Përderisa as në ditën e dytë nuk ka fluks vizitorësh, Panairi i Librit ka sjellë edhe përurimet e radhës. Të enjten ishin paraparë të realizoheshin disa promovime librash e aktivitete të tjera në shërbim të librit dhe diskutimeve letrare. Dita nisi me promovimin e librit “Dy gratë e një burri” nga autorja Laura Olldashi dhe “Një zarf i vonuar nga Marburgu” të autores Dorina Hoxha. Është promovuar libri “Kultura letrare – Krijimi, leximi, studimi i letërsisë dhe përurimi i veprave letrare dhe shkencore“ nga profesor Isak Shema, përderisa ka dështuar aktiviteti për 100-vjetorin e vdekjes së Franc Kafkës
Përderisa presin lexues e vizitorë, edhe përurimet janë shndërruar në pjesë përbërëse të Panairit të Librit në Prishtinë. Edhe në ngjarje si këto përgjigjja ishte natyrisht libri – ashtu si edhe motoja e sivjetme – por duke matur pulsin e librashitësve dhe trafikut gjatë ditës së enjte në Panair shihet se çështja qëndron te pyetjet, aftësia për t’i ndërtuar ato. Në itinerarin e ditës së dytë, të enjten, ishin paraparë të realizoheshin disa promovime librash e aktivitete të tjera në shërbim të librit dhe diskutimeve letrare. Dita nisi me promovimin e librit “Dy gratë e një burri” nga autorja Laura Olldashi dhe “Një zarf i vonuar nga Marburgu” të autores Dorina Hoxha.
Diçka që është evidentuar edhe në ditën e dytë në Panairit, është fakti se pjesa me e madhe e vizitorëve përbëhet prej grupeve të organizuara të nxënësve. Ndërkaq librashitësit, edhe në ditën e dytë nuk janë fort të kënaqur. Ka pasur nga ata që për KOHËN kanë deklaruar se nuk kishin bërë ende sefte. Meqë Salla e Kuqe, Atelieja e Pallatit dhe foajeu janë vërshuar nga dhjetëra shtande, aktivitetet e Panairit mbahen në hollin e katit të dytë. Mesdita qe e rezervuar për një ndër emrat protagonistë të studimeve të letërsisë shqipe.
Është promovuar libri “Kultura letrare – Krijimi, leximi, studimi i letërsisë dhe përurimi i veprave letrare dhe shkencore“ nga profesor Isak Shema. Në mënyrë përmbledhëse, ky libër është prezantuar si një sintezë e njohurive dhe studimeve shumëvjeçare në fushën e letërsisë, të veprimtarisë arsimore, kulturore dhe shkencore në studimet albanologjike dhe më gjerë të Shemës. Në përurimin e librit, botim nga shtëpia “Artini”, Shema ka qenë fjalëpakë. Është ndalur te procesi rreth distilimit deri në këtë vëllim libri. “Kultivimi i kulturës letrare realizohet nëpërmjet proceseve të vazhdueshme të krijimtarisë artistike, leximit, të shkrimit dhe të aktiviteteve, diskutimeve dhe të veprimtarive të tjera arsimore, kulturore dhe shkencore me fokus në librin dhe letërsinë”, ka thënë ai.
Sipas tij, çdo vepër letrare ka historikun e vet. “Procesi i krijimtarisë letrare është shumë kompleks, siç është implicite edhe procesi i studimit dhe i vlerësimit të veprës artistike. Përvoja krijuese e shkrimtarëve më të afirmuar ka dëshmuar se procesi krijues i veprës kalon në disa faza. Ismail Kadare, duke pasur parasysh përvojën botërore të krijimtarisë artistike, por edhe praktikën e vet krijuese, ka thënë se akti i parë i krijimit është ‘mbjellja’”, ka thënë Shema. Ka shtuar se “Kultura letrare” përfshin “dituri, aftësi dhe kompetenca konkrete që zhvillohen përmes edukimit dhe arsimit”.
Pas këtij promovimi ishte paraparë që me një aktivitet të shënohej edhe 100- vjetori i vdekjes së Franz Kafkës, por dështoi ngase nuk u paraqit askush. Por, gjatë promovimit të librit të tij, Isak Shema e ka vënë theksin te fuqia e librit duke e cituar Kafkën.
“Kafka thoshte se më interesant është leximi se procesi i krijimit. Leximi e çon njerëzimin përpara për të arritur krijimtari më të gjera dhe tani pason edhe studimi ”, ka qenë mesazhi i Shemës për audiencën derisa me vështirësi dëgjohej nga zhurma e fëmijëve në foajeun e katit të poshtëm.