Kulturë

Kosova në kërkim të veprës për Bienalen e Arkitekturës në Venecie

Bienalja e Arkitekturës në Venecie

“Intelligens. Natural. Artificial. Collective” është tema e edicionit të 19-të të Bienales Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecie më 2025

Arkitektë, urbanistë, projektues, studiues, kritikë e artistë, kanë kohë deri në ditën e 17-të të nëntorit që të dërgojnë projektpropozimet e tyre për veprën, me të cilën do ta përfaqësojnë Kosovën në Bienalen Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecie. Ministria e Kulturës, të martën e ka hapur thirrjen. Sivjet, ngjarja më e madhe e arkitekturës në botë, mban edicionin e 19-të. Datat e planifikuara: prej 10 majit deri më 23 nëntor të vitit që vjen. Siç ka bërë të ditur edhe MKRS-ja në thirrje, “Intelligens. Natural. Artificial. Collective” është tema e këtij edicioni me kurator Carlo Rattin.

Emri i këtij arkitekti e inxhinieri italian, nuk është i panjohur në Kosovë. Dy vjet më parë u angazhua për ato që u quajtën “ndërhyrje urbanistike” në Prishtinë, me bienalen nomade evropiane “Manifesta 14” si “Korridori i gjelbër” që nuk ekziston më. 

Në Venecie, ekspozita, siç ka shkruar MKRS-ja, inkurajon interpretime të mjedisit të ndërtuar dhe disiplinave të shumta që e formësojnë atë. “Arkitektura është në qendër, por jo vetëm. Është pjesë e një sfere me nocion të zgjeruar që integron artin, inxhinierinë, biologjinë, shkencën e të dhënave, shkencat sociale dhe politike, shkencat e sistemeve planetare dhe disiplina të tjera – duke ndërlidhur secilën prej tyre me materialitetin e hapësirës urbane”, shkruhet në thirrje. 

Pavijoni i Republikës së Kosovës komisionohet nga Galeria Kombëtare e Kosovës, dhe mbështetet nga Ministria e Kulturës. 

Në edicionin paraprak, më 2023, Kosova u përfaqësua në Bienalen Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecie nga dyshja Poliksen Qorri-Dragaj e Hamdi Qorri. Vepra e tyre “RKS2 Transcedent Locality” (RKS2 Lokaliteti Transcendent) i fuste vizitorët brenda botës së emigrantëve, teksa ftonte për debat. Parashtronte pyetjen se çfarë ndodh me idenë e jetesës e të vendit të banimit.

Kosova më 2012 debutoi në Bienalen Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecie me arkitektin Përparim Rama, tash kryetar i Prishtinës, me veprën “Punuesi i filigranit”. Për komisioner ishte caktuar arkitekti Bekim Ramku. “Punuesi...” mëtonte të hidhte dritë mbi trashëgiminë kulturore të Kosovës. Më 2014, Gëzim Paçarizi e kishte përfaqësuar Kosovën me “Visibility (imposed modernism)” (Dukshmëria - Modernizmi i imponuar). Më 2018, kuratore e Pavijonit të Kosovës ishte artistja Eliza Hoxha me temën “Qyteti është gjithandej”. Paraprakisht më 2016, sherri i Ministrisë së Kulturës, Kosova s’u përfaqësua. E më 2021 atje ishte Maksut Vezgishi me veprën “CONTAINPORARY”.

Lexo edhe: