Nëse një kompani e huaj ia mësyn të realizojë film, videolojëra e videoklip, shteti do t’ia kthejë 30 për qind të shumës direkte që ka investuar në Kosovë. Me Rregulloren për të drejtën e rabatit, ekzekutivi është i bindur se Kosova bëhet top-destinacion për veprimtari filmike. Përderisa për dikë kjo është mundësi shumë e mirë për ta promovuar vendin e për të ndikuar te komuniteti i filmit, për dikë rabati diskriminon kineastët vendorë dhe i hap rrugë skemës së mashtrimit
Shteti i Kosovës synon që të bëhet konkurrent krahas vendeve të tjera që u ofrojnë mundësi e lehtësira kompanive të mëdha kinematografike. Me këtë synim, Qeveria të mërkurën ka miratuar Rregulloren për të drejtën e rabatit. Kompanitë e huaja që investojnë dhe shpenzojnë drejtpërdrejt në Kosovë për projektet e tyre, do të rimbursohen me 30 për qind të vlerës së investimit.
Ta zëmë, nëse një kompani audiovizuale shpenzon në Kosovë 1 milion euro për film, serial, videolojëra a reklamë, shteti do t’ia kthejë 300 mijë euro. Ky hap ka pasur alamet promovimi nga Qeveria, përderisa komunitetin artistik deri diku e ka ndarë në dysh. Përderisa për dikë kjo është mundësi shumë e mirë për ta promovuar vendin e për të ndikuar te komuniteti i filmit, për dikë rabati diskriminon kineastët vendorë dhe i hap rrugë skemës së mashtrimit.
Çeku: “Një etapë e re në industrinë e kinematografisë”
Qeveria e Kosovës çdo vendim e konsideron të rëndësishëm. Madje edhe numrin e mbledhjeve të mbajtura. Por të mërkurën në raport me kinematografinë është marrë një vendim me peshë.
“Investimet e huaja në prodhim audiovizual kanë të drejtë në rimbursim prej 30 për qind (30%) të shpenzimeve të pranueshme, të shpenzuara drejtpërdrejt në Republikën e Kosovës sipas kushteve të përcaktuara në këtë rregullore dhe pa përfshirë tatimin mbi vlerën e shtuar”, përcakton një nga pikat më të rëndësishme të Rregullores për të drejtën e rabatit, saktësisht pika e parë e nenit 4. Ky akt nënligjor që do të hyjë në fuqi 7 ditë pas publikimit në gazetën zyrtare, e rregullon këtë çështje në detaje. Rregullorja do të zbatohet nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe është ky institucion që do ta bëjë rimbursimin, kurse Ministria e Kulturës do ta sigurojë buxhetin. Aplikues për rabat duhet të jenë filialet e kompanive të huaja në Kosovë. Duhet të ketë dëshmi financiare se posedon 70 për qind të shumës sa kushton projekti, kurse rimbursimi do t’i bëhet me tri këste. Për film mbi 60 minuta, prag i investimit për të përfituar në rimbursim janë 200 mijë euro, për një episod të serialit – 100 mijë euro, për dokumentar mbi 60 minuta – 75 mijë euro, për film të animuar mbi 60 minuta – 100 mijë euro, për videolojëra të gjata – 150 mijë euro, të mesme – 60 mijë euro, kurse për projekte të shkurtra audiovizuale – 20 mijë euro. Kriteret formale janë mospasja e detyrimeve financiare ndaj institucioneve të Kosovës e pastërtia në vepra penale.
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, pas mbledhjes së Qeverisë ka mbajtur konferencë për medie. Ka folur gjatë dhe ka nënvizuar shumicën e neneve të Rregullores. Njëjtë sikurse nëpër njoftimet në platformat e rrjeteve sociale gjatë gjithë ditës, Çeku ka thënë se me rabat, Kosova i bën konkurrencë rajonit e përtej duke përmendur se Bullgaria rabatin e ka në vlerë 25 për qind, Maqedonia e Veriut 20 për qind, Polonia 30 për qind, Kroacia 25 dhe Mali i Zi me 25 për qind. Por në realitet, këto vende, kompanive të mëdha të kinematografisë u ofrojnë goxha më shumë, duke nisur nga gjeografia e disave prej tyre edhe sa i përket industrisë së filmit në vendin e tyre.
Sipas ministrit Çeku, miratimi i kësaj rregulloreje pa dyshim që do të nisë një etapë të re në industrinë e kinematografisë.
“Kosova do të bëhet destinacion kryesor në rajon për prodhimtari filmike, duke qenë se talenti edhe përvoja e dëshmuar veçse janë prezente dhe të gatshme për ta ngritur industrinë tonë në nivele edhe më të larta. Lehtësira të tilla ekonomike që nxisin qarkullim serioz në ekonominë kreative të vendit janë metoda të domosdoshme të mbështetjes së sektorit kreativ dhe në këtë rast kinematografik në veçanti”, ka thënë ai. Sipas ministrit Çeku, nuk bëhet fjalë thjesht për mbështetje, por është investim direkt në artistin dhe talentin kreativ vendor.
“Kosova si një vend ku kostoja për prodhime audivizuale është relativisht e ulët, ndërsa cilësia e prodhimeve është shumë e lartë, besojmë që do të tërheqë kompani që ndjekin ambiente të punës me kosto efektive dhe produkt serioz”, ka thënë ai. Qeveria i ka pasur të gatshme edhe disa dizajne që i ka publikuar menjëherë pas miratimit të Rregullores, nëpërmjet të cilave jepen sqarime për këtë akt nënligjor. Një pjesë e fjalimit të ministrit Çeku është publikuar në profilin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. E si zakonisht, Qendra Kinematografike e Kosovës – siç rëndom kohëve të fundit i mungojnë fjalët kur politika bën fushatë për ndonjë vendim – ka shpërndarë postimin e kryeministrit Kurti.
Sopi: Diskriminim i pashoq i komunitetit artistik të Kosovës
Kjo rregullore është derivat i Ligjit për kinematografi, të miratuar në korrikun e vitit të kaluar, duke zëvendësuar atë të vitit 2004.
Shoqata e kineastëve të Kosovës “Pro Arte” asokohe kishte alarmuar krejt institucionet se ai version i ligjit është diskriminues. Këtë e ka thënë udhëheqësi i shoqatës, regjisori Agim Sopi edhe të mërkurën. Sipas tij, Ligji për kinematografi është ligji i parë i aprovuar në Kosovë që “mundëson që të vidhet me ligj”.
“Kjo është praktikë e re që po instalohet në shtetin e Kosovës. Është ligj që shkel thellë dhe me katër këmbët Kushtetutën dhe krijon një diskriminim të pashoq për komunitetin artistik të Kosovës. Fatkeqësisht, ligji ka kaluar me votat e thuajse të gjitha grupeve parlamentare”, ka thënë ai. Sipas Sopit, për pasojë, komuniteti dhe kinematografia e Kosovës janë të vdekura, edhe pse trumbetohet se është rritur buxheti dhe jepen para më shumë, por për suksese imagjinare.
“Është e vërtetë që është rritur buxheti, por e vërtetë është se ai buxhet nuk investohet në kulturë por është investuar në akulturizimin e Kosovës. Është investuar në mbylljen e institucioneve kulturore si TKK-ja e teatrot rajonalë dhe pasivizimin e QKK-së. Është viti i dytë që nuk paraqesim film për çmimin ‘Oscar’ dhe është viti i katërt që nuk kemi përfunduar një film të metrazhit të gjatë”, ka thënë ai. Sopi ka shtuar se rabati prej 30 për qind është një privilegj që u bëhet kompanive të huaja profitabile që kryesisht synojnë të xhirojnë filma dhe seriale komerciale në Kosovë.
“Gjegjësisht, grupacioneve kriminale të këtij lëmi. Ata vijnë, marrin taksat tona dhe ne përfitojmë ndonjë vend që e shkretojnë gjatë xhirimeve. Rabati prej 30 për qind diskriminon krijuesit kosovarë. Shumë thjesht: nëse një kompani serbe apo turke vjen të xhirojë në Kosovë, atëherë shteti obligohet t’ia kthejë 30 për qind me paratë e taksapaguesve. Ajo vlerë e investuar sigurisht do të jetë fiktive, pasi ajo vlerë investohet para së gjithash te ekipi krijues që ata do ta sjellin nga vendi i vet. Krejt çka do të marrin nga Kosova është ndonjë ushqim ose ndonjë fjetje”, ka thënë ai. Sipas Sopit, diskriminimi bëhet pasi kur një kompani vendore realizon një film, i detyrohet shtetit me taksa rreth 40 për qind.
“Hendeku i diskriminimit të një kineasti serb dhe atij shqiptar është 70 për qind. Një diskrimin i tillë nuk besoj se ka ndodhur as në kohën e Pol Potit e as të Hitlerit”, ka thënë ai.
Por shumë kineastë i kanë dalë në përkrahje rregullores që përcakton rabatin.
“Një arsye për të festuar” dhe nisma e vitit 2016
Aktori e producenti, Fatmir Spahiu ka thënë se nuk ka promovim më të madh dhe më të lirë të Kosovës sesa kjo mënyrë.
“Ky është një lajm i mirë dhe një arsye e filmbërësve dhe jo vetëm, për të festuar! Me urgjencë duhet të nisë promovimi i rabatit nëpër botë dhe jo vetëm nga Qendra e Filmit, por edhe nga faktorë të tjerë. Në Kroaci, një rol të rëndësishëm në promovimin e rabatit kanë pasur edhe odat ekonomike të vendit”, ka shkruar ai në rrjete siociale. Ka treguar se filmi, në të cilin është bashkëprodhues, “Illyrcvm” ka konsideruar xhirimin në Kosovë dhe Shqipëri, më konkretisht në Restelicë, Shkrel të Rugovës dhe në jug të Shqipërisë me Jonin në prapavijë.
“Asnjëra nuk është realizuar për shkak të rabatit. Në fund, produksioni kryesor, pra ai kroat ka zgjedhur Bosnjën, për shkak që Kantoni i Sarajevës ka në aplikim rabatin që disa vjet. Kështu, filmi ka vendosur të xhirohet në Bjellashnicë, Bosnjë dhe pjesa tjetër në Kroaci me Adriatikun në prapavijë”, ka thënë ai.
Lajmin për 30 për qind rabat e ka promovuar edhe ish-drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Arben Zharku.
“Momenti më i madh historik për industrinë kreative të Kosovës”, ka shkruar ai në rrjete sociale, duke shpërndarë posterat sqarues në gjuhën angleze. Realisht Arben Zharku ishte nismëtar i kësaj ideje qysh më 2016. Në mars të atij viti, ai kishte takuar ministrin e asokohshëm të Financave, Avdullah Hotin. Në atë takim, QKK-së i ishte rritur buxheti për 250 mijë euro për atë vit.
“Në këtë takim u bisedua për themelimin e një fondi për industrinë e filmit dhe lehtësirat financiare, nëpërmjet të cilit fond, Kosova synon të futet në tregun ndërkombëtar të filmit në vitin 2017. Ministri Shala dhe ai Hoti u zotuan se do të bashkëpunojnë ngushtë për realizmin e këtij fondi, i cili ka për synim që të përfitojë vëmendjen e kinematografisë botërore. Nëpërmjet këtij fondi, Kosova do të garantojë lehtësira financiare për produksionet e huaja filmike, të cilat do të vijnë në Kosovë për realizimin e projekteve filmike”, shkruhej në njoftimin e datës 16 mars. Aty sqarohej se ky fond Kosovës do t’i sjellë përfitime të mëdha financiare, por edhe do të ndikojë dukshëm në njohjen e vlerave turistike dhe njëkohësisht do ta promovojë kulturën e Kosovës. Se cili do të jetë ndikimi i rimbursimit prej 30 për qind, mbetet të shihet.