Platforma “Kosova.Film” e lansuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës është adresa që pritet të bashkojë në një vend talentet, resurset e vendxhirimet e mundshme si informacione për të gjithë profesionistët e filmit. Kjo iniciativë e re synon të krijojë lidhje mes artistëve vendës dhe produksioneve ndërkombëtare, duke e paraqitur Kosovën si një destinacion tërheqës për projekte filmike
Pasi Kosova i dha fund përgatitjes ligjore që kompanive të huaja që investojnë dhe shpenzojnë drejtpërdrejt në Kosovë për projektet e tyre kinematografike t’u rimbursohen me 30 për qind të vlerës së investimit, synohet një platformë digjitale që tregon potencialin e shtetit më të ri në Evropë. Platforma “Kosova.Film” e lansuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës është adresa që pritet të bashkojë në një vend talentet, resurset e vendxhirimet e mundshme si informacione për të gjithë profesionistët e filmit. Kjo iniciativë e re synon të krijojë lidhje mes artistëve vendës dhe produksioneve ndërkombëtare, duke e paraqitur Kosovën si një destinacion tërheqës për projekte filmike.
“Kosova.Film” si platformë online jep të dhëna për katër fusha. Në gjuhë angleze dhe gjermane mund të merren informacione për aktorët, lokacionet me potencial xhirimi, dhe punëtorët e filmit. Figurojnë të regjistruar 344 aktorë vendorë e të rajonit. Te lokacionet janë futur disa prej më reprezentativëve që ka Kosova si: kalatë, parku arkeologjik “Ulpiana”, monumente të tjera, restorante e hapësira që mund t’u përshtaten ekipeve filmike. Platforma që mban emrin e ish-shtëpisë filmike të Kosovës pritet të pasurohet edhe me më shumë të dhëna. Aty zënë vend edhe lajmet nga zhvillimet kinematografike në Kosovë.
Qendra Kinematografike e Kosovës ka bërë thirrje që komuniteti i filmit të regjistrohet në këtë ueb-faqe.
“Je aktor, regjisor, producent apo pjesë e ekipit punues filmik? ‘Kosova.Film’ po fillon të krijojë databazën e artistëve dhe profesionistëve të filmit në Kosovë. Ky është hapi i parë për t'u lidhur me projekte të reja, producentë dhe mundësi ndërkombëtare”, shkruhet në faqen e QKK-së.
Në faqe jepen shpjegime pse ata që merren me artin e shtatë duhet të regjistrohen në këtë platformë dhe në pika të shkurtra çfarë ofron kjo.
“Pse të regjistrohesh? Trego talentin tënd dhe promovo punën që bën. Merr mundësi të reja bashkëpunimi me produksione lokale dhe të huaja. Ndihmo në ndërtimin e industrisë filmike të Kosovës. Regjistrohu tani në “Kosova.Film” dhe bëhu pjesë e platformës që lidh talentet lokale me mundësi të reja filmike”, shkruhet në ueb-faqe.
“Qëllimi i ‘Kosova.film’ është të mbledhë dhe të prezantojë në një vend të gjithë talentet dhe resurset që ka industria e filmit në Kosovë. Kjo platformë është krijuar për të ndihmuar aktorët, regjisorët, dhe profesionistët e tjerë të filmit të lidhen me njëri-tjetrin, si dhe për të promovuar lokacionet që Kosova ofron për produksionet filmike”, shkruhet në përgjigjet e QKK-së.
Sipas QKK-së, një pjesë e madhe e këtij qëllimi është lidhur edhe me rregulloren e rabatit. Institucioni më i lartë kinematografik me këtë platformë pretendon të krijojë një bazë të qëndrueshme të informacioneve dhe kontakteve, që jo vetëm u shërben kineastëve, por gjithashtu e bën Kosovën një destinacion më tërheqës për filmime dhe investime ndërkombëtare. Sipas QKK-së, ueb-faqja është si një urë lidhëse që ndihmon artistët e rinj dhe ata me përvojë të krijojnë më shumë mundësi për veten dhe për industrinë e filmit.
“Prandaj, i ftojmë të gjithë kineastët, përfshirë aktorët, regjisorët, skenaristët, producentët, kameramanët, asistentët e kamerës, dizajnerët e zërit, regjistruesit e zërit, montazherët, grimerët, ndriçuesit, kostumografët, skenografët dhe çdo profesionist tjetër që kontribuon në industrinë e filmit në Kosovë, të regjistrohen në Kosova.film”, shkruhet në përgjigjet e QKK-së.
Sipas QKK-së, është hera e parë që ndërtohet një platformë e këtij lloji, e cila jo vetëm që përmbledh informacione të detajuara për të gjithë profesionistët e industrisë së filmit, por gjithashtu krijon mundësi të reja për bashkëpunime ndërkombëtare dhe zhvillimin e mëtejshëm të kinematografisë vendëse.
“Edhe pse deri tani kemi pasur një bazë të dhënash përmes ueb-faqes së Qendrës Kinematografike të Kosovës, kjo iniciativë shkon përtej saj, duke e vendosur fokusin te nevojat e kineastëve dhe investitorëve, si dhe duke e bërë industrinë tonë më të qasshme dhe transparente për të gjithë”, shkruhet në përgjigjet e QKK-së.
Sipas përgjigjes së QKK-së, deri tani nuk është menduar aq shumë për një platformë të tillë, sepse informacionet për industrinë e filmit ishin shpërndarë në vende të ndryshme, si faqet zyrtare apo kontaktet personale. Realiteti ka treguar se ky lloj organizimi nuk është mjaftueshëm i qasshëm, sidomos për ata që janë duke filluar karrierën për produksionet e huaja dhe që kanë dashur të bashkëpunojnë me QKK-në.
Në perspektivën e QKK-së, krijimi i “Kosova.film” ka ardhur si nevojë e kohës.
“Industria e filmit në Kosovë po rritet dhe po bëhet më e dukshme, por për ta çuar përpara, na duhet një platformë, e cila jo vetëm i sjell të gjithë bashkë, por e tregon Kosovën si një vend serioz dhe të organizuar për projekte filmike. Nuk është se ka munguar vullneti, por tani ka ardhur momenti i duhur për ta bërë këtë hap”, shkruhet në përgjigjet e QKK-së.
Sipas QKK-së, “Kosova.Film” është duke ofruar shumë përfitime për artistët dhe profesionistët e filmit. Përmes kësaj platforme, sipas QKK-së, ata kanë mundësinë të jenë pjesë e një rrjeti të madh ku prezantohen aftësitë e tyre dhe bëhen më të dukshëm për produksionet, si brenda ashtu edhe jashtë Kosovës.
“Një nga përfitimet më të mëdha është qasja e lehtë dhe e drejtpërdrejtë. Një regjisor ose producent mund të lidhet me një aktor ose skenarist pa ndërmjetës, gjë që e bën më të thjeshtë bashkëpunimin për projekte të reja. Për më tepër, aktorët që regjistrohen në Kosova.film bëhen automatikisht pjesë e platformës evropiane të kastimit (Filmmakers.eu), duke u hapur dyer për mundësi ndërkombëtare”, shkruhet në përgjigjet e QKK-së.
Për artistët e rinj, sipas QKK-së, kjo platformë është veçanërisht e rëndësishme.
Shpesh, sfida më e madhe për ta është të krijojnë lidhje në industri. Këtu, ata kanë një vend ku mund të prezantojnë punën e tyre dhe të lidhen me njerëzit e duhur. Kjo platformë është krijuar pikërisht për të ndihmuar artistët dhe profesionistët vendorë për t’u lidhur më lehtë me njëri-tjetrin dhe me produksionet ndërkombëtare”, shkruhet në përgjigjet e QKK-së.
Sipas QKK-së, Kosova ka shumë për të ofruar nga talentët e jashtëzakonshëm deri te lokacionet e bukura për xhirime.
“Përmes kësaj platforme, ne jo vetëm që promovojmë këto mundësi, por gjithashtu krijojmë një hapësirë ku bashkëpunimet mes artistëve tanë dhe kinematografëve të huaj bëhen shumë më të lehta dhe më të natyrshme”, shkruhet në përgjigje.
Themeluesit e kësaj ueb-faqeje besojnë se platforma do të ndihmojë jo vetëm në promovimin e Kosovës si një destinacion të rëndësishëm filmik, por edhe në forcimin e lidhjeve profesionale dhe kulturore.
“Në fund të ditës, qëllimi kryesor është të krijojmë një komunitet ku artistët tanë dhe ata ndërkombëtarë të ndihen të mirëpritur dhe të gatshëm për të punuar së bashku”, shkruhet në përgjigjet e QKK-së.
Platforma mban emrin e ish-organizatës për prodhimin, distribuimin dhe shfaqjen e filmave “KosovaFilm” që ishte themeluar më 20 shkurt 1969. Deri në fillim të viteve ’90, filmat e punuar në Kosovë kanë pasur vulën e kësaj organizate. Tash me Ligjin për kinematografi, asetet e organizatës janë pronë e QKK-së.