“Është qasje absolutisht joserioze. Nuk kanë treguar seriozitet që nga fillimi. Me keqardhje po e them këtë pasi u kam ofruar bashkëpunim që nga fillimi. Jo që nuk janë bashkëpunues por kanë tentuar të na pengojnë në secilin proces që po e shtyjmë përpara. Qeveria ka punuar për të sabotuar proceset e zhvillimit të kryeqytetit”, ka thënë kryetari i Prishtinës në një përgjigje për KOHËN kur është pyetur për kallëzimin penal ndaj tij që ka bërë Ministria e Kulturës për “cenim të 2.5 milionë eurove” të projektit të Teatrit të Operës dhe Baletit
Kallëzimi penal i Ministrisë së Kulturës ndaj kryetarit të Prishtinës Përparim Rama për “cenim të 2.5 milionë eurove”, sa kushton projekti për Teatër të Operës dhe Baletit, për kryetarin e kryeqytetit është “qasje absolutisht joserioze” në raport me projektin më të madh kapital të kulturës në Kosovë.
Ministria e Kulturës dhe Komuna e Prishtinës s’po arrijnë të merren vesh as për gjëra elementare: për respektimin e marrëveshjeve dhe vendimeve që kanë marrë.
Në fillim të këtij muaji kur u prezantua projekti ideor për Teatrin e Operës dhe Baletit me kosto prej 2 milionë e 450 mijë euro, MKRS-ja bëri të ditur se ka ushtruar kallëzim penal për kryetarin Përparim Rama pasi nëpërmjet një projekti tjetër cenohen 2.5 milionë euro e, pos kësaj, punimet kishin nisur pa miratim të institucioneve të trashëgimisë kulturore afër Pallatit të Rinisë dhe Sportit që është monument. Bëhet fjalë për “Ishullin Arbëri – Pallati i Rinisë” me kontratë që peshon 6.5 milionë euro.
Por për kryetarin Rama krejt pretendimet e MKRS-së janë joserioze.
“Është qasje absolutisht joserioze. Nuk kanë treguar seriozitet që nga fillimi. Me keqardhje po e them këtë pasi u kam ofruar bashkëpunim që nga fillimi. Jo që nuk janë bashkëpunues por kanë tentuar të na pengojnë në secilin proces që po e shtyjmë përpara. Qeveria ka punuar për të sabotuar proceset e zhvillimit të kryeqytetit”, ka thënë ai.
Sipas kryetarit Rama janë krejt të pavërteta ato që i thotë Ministria e Kulturës. Sipas tij, tash e tre vjet janë duke punuar në këtë çështje.
“MKRS-ja e kishte zgjedhur një hapësirë që nuk ishte mjaftueshëm e madhe për të ndërtuar ndërtesën e Teatrit të Operës dhe Baletit. Unë ua kam ofruar hapësirën prapa Pallatit të Rinisë. Është një projekt madhor për të mirën e vendit dhe kam kërkuar që të bashkëpunojmë”, ka thënë Rama. Ka shtuar se po ashtu u ka kërkuar që të bashkëpunojnë gjatë gjithë procesit.
“Normalisht që për fat të keq e kanë politizuar çështjen pa nevojë dhe nuk më kanë ftuar kurrë për të qenë pjesë e procesit. MKRS-së i ka dështuar njëherë procesi përderisa ne kemi shtyrë përpara nevojat e kryeqytetit me platformën që e lidh ‘Arbërinë’ me Pallatin e Rinisë dhe Sportit. Është një projekt madhor i cili nuk e cenon në asnjë mënyrë Teatrin e Operës dhe Baletit. Pra e kemi lënë hapësirën për Teatrin”, ka thënë kryetari Rama. Sipas tij tash projekti i Teatrit të Operës dhe Baletit duhet të shkojë nëpër të gjitha proceset për të marrë lejet.
“Nëpër këto procese vendoset në vendin ku duhet të vendoset dhe në ndërlidhshmëri me Pallatin e Rinisë. Këto që i ka bërë ministria janë puro politike për ta krijuar një negativitet të panevojshëm”, ka thënë.
