Në epokën kur edhe në art çon krye Inteligjenca Artificiale e debati për të është në kulm, një vepër e para gati një çerekshekulli ruan fuqinë e freskinë e saj edhe në këtë kontekst. Është pyetja “Kush e vrau pikturën?”, të cilën mjeshtërisht e shtronte Driton Hajredini më 2003, duke e shndërruar në kufi e dilemë midis artit tradicional dhe atij konceptual që kishte marrë hov. Me të njëjtën satirë i flet edhe së tashmes, njësoj si atëherë kur në njëfarë forme alarmonte për “vdekjen” e mundshme të pikturës. Vetë instalacioni e konfirmon jo vetëm jetëgjatësinë e vet, por edhe të shprehjeve artistike. Ato nuk vdesin, por ndërrojnë trajtë
Kosova e pasluftës do të ishte destinacioni për shumë artistë të huaj. Qe viti 2003 kur gjermani René Block, kuratori me nam në botën e artit, do të zbulonte artin konceptual të skenës artistike të Ballkanit. Aty ishte edhe Kosova. Do të përzgjidhte veprat që do të ishin pjesë e një alamet ngjarjeje në Gjermani.
Artisti Driton Hajredini, si piktor e artist fanatik ndaj mediumeve tradicionale të artit, do të dilte jashtë kornizave të tij duke e parë si mundësi të mirë përzgjedhjen e veprës së tij nga një emër i shquar si Block.
Një ditë para përzgjedhjes do të krijonte instalacionin “Kush e vrau pikturën?” Gati çerekshekulli pas, ajo komunikon me publikun në ish-shtëpinë e mallrave “Gërmia” në Prishtinë në rrethana të reja.
Një pikturë imagjinare ka zënë vend në dyshemenë e njërës prej dhomave ekspozuese, në atë që tani quhet “Reporting House Gallery”. Të bardha janë kornizat, sipërfaqja e zbraztë. E shtrirë përtokë, si pikturë e vrarë, bash si titulli i veprës. Rrethanat bëhen të ditura nga shiriti me të cilin rrethohet. Me mbishkrimin “Shiriti i policisë, mos kaloni”, mbahet nga katër shtylla.
Duket sa e afërt fizikisht, aq e paarritshme, e paprekshme. Ndriçimi e fokuson objektin dhe sikur e hijezon atë që vetë vepra pyet, se kush e vrau pikturën?
Autori i veprës, Driton Hajredini, e ka të freskët frymëzimin e tij për veprën e krijuar këtu e 23 vjet më parë.
“Menjëherë pas luftës ka pasur shumë shirita nëpër Gërmi, nëpër Prishtinë, që tërhiqnin vërejtje për mina e të tjera. Kështu ajo më ngacmonte shumë dhe thosha se ndonjë ditë do të bëja diçka. Në fakt, Kosova u bë shumë interesante për kuratorë të huaj të mëdhenj dhe vinin në vitet 2001 e 2002, por të gjithë ishin të interesuar për mediume të reja. Unë isha piktor dhe ata ishin më shumë të interesuar për video, instalacione”, ka thënë Hajredini të premten pasdite në vernisazhin e ekspozitës së tij që mban emrin e veprës.
Ka kujtuar se si veprën e punoi veç një ditë para se atë ta prezantonte para kuratorit botëror, i cili më pas këtë vepër do ta fuste në koleksionin e veprave të tij “Sammlung Block”.
“Kur mora vesh se do të vijë kuratori, momentalisht më i madhi në botë, René Block, e pashë që pikërisht me pikturën nuk ka asgjë të përbashkët dhe vendosa ta bëj këtë instalacion. E punova të dielën, të hënën kishim prezantimin. E kam bërë një foto të kësaj, si dhe 13 piktura, ai vendosi ta marrë këtë instalacion. Mandej e ka marrë edhe si pronë në koleksionin e tij, që është prej më të mëdhenjve në botë”, ka kujtuar artisti Hajredini.
Deri në atë kohë ai qe vetëm piktor. “Kush e vrau pikturën?” qe e para punë jashtë mediumit që i qëndronte besnik. Prej aty, artisti i lindur në vitin 1970 në Prishtinë, do të zhvillonte praktikë të larmishme artistike, ku pos pikturës, përfshihen video, instalacioni, fotografia e filmi.
Vepra e ekspozuar të premten pasdite qe një lloj kthese në karrierën e artistit.
