"Shumëkush mund të pyesi, po nga se do të mbrojmë ne gjuhën shqipe, ndërkohë që përgjigjja është e thjeshtë. Mjafton të harxhojë secili një orë për të lundruar në kanalet e informacionit që të shohë çfarë ndodh me gjuhën shqipe, me shenjat e pikësimit, me pikat mbi ë, me formulimin e strukturës së fjalive dhe me ortografinë në tërësi. Gjuha është më e rrezikuara, dhe kjo nuk i ndodh vetëm gjuhës sonë...”, ka thënë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në hapjen e Kongresit Kombëtar të Arsimit
Në ambientet e Pallatit të Kongreseve në Tiranë ka filluar të hënën Kongresi Kombëtar i Arsimit me temë “Sfidat e arsimit cilësor dhe gjithëpërfshirës drejt integrimit europian”. Në këtë kongres marrin pjesë ministra, ambasadorë të vendeve perëndimore të akredituar në Tiranë, akademikë, rektorë nga hapësira shqiptare dhe të huaj, si dhe agjenci, partnerë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtarë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe donatorë të projekteve në fushën e arsimit, e të tjerë.
Të pranishëm në hapjen e këtij kongresi ishin kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, anëtarë të kabinetit qeveritar, pedagogë e mësues.
Kryeministri Rama e ka nisur fjalimin në Kongresin e Arsimit me fjalimin e Dervish Himës ndërsa ka theksuar se arsimi është arma më e fortë e rezistencës dhe përparimit të kombit, por sot gjuha është më e rrezikuara. Rama i ka dhënë fokus gjuhës shqipe duke thënë se është e rrezikuar dhe ka kërcënim më të madh se asnjëherë më parë. Sipas tij, të gjithë duhet të punojnë për të forcuar pozicionin e gjuhës shqipe në këtë kaos gjuhësor dhe komunikativ.
“Të gjithë shqiptarë jemi, të gjithë një qëllim kemi, përparimi i kombit shqiptar. Me këtë fjali e nisi fjalimin e tij Dervish Hima në hapjen e punimeve të Kongresit të Dytë të Manastirit dhe kur ka kaluar një shekull, një gur themeli që u fokusua tek gjuha, më pas tek arsimi si arma më e fortë e rezistencës dhe përparimit të kombit, ne mblidhemi këtu në një kongres që është shumë modest për nga pesha, por në thelbin e vet ka të njëjtin shqetësim: përparimin e kombit shqiptar”, ka thënë Rama. Sipas tij, mësimi i shqipes dhe përparimi ishin për delegatët e Kongresit të Manastirit, mjeti më i fuqishëm për të fituar pavarësinë, ndërsa sot mbrojtja e gjuhës shqipe dhe arsimimi me standardet më të mira bashkëkohore janë mjeti më i fuqishëm për të siguruar vazhdimësinë në rrugën e prosperitetit.
“Shumë kush mund të pyesi, po nga se do të mbrojmë ne gjuhën shqipe, ndërkohë që përgjigjja është e thjeshtë. Mjafton të harxhojë secili një orë për të lundruar në kanalet e informacionit që të shohë çfarë ndodh me gjuhën shqipe, me shenjat e pikësimit, me pikat mbi ë, me formulimin e strukturës së fjalive dhe me ortografinë në tërësi. Gjuha është më e rrezikuara dhe kjo nuk i ndodh vetëm gjuhës sonë por të gjitha gjuhëve që sot janë në këtë presion të madh të konsumit të fjalëve për të komunikuar në një moment kur distanca është zëruar dhe shpejtësia e komunikimit bëhet gjithmonë e më marramendëse. Besoj që na takon të gjejmë mënyra dhe të kërkojmë përmes një dialogu të gjerë mes nesh rrugë për ta forcuar pozicionin e gjuhës shqipe në këtë kaos gjuhësor dhe komunikativ ku është përfshirë gjithë bota dhe ne jemi thellësisht të përfshirë”, ka thënë Rama. Në fjalën tij në Kongresin e Arsimit, kryeministri Edi Rama ka thënë se gjuha shqipe duhet të futet në çdo nivel të arsimit. Kreu i Qeverisë shqiptare u shpreh se ajo duhet të mbrohet me provim, njëlloj si anglishtja.
“Kërcënimi ndaj gjuhës është sot një kërcënim më i madh se çdo herë tjetër. Çdo ditë që kalon e rrit këtë kërcënim, forcat që kërcënojnë gjuhët janë të tilla që duket të pathyeshme. Nga ana tjetër, më vjen mirë që këtu në këtë kongres mund të them se Enciklopedia shqiptare, Fjalori i madh i Gjuhës Shqipe nuk janë më nevoja të adresuara, por janë projekte që kanë hyrë në rrugën e realizimit të tyre. Është për të ardhur keq që për shumë vjet ne nuk e patëm këtë mundësi. Sot është shtruar rruga për t’i pasur këta libra themelorë për vendin tonë e botën tonë akademike”, ka thënë Rama.