Projekti ideor i Teatrit të Operës dhe Baletit i prezantuar në kulmin e fushatës elektorale në fillim të këtij muaji është në fazën e hartimit të projektit zbatues. Për këtë tashmë është nënshkruar kontrata.
Paraprakisht, Komuna e Prishtinës në nëntorin e vjetëm ka nisur ndërtimin e atij që e quan “Ishulli urban Arbëri - Pallati i Rinisë”. Nisja e punimeve qe bërë pa pëlqim nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve pasi “Ishulli...” prek Pallatin e Rinisë dhe Sportit, që është monument, e po ashtu zonën e mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës.
Më 2022, Kuvendi Komunal i Prishtinës kishte ndarë hapësirën prapa Pallatit të Rinisë si lokacion për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit. Por marrëveshja ndërinstitucionale nuk ka ecur mirë gjatë rrugës.
“Vitin e kaluar përkundër paralajmërimeve tona paraprake ndaj Komunës, Komuna në shkelje të vendimit të Kuvendit të Komunës, duke mos marrë pëlqim as nga autoritetet e trashëgimisë kulturore e as nga hekurudhat, ka nisur një projekt, ka lidhur një kontratë, bile ka ekzekutuar edhe pagesa, të gjitha të kundërligjshme”, kishte thënë ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, për KOHËN menjëherë pas prezantimit të projektit të teatrit. Çeku kishte thënë se gjërat duhet thënë ashtu siç janë.
“Edhe në detyrën projektuese për Teatër të Operës, ne kemi kërkuar nga ndërtuesi që ta ketë parasysh këtë urë, pra këtë ndërlidhjen midis Pallatit të Rinisë dhe ‘Arbërisë’. Fatkeqësisht mënyra se si ka vepruar Komuna, ka shkelur vendimet e veta dhe Ligjin për trashëgimi kulturore. Ne kemi dorëzuar kallëzim penal ndaj Komunës në lidhje me këtë projekt të kundërligjshëm”, kishte thënë ai.
Vjet Komuna kishte nisur realizmin e “Ishullit...” duke manovruar me vendin ku planifikohej të nisnin punimet. Tabelat informuese për projektin Komuna i kishte vendosur matanë hekurudhës e rrugës automobilistike. Aty qenë pozicionuar edhe mjetet e rënda për të inauguruar punimet. Por hekurudha është vija kufitare midis “Arbërisë” dhe zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës.
Meqenëse edhe Pallati i Rinisë dhe Sportit mbrohet si monument, Inspektorati i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve i kishte ndalur punimet që me vënien e tabelave pasi Komuna s’kishte përfillur përcaktimet ligjore për marrjen e pëlqimeve nga institucionet e trashëgimisë kulturore.
Pasi i ishin ndërprerë punimet nëpërmjet të cilave Komuna po bëhej gati për inaugurim të fillimit të projektit, institucioni kishte gjetur një zgjedhje: kishte zhvendosur tabelat matanë rrugës e hekurudhës dhe i kishte nisur punimet në “Arbëri”. E më pas kishte aplikuar për pëlqim, por Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve ka refuzuar projektin me arsyetimin se është duke u hartuar Plani i Konservimit të Zonës Historike të Prishtinës dhe se projekti i Komunës duhet rishikuar. “Ishulli...” kalon nëpër hapësirën e dedikuar për Teatër të Operës dhe Baletit.
“Ne kemi qenë të detyruar që atë projekt ta dërgojmë në Prokurori në formën e kallëzimit penal. Komuna as nuk mund të nisë procedurë të prokurimit pa lejen e institucioneve të trashëgimisë kulturore. Faktet janë të qarta andaj presim veprimet e organeve të drejtësisë”, kishte thënë ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.
Ligji për trashëgiminë kulturore, i miratuar që nga vitit 2006, përcakton se për çdo intervenim në pronat e trashëgimisë kulturore duhet të kërkohet pëlqim ose leje nga institucioni kompetent. Në këtë rast institucion kompetent është Instituti i Kosovës për Trashëgimi Kulturore.
Arkitekti me nam botëror, Bjarke Ingels, më 3 shkurt ka shpjeguar konceptin e tij për dizajnin.
“Kemi provuar të krijojmë, le të themi, fabrikën më racionale dhe efiçiente të interpretimeve. Pastaj për të qenë atraktive për publikun e kemi lënë ndërtesën të hapur nga të gjitha anët që të jetë ftuese. Zgjedhja arkitekturore bazohet në xhubletën. Në njërën anë është ndërtesë racionale e krijimit të interpretimeve e në tjetrën një ndërtesë që fton qytetarët të hyjnë brenda”, ka thënë ai. Projekti duket madhështor. Njëkohësisht, shumë me vështirësi i zbatueshëm në rrethanat e Kosovës, duke pasur parasysh tentimet për të pasur ndërtesa reprezentative publike. Janë katër salla. Një me 1.200 ulëse, një tjetër me 1.000 dhe dy me nga 300 ulëse. Teatri i Operës dhe Baletit pritet të jetë shtëpia e katër institucioneve: Filharmonisë së Kosovës, Baletit Kombëtar të Kosovës, ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota” dhe Operës së Kosovës.
Historia e telasheve me projekte e lokacione për këtë ndërtesë, që mbetet ende veç tentativë, është e vjetër. Paraprakisht më 2 dhjetor të 2009-s qe vënë guri themeltar për këtë ndërtesë afër Fakultetit Teknik. Asokohe planifikohej që ndërtesa të mbante edhe emrin: Teatri i Operës dhe Baletit “Dr. Ibrahim Rugova”. U shpenzuan mbi një milion euro dhe projekti i asaj kohe nuk u realizua kurrë. Për projektin e ri shpenzimet kanë nisur, përderisa Ministria e Kulturës dhe Komuna vazhdojnë me përplasje verbale e nëpërmjet institucioneve të drejtësisë.
Komuna e Prishtinës ka një tjetër projekt kapital të zvarritur ndër vite. Bëhet fjalë për sallën koncertale tek objekti i ish-“Gërmisë”. Në nëntorin e vjetëm kur u miratua projekti zbatues, ishte rikonfirmuar që objekti aktual synohet të bëhet galeri e muze e prapa saj ngrihet salla koncertale, por nuk do t’i ketë kapacitetet prej 1.400 ulëseve siç ishte ideuar krejt në fillim por 800 kurse ajo alternative prej 400 ka ardhur në 170.
Ndërtesa aktuale, dikur “Gërmia”, përballë Teatrit Kombëtar të Kosovës sipas projektit të studios së arkitektit japonez Kengo Kuma dhe asaj të arkitektit vendor Bekim Ramku, do të jetë një lloj galerie a muze i qytetit. Kurse prapa saj do të marrë formë ndërtesa e re – salla koncertale.
Buxheti për konkretizimin e saj është larg kostos prej 12 milionë eurosh, sa ishte llogaritur më shumë se tre vjet më parë. Tash nuk mjaftojnë as 30 milionë. Nëse punimet nisin shpejt, duhen së paku dy vjet e gjysmë për ta finalizuar objektin, të cilit Komuna e Prishtinës i referohet si qendra multifunksionale “Evropa”. Disa herë qe paralajmëruar nisja e punimeve e muajin e kaluar ka qenë vetë kryetari i Komunës, Përparim Rama, i cili kishte bërë të ditur se projekti është bllokuar pa 20 milionët e BE-së.
“Projekti është i gatshëm. Kemi pasur zotime nga fondet evropiane IPA për financim deri në 20 milionë. Mirëpo si rezultat i masave të padrejta të vendosura ndaj Republikës së Kosovës, këto fonde janë humbur”, kishte thënë ai duke e rikonfirmuar tërthorazi edhe faktin se nisja e punimeve që ish-“Gërmia” të shndërrohet në sallë koncertale, është ende larg. Tash Komuna thotë se po diskuton “seriozisht me komunitetin evropian” që ta përfshijë projektin në IPA 2025-2027.
Lexo edhe: