Kulturë

“Krahët e punëtorëve” vjen bashkë me rrëfimet e tjera jetësore në Kosovë

Skenë nga filmi “Krahët e punëtorëve”

Skenë nga filmi “Krahët e punëtorëve”

Plateja e “DokuKinos” në ditën e gjashtë të festivalit ka qenë e rezervuar në mbrëmje sërish edhe për filmat “National”. E mbushur ka qenë kinemaja, si një lloj grumbullimi i komunitetit artistik vendor. Pas premierës dhe çmimit në Rotterdam, rrugëtimit në skenën ndërkombëtare dhe shumë çmimeve, filmi i shkurtër dokumentar “Krahët e punëtorëve” të mërkurën mbrëma pati premierën vendore në Prizren

Se gara kombëtare është tejet e fuqishme në edicionin e 23-të të festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” u dëshmua edhe të mërkurën. Pesë filma të metrazhit të shkurtër flasin për të drejtat e punëtorëve, inteligjencën artificiale në film, e thirrjet për të reflektuar mbi jetën. 

Plateja e “DokuKinos” në ditën e gjashtë të festivalit ka qenë e rezervuar në mbrëmje sërish edhe për filmat “National”. E mbushur ka qenë kinemaja. Si një lloj grumbullimi i komunitetit artistik vendor. 
Një tjetër maratonë filmash që burojnë nga vendi dhe zgjerohen në tema universale ka nisur me filmin “Sign” me regji të Erblin Nushit. 

Tana, që e luan Irena Cahani, është në qendër. Filmi kap momentet derisa ajo përgatit dokumentet e divorcit. Të gjithë e njohin si aktore dhe veçmas si karaktere në rolet që ka luajtur. Nëna e saj, rol që e luan Melihate Qena, i vërsulet me një varg deklaratash duke i thënë se si do ta pranon njerëzit informacionin për shkurorëzimin e saj dhe se si do të ndikonte kjo në profesionin e saj prej aktoreje. 
Nga Elezi, ajo merr mbiemrin Uka. Por kur vjen momenti për këtë ndryshim në jetën e saj, ajo kupton se në fakt e kishte harruar nënshkrimin e saj. Aurita Agushi e Ilir Prapashtica luajnë në role të tjera. 
Irena Cahani pos aktore në film, ashtu edhe producente e skenariste, ka thënë se rrëfimi në film është historia e jetës së saj.

“Skenarin e kam shkruar në momentin që me të vërtetë më ka ndodhur, ka qenë pak a shumë storie e vërtetë. Kam dashur të shkruaj në komunë nënshkrimin e vërejtur dhe kam vërejtur që e kam harruar. Jam ndier keq. Ai ka qenë momenti që jam vetëdijesuar e nuk i përkas as familjes së burrit, as familjes së shtëpisë sime. Se duhet t’i takoj vetëm vetvetes”, ka thënë ajo duke shtuar se angazhimi i saj i shumëfishtë ka qenë kërkesë regjisoriale. 

“Nuk kam dashur ta bëja edhe aktoren, edhe producenten, por Erblini ka insistuar në mënyre që të jetë storia më autentike”, ka thënë ajo më tej. 

Aktorja Aurita Agushi, e cila në film luan zyrtaren administrative, ka thënë se ka qenë kënaqësi të luante përkrah Irenës. 

“Asnjëherë nuk pritoj të luaj me gjithë kastën, Kur Irena më ka ftuar pa e menduar i kam thënë po, sepse është kënaqësi të punosh me të dhe ka qenë përvojë shumë e mirë”, ka thënë ajo. 

“A short trip” i Erenik Beqirit çon në Marsej. Atje ku një çift i ri shqiptar shkëputet nga njëri-tjetri, sepse ai e marton atë me një francez në këmbim të parave, për të marrë nënshtetësinë franceze. Ata detyrohen të mësohen me njëri-tjetrin. Në rolet kryesore luajnë Luana Bajrami dhe Tristan Halilaj.

Ndërmjetësuesi i tyre me partnerin e mundshëm të Mirës e ka luajtur Arben Bajraktaraj. 
“reMemBer2.human” i Durim Klaiqit përshkruhet se flet për një të ardhme të pacaktuar ku kujtimet e ndaluara sfidojnë kujtesën kolektive. Kjo kujtesë kolektive në dokumentar paraqitet si një bazë e të dhënave që përmban kujtime. Peizazhet duken si udhëtime dhe kalime në kohë. Pamjet më pas nga Prishtina zhvendosen në Tiranë. 

Regjisori i filmit, Durim Klaiqi, ka thënë se është film eksperimental me kuptimin e plotë të fjalës.

“Arsyeja pse kam pasur qasje eksperimentale ka qenë ndoshta jo si dëshirë porse kushtet janë gjithmonë të njëjta. E për mungesën e buxhetit, me zero euro, pastaj një lloj moskënaqësie me gjendjen e filmave, por jo domosdo që nuk janë të mirë”, ka thënë ai. 

Ka thënë se filmi është krijuar 50 për qind me Inteligjencë Artificiale dhe se ka qenë përzierje e xhirimit me telefon dhe videokasetë. Është një shkëputje nga realiteti, sipas tij. 

“Për shkak se filmi është fanta-shkencë, do të thosha se për mua gjithmonë ka qenë zhanër që reprezanton ambiciet dhe ëndrrat tona. Në këtë film ambiciet nuk kanë qenë ëndrra, por makthe”, ka thënë Klaiqi më tej. 

“Don Juan” ka në qendër rrëfimin e dy të rinjve për mbijetesë në një formë të pazakontë. Ayman dhe Bilel, imigrantë në Francë, janë shitës rrugësh që mashtrojnë njerëz dhe plaçkitin për të krijuar burime për jetën e tyre në Lion të Francës. Regjisori Hekuran Isufi shënjestron të rinjtë tek shkojnë drejt një rruge qorre. 

Regjisori Isufi ka thënë se ka ngjarje në film që kanë ndodhur me të vërtetë dhe nuk kanë qenë aktrim. Disa prej tyre kanë të kaluar kriminale. 

“Ky film ka ardhur si ide, sepse unë kam jetuar në këtë lagje, më e vështirë e Lionit. Ka shumë trafik droge. Nuk kanë gjetur zgjidhje pos t’i bëjnë këto gjëra për të mbijetuar. Kam dashur t’ju tregoj një imazh që është i keq, por është formë për të treguar se pse e bëjnë këtë. Xhirimi i filmit ka qenë shumë i vështirë, sepse ka shumë njerëz që kalojnë, shumë trafik, shpesh njerëzit nuk na linin të xhironim. Më e vështira ka qenë ajo që policia na ndalonte, sepse mendonin se aktorët na vjedhin”, ka thënë Isufi. 

Pas premierës dhe çmimit në Rotterdam, rrugëtimit në skenën ndërkombëtare dhe shumë çmimeve, filmi i shkurtër dokumentar “Krahët e punëtorëve” të mërkurën mbrëma pati premierën vendore në Prizren. 

Dokumentari ka për protagonistë personazhe që kanë të kaluar të dhimbshme në vendet e tyre të punës. Ata tregojnë se kanë punuar shumë lloje punësh për pak para, aq sa për ta mbajtur familjen. Audioja si një tension i lehtë përbrenda e ilustron krejt rrëfimin. Plagët e tyre ende lëngojnë. 
“Të duash ta bësh  një film kështu nuk ka qenë shumë e vështirë, sepse ndoshta çdo ditë  hapje një gazetë dhe shihje një vdekje në vendin e punës. Disa vjet më parë kam pasur një përvojë ku duke dalë jashtë e kam parë që ka rënë një punëtor nga lart. Ishin dhjetë persona duke e pritur autoambulancën, por kishte mbetur në trafik. Gjaku rridhte përtokë”, ka thënë regjisori i filmit, Ilir Hasanaj. 

