Thirrje për bashkim shqiptarësh, interpretim i një takëmi të përzgjedhur veprash botërore klasike e aso shqipe dhe arti që tejkalon dhimbjen, kanë përshkuar mbrëmjen e së shtunës që shtroi qilimin e mbrëmjes operistike në kryeqytet
Mbrëmja klasike e së shtunës në Prishtinë do të mbamendet disafish. Triumfi i rikthimit pas një viti përplot zoritje ka marrë edhe një tjetër përmasë. Me mesazhe e thirrje për bashkim mes shqiptarësh, arti është dëshmuar për fuqinë e tij të pabesueshme për të kapërcyer edhe dhimbjen më të rëndë. Vdekja e nënës së tenorit Ramë Lahaj disa orë para se të gjitha rrugët e kryeqytetit të nyjëtoheshin në sheshin kryesor – aty ku lartohej podiumi i mbrëmjes “Ramë Lahaj dhe miqtë” – nuk ka sprapsur atë dhe mysafirët.
Më shumë se dy mijë veta që e kanë përcjellë koncertin operistik janë mirëseardhur me një interpretim të veprës “Baresha”, nën orkestrimin e Gridi Krajës.
“Kjo mbrëmje nuk mund të fillonte assesi pa muzikën e së madhes sonë, Nexhmije Pagarusha, e cila është përherë në zemrën e shpirtin tonë. Ne jemi rritë e do të plakemi me të sepse kualitetet e saj nuk kanë një të dytë”, ka thënë Lahaj me t’u ngjitur në skenë.
“Një fillim i mbarë”
Me një shkëputje spanjolle – si “Granada” e Agustin Laras – anëtarët e Orkestrës së Filarmonisë së Kosovës i kanë mbajtur ison interpretimit zëbuçitës të Lahajt. Në krye të tyre ka qenë dirigjenti italian Antonello Allemandi.
Në ndërmjetëkohët mes veprave të reportorit, tenori 38-vjeçar nuk ka ngurruar të vërë në pah kënaqësinë që edicioni i parë i “Ramë Lahaj International Opera Festival” e kaloi provën e zjarrit. Duke falënderuar për mbështetje institucionet shtetërore në vend si dhe Ambasadën e Zvicrës, ai ka mirëseardhur në skenë baritonin 35-vjeçar nga Italia, Simone Piazzola. Aq e këndshme kishte qenë për këtë të fundit mikpritja, sa miqve e bashkëpunëtorëve u kishte thënë se do të donte të jetonte në Prishtinë.
Me këtë rast, baritoni i dhuntishëm ka interpretuar fuqishëm veprën “Andrea Chénier” të Umberto Giordanos.
“Për një miqësi të bukur”
E po kështu kohështrirja disaminutëshe është bërë një kaptim i pakohshëm gjatë duetit të Lahajt me sopranon kroat, Lana Kos.
Këtij interpretimi i ka paraprirë falënderimi për mbështetjen e dhënë nga shteti kroat ndaj viktimave shqiptare të aksidentit me epilog tragjik, ku humbën jetën 10 mërgimtarë.
Kështu, dy zëra unikë, nëpërmjet libretos “Un dì, felice, eterea” të Verdit, e kanë bërë ndjesinë kolektive të mbrëmjes edhe më të fortë me: “Un dì, felice, eterea,/ Mi balenaste innante…” (Një ditë, e lumtur, eterike, m’u behe përpara…).
“Që shqiptarët të jenë të bashkuar”
Në minutat në vazhdim është ndërfutur në formë videoje projekti i tenorit që ishte realizuar mes muajve të makthtë të pandemisë, por me thirrje gjithë kurajë. “Për ty atdhe”, e orkestruar nga Shpetim Saraçi, ka kumbuar edhe më e veçantë kur Lahaj e cilësoi atë si përbashkuese për një projekt që do të endej mes Prishtinës, Prizrenit dhe Tiranës.
“Sado që ka momente kur individë të caktuar provojnë të krijojnë një lloj destablizimi mes shqiptarëve andej e këndej, ne me këtë projekt bëjmë me dije se të gjithë shqiptarët janë një”, ka thënë ai për t’u pasuar me duartrokitje të gjata nga të pranishmit.
“Opera të mos mbetet në letër”
Deserti i radhës nga miqtë ishte performanca singulare e tenorit shqiptar që jeton në Suedi, Xhelal Bakraqi. Aria romantike e Giacomo Puccinit “E lucevan le stelle” ngjau e tjetërfarë në interpretimin e saj prishtinas.
Duke e përshëndetur vendimin e fundit të Kuvendit të Kosovës, që themeloi për herë të parë institucionin e Operës, Lahaj ka kërkuar që “ky ligj të mos mbetet vetëm në letër”. Ai ka thënë se edhe orientimi i festivalit të sivjetmë drejt edukimit të brezave të rinj krijues është një hap drejt këtij synimi.
“Pa qenë njëherë i vogël nuk mund të jesh i madh”, ka thënë Lahaj.
“Mërgimtarët janë dritë për ne”
Duke i zënë në gojë për të dytën herë “individët që krijojnë një irritim të vogël” (një aludim ky për ftesën e bërë këngëtarit kontrovers Goran Bregoviq në Korçë), Lahaj ka kërkuar nga publiku që t’i bashkohet me drita telefonash interpretimit të këngës “O moj e bukura Arbëri” të interpretuar nga Adhurim Grezda e në shoqërimin e Endrit Xerxes.
“Le të jetë ky një kushtim për mërgimtarët tanë, që janë dritë për ne”, ka thënë ai.
E përmbyllja e mbrëmjes zor që mund të ketë qenë më e papritur. Duke i kërkuar falje publikut që nuk është performuar as një e treta e repertorit, Lahaj ka dhënë kumtin e zi.
“Dy orë para se të nisesha për në koncert mora vesh se nëna ime nuk jeton më”, ka thënë Lahaj.
Me ngritje në këmbë e duartrokitje është përcjellë ngushëllimi i publikut për tenorin e mbrëmjes.
Luzha: “Forcë e madhështi përmes artit”
Profesoresha e muzikës, Besa Luzha, mes emocioneve ka thënë se pavarësisht se lajmin e vdekjes e kishin marrë gjatë ditës ishte vendosur që të mos hiqej dorë nga koncerti. Lahaj, sipas saj, ka dhënë gjithçka për festivalin që prej 15 korrikut kur kishte ardhur në Prishtinë.
“E falënderoj Lahajn për forcën e madhështinë e tij që t’i kënaqë njerëzit në shesh pavarësisht dhembjes që kishte”, ka thënë Luzha për KOHËN.
E edicioni i parë i festivalit që e nismon traditën e eventeve operistike në vend, sipas saj, ishte një përvojë për vështirësinë e organizimit, por edhe përkujtues për rëndësinë e hapësirës infrastrukturore dhe mekanizmave që organizojnë ngjarje të tilla.
“Shpresoj që vitin e ardhshëm të kemi mundësi të akomodojmë edhe më shumë njerëz”, ka shtuar ajo.
Profesoresha Luzha e ka quajtur domethënës faktin që ky festival ka ecur paralelisht me vendimin për themelimin e Operës së Kosovës si institucion. Ajo, me këtë rast, është shprehur bindjeplotë që kjo do të rezultojë me sukses, duke përvijuar shembullin e Filarmonisë së Kosovës.
“Mësimet e marra nga Filharmonia me siguri se do të na shërbejnë edhe për Operën”, ka thënë Luzha.
(Foto: Arben Llapashtica)
Bakraqi: “Kosova ka resurse”
Si njëri nga anëtarët e korit të Radiotelevizionit të Prishtinës, Xhelal Bakraqi është shprehur i lumtur që u rikthye në kryeqytet me një interpretim e në një mbrëmje të tillë. Ai ka thënë se ndjenjat e mira gjatë koncertit janë pasuar me tronditje kur u mësua vdekja e nënës së tenorit Lahaj.
“Por kështu e kemi ne artistët, që pa marrë parasysh asaj që ndodh në familje, paraqitesh në koncert dhe u bën ballë edhe këtyre rasteve”, ka thënë Bakraqi.
E tenori i cili prej vitesh punon në Operën e Malmos në Suedi, i është gëzuar lajmit për themelimin e Operës në vend.
“Mendoj se ka resurse Kosova, por duhet të bëhet shumë punë”, ka thënë ai.
Jashari: “Mrekulli nga Rama e nga publiku”
Drejtori i Filarmonisë së Kosovës, Baki Jashari, e ka cilësuar projektin e sivjetmë si mjaft voluminoz për faktin që për herë të parë në vend u fillua me një festival operistik.
“Si Lahaj, si solo këngëtarët e njohur që morën pjesë në këtë mbrëmje, dhanë një spektakël të vërtetë për dashamirët e artit të mirëfilltë muzikor”, ka thënë Jashari.
Për thuajse një orë sa kanë zgjatur interpretimet, ai ka thënë se i ka bërë përshtypje pritja nga ana e publikut.
“Ishte një koncentrim tepër i madh për t’i ndjekur veprat që interpretoheshin njëra pas tjetrës”.
Për Jasharin, një “mrekulli” si kjo duhet të shfrytëzohet edhe nga ana e institucioneve shtetërore për të shtyrë përpara punën për Operën që, sipas tij, “tash ka krijuar bazamentin e saj”.
E duke folur për “fundin” e mbrëmjes, ai ka thënë se Lahaj u bë shembulli i artistit që tejkalon dhimbjen.
“Pavarësisht se ishte humbje për të, kjo nuk ndikoi as në performancën e Lahajt dhe as në mbarëvajtjen e koncertit, gjë që flet për kalibrin e një artisti të madh që ka Kosova”, ka shtuar Jashari.