Një prej ngjarjeve më të mëdha të arkitekturës në botë, sivjet do të jetë nikoqire e pavijonit të shtetit më të ri të Evropës me temën “Ansamble në shpërfaqje: Ekologjitë në ndryshim”, koncept i arkitektes Erzë Dinarama. Ndryshimet klimatike e ndikimi i tyre në ekosistemi si temë globale e njëkohësisht edhe me shembuj lokal do të jenë çështjet që do të ngritë pavijoni i Kosovës në Bienalen Ndërkombëtare të Arkitekturës këtë vit në Venecia
Ndryshimet klimatike e ndikimi i tyre në ekosistemi si temë globale e njëkohësisht edhe me shembuj lokal do të jenë çështjet që do të ngritë pavijoni i Kosovës në Bienalen Ndërkombëtare të Arkitekturës këtë vit në Venecia. Një prej ngjarjeve më të mëdha të arkitekturës në botë, sivjet do të jetë nikoqire e pavijonit të shtetit më të ri të Evropës me temën “Ansamble në shpërfaqje: Ekologjitë në ndryshim”. Tema i shkon për shtati temës së përgjithshme të caktuar nga kuratori Carlo Ratti, “Intelligens. Natural. Artificial. Collective”. Për përfaqësimin e Kosovës ka vendosur juria 5-anëtareshe, përderisa përfaqësuese do të jetë arkitektja Erzë Dinarama.
Nëpërmjet publikimit të vendimit të Ministrisë së Kulturës është shpalosur edhe raporti i jurisë. Aty bëhet e ditur se në konkurrencë kanë qenë 11 projekte. Përcaktimi për konceptin e Dinaramës shkruhet të jetë bërë duke u bazuar në qasjen inovative të projektit, thellësinë intelektuale, përputhshmërinë me temën e Bienales dhe angazhimin për të adresuar çështje kritike globale dhe lokale përmes hulumtimit arkitekturor.
“Projekti ka qasje eksperimentale, dinamike dhe diskursive dhe ofron një platformë për formësimin e ideve gjatë muajve te Bienales dhe ofron përfitime afatgjata për ekspertët e fushës”, shkruhet në raport. Aty bëhet e ditur se Propozimi trajton njërën nga sfidat më urgjente globale - ndryshimet klimatike dhe ndikimin e tyre në ekosisteme, përmes lentës të migrimit të specieve.
“Ai e pozicionon këtë fenomen si çështje hapësinore dhe ekologjike me pasoja të thella kulturore, gjeopolitike dhe mjedisore. Projekti arrin të lidhë me sukses diskurset shkencore, ekologjike dhe arkitekturore, duke e bërë atë shumë të rëndësishëm për platformën e Bienales për eksplorim ndërdisiplinor”, shkruhet në raportin e pesëshes, Rozafa Basha, Marina Otero Verzier, Polikseu Qorri-Dragaj, Adela Demetja e Rudina Xhaferi.
Juria ka vlerësuar se koncepti i Dinaramës e kthen migrimin e specieve në një narrativë hapësinore, duke theksuar se si ndryshimet ekologjike dezorientojnë praktikat dhe marrëdhëniet e vendosura.
“Duke eksploruar tensionet ndërmjet modeleve shkencore parashikuese, praktikave ekologjike të lokalizuara dhe pasigurive të ndryshimeve klimatike, propozimi nxit reflektim kritik mbi mënyrën se si shoqëritë përshtaten me një botë në ndryshim”, shkruhet në arsyetim. Juria ka vlerësuar se kjo qasje shkon përtej narrativave tradicionale mjedisore, duke e bërë atë origjinale dhe provokuese. Aty zë vend edhe kontakti lokal.
“Projekti integron në mënyre efektive kontekstin specifik të Kosovës, duke theksuar sfidat me të cilat përballen rajonet me të dhëna ekologjike të kufizuara dhe rëndësinë e njohurive lokale në formësimin e strategjive përshtatëse. Njëkohësisht, ai i vendos këto çështje brenda një kuadri global, duke adresuar pyetje universale rreth qeverisjes ekologjike, praktikat kulturore dhe përshtatjen hapësinore”, shkruhet në arsyetim. Ky fokus i dyfishtë, sipas jurisë, e pasuron narrativen e pavijonit dhe zgjeron tërheqjen e tij.
“Natyra ndërdisiplinore e propozimit, duke kombinuar tregimin vizual, të dhënat shkencore dhe dizajnin hapësinor gjithëpërfshirës demonstron një kuptim të sofistikuar të ndërlidhjes mes ekologjisë, kulturës dhe arkitekturës. Mbështetja në bashkëpunimin më ekologet vendas, anëtarët e komunitetit dhe shkencëtarët në Kosovë thekson përkushtimin e tij ndaj praktikave të bazuara në kontekst”, shkruhet në raport.
Projekti është parë edhe si koncept që përfshin pasigurinë jo si një kufizim, parë si një hapësire gjeneruese për praktika përshtatëse dhe përgjigje krijuese. Duke sfiduar modelet statike të ruajtjes dhe duke propozuar qasje relacionale dhe fleksibile për mirëmbajtën ekologjike, sipas jurisë, pavijoni kontribuon në një perspektivë transformuese në diskutimet e vazhdueshme globale mbi mënyrën se si shoqëritë të kujdesën për planetin dhe banoret e tij.
“Propozimi bazohet ne hulumtime shkencore gjithëpërfshirëse të jashtëzakonshme, përfshin kushte hapësinore specifike lokale në Kosovë dhe hap një diskurs ndërdisiplinor mbi pyetjen se si peizazhet dhe qytetet kosovare mund të reagojnë ndaj krizave të parashikueshme, siç është ndryshimi klimatik, duke u përshtatur dhe përmirësuar strategjitë ekzistuese, duke i zhvilluar ato ne mënyre te qëndrueshme dhe kështu duke forcuar qëndrueshmërinë e tyre”, shkruhet në raport.
Sa i përket përfaqësueses së Kosovës, Erzë Dinarama, ajo është arkitekte, dizajnere ndërdisiplinore dhe hulumtuese që punon në ndërthurjen midis urbanizmit, arkitekturës së peizazhit dhe ekologjisë. Sipas biografisë, ajo hulumton kompleksitetin e sfidave mjedisore përmes shkencës dhe dizajnit, duke i bërë këto sfida të dukshme përmes hulumtimeve estetike.
“Erza ka qenë e angazhuar në aktivitete mësimore në institucione si Politekniku i Milanos dhe Torinos, ETH Zurich, Shkolla e Dizajnit në Milano, ‘Domus Academy’ në Milano dhe Universiteti Polis në Tiranë”, shkruhet në biografi. Aty shkruhet se në praktikën e saj profesionale, Dinarama ka bashkëpunuar dhe ka qenë pjesë e studiove dhe institucioneve, duke përfshirë “Carlo Ratti Associati”, fondacionin “Manifesta” dhe “Studio Olafur Eliasson”, “Carlo Ratti Associati”
“Ajo shërbeu si anëtare e jurisë për Thirrjen e Hapur të Manifesta 15 Barcelona, dhe ishte pjesë e ekipit të ‘Carlo Ratti Associati’ që zhvilloi vizionin urban për ‘Manifesta 14 Prishtina’”, shkruhet në biografi. ‘Carlo Ratti Associati’ ka ideuar ndërhyrë në disa pjesë të qytetit të Prishtinës gjatë mbajtjes së bienales nomade “Manifesta” në Prishtinë më 2022. Intervenimeve të këtij arkitekti tashmë nuk u kanë mbetur as shenjat. Qenë projekte tallëse, jetëshkurtra e më të dështuarat midis shumë sish të “Manifestës” që shtetit të Kosovës i kushtoi 4 milionë euro.
Pikërisht Ratti sivjet është kurator i edicionit të 19-të të Bienales Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecia. Ratti që ka përcaktuar që tema e sivjetme të jetë “Intelligens. Natural. Artificial. Collective”, kishte thënë se për ta përballuar një botë të djegur, arkitektura duhet të shfrytëzojë të gjithë inteligjencën shoqërorë.
“Mjedisi i ndërtuar është një nga kontribuuesit më të mëdhenj në emetimet atmosferike, duke e vendosur arkitekturën ndër fajtorët kryesorë për degradimin e planetit tonë. Ndërsa kriza klimatike përshpejtohet, a duhet të heqim dorë nga ky rol, apo a jemi ende në gjendje të ofrojmë zgjidhje, thelbësore dhe jo kozmetike, efektive dhe të shpejta për t'u arritur?”, do të thoshte në maj të këtij derisa kishte prezantuar temën arkitekti që në Kosovës ka bërë veç zgjidhje kozmetike. Sipas Rattit, ekspozita do të kërkojë një rrugë përpara, duke propozuar që zgjidhjet inteligjente për problemet urgjente mund të marrin shumë forma.
Marrëdhënia e Kosovës me Bienalen ka nisur më 2012. Në Bienalen e Arkitekturës në Venecia, Kosova debutoi atë vit. Asokohe shteti ishte prezantuar me “Punuesi i filigranit”, të kuratorit Përparim Rama – tash kryetar i Prishtinës – dhe për komisionar ishte caktuar arkitekti Bekim Ramku. “Punuesi i filigranit” mëtonte të hidhte dritë mbi trashëgiminë kulturore të Kosovës. Më 2014, Gëzim Paçarizi kishte përfaqësuar Kosovën me “Visibility (imposed modernism)” (Dukshmëria - Modernizmi i imponuar). Kulla e punuar nga 720 stola përcillte historinë arkitekturore të Prizrenit. Vënia në dukje e ndryshimeve që ka pësuar ky vend gjatë një shekulli ka qenë ai që ishte prezantuar në konceptin kuratorial. Dy vjet më vonë, sherri i Ministrisë së Kulturës që nuk ishte kujdesur për procedurat, Kosova s’u përfaqësua, për t’u rikthyer më 2018 me Eliza Hoxhën, me veprën “Qyteti është gjithandej”, që zhvendosi atje shtëpinë kosovare të viteve ’90. Në edicionin e 2020-s, Maksut Vezgishi me “Containporary” zbërthente pyetjen se si mund të jetojmë së bashku. Kurse më 2023, Poliksen Qorri-Dragaj dhe Hamdi Qorri me temën “RKS2 Transcedent Locality” (RKS2 Lokaliteti Transcendent) kishin trajtuar fenomenin e migrimit dhe ndikimin e tij në arkitekturën e qyteteve.
Sa i përket përfaqësimit të Kosovës në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecia, gjithçka kishte filluar më 2013. Asokohe Petrit Halilaj kishte paraqitur instalacionin “Jam i untë me të pasë ngat. Po du me i gjetë fjalët që më ngopin, por në fund s’mbetet tjetër pos nji qark i mbyllun. Ironia asht që ti nuk je këtu, asni gja nuk asht këtu”. Më 2015-n, përfaqësuese e Kosovës ishte artistja Flaka Haliti me veprën “Speculating in the blue” (Spekulim në të kaltër). Më 2017 ishte Sislej Xhafa me veprën “Lost and Found”, një thirrje e fuqishme për fatin e të zhdukurve gjatë luftës. Me histori lufte, Kosova ishte përfaqësuar edhe më 2019-n nga Alban Muja me “Family Album” (Albumi familjar). Më 2022, Jakup Ferri temës së përcaktuar nga Bienalja do t’i përgjigjej me “Monumentalitetin e përditshmërisë”. Kurse më 2024 Doruntina Kastrati me temën “Heshtjet kumbuese të metalit dhe lëkurës” kishte trajtuar hallin e grave në punë në një realitet ku shteti pas socializmit nis t’i përshtatet një kapitalizmi të egër. Pavijoni kishte marrë “Mirënjohjen Speciale”.