E ka vlerësuar filmin edhe një mënyrë për të gjetur shkakun e gjithë këtyre lëndimeve dhe vdekjeve në vendin e punës në Kosovë. Këto të fundit, sipas tij, janë gjashtë herë më të mëdha sesa vendet e tjera në Evropë. 

“Donim të dinim se ku ishte problemi, a ishte te mjetet e sigurisë, te kompanitë, te ligji, apo sistemi. Ky ka qenë momenti kur kam thënë që duhet të bëjmë diçka. I ka thënë Viganit se a po bëjmë diçka dhe ai më ka thënë se po, veç nëse e bëjmë në shirit”, ka thënë ai, derisa ka treguar se Fatmiri ishte personazhi i parë në film të cilin e kishte takuar.

“Fatmirin e kam gjetur së pari. Patën treguar disa punëtorë për të dhe patëm pyetur nëse e njohin dikë që ka përjetuar aksident. Kemi shkuar në Lipjan dhe ka qenë personi i parë që kemi takuar. Duke e pyetur atë nëse njeh dikë tjetër ka thënë: po, si jo! Kjo e ka bërë të lehtë për të gjetur bashkëbisedimin dhe besimin pasi atij i ka ndodhur diçka shumë e keqe dhe e rëndë”, ka thënë regjisori Hasanaj. 

Filmi është xhiruar me shirit filmik nga Vigan Nimani. Filmi ka qenë eksperiencë e parë dhe për këtë ka thënë se ka qenë sfiduese. 

“Fillimisht ajo ka qenë ideja e parë, sepse kur i kam thënë ashtu ka qenë paksa edhe shaka, sepse nuk mendoja se ishte e mundur. Më thirri, më tha që e ka fituar projektin dhe eja po e bëjmë. Por ka qenë sfiduese për mua, sepse ka qenë hera e parë. Duhej hulumtim pasi gabimet në film nuk falen. I vështirë ka qenë edhe procesi i xhirimit”, ka thënë Nimani. 

Regjisori Hasanaj u jep zë përvojave dhe rrëfimeve të harruara të tre protagonistëve në dokumentar, Milazimi, Fatmiri dhe Liridoni. Në 19 minuta filmi i shkurtër dokumentar ndërtohet si homazh poetik e eksperimental.

Fatmiri ka qenë i pranishëm në premierë. Ka thënë se “kjo është puna më e mirë edhe për shikuesin, edhe për popullin, sidomos për klasën punëtore që nuk e dini se sa kanë vuajtur dhe se si ende vuajnë”, ka thënë ai. 

Kushtet e tjera që përfshihen janë edhe mosekzekutimi i pagave dhe oraret e gjata në punë. Njëri prej protagonistëve rrëfen se ka punuar si rojtar duke mbajtur dy orare, nuk ka shkuar në shtëpi për dy muaj e gjysmë, ndërsa kjo periudhë është përcjellë me shumë ditë pa ngrënë. 
Barrierat për të denoncuar e vetë censura janë pjesë e këtij rrëfimi që vazhdon edhe sot. Sikurse edhe pasojat. 

Njëri rrëfen se duke shkarkuar materialin ndërtimor, një prej paletave me tulla i kishte rënë përmbi. Ai tregon se punëtorët kishin menduar se aty kishte vdekur. Tjetri tregon se ishte këputur mjeti me të cilin materiali bartej në lartësi. Thotë se pronari e dinte defektin dhe nuk kishte treguar që të kishin kujdes. Aty ai e humbi këmbën. Janë pamje artistike që heshtazi ilustrojnë punën e vështirë, si puna me orar të gjatë. Këtë e pason edhe rrëfimi i tyre më pas.