Kulturë

“Krahët e punëtorëve” çon Kosovën në rrugën drejt “Oscarit”

Skenë nga filmi “Krahët e punëtorëve”

Skenë nga filmi “Krahët e punëtorëve”

Ajo që ishte paralajmëruar në korrikun e sivjetmë, se “Krahët e punëtorëve” mund të “fluturojë” drejt çmimit prestigjioz, është konfirmuar të premten. Është në garë për t’u përzgjedhur për listën e ngushtë për “Academy Award” për dokumentarin më të mirë të shkurtër. Rrugën ia hapi triumfi në “Guanajuato International Film Festival” të Meksikës. Prej atëherë pati rrugëtim të gjatë, e tash e pret rruga drejt “Oscarit”

Ndonëse Kosova për të dytin vit me radhë e ka humbur ritmin duke mos propozuar asnjë film për nomimin për “Oscar” për filmin më të mirë ndërkombëtar, është dokumentari “Krahët e punëtorëve” i Ilir Hasanajt që fut vendin në rrugën drejt çmimit të madh. Është në garë për t’u përzgjedhur për listën e ngushtë për “Academy Award” për dokumentarin më të mirë të shkurtër. E ka konfirmuar ekipi i filmit të premten. E ka rikonfirmuar edhe Qendra Kinematografike e Kosovës nëpërmjet një njoftimi të shkurtër në rrjete sociale. Kanë bërë thirrje që të shpërndahet, që filmi të merret parasysh nga anëtarët e “Academy Awards”. 

“Ta mbështesim filmin tonë duke e shpërndarë sa më shumë fotografinë e lidhur me këtë postim. Filmi ynë është zyrtarisht në garë për t’u përzgjedhur në listën e ngushtë për ‘Oscars 2025’. Realizuar nga një rreth i vogël njerëzish me zemër të madhe dhe me shumë pasion për të sjellë në ekran rrëfimet e punëtorëve të Kosovës. Shpresojmë që ky pasion përçohet përmes filmit dhe që ky rrëfim të hyjë në listën e ngushtë të ‘Oscars’ për të prekur edhe më shumë zemra”, ka shkruar QKK-ja, e cila e ka bashkëfinancuar këtë film. 

Në fakt, “Worker’s Wings” si kandidat i mundshëm për “Oscar” ishte paralajmëruar qysh në korrikun e sivjetmë kur ky dokumentar triumfoi në Meksikë e Kroaci. Çmimi për filmin më të mirë ndërkombëtar të kategorisë së dokumentarit të metrazhit të shkurtër në edicionin e 27-të të Festivalit më të rëndësishëm të filmit në Amerikën Latine në Meksikë, “Guanajuato International Film Festival” ia hapi këtë rrugë pasi është festival kualifikues për “Oscars”. “Për narrativën e krijuar me zgjuarsi, të shoqëruar me kinematografi intuitive dhe goditëse, që u jep zë dhe hedh dritë mbi punëtorët anembanë botës si dhe aksidenteve të punës në trupat e tyre”, kishte qenë arsyetimi i jurisë në përbërje të filmbërësve Laura Baumeister, Miko Revereza dhe Virgile Ratelle. Regjisori Hasanaj bashkë me lajmin për këtë çmim, kishte marrë edhe atë për “Best Short Film” edhe në festivalin “CineHill” të Kroacisë.

“Krahët e punëtorëve” (Worker’s Wings) siç shkruhet në sinopsis, ilustron jetën e tre protagonistëve nga Kosova të cilët e pësuan në vendin e tyre të punës. Siç e shpjegon edhe regjisori, janë tre persona që kanë pasur një aksident shumë të rëndë dhe prej atëherë nuk e kanë përjetuar drejtësinë. Dikush ka pasur aksident në minierë, dikush në një kompani të miellit, e një tjetër në ndërtimtari. Më pas dikush që e ka dikë të afërt që bën punë të rëndë në ndërtimtari apo personat që vijnë nga vendet e Ballkanit ku ka shumë aksidente në vendin e punës. 

Rrëfimi është universal, një rrëfim i fuqishëm human. Prej atëherë ka udhëtuar shpejt edhe në stacione te tjera: Sllovenia në gusht dhe në Greqi në shtator kanë qenë vetëm dy prej tyre. Në të parin mori edhe çmim. Po në shtator ka vazhduar në Reykjavík të Islandës e në Bosnjë-Hercegovinë. Premierën në vendin e vet e pati në gushtin e sivjetmë në edicionin 23-të të festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër, “DokuFest”. Aty mori çmimin “Talent Docs Award”.

“Të duash ta bësh një film kështu nuk ka qenë shumë e vështirë, sepse ndoshta çdo ditë hapje një gazetë dhe shihje një vdekje në vendin e punës. Disa vjet më parë kam pasur një përvojë ku duke dalë jashtë e kam parë që ka rënë një punëtor nga lart. Ishin dhjetë persona duke e pritur autoambulancën, por kishte mbetur në trafik. Gjaku rridhte përtokë”, kishte thënë regjisori i filmit, Ilir Hasanaj, pas premierës vendore. E kishte vlerësuar filmin edhe një mënyrë për të gjetur shkakun e gjithë këtyre lëndimeve dhe vdekjeve në vendin e punës në Kosovë. Këto të fundit, sipas tij, janë gjashtë herë më të mëdha sesa vendet e tjera në Evropë. “Donim të dinim se ku ishte problemi, a ishte te mjetet e sigurisë, te kompanitë, te ligji, apo sistemi. Ky ka qenë momenti kur kam thënë që duhet të bëjmë diçka. I ka thënë Viganit se a po bëjmë diçka dhe ai më ka thënë se po, veç nëse e bëjmë në shirit”, kishte thënë ai, derisa kishte treguar se Fatmiri ishte personazhi i parë në film të cilin e kishte takuar. “Fatmirin e kam gjetur së pari. Patën treguar disa punëtorë për të dhe patëm pyetur nëse e njohin dikë që ka përjetuar aksident. Kemi shkuar në Lipjan dhe ka qenë personi i parë që kemi takuar. Duke e pyetur atë nëse njeh dikë tjetër ka thënë: po, si jo! Kjo e ka bërë të lehtë për të gjetur bashkëbisedimin dhe besimin pasi atij i ka ndodhur diçka shumë e keqe dhe e rëndë”, kishte thënë regjisori Hasanaj për filmin e xhiruar në shirit filmik nga Vigan Nimani.

Por “Krahët e punëtorëve” e kishte të “paracaktuar” rrugën e suksesit qysh me premierë botërore në fillim të vitit. U kthye nga Rotterdami me “Tigrin” për dokumentarin më të mirë. Tash e pret një tjetër rrugë: ajo drejt “Oscars”.