Kulturë

“Kur qeniet takohen” në Galeri, nxjerr veprat e koleksionit

“Kur qeniet takohen” në Galerinë Kombëtare të Kosovës (Foto: GKK)

“Kur qeniet takohen” në Galerinë Kombëtare të Kosovës (Foto: GKK)

Galeria Kombëtare e Kosovës ka nxjerrë prej koleksionit vepra që kanë emërues të përbashkët qenien jonjerëzore. I ka bërë bashkë veprat e 24 artistëve, emra të shquar të artit pamor në periudha të ndryshme kohore, në ekspozitën kolektive të titulluar “Kur qenit takohen”. Është një kapitull i fundshekullit XX. 

Nëpërmjet një komunikate për media, GKK-ja i fton vizitorët për shpalosjen e këtyre veprave deri më 27 tetor sa vazhdon të jetë e hapur ekspozita, teksa zbërthen konceptin e saj. 

“Arti ka një histori të ndërthurur ngushtë me përfaqësimin e jetës dhe identitetit, si dhe të pozitës së njerëzve në raport me qeniet jonjerëzore”, shkruhet në komunikatë. Sipas GKK-së, kjo ekspozitë ka pikënisje prezantimin e kafshëve në artin pamor për një periudhë të gjatë kohore. 

“Veprat e përzgjedhura përshkojnë përfaqësimin e thjeshtë të kafshëve duke i paraqitur ato në mjedise imagjinare dhe reale dhe duke mjegulluar hierarkitë mes qenieve”, shkruhet në komunikatë. 

“Kur qeniet takohen”, takon veprat e  Dragoljub Axhiqit, Isak Asllanit, Bogdan Bordçiqit, Agim Çavdarbashës, Emir Draguljit, Tahir Emrës, Mikel Gjokajt, sikurse edhe ato të Zoran Jovanoviqit Dobratinit, Adem Kastratit, Florika Ketës, Zoran Karalejiqit, Stevan Knezheviqit, Hysni Krasniqit e Hyrije Krypës. Në mesin e artistëve veprat e të cilëve ekspozohen, janë edhe Ibrahim Kodra, Ivan Lovrençiq, Lizzie Lundberg, Muslim Mulliqi, Radoslav Musa Miketiq, Helmtrud Nyström, Sava Sandiq, Nysret Salihamixhiqi, Zef Toçi e Fevzi Tüfekçi.

Sipas GKK-së, ndër vite, “imazhet e kafshëve kanë marrë rol të rëndësishëm në eksplorimet artistike, shpesh duke kapërcyer racionalen e duke u dhënë jetë të re krijesave që na mundësojnë të vëmë në pyetje ekuilibrin ekologjik”. 

“Në veprat e Tahir Emrës dhe Ivan Lovrenciç dallojmë një qasje e cila e vë në qendër njeriun, e që theksohet më tutje në pikturat e Florika Ket dhe Adem Kastratit, të cilat përshkruajnë ndërlidhjen e njerëzve dhe kafshëve në përditshmërinë e mjediseve rurale. Piktura e Mikel Gjokajt dhe skulpturat e Radoslav Musa Miketiqit dhe Dragoljub Axhiqit, mistifikojnë dhe materializojnë me cilësi antropomorfe qeniet njerëzore dhe ato jonjerëzore. Të tre artistët i referohen figurës mitologjike greke Ikarus, që u shua pasi fluturoi shumë afër diellit i cili i shkriu krahët prej dylli. Figurat e zogjve që shpesh simbolizojnë lirinë, komunikimin dhe migrimin, janë një motiv i përsëritur në një numër veprash duke përfshirë vizatimet e Zoran Jovanoviq Dobratinit, Isak Asllanit dhe Fevzi Tüfekçit”, shkruhet në koncept. 

Ekspozita e kuruar nga Hana Halilaj e asistuar prej Shkamb Jakës, e ka marrë titullin prej librit “Kur qeniet takohen” të Donna Harawayt, e cila zbërthen raportin midis njerëzve dhe kafshëve. “Figurat nuk janë paraqitje apo ilustrime didaktike, por nyja apo nyja materialo-semiotike, në të cilat trupat dhe kuptime të ndryshme bashkëformësojnë njëra-tjetrën”, citohet Haraway.  Sipas konceptit, duke shqyrtuar tjetërsimin dhe bashkëjetesën, ekspozita kthehet në një fole takimesh të ndryshme në artin pamor dhe krijon hapësirën për të kuptuar ndërlidhjen e të gjitha formave të jetës brenda natyrës. GKK-ja ka njoftuar se gjatë kohës sa është e hapur ekspozita, do të zhvillohet programi i edukimit që përfshin udhërrëfime në ekspozitë si dhe programin për familje. “Galeria fton vizitorët të bëhen pjesë e këtij programi gjithëpërfshirës dhe të shfrytëzojnë rastin të mësojnë detaje dhe informata më të hollësishme për artistët në koleksionin e galerisë. Udhërrëfimet e ndërmjetësuara zhvillohen çdo javë nga e enjtja deri të dielën, duke përfshirë programin për familje që zhvillohet vetëm në fundjavë”, shkruhet në komunikatë.