“Ky ka qenë një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm për mua, pasi kam qenë vetëm piktor i përbetuar, mirëpo fillova ta mendoj pak më ndryshe qasjen ndaj mediumeve të tjera, ndaj instalacionit, videos, fotografisë. I thashë vetes që me rëndësi është ideja dhe se në cilin medium ideja shfaqet më fuqishëm. Këtë mendim e vazhdova. Ky është instalacioni i parë i imi i realizuar, mandej kam bërë edhe video, fotografi. Por ende e vazhdoj pikturimin”, ka thënë Hajredini.
Humori e ironia përvijohen në vepër.
“Nga ana konceptuale kam qenë të fus edhe pak satirë, humor në veprat e mia”, ka thënë ai për veprën që figurativisht projekton një skenë krimi. Me të edhe vë në pikëpyetje rëndësinë dhe pozitën e pikturën tradicionale në epokën e dominuar nga mediat e reja.
Kuratori i “Reporting House”, Gazmend Ejupi, ka thënë se me këtë vepër nis një program i ri i ekspozitës së hapur në qershor me rastin e 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës.
“Tash kemi filluar me një program të ri, ku e kemi inkuadruar një galeri, quhet ‘Reporting House Gallery’, e cila e ka një program deri në tre vjet që merret me artistët pas viteve 2000. Ky është një lloj aneksi shtesë i ekspozitës me artistët e kësaj periudhe që kanë filluar të kenë qasje në skenën e artit ndërkombëtar. Driton Hajredini është njëri prej tyre”, ka thënë Ejupi.
Vepra “Kush e vrau pikturën?” ishte ekspozuar në Gjermani në kuadër të ekspozitës “In the Gorges of Balkan”, ku kishin marrë pjesë 90 artistë nga vendet e ndryshme të Ballkaniit. Në mesin e tyre edhe artistët nga Kosova, si: Jakup Ferri, Dren Maliqi, Merita Harxhi-Koci, Driton Hajredini e të tjerë. Njëzet vjet pas, në korrik të 2023-tës veprat e këtyre artistëve u shfaqën në Prishtinë, në “Galerinë 17”, në Prishtinë.
Artistja Eliza Hoxha ka thënë se e pati parë këtë vepër të Hajredinit derisa vlerëson se ajo e kapërcen pikturën.
“Për mua nuk është hera e parë që e shoh këtë vepër, e njoh goxha mirë punën e Dritonit. Vepra është ironike dhe flet për reflektim, për kohën bashkëkohore, në të cilën mjet komunikimi artistik nuk është më vetëm piktura dhe vetëm përshkrimi artistik dhe estetik. Janë koncepti, ideja, filozofia, e cila e kapërcen edhe pikturën, por që nuk do të ishte dashur ta përjashtonte pikturën”, ka thënë Hoxha.
Regjisorja Zana Hoxha është shprehur se vepra ngre pyetje për vendin e krimit dhe për atë që mund të fshehë të vërtetën.
“Për mua është një vepër e cila evokon emocion, sepse të bën të reflektosh brenda vetes se çfarë do të mund të kishte aty, në vendin e krimit. Çfarë është vendi i krimit sot? Është edhe diçka që mund ta shohim apo të mos e shohim fare. Thjesht mua m’u duk një vend ku mund të fshihet edhe e vërteta që është mbuluar në një mënyrë. Ky arti bashkëkohor të evokon më shumë mendim dhe emocion sesa të jetë literalisht fizik aty”, ka thënë regjisorja Hoxha.
Me këtë vepër, sipas përshkrimit, artisti Hajredini fton shikuesit në meditim më të thellë të trajektores së artit.
“Te ‘Kush e vrau pikturën?’, Hajredini shqyrton paradigmat zhvendosës të shprehjes artistike, duke vënë në pikëpyetje rëndësinë dhe pozitën e pikturës tradicionale në një epokë të dominuar nga mediat e reja dhe format e artit konceptual. Instalimi i shtyn shikuesit të reflektojnë mbi ‘vdekjen’ e mundshme të pikturës si medium dhe të marrin në konsideratë faktorët që kontribuojnë në rënien apo transformimin e perceptuar të saj”, shkruhet aty.
Më tej, bëhet e ditur se vepra inkurajon dialog rreth vlerës dhe evolucionit të mediumeve artistike në kulturën bashkëkohore.
“Ndërsa detajet specifike rreth komponentëve të instalimit janë të kufizuara, titulli dhe konteksti sugjerojnë një hetim kritik në dinamikën e botës së artit, ndoshta duke trajtuar çështje të tilla si komercializimi, përparimet teknologjike, dhe ndryshimi i perceptimeve të audiencës”, shkruhet më tej për instalacionin e Hajredinit.
Vepra “Kush e vrau pikturën?” mund të shihet në “Reporting House” për tre muaj.