Kulturë

“Kuadrot e së ardhmes” ia hap dyert gjeneratës së re në film

Skene nga filmi Dorina

Festivali ndërkombëtar i filmit në Prishtinë “PriFest” ua ka hapur dyert studentëve jo vetëm me shfaqjen e filmave të tyre, por edhe me debate e diskutime për mundësinë dhe qasjen në industrinë e filmit. “Kuadrot e së ardhmes”, është pagëzuar ky aktivitet dyditor me kuptim të shumëfishtë njësoj sikurse edhe ngjarja. Nëpërmjet veprave të tyre të shfaqura në “Kino Armatë” shihen e ardhmja dhe potenciali (Në foto: Skenë nga filmi “Dorina” i Hana Salihut)

Ekranin e madh të “Kino Armatës” në Prishtinë, festivali ndërkombëtar i filmit në Prishtinë, “PriFest” e ka ndezur për filmat studentorë. Ka qenë një organizim i veçantë prej festivalit i cili sivjet në shtator shënoi edicionin e 16-të, por që tash ka hapur edhe këtë kapitull me synim që gjeneratës së re të filmbërësve në Kosovë, jo vetëm t’u krijojë hapësirë, por edhe të krijojë ura bashkëpunimi midis tyre e t’u hapë shtigje në industrinë e filmit. Nëpërmjet veprave të tyre, shihen e ardhmja dhe potenciali. 
“Kuadrot e së ardhmes”, është pagëzuar ky aktivitet dyditor, që ka nisur të martën. Ka kuptim të dyfishtë. Pos shfaqjes së pesë filmave, janë organizuar edhe diskutimi dhe tryeza e rrumbullakët. Nata e parë ka sjellë pesë filma të shkurtër të studentëve të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës dhe diskutimet për to.  

Fatos Berisha, drejtor i “PriFestit” ka thënë se “Frames of the Future” ose “Kuadrot e së ardhmes”, ka një bukuri unike pikërisht edhe te dykuptimësia e titullit, pasi fjala “kuadro” lidhet si me kuadrot e filmit, ashtu sikurse edhe me kuadrot e së ardhmes që dalin nga Fakulteti i Arteve.

“Studentët po besojmë që kanë një benefit, se i prezantojnë punët e tyre në një festival, në një ambient të një kinemaje para opinionit publik. Para kolegëve, para komunitetit dhe kjo krijon përvoja të reja. Është mirë për një vizibilitet që u japim atyre si një festival”, ka thënë Berisha. 

Studentët e filmit dhe industria, kanë një shkëputje në mes. E pikërisht, ky organizim bëhet për ta ndryshuar këtë situatë. 

“Gjithmonë po kalon një kohë deri studentët po njoftohen me industrinë me producentët e filmit, derisa po kalojnë në botën reale të filmit nga shkolla. Dhe ne kemi menduar që ta mbushim këtë zbrazëtirë duke i bërë bashkë këta dy komponentë që ta shpejtojmë njoftimin mes vete”, ka thënë Berisha. 

Audienca, e përbërë nga studentë të Fakultetit të Arteve, krijues të rinj dhe dashamirës të filmit, ka krijuar një atmosferë të gjallë duke ndarë emocione dhe reflektime për filmat.  

Hazir Haziri, dekan i Fakultetit të Arteve ka thënë se infrastruktura ka munguar plotësisht në periudhën kur kanë studiuar ai dhe të tjerë. Sipas tij, sot studentët kanë kushte shumë më të avancuara, përfshirë infrastrukturën filmike.

Por dikur, një adresë e veçantë për studentët jo vetëm të Kosovës por edhe të huaj, ka qenë festivali ndërkombëtar i filmit dhe teatrit për studentë “Skena Up”, që u themelua në vitin 2003. Pas 12 edicioneve, më 2015, në mungesë fondesh, u shua. Atë vit, në shenjë proteste do të shfaqej “Metropolis” filmi pa zë gjerman i vitit 1927 nën regji të Fritz Lang. Tash, shumica e festivaleve vendore kanë edhe kategorinë e studentëve, ndërkohë që edhe Fakulteti i Arteve e ka freskuar programin. 

“Bashkëpunimi mes profileve të studimit funksionon që prej vitit 2021. Ne kemi provuar vazhdimisht të avancojmë sa i përket programit të studimeve, duke përfshirë programe të reja për të cilat Kosova ka pasur kuadër deficitar. Në këtë kuadër hyjnë fusha si produksioni, kamera, montazhi, skenografia, dizajni i skenës dhe kostumet, të cilat janë bërë pjesë e programeve të studimeve nga viti 2021”, ka thënë Haziri.

Regjisori Ismet Sijarina, shef i Katedrës së Regjisë së Filmit dhe Televizionit në Fakultetin e Arteve, ka qenë ai që bashkë me kolegë të tij kanë bërë përzgjedhjen e filmave. Ai ka thënë se programi është përgatitur në mënyrë që të vërë në pah punën ekipore. 

“’PriFesti’ ka luajtur rol të rëndësishëm që na e ka bërë këtë lidhje me producentë, sepse e kemi pasur problem ta establishojmë deri tani. Gjithashtu edhe për këtë prezantim kaq të dinjitetshëm për shkollën tonë”, ka thënë Sijarina. 

Katër prej pesë filmave të shfaqur të martën mbrëma janë realizuar prej studenteve e ky ka qenë një fakt të cilin e ka theksuar edhe regjisori Fatos Berisha. “Kosova vazhdon të jetë lider në rajon për pjesëmarrjen e grave në regji filmi”, ka thënë ai. 

