Kulturë

Kultura në pandemi: Pezullimi i aktiviteteve dhe sinjalet e para drejt ringjalljes

Foto: Driton Paçarada / KD

Jeta kulturore u paralizua më 12 mars, me vendim të Qeverisë së Kosovës që përcaktonte masat e parandalimit të shpërndarjes së koronavirusit.

Institucioneve publike të kulturës iu vu dryni dhe të gjitha aktivitetet u pezulluan.

Pas disa ditëve pa ofertë kulturore, Teatri i Gjilanit e theu akullin, duke dhënë shfaqjen e parë online në Ditën Botërore të Teatrit.

Institucionet e tjera e ndoqën këtë shembull, duke gjetur mënyra alternative që ta mbajnë audiencën afër me shfaqje, koncerte e ekspozita virtuale.

Pandemia e nxori në pah edhe kreativitetin e artistëve të pavarur, të cilët në kushte shtëpie realizuan performanca kreative.

Dy muaj më vonë, u dhanë sinjalet e para drejt ringjalljes së jetës kulturore në vend, por ndikimi i pandemisë në planifikimet e pjesës së parë të vitit është i dukshëm.

Për shkak të pandemisë, Filarmonia e Kosovës e anuloi paraqitjen në Hungari e festivalet e muzikës serioze, “DAM Festival”, “Chopin Piano Fest Prishtina” e “ReMusica” të planifikuara për fillimvit, u shtynë për në vjeshtë.

As skena e pavarur e kulturës nuk ka mbetur e paprekur nga kjo situatë dhe rikthimi drejt normalitetit është sfidues.

Sipas gazetarit Shaban Maxharraj, pakoja emergjente e planifikuar për sektorin e kulturës vazhdon të ngelet veç një muhabet.

Sipas planifikimeve të Ministrisë së Shëndetësisë, prej 18 majit planifikohet hapja e muzeve dhe galerive, derisa teatrot dhe kinematë janë planifikuar të hapen prej 2 qershorit.

Zyrtarë të Ministrisë së Kulturës thonë se rihapja e institucioneve publike të kulturës do të monitorohet.

Për shkak të pandemisë, është vonuar edhe ndarja e subvencioneve për kulturë në konkursin e Ministrisë së Kulturës që u mbyll më 28 shkurt.

Kultura në pandemi u përball me situatë të jashtëzakonshme, duke nxjerrë në pah mangësitë e institucioneve publike, por edhe kreativitetin e atyre që e shfrytëzuan artin për t’i bërë më të lehta ditët e izolimit.