Në këtë rrugë, sipas tij, përpjekja për gjuhën duhet të jetë një përpjekje e gjithanshme.
“Për ne është një barrë e posaçme që këtë gjuhë ta mbrojmë nga kërcënimet e mëdha që janë të pranishme si rezultat i globalizimit dhe si rezultat i rrjeteve sociale, i komunikimeve elektronike. Si kurrë më parë njerëzit marrin pjesë në një diskutim përmes kanaleve të komunikimit që janë krijuar. Gjuha jonë është nga më të vjetrat, por e shkruar vonë dhe sot është e domosdoshme që ne të gjejmë rrugët për t’ua treguar sa më mirë atyre që vijnë pas nesh. Gjuhën shqipe duhet ta fusim në çdo nivel të arsimimit. Duhet ta diskutojmë futjen e gjuhës shqipe në çdo nivel arsimor. Është mirë që kemi sistem të provimit të anglishtes, por është mangësi që s’kemi po të njëjtin sistem për gjuhën tonë amtare. Futja e Abetares së unifikuar është një gur themeli”, ka thënë Rama.
Gjatë punimeve dyditore të Kongresit Kombëtar për Arsimin, shefi i mazhorancës ka thënë se pas Kosovës, sfidë e qeverisë së tij mbetet unifikimi i Abetares edhe me Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Luginën e Preshevës. Rama u shpreh se Abetaren unike me të cilën do të mësojnë fëmijët në Shqipëri dhe Kosovë e kanë përqafuar edhe shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.
“Është një moment i veçantë, sepse kjo abetare e unifikuar, një punë mes dy qeverive ishte një sfidë me kohën pasi hapi vendimtar për t’u nisur në rrugëtimin e realizimit të saj u hodh jo shumë kohë më parë në një mbledhje të dy qeverive dhe puna e kërkuar nga të dyja skuadrat e ngritura. Ja ku jemi sot me një abetare të unifikuar, një libër i njëjtë për nxënësit që hyjnë në shkollë për herë të parë në Shqipëri dhe Kosovë dhe një lajm i mirë është se edhe miqtë dhe kolegët tanë në Maqedoninë e Veriut e përqafuan këtë ide pak më vonë, sepse ideja fillimisht ishte produkt i dy qeverive dhe sot janë në momentin kur e kanë marrë vendimin për ta futur Abetaren e unifikuar edhe në klasat ku mësojnë fëmijët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut”, ka thënë Rama.
Ambasadorja e SHBA-së në Shqipëri, Yuri Kim, ishte e pranishme në Kongresin e Arsimit, ku u shpreh se arsimi do të jetë pikë kyç për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
"31 vjet më parë askush nuk e kishte menduar që sot Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe sot uleni në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Ju hapët zyrtarisht negociatat për t’u bërë anëtar i BE. Arsimi do të jetë kyç se sa shpejt do të lëvizni dhe sa shumë përparim do të bëni. Mbështetja jonë është e rëndësishme, sepse politika jonë është që duam t’ju shohim të integruar në Evropë. Në 31 vjetët e fundit, shqiptarët dhe amerikanët kanë marrë pjesë në disa shkëmbime. Shqipëria ka pritur vullnetarë të korpusit të paqes që kanë shërbyer dhe e kanë quajtur Shqipërinë shtëpinë e tyre të dytë. Jemi të kënaqur që ata do të rikthehen dhe pak ditë më parë bëmë njoftimin. Do t’ju mbështesim ndërsa përmirësoni sistemin arsimor. Kjo është detyra jonë që t’i japim mundësinë që t’ia dalin në Shqipëri dhe të sjellin ndikim në Evropë dhe botë”, ka thënë Yuri Kim.
Ambasadori britanik nisi fjalimin e tij në Kongresin Kombëtar të Arsimit duke kërkuar një minutë heshtje për të nderuar ndarjen nga jeta të Mbretëreshës Elisabeth II.
Alastair King-Smith ka thënë se do të jenë edhe shqiptarë mes liderëve botërorë që do të marrin pjesë në ceremoninë e varrimit të Mbretëreshës.
“Në emër të popullit doja të shprehja vlerësimin tonë për ngushëllimet në Shqipëri. Madhëria e saj do të përcillet në banesën e fundit në praninë e liderëve botërorë sigurisht edhe të Shqipërisë. Duam të mbajmë një minutë heshtje në nder të Mbretëreshës”, ka thënë Alastair King-Smith.
Kongresi i Arsimit i cili zhvillon punimet edhe të martën përqendrohet në “sfidat e arsimit cilësor dhe gjithëpërfshirës drejt integrimit evropian” dhe ka për qëllim të bashkojë në një hapësirë diskutimi shumë aktorë në fushën e arsimit, përfshirë arsimin parauniversitar, arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor. Pjesëmarrja në këtë kongres, e shumë autoriteteve të institucioneve arsimore, rektorëve, akademikëve, pedagogëve, studiuesve, politikëbërësve nxit bashkëpunimin e ndërsjellë për sfidat e të ardhmes, për një arsim cilësor dhe gjithëpërfshirës drejt integrimit evropian.