“Behind the Doors”, nën regji të Artiola Gashit, studente e vitit të tretë në regji, ka qenë njëri prej pesëshes së filmave të shfaqur. Ka për temë abuzimin seksual por nga prapaskena del në pah pikërisht puna ekipore. Sipas Gashit, këto produkte, ndonëse fillimisht ishin detyra studentore, tashmë po shfaqen në ekrane të mëdha, duke kaluar përtej kuptimit të thjeshtë të një detyre. 

“Jam me fat që kam pasur një ekip punues të shkëlqyer. Bashkëpunimi ka qenë shumë i mirë, pavarësisht sfidave që kanë ardhur për shkak të tematikës së filmit, që trajton abuzimin seksual. Kjo ka ndikuar edhe në energjinë e setit, që ndonjëherë rëndohej, por ia kemi dalë ta tejkalojmë në mënyrë sportive dhe çdo sakrificë ka rezultuar pozitive kur kemi parë produktin final”, ka thënë Gashi. Albiona Sahiti, Arbnora Ademaj, Arlind Islami dhe Andrra Begolli, kanë pasur rolet kryesore në filmin e saj të cilin do ta kujtojë edhe për xhirimet e vona e në acar. 

Studenti Islami, pos rolit ka kontribuar shumë edhe në realizimin e filmit. Ka thënë se filmi është një prej arteve që i bashkon të gjithë dhe ka fuqinë të tregojë histori që pakkush guxon t’i rrëfejë. 
“Filmi eksploron tema të thella të shoqërisë, shpesh të rënda, por që ndodhin shumë shpesh”, ka thënë ai dhe ka shtuar se përherë e konsideron filmin si zërin e atyre që nuk kanë zë, duke vlerësuar veçanërisht këtë projekt studentor për temën e tij të rëndë dhe aktuale.

Hana Salihu është regjisore e filmit “Dorina”, projekt i saj i vitit të parë. Është film pa zë, pa dialog dhe bardhezi, i xhiruar në formatin 4/3. 

“Poenta e kufizimeve ka qenë për ta treguar storien përmes kuadrove dhe anës vizuale dhe kjo storie ka qenë dhe i është dashur vetëm ana vizuale”, ka thënë ajo. 

Në program ka qenë edhe “Një gjemb më pak” nën regji të Brikena Elshanit. 

“Ky film është punuar vitin e kaluar, më saktësisht ka qenë film i semestrit të dytë të vitit të parë. Si përmbajtje e filmit ka qenë me shfaqë dashurinë, që një i moshuar ka pasur humbjen e partneres. Si përkujtim i njëvjetorit të vdekjes ka vendosur t’i shpërndajë trëndafilat te të gjitha gratë dhe vajzat kudo që janë, por në fund e pamë që i vjen një tortë nga ish e dashura që e ka pasur në rini. Përmes këtij filmi kemi dashur të tregojmë dashurinë e sinqertë që e kanë personat e moshuar dhe se sa luan rol një dhuratë sado e vogël”, ka thënë ajo. 

“Solum” nga Hana Bucalija, ka frakturë dokumentare për fatet e tre personazheve, të cilët paguajnë për natën që kanë kaluar. 

“Ky film ka qenë projekt për temë të diplomës me mentor profesor Ismet Sijarinën. Kemi xhiruar dy net pasi ka qenë sfidë në vete pjesa a shiut, për shkak të kamerës. Mirëpo e kemi arritur atë që kemi dashur. Kemi pasur probleme të tjera por i kemi tejkaluar, sepse bashkëpunimi ka qenë i ngushtë dhe i mirë”, ka thënë ajo për filmin “Solum” që prej greqishtes ka kuptimin “Vetëm”. Por nuk ka të bëjë me vetminë. “Personazhet e mia vetë e luftojnë fatin e tyre edhe paguajnë për gabimet që i kanë bërë. Nuk mund t’i quaj gabime mirëpo kjo pjesë i mbetet normalisht publikut dhe secili e interpreton si do vetë”, ka thënë ajo. 

“Adelina” nga Erlisë Beqiri ka për personazh një punonjëse hoteli së cilës një mysafir i shndërrohet në obsesion. Grumbullon gjëra të tija. Në këtë mes atij i humb edhe pasaporta. Pjesa tjetër është histori por ajo që bie në vesh është muzika e filmit. 

“Para se të filloj ta xhiroj filmin e kam ditur se çfarë muzike do të ketë. Nganjëherë janë disa inspirime që vijnë edhe që e di që duhet të jetë ashtu, por nuk kam ndonjë arsye specifike pse kam zgjedhur muzikën klasike”, ka thënë Beqiri. 

Nata e dytë, të mërkurën mbrëma ka sjellë filmat e radhës studentore por edhe tryezën e rrumbullakët: “Studentët dhe producentët: Fillimi i një bashkëpunimi të bukur”, moderuar nga drejtori i “PriForum”, Besnik Krapi, në panel me Blerta Zeqirin, drejtoreshë e Qendrës Kinematografike të Kosovës, Ismet Sijarinën, shef i katedrës së Regjisë së filmit dhe televizionit në Fakultetin e Arteve, producentët Valon Bajgora e Valmira Hyseni, producentin e aktorin Shkumbin Istrefi dhe regjisorin e producentin, Fatos Berisha. Tryeza ka ardhur në frymën siç është paralajmëruar: “diskutim frymëzues midis studentëve dhe producentëve për mundësitë e bashkëpunimit në industrinë e filmit”.