Kulturë

Kryetari i Tiranës konfirmon se ndërtimi i vrazhdë i Teatrit Kombëtar përfundon më 2025

Erion Velija

“Kjo është një vepër e vërtetë arti. Pra, jo vetëm do të bëhet art brenda mureve, por vetë godina e Teatrit është një vepër arti, që do t’i mbesë qytetit për 100 vjetët e ardhshëm. Kur ajo kasollja që kishim zgjati për 80 vjet, imagjino kjo që po investohet për brezat e nipave dhe mbesave tanë. Është shumë e rëndësishme të bëjmë diçka me cilësi”, ka thënë Erion Veliaj

Kryetari i Bashkisë së Tiranës të dielën ka vizituar punimet  për ndërtimin e një prej ndërtesave më të rëndësishme të infrastrukturës kulturore në kryeqytetin shqiptar. Veliaj bashkë me bashkëpunëtorë e një grup arkitektësh të kompanisë arkitekturore “Bjarke Ingels Group” inspektuan punimet për ndërtimin e ndërtesës së re të Teatrit Kombëtar. 

“Kjo është një vepër e vërtetë arti. Pra, jo vetëm do të bëhet art brenda mureve, por vetë godina e Teatrit është një vepër arti, që do t’i mbesë qytetit për 100 vjetët e ardhshëm. Kur ajo kasollja që kishim zgjati për 80 vjet, imagjino kjo që po investohet për brezat e nipave dhe mbesave tanë. Është shumë e rëndësishme të bëjmë diçka me cilësi”, ka thënë Veliaj. Sipas tij, deri në fund të tetorit apo fillimi i nëntorit punimet do të avancojnë në nivelin zero, që me hapjen e kohës, në pranverë, të punohet pak më shumë në lartësi, në mënyrë që gjatë vitit tjetër të ketë përfunduar karabinaja ose ndërtimi i vrazhdë. 

“Jam vërtet entuziast dhe dua që ta shtojmë ritmin e punës. Në fazën e dytë do të punojmë për pjesët teknike dhe besoj shumë fort që, për një vit e pak, të kemi mundësi të vëmë veprën e parë. I shkon Tiranës, sidomos vitin tjetër kur do të jetë Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës. Duam që të lëmë pas jo vetëm një kalendar shumë të pasur të ngjarjeve, të aktiviteteve të kulturës, por të lëmë pas edhe një bizhu”, ka thënë Veliaj. 

Ka shtuar se beson që “Bjarke Ingels Group”, kompania e njohur daneze, do t’i lërë një nishan të jashtëzakonshëm qytetit. Më pas ka nisur historinë e akuzave me opozitën sa i përket zhvillimit të qytetit. 

Kurse arkitektja Catherine Huang ka thënë se puna po vazhdon me ritëm jo të vogël. 

“Mendoj se kemi pasur gjithmonë një respekt të thellë për ambicien dhe vizionin tuaj. Na pëlqen vërtet ideja për të krijuar diçka për publikun, për të pasuruar jetën publike. I ndërtuar në sfondin e kësaj rruge do të jetë shumë i bukur. Ndihem shumë e nderuar që punoj me njerëz të mrekullueshëm, në një mënyrë që na lejon të sigurohemi që cilësia të jetë më e larta. Ka një nivel të lartë inovacioni, kështu që ne jemi gjithashtu shumë të emocionuar që po punojmë së bashku duke krijuar zgjidhje. Ne mezi presim që të ndihmojmë për të ofruar një teatër me cilësinë më të lartë të hapësirës për Tiranën. Ndihemi shumë të nderuar që jemi pjesë e kësaj”, ka thënë ajo. 

Pas një beteje të gjatë midis Qeverisë dhe artistëve e qytetarëve, objekti i vjetër i Teatrit Kombëtar, pjesë e historisë dhe trashëgimisë kulturore, u rrafshua më 17 maj të vitit 2020. Ky akt shënoi edhe humbjen e një beteje prej 27 muajsh të atyre që synuan ta mbronin objektin e vitit 1939. Protestat që u zhvilluan në Tiranë për shkak të shembjes së objektit të Teatrit Kombëtar kanë marrë hapësirë edhe në mediat ndërkombëtare. Transmetimin e situatës në Shqipëri dhe shembjen e Teatrit në Tiranë e kanë raportuar “Reuters”, “Daily Mail”, “The Washington Post” e “Associated Press”. Reagime pati edhe në Kosovë. Edhe pse në kohë pandemie, një grup artistësh, kryesisht të teatrit, ishin bërë bashkë para objektit të Teatrit Kombëtar të Kosovës, me pankarta që kanë kundërshtuar rrënimin e ndërtesës 80-vjeçare në Tiranë. “Unë jam Teatri”, “#PRN meTeatrin”, “Muret i shembni po jo teatrin”, “Edhe nazistët më 1940 bombarduan ‘Theatre Royale’”, “Edhe puritanët më 1644 prishën Globe Theatre”, ishin midis mesazheve që artistët nga Kosova i kishin përdorur si solidarizim me kolegët e tyre në Shqipëri. Kishin reaguar edhe kundër mënyrës se si institucionet shtetërore të Shqipërisë kanë shembur ndërtesën që bartte me vete histori të luftës, regjimit komunist, artit shqiptar e urbanizmit të shekullit të kaluar.