Kulturë

Kosova në Venecie i jep kumbim zërit të padëgjuar të grave

Bienalja-Venecia

Në hapësirën që është oborri i Muzeut Historik të Marinës në Venecie, Pavijoni i Kosovës i titulluar “Heshtjet kumbuese të metalit dhe lëkurës” fut vizitorët brenda një ambienti ku fragmentet skulpturore rrëfejnë

Krejt esenca e instalacionit të Pavijonit të Kosovës – i hapur zyrtarisht të enjten në ngjarjen më të madhe të artit në botë, zbërthehet qysh në dy fjalët e para të titullit, që barazohet në paradoks. “Heshtjet kumbuese të metalit dhe lëkurës”, u jep zë grave punëtore. Rrëfimi është personal, zë fill prej historisë së nënën së artistes Doruntina Kastrati, bashkohet me të tjera rrëfime për t’u shndërruar në thirrje universale. Tregimet e patreguara tregohen në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecie, aty kumbon zëri i padëgjuar

Me një temë për të cilën artistja ka ndjeshmëri personale e i gjithë ekipi e ka studiuar mirë, në Pavijonin e Kosovës në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecia po shpaloset rrëfimi i grave që lënë shëndetin në fabrikat e një shoqërie që i dha fund socializmit dhe iu kap kapitalizmit të egër. 

Në hapësirën që është oborri i Muzeut Historik të Marinës në Venecie, Pavijoni i Kosovës i titulluar “Heshtjet kumbuese të metalit dhe lëkurës” fut vizitorët brenda një ambienti ku fragmentet skulpturore rrëfejnë. Rrëfehet për qëndrimin në këmbë në orar të zgjatur brenda një fabrike, shihen copat e lëvozhgave të arrave e protezat e gjurit. Muzika në prapavijë bashkë me vibrimin në dysheme e plotësojnë mozaikun duke bërë që vizitorët e edicionit të 60-të të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia të prekin pak nga rrëfimi i Kosovës që sivjet pikën e burimit e ka Prizrenin, fabrikën e llokumeve, e në qendër janë punëtoret e saj.

Rrëfehet për qëndrimin në këmbë në orar të zgjatur brenda një fabrike, shihen copat e lëvozhgave të arrave e protezat e gjurit

“...historitë e patreguara na mbajnë larg”

Artistja e gjeneratës së re, Doruntina Kastrati, nën kurimin e Erëmirë Krasniqit e me komisionere Hana Halilajn, kanë ndërtuar “folenë” e paraqitjes së Kosovës në Venecie. Për të gjashtën herë me radhë shteti më i ri i Evropës i shpalos botës së artit bashkëkohor temat që përcaktohen nga artistët përfaqësues. 

“Tregimet na bashkojnë, historitë e patreguara na mbajnë larg. Ne jemi krijuar nga ato histori që kanë ndodhur, ato që po ndodhin në këtë moment  dhe ato që formohen thjesht në imagjinatën tonë përmes fjalëve, imazheve, ëndrrave, dhe një ndjenjë të pafund habie për botën përreth nesh dhe si funksionon ajo. Të mos jesh në gjendje të tregosh historinë tënde, të heshtësh dhe të mbyllesh, do të thotë të dehumanizosh”, është citati i shkrimtares Elif Shafak me të cilin e ka filluar fjalën e saj Doruntina Kastrati. Vajza e një punëtoreje të Fabrikës së Llokumeve në Prizren kishte parë se gratë që punojnë aty në numër të madh përballen me injektim protezash në gju shkaku i qëndrimit të gjatë në këmbë. Emër i njohur për gjeneratën e saj në art, Kastrati këtë temë e ka sjellë si rast të punës së feminizuar që jo veç në Kosovë, por në krejt vendet në transicion është telash i madh. Humanja e materialja në këtë rast nuk ecin bashkë. E para është prapa. Por te intalacioni skulpturor i Kosovës në Venecie që është inauguruar të enjten, rrëfimi është krejt human.

“Jam e lumtur që jam këtu sot dhe ndaj pjesë të një historie që është gjithmonë e pranishme në përvojën tonë lokale dhe globale, duke filluar nga nëna ime Fitnete, ish-koleget e saj Shaije dhe Mimoza dhe shumë zëra të tjerë nga margjina, të paarritshëm, të padëgjuar”, ka thënë Krastrati. 
Për t’i dhënë edhe më shumë jehonë rrëfimit që shpaloset është promovuar edhe një botim i bazuar në hulumtim, ku prezantohen tri histori gojore me ish-punonjëset e Fabrikës së Llokumeve. Botimi nis me intervistën që artistja Kastrati ka realizuar me nënën e saj, Fitnete Veselaj-Kastratin. Bëhet e ditur se artistja dhe nëna e saj, së bashku kujtojnë kohën kur ajo punonte në fabrikë. 

“Intervistat kanë një strukturë biografike, duke reflektuar mbi mënyrën se si gratë menaxhuan përgjegjësitë dhe presionet në vendin e punës, si dhe marrëdhëniet e tyre si bashkëshorte e nëna, dhe se si kjo ka ndikuar në vetëvlerësimin e tyre. Intervistat shoqërohen me dokumentim fotografik nga Majlinda Hoxha”, bëhet e ditur në njoftim. 

Shpalosjen e rrëfimeve të grave në Venecia, Kosova nuk e ka për herë të parë. Këtë e ka bërë edhe në edicione paraprake me tema të tëra. E ka bërë edhe nëpërmjet filmit me “Vera andrron detin” nën regji të Kaltrina Krasniqit, premierë në Festivalin e Venecies më 2021. Aty trajtohet problemi i grave në trashëgimi.

Muzika në prapavijë bashkë me vibrimin në dysheme e plotësojnë mozaikun duke bërë që vizitorët e edicionit të 60-të të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecie të prekin pak nga rrëfimi i Kosovës që sivjet pikën e burimit e ka Prizrenin, Fabrikën e Llokumeve e në qendër janë punëtoret e saj

Për një botë më të jetueshme

Motra e regjisores, kuratorja Erëmirë Krasniqi, në hapje të Pavijonit të Kosovës të enjten, ka kujtuar se asokohe ishte në qytetin italian për ta mbështetur motrën në shpalosjen e rrëfimit që lidhej me nënën e tyre. Ka thënë se tash është atje për ta ndihmuar artisten Doruntina Kastrati për ta shpalosur rrëfimin e nënës së saj. 

“Brezi ynë po identifikon se çfarë është strukturore në pabarazitë që përjetoi brezi i grave para nesh, dhe përmes punës sonë po përpiqemi ta bëjmë këtë botë pak më të jetueshme dhe më të përshtatshme për to dhe veten tonë. Duke u nisur nga përvojat e grave që punojnë në fabrikë, historitë e tyre që vijnë nga periferia e lëkurës sonë kolektive, jehojnë dhe ndërhyjnë në narrativen më të gjerë të Kosovës së sotme. Rrëfimet e tyre në vetën e parë i sjellim në botimin që e ndajmë sot me ju”, ka thënë Krasniqi.

Kulmi i diplomacisë kulturore

Bienalja Ndërkombëtare e Artit në Venecia – ku sivjet shtrihen pavijonet e 87 shteteve e në ekspozitën e përgjithshme marrin pjesë 331 artistë nga vende të ndryshme kanë ekspozitat personale në kuadër të temës së përgjithshme “Të huaj kudo” – është arenë e diplomacisë kulturore. 
Ambasadorja e Kosovës në Itali, Lindita Haxhitasimi, ka thënë se ambientin e konsideron si kulmin e diplomacisë kulturore të Kosovës. 

“Ky instalacion i jashtëzakonshëm skulpturor, i krijuar nga artistja Doruntina Kastrati dhe kuruar nga vizionarja Erëmirë Krasniqi, nxjerr në dritë pabarazitë dhe sfidat me të cilat përballen gratë në ekonomitë e parregulluara, ku puna e tyre është kapitali i vetëm social dhe ekonomik që e zotërojnë”, ka thënë ajo. 

Për komisioneren Hana Halilaj, njëherësh kuratore në Galerinë Kombëtare të Kosovës, Pavijoni i spikat hapësirat e punës dhe problemet që ato paraqesin në shoqëritë bashkëkohore, “duke theksuar dinamikën e pushtetit, hierarkinë, çështjet e pëlqimit dhe përjashtimit”. Nëpërmjet asaj që është parë në video e fotografi, gjatë hapjes publiku ka qenë i numërt.

Historia universale që nis nga personalja

Midis tyre edhe artisti Mehmet Behluli, profesor në Fakultetin e Arteve në Prishtinë. Ka thënë se është vërtet mburrje që një prej studenteve të Fakultetit e përfaqëson Kosovën në Bienale. Sipas tij, për të disaten herë dëshmohet se artistët e rinj janë shumë të fuqishëm dhe shumë specifik në arenën ndërkombëtare. 

“Pos Fakultetit të Arteve që e kemi siç e kemi, dëshmohet se edukimi alternativ e kryen punën e vet. Jo vetëm Doruntina por bie fjala edhe në ‘Manifesta’ në Prishtinë kanë qenë 30 projekte të artistëve tanë që pos Fakultetit të Arteve kanë vijuar edhe arsim alternativ që e plotëson Fakultetin që ka mangësi të shumta. Më ka befasuar publiku shumë kualitativ dhe i shumtë në hapjen e Pavijonit tonë”, ka thënë ai për KOHËN nëpërmjet një lidhjjee telefonike. Fakultetin e ka përshkruar si vend që “është interesant të shihet se si nuk duhet të mësohen artistët”. 

Behluli, i cili ka bërë rrugë me veturë që të jetë në hapjen e Pavijonit të Kosovës në Venecie, ka thënë se i gjithë projekti është ndërtuar nga vajzat e gratë e Kosovës pa burra, që fatkeqësisht në shoqëri të tilla provojnë ta keqpërdorin mbizotërimin fizik. 

“Në anën tjetër Universiteti i Prishtinës nuk është në gjendje ta suspendojë një profesor që haptas është i akuzuar për abuzime e marrëzira të tjera”, ka thënë ai, duke iu referuar rastit të profesorit të matematikës, Xhevat Krasniqi, i denoncuar nga 27 studente si ngacmues seksual.

Vajza e një punëtoreje të Fabrikës së Llokumeve në Prizren kishte parë se gratë që punojnë aty në numër të madh përballen me injektim protezash në gju shkaku i qëndrimit të gjatë në këmbë. Emër i njohur për gjeneratën e saj në art, Doruntina Kastrati këtë temë e ka sjellë si rast të punës së feminizuar që jo veç në Kosovë, por në krejt vendet në transicion është telash i madh

Hapësira e Kosovës sivjet në Venecie është afër hapësirës ekspozuese Arsenale. Ambienti ka hapur mundësi që intalacioni të zërë vend në mënyrë shumë domethënëse. Tingujt e kompozuar nga Paul Hauptmeier dhe Martin Recker e bëjnë vizitorin të thellohet në rrëfim. 

Ndjesia që ia ka krijuar Pavijoni i Kosovës artistit Driant Zeneli ka bërë që atë ta përshkruajë si punë shumë serioze. Sipas tij, bëhet fjalë për lokacion interesant dhe mënyra se si është luajtur me hapësirën është interesante. 

“Aspekti sensorial me vibrimin e dyshemesë është shumë i gjetur. Tema është shumë e rëndësishme dhe aq më shumë merr vlerë në momentin që niset nga një histori personale”, ka thënë Zeneli, i cili më 2019 ka përfaqësuar Shqipërinë në Bienalen Ndërkombëtare të Venecias.

Kur numërohen pjesëmarrjet e Kosovës në Bienale, nëse nuk numërohen edicionet e arkitekturës, kjo është e gjashta me radhë. 

Sa i përket edicionit të artit gjithçka kishte filluar më 2013. Asokohe Petrit Halilaj kishte paraqitur instalacionin “Jam i untë me të pasë ngat. Po du me i gjetë fjalët që më ngopin, por në fund s’mbetet tjetër pos nji qark i mbyllun. Ironia asht që ti nuk je këtu, asni gja nuk asht këtu”. Më 2015-n, përfaqësuese e Kosovës ishte artistja Flaka Haliti me veprën “Speculating in the blue” (Spekulim në të kaltër). Më 2017 ishte Sislej Xhafa me veprën “Lost and Found”, një thirrje e fuqishme për fatin e të zhdukurve gjatë luftës. Me histori lufte, Kosova ishte përfaqësuar edhe më 2019-n nga Alban Muja me “Family Album” (Albumi familjar). Më 2022, Jakup Ferri temës së përcaktuar nga Bienalja do t’i përgjigjej me “Monumentalitetin e përditshmërisë”. 

Kuratori i përgjithshëm i edicionit të sivjetmë, braziliani Adriano Pedrosa, të mërkurën në mesditë në konferencën hapëse për media ka thënë se arti nuk mund të jetë indiferent ndaj ndodhive në botë. 
“Titulli (‘Të huaj kudo’ v.j.) ka shumë kuptime. Për shembull, ngado që shkoni keni përreth të huaj ose kudo që shkoni thellë në vete ndiheni si i huaj. Pastaj jemi në Venecie ku vizitorët janë më të shumë në numër sesa vendorët. Bienalja është po ashtu e tillë”, ka thënë ai. 

Të huaja duhet të jenë ndier edhe punëtoret e Fabrikës së Llokumeve përderisa janë shfrytëzuar si krah pune me orar të zgjatur. Por rrëfimi i tyre tashmë nëpërmjet artit vjen si histori humane që flet në Venecia. I flet botës në gjuhë universale.