Kulturë

Kosova midis jetës dhe vdekjes “pikturohet” në Tiranë

Faton kryeziu - ekspozita

“Life and Death” e Faton Kryeziut tashmë është gati për hapje solemne, të enjten e 10 prillit në galerinë “GOCAT” në Tiranë

“Kam pikturuar Kosovën, vendin tim, tokat e djegura të vendit tim që i kam parë nga afër dhe i kam përjetuar edhe gjatë kohës së luftës, por edhe në fëmijërinë time. E kam parë se si gjithçka që një ditë digjet, ose nuk është më, rilind prapë...”, është zbërthimi që ua bën Faton Kryeziu veprave që bashkohen në “Life and Death”, ekspozitën e parë personale të tij në Tiranë

Aty është Kosova, janë tokat e djegura të saj e rilindja. Shkurt, “Life and Death” si një dikotomi që përshkon rrëfimin për një vend, vendlindjen. Ky është titulli i ekspozitës së artistit nga Kosova, Faton Kryeziu, e cila do të hapet sot (e enjte) në Tiranë. Janë vepra të freskëta, por që përjetësojnë reminishenca edhe nga fëmijëria. Kryeziu u rikthehet imazheve të para në realitet, por ato nuk mbeten vetëm përjetime personale. Shndërrohen në tablo kolektive me tis historik. Është ekspozita e parë personale e Kryeziut në Shqipëri. Adresa: “GOCAT”, që e merr emrin prej “Gallery of Contemporary Art Tirana”, në zemër të kryeqytetit shqiptar, një galeri e re e cila shpejt është shndërruar në një prej pikëtakimeve qendrore të artit në këtë hapësirë. 

“Punët e fundit tashmë i kam përfunduar dhe gjithçka është gati për hapjen e kësaj ekspozite. Kam pikturuar Kosovën, vendin tim, tokat e djegura të vendit tim që i kam parë nga afër dhe i kam përjetuar edhe gjatë kohës së luftës, por edhe në fëmijërinë time. E kam parë se si gjithçka që një ditë digjet, ose nuk është më, rilind prapë diçka tjetër në atë tokë që është djegur”, ka thënë Kryeziu në bisedën për KOHËN, të mërkurën, një ditë para vernisazhit të “Life and Death”. Është ekspozita e 16-të personale në karrierën e tij. Për kuratore ka Suzana Varvaricën. 

Binomi jetë e vdekje, artisti thotë ta ketë prekur përherë kërshërinë e tij. Ka një lloj qasjeje ekzistencialiste në veprat që përthekohen në këtë ekspozitë
 

Binomi jetë e vdekje, Kryeziu thotë ta ketë prekur përherë kërshërinë e tij. Ka një lloj qasjeje ekzistencialiste në veprat që përthekohen në këtë ekspozitë. 

“Gjithmonë kur kam parë diçka, kam menduar me vete se si është kur kjo gjë nuk do të ekzistojë një ditë. Do të thotë kjo është tema që e kam trajtuar këto kohët e fundit dhe besoj se do të jetë një ekspozitë interesante, duke e parë të njëjtin vend si ka qenë i djegur dhe tani si ka lulëzuar, dhe kjo më ka bërë përshtypje që ta përfshij në ekspozitën e fundit”, ka thënë Kryeziu. 

Ka thënë se beson që edhe për Tiranën është mjaft interesante që ta shikojë këtë ekspozitë, që shfaq ato që ka përjetuar Kosova. Por këtu gjen edhe vjegëzën që veprën e tij e bën kolektive. 

“Edhe ata e kanë përjetuar, por në një formë tjetër, do të thotë ata kanë qenë që na kanë mirëpritur, por ne kemi qenë ata që e kemi përjetuar luftën dhe unë kam zgjedhur ta trajtoj ngjarjen që e kam përjetuar vetë”, ka thënë ai. 

“Life and Death” shpalos punime që Kryeziu kryesisht i ka realizuar në dy a tre vjetët e fundit, formatesh të mëdha që, sipas tij, e kërkojnë kohën e vet për t’u përfunduar. Aty gjejnë vend edhe disa punime të mëhershme, ato të fillimit të kësaj teme që janë krijuar në vitet 2013-2015. Nëpërmjet veprave ku dominon teknika vaj në pëlhurë, ai thotë se bën lidhjen kur ka filluar që të trajtojë këtë temë. 

Skena artistike në Shqipëri nuk është e panjohur për këtë piktor, pasi është pjesëmarrës në disa ekspozita kolektive. Por “Life and Death” ka tjetër peshë jo vetëm si ekspozitë e parë personale. Për Kryeziun ishte një ëndërr. 

“Unë jam rritur në Prizren duke e shikuar televizionin shqiptar. Jam rritur duke i dashur Shqipërinë dhe Tiranën. Madje në kujtohet që, tani që po bëhet hapja e ekspozitës sime në objektin e ‘Piramidës’, unë e di që si fëmijë – kur prindërit ose të afërmit e mi flisnin atëkohë për realizimin e një ndërtese gjigante për atë kohë në Tiranë – për mua ishte veçse një ëndërr natyrisht”, ka thënë ai, duke shtuar të mos e ketë menduar ndonjëherë që do të arrijë ditë të realizojë ekspozitë në atë ndërtesë, që në një kohë të caktuar e kishte ëndërr. 

“Kjo për mua është një sfidë shumë e madhe që të dal para publikut të Tiranës”, ka thënë ai. 
“Piramida” e Tiranës u ndërtua tre vjet pas vdekjes së diktatorit komunist, Enver Hoxha, si muze për nder të tij. Në qendër të ndërtesës ndodhej edhe një monument i madh i Hoxhës, që u largua me rënien e regjimit komunist më 1990.

Pas shumë planesh të dështuara për ta kthyer në teatër, struktura e saj filloi të shkatërrohej. Të rinjtë shpesh madje e përdornin si rrëshqitëse. Bashkia e Tiranës, në vitin 2018, në bashkëpunim me Fondin Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve ndërmori nismën për ta transformuar në qendër të kulturës. Ata zgjodhën kompaninë arkitekturore me bazë në Rotterdam, “MVRDV”, për të ripërdorur atriumin dhe hapësirën përreth dhe ta kthejnë në qendër të re për jetën kulturore të Tiranës, sidomos për gjeneratat e reja. Projekti 12 milionë eurosh e transformoi atë dhe prej majit të vitit 2023, kur u rihap, është shndërruar në atraksion jo vetëm për Tiranën, por edhe si shembull botëror. Galeria “GOCAT” është vetëm një prej institucioneve që strehohen aty. 

Me kuratoren e shquar Suzana Varvarica, ky nuk është bashkëpunimi i parë i Kryeziut. 

“Është një prej kuratoreve ose studiueseve të artit më të rëndësishme në Tiranë. Me të kam bashkëpunuar për disa vite, ajo më ka hapur edhe ekspozita të tjera, por bashkëpunimi më i madh i imi me Suzanën ka qenë një libër mjaft voluminoz që unë e kam botuar, me 250 faqe me punët e mia. Kështu që bashkë me Suzanën e kemi realizuar këtë libër”, ka thënë Kryeziu, duke rikujtuar se ajo është një prej njerëzve që e njeh artin shumë mirë, artin kosovar dhe atë shqiptar. “Ajo më ka përcjellë për disa vjet të karrierës dhe mendoj se më njeh mua dhe e njeh punën time shumë mirë”, ka thënë Kryeziu, i cili vitin e kaluar me ekspozitë personale në “Galerinë Katër” shënoi 20 vjet krijimtari. 

“Nganjëherë 20 vjet të duken pak e nganjëherë të duken shumë. Por kur e kujtoj gjithë këtë periudhë nga fillimi në fund, më duket se kanë shkuar shumë shpejt. Gjatë gjithë kësaj kohe unë nuk kam bërë punë tjetër veçse pikturës, prandaj e konsideroj një sukses goxha të madh. Këtë e kam vënë re edhe tek artistët në vende të tjera të botës, sepse edhe atje është shumë vështirë të mbijetosh me art, kështu që unë kam jetuar shumë mirë me punën time. Mendoj se është një sukses kjo gjë”, ka thënë ai. E “Life and Death” në Tiranë është kapitulli i radhës në krijimtarinë e Faton Kryeziut.