për interpretim, për kritikë dhe analizë, jo vetëm pse i përket artit abstrakt dhe hermetik, por më shumë për faktin se piktura e tij e tejkalon ‘lehtësinë e papërballueshme’ të interpretimit të mesazheve të drejtpërdrejta”, ka thënë Kraja.

Në fjalën e tij, ai ka shtuar se piktura e Tahir Emrës nuk manifeston, ajo nuk mban etiketa njohëse dhe as shpjeguese, ajo thjesht nxit për meditim për kuptime të thella ekzistenciale, ndonjëherë më të afërta, ndonjëherë krejt të largëta.

“Koha kur u realizua opusi artistik i Emrës, kur panë dritë pikturat e tij më të rëndësishme dhe kryesore, ishte kohë e vështirë, kohë kur, njësoj si në letërsinë tonë të atëhershme, veçmas në poezi, të shprehurit artistik duhej ta mënjanonte narracionin e drejtpërdrejtë dhe duhej të kalonte përmes mesazheve të koduara dhe konteksteve universale”, ka thënë akademik Kraja. I pari i Akademisë ka thënë se piktura e Emrës e gjeti rrugën e saj konsekuente dhe krejt të veçantë, për të mbijetuar të gjitha kufizimet dhe sfidat, për të ardhur deri në ditët e sotme si një pasuri artistike që i ka qëndruar kohës dhe do t’i qëndrojë edhe për një kohë të gjatë.

“Për veprën e Tahir Emrës do të shkruhet edhe në të ardhmen, sepse secila kohë do të gjejë kontekstin e saj në këto abstragime pikturave. Piktura e Tahir Emrës është art i Kosovës dhe për Kosovën”, ka thënë akademik Kraja.

Artisti që s’pushonte në kërkim të risive

Akademik Eqrem Basha ka thënë se koha po i merr pak nga pak autoritetet e shquara të artit e të kulturës, ata që konsiderohen shtylla e themele të vlerave tona artistike. Në këtë rast ka përmendur Muslim Mulliqin, Agim Çavdrabashën, Gjelosh Gjokajn, Rexhep Ferrin e Tahir Emrën. Akademik Emrën e ka përshkruar si krah i kësaj gjenerate të artë, të jashtëzakonshme, të nismave dhe të zhvillimit të arteve pamore, të pikturës, grafikës, e skulpturës.

“Është më se mbresëlënëse se këto personalitete të arteve tona pamore nuk i ngjajnë njëri-tjetrit, nuk përsërisin njëri-tjetrin, por të pestë kanë vijat e qarta të orientimeve të tyre origjinale, edhe pse të pestë kanë të përbashkët përkushtimin në rrugën e ndjekur me vite e dekada për të krijuar një opus që duket e vlerësohet i yni, e që do t’u mbetet gjeneratave të ardhshme për të dëshmuar themelet e shëndosha mbi të cilat është zhvilluar arti shqiptar në këto anë”, ka thënë ai. 

Kritiku i artit, Basha, ka thënë se aftësia e vizatuesit e akademik Emrës shihet në embrionet e çdo tabloje. Sipas tij, janë mbresëlënëse kompozicionet që rrezatojnë harmonishëm e vizatimet e formateve më të vogla janë shpërfaqur në prezantimet e tij. 

“Piktura e Tahir Emrës shquhet me kërkimet e thella të subjektit, teksturës e strukturës së elementeve thellësisht të studiuara, kur bëhet fjalë për tablotë që janë në zgrip të abstraksionit apo për ato që paraqesin në shumë raste gjurmët e një peizazhi asociativ, me një përkujdesje të jashtëzakonshme, do të thoshim mjeshtërore, të ngjyrës dhe nuancave të kursyera, me efekte shpërthyese aty-këtu, gjithnjë të vëna me takt dhe maturi, për të mos tërhequr vëmendjen në një cep të tablosë”, ka thënë ai. Sipas akademik Bashës, me humbjen e akademik Tahir Emrës të afërmit humbën bashkëshortin, babanë, njeriun e përkushtuar për të selitur me shumë kujdes vlerat e familjes, ish-studentët e tij humbën profesorin që i bëri artistë, që u hapi udhët e horizontet, Akademia humbi anëtarin e saj të devotshëm, vlerat e të cilit i çmonte dhe i respektonte, ndërsa artdashësit humbën një artist të jashtëzakonshëm që do të rrojë dhe do të frymëzojë gjenerata e gjenerata pas nesh.

“Maestro Emra mbylli preokupimet e tij të vazhdueshme që s’pushonin të transformoheshin nga dita në ditë në tablo mahnitëse. Sot e tutje mbase nuk do të presim çka do të na risjellë, sepse ishim mësuar gjithmonë të befasoheshim me freskinë dhe risitë që s’pushonte t’i ofronte, me vullnetin që nuk njihte moshë. Por ne s’do të pushojmë të kërkojmë dhe të rigjejmë kënaqësitë e eksplorimit në tablotë e tij të shumta që na dhurojnë aq mundësi zbulimi e admirimi”, ka thënë ai. 

Në emër të familjes të pranishmit i ka falënderuar e bija e Emrës, Arjeta Emra. 

Më pas në hollin e Akademisë janë bërë homazhe duke nderuar veprimtarinë e akademikut që u lind në Gjakovë më 10 mars 1938. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mes¬men të artit më 1959 në Pejë. Në vitet 1959-1961 ishte mësues i vizatimit në vendlindje. Sipas biografisë që Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës paraqet, Emra më pas shkoi në Beograd, ku studioi në Akademinë e Arteve Figurative. Diplomoi më 1966 për pik¬turë me shpërblimin special të Akademisë në klasën e profesorit Nedelko Gvoz¬denoviq. Më 1967 Emra u zgjodh ligjërues, e pastaj profesor në Shkollën e lartë Pedagogjike të Prishtinës, Katedra e Arteve Figu¬rative.

Studimet pasuniversitare i vijoi tek i njëjti profesor në Beograd. Magjistroi më 1970. Më 1974 u zgjodh docent për vizatim dhe pikturë në Akademinë e posathemeluar të Arteve Figurative të Universitetit të Prishtinës. Ka qenë docenti dhe prodekani i parë shqiptar i Akademisë së Arteve Figurative, pastaj shef katedre në dy mandate etj. Më 1978 u zgjodh profesor inordinar, e pastaj më 1982 profesor ordinar, deri kur u përjashtua nga Fakulteti i Arteve – më parë Akademia – më 1991 nga dekanati dhunshëm.

“Për disa vjet ka mbajtur mësim me studentët në atelienë e shtëpisë së tij. Pastaj klasa e tij e pikturës ka vazhduar punën nëpër shtëpitë-fakultete dhe në fund, pas çlirimit, në objektet e Fakultetit amë. Me themelimin e Universitetit të Tetovës, më 1994, ka mbajtur mësim në lëndët vizatim dhe pikturë në Akademinë e Arteve Figurative deri në vitin 2004”, shkruhet në biografinë e Emrës. Ndërkohë, ai ishte edhe anëtar i Komisionit amë për themelimin e Akademisë së Muzikës të Universitetit të Prishtinës më 1976, anëtar i Komisionit të Qeverisë së Jugosllavisë për zhvillimin dhe përparimin e arteve figurative të fondit “Mosha Pijade” më 1972, anëtar i Këshillit të Ku¬vendit Federativ të Jugosllavisë për ndarjen e shpërblimit të AVNOJ-it më 1978. Piktori Emra do të zgjidhej anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës në vitin 2000, ndërsa anëtar i rregullt në vitin 2008. Më 2020 qe laureat i çmimit për vepër jetësore në artet pamore, “Muslim Mulliqi”, ndarë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. 

E vepra jetësore e Emrës hyn tek ato personazhe që kujtohen e nderohen sa herë që flitet për fillet e identitetit artistik të